Nga: Isak A H M E T I
I. Figurë e madhe e Kishës katolike dhe Kombit shqiptar
Duke ndjekur vazhdën e veprimtarisë përkthyese biblike-letrare të Shën Jeronimit e Buzukut, të Matrëngës, të Budit, të Bogdanit dhe të prelatëve të tjerë kishtarë, Dom Simon Filipaj, me të cilin me lidhin kujtime të bukura miqësie dhe bashkëpunimi, me veprën e vet ka shënuar një nga periudhat më të lavdishme dhe më të rëndësishme në historinë e pekthimeve të teksteve biblike dhe në historinë e kulturës sonë kishtare dhe kombëtare. Me BESËLIDHJEN E RE, me Mesharin dhe së mbrami me BIBLËN INTEGRALE në shqipet, ai ka hyrë njëherë e përgjithmonë në lagjen e madhe të figurave më të ndritura të kulturës dhe letërsisë sonë. Ai është figurë e madhe e Kishës katolike dhe Kombit shqiptar.
II. Lidhja ime me Simon Filipajn
Me Dom Simon Filipajn(1925-1999), të ciin unë i pari në studimet shqiptare e kam quajtur: SHËN JERONIMI I DITËVRE TONA, me lidhin shumë kujtime të bukura miqësie, respekti të ndërsjellë dhe bashkëpunimi. Një dëshmi bibliografike me shumë rëndësi për këtë është edhe dëshmia bibliografike e përfshirjes së Isak Ahmetit në grupin e lektorëve të BIBLËS së përkthyer dhe të shtjelluar nga Dom Simon Filipaj, botuar nga SHB”DRITA”, Ferizaj-Bergamo, Italy, 1994.

Pjesëmarrja dhe bashkëpunimi im në lekturimin dhe përgatitjen për botim të BIBLËS në vitin 1994, përbën një dëshmi të rëndësishme të veprimtarisë sime gjuhësore si studiues i gjuhës dhe letërsisë shqipe në një nga projektet më të rëndësishme të kulturës biblike shqiptare.
Në kontekst me këtë le të përmendim këtu se unë, që në vitet e 70-ta e deri në vitin 1994,kur është botuar për herë të parë Bibla integrale, kam qenë i angazhuar, fillimisht nga Mons Nikollë Mini e më pas nga Imzot Nikë Prela dhe Dom Lush Gjergji, jo vetëm si lektor gjuhësor i revistës fetare-kulturore “Drita” por edhe si bashkëpunëtor me pseudonimin SHPEND SHPATA…
III. Takim pune i një rëdësie të veçantë
Është me rëndësi të dihet se me kërkesën e Dom Simon Filipajt, me të cilin jemi njohur nga afër, unë kam qenë i përfshirë, jo rastësisht, në grupun e lektorëve gjuhësorë të Biblës së përkthyer nga Dom Simon Filipaj, i cili ka pasë një respekt dhe konsideratë të veçantë ndaj meje si studiues i dalluar jo vetëm i letërsisë por edhe si studiues i Biblës. Shi për këtë arsye ai kishte propozuar dhe inzistuar që unë të jem në grupin e lektorëve gjuhësorë të Biblës së tij.
Në kontekst me gjithë këtë,është me shumë rëndësi t’i njohtoj gjithë lexuesit e mi dhe studiuesit e kësaj problematike se,para se të botohej Bibla(1994),në tetorin e vitit 1993, në Zyrën e Famullisë në Stubëll, kemi mbajfur një Takim pune ku kemi qenë:Dom Lush Gjergji(në cilësinë e redaktorit të “Dritës”, Dom Simon Filipaj, si përkthyes i Biblës inregrale në shqip dhe unë, Isak Ahmeti, si njëri nga lektorët kryesorë të Biblës dhe Dom Rrok Gjonlleshaj, nikoqir.
Në këtë takim fjalën kryesore e kisha unë, me ç’rast kam paraqitur vlerësimin tim (mbi 40 faqe tekst të shtypur) në lidhje me vlerën dhe rëndësinë e këtij përkthimi. Pas shqyrtimeve, diskutimeve dhe analizave që bëmë në këtë takim, morem vendim unanim: Bibla e përkthyer, shtjelluar dhe komentuar me shumë përkushtim nga Dom Simon Filipaj, duhet të botohet pa humbur kohë. Dhe u botua me 1994 duke bërë jehonë të madhe jo vetëm në qarqet kulturoee shqiptare.
IV. Çka e veçon përkthimin e Biblës integrale në shqilp të Dom Simon Filipajt
Së pari këtë përkthim, të cilin e ka çmuar lart Zef Mirdita (Krhs. Zef Mirdita, Besëlidhja e Re, Thema nr.1-2 1985, fq. 217-222), e veçon ,nga të gjitha përkthimet e deritashme të teksteve biblike, parathënia ku jepen të gjitha të dhënat më të domosdoshme për seciln lexues lidhur me origjinën e Biblës, me karakterin e librave të saj,me rrethanat dhe vendkrijimin e saj dhe me botën grekoromake. Pos kësaj, para secilit tekst të Biblës jepen komente e të dhëna të shkurta rreth autorit të tyre dhe karakterit të kohës. Së këndejmi me vlerë të madhe janë komentet biblike të teksteve të Biblës, komente këto që janë mbështetur fuqimisht në interpretimet moderne të Biblës.
Natyrisht duke i pasur për bazë dhe pikënisje gjithmonë botëkuptimet dhe interpretime biblike të Shën Jeronimit. Me vlerë tejet të rëndësishme është edhe Tabela kronologjike ku në shtyllën e djathtë veçmas flitet për historinë e Palestinës e të Biblës. Por mbi të gjitha këtë përkthim e veçon, nga të gjitha përkthimet e deritashme,gjuha letrare shqipe e njësuar, për çka kam pasur ndikim edhe unë, që del e kuptueshme për të gjithë shqiptarët kudo në botë.
Dom Simon Filipaj, prandaj, duke u mbështetur në përvojën përkthyese evropiane dhe shqiptare, njëkohesisht edhe në përvojën time si përkthyes letrar nga gjuha italiane, gjermane dhe latine(të cilën ai e ka përcjellë dhe njohur nga afër që nga fillimi), ka krijuar një vepër të re shqip ,Biblën integrale shqip,që përmban vlera të mëdha biblike,teologjike, filozofike,letrare e artistike. Më këtë ai, Dom Simon Filipaj, ka provuar dhe dëshmuar njëkohësisht aftësinë shprehëse të gjuhës letrare shqipe të njësuar.
Ç’është e vërteta, te Bibla intrgrale shqip, përkthyesi në fjalë ka shkrirë pjesën më të madhe të talentit të tij përkthyes-krijues letrar. Ai këtu shndërrit veçmas me gjuhën e njësuar letrare, me stilin, me mënyrën e shkrimit, me shprehje e fraza të gurrës popullore, origjinale, prapë të një fuqie krijuese të Dom Simon Filipajt. Bibla në përkthimin e tij, siç ka vlerësuar me të drejtë prof. dr. Nebi Islami, del e shprehur me një gjuhë subtile, të kumbueshme, të zgjedhur e të përpunuar me kujdes e zell të madh, e cila përfshin një leksik të pasur me të cilin terminologjia jonë biblike merr formën dhe fizionominë standarde (Krhs. Nebi Islami, Bibla -Dritë mbi kulturën dhe qytetërimin shqiptar, Duke shfletuar Biblën e përkthyer nga Dom Simon Filipaj, te “Fjala”, 25 janar 1995).
Bibla integrale në shqipet e Dom Simon Filipajt pa dyshim është një prej monumenteve më të rëndësishme të gjuhës shqipe të shek XX. Në të është bërë në mënyrë të mrekullurshme përgjithësimi i zhvillimit të gjuhlës shqipe deri në gjysmën e dytë të shek. XX. Aty është shfaqur njëkohësisht edhe prirja e zhvillimit të saj të mëtejmë.
Ky përkthim, të cilin unë, jo vetëm si lektor gjuhësor, por edhe si studiues dhe përkthyes letrar, gjatë kohës së lekturimit, e kam kahasuar me disa përkthime në gjuhën gjermane, me disa përkthime të tjera si dhe me tekstin origjinal të: Novum Testamentum graece et latine (Krhs. Isak Ahmeti, Bibla në Letërsinë Shqipe, GR, Prishtinë, 1999, fq. 75-76-77-78), kam vërejtur se përkthyesi në fjalë nuk është larguar nga domëthënia dhe porosia e origjinalit. Megjithëkëtë, aty-këtu vëreht ndonjë “shtegtim”i lirë, por kjo, sipas vlerësimit tim,është bërë për hir të natyrës së gjuhës shqipe…
V. Në përmbyllje
Në përmbyllje të këtij shkrimi le të theksojmë se Bibla në gjuhën shqipe, siç e ka thënë Dr.Dom Lush Gergji (Krhs “Bujku”, 17 dhjetor 1994), është një ngjarje e madhe fetare, kulturore dhe historike. Për më tepër, përkthimi i Biblës tek popujt evropianë dhe jo vetëm te këta, shënon fillimin e formimit të gjuhës letrare dhe fillimin e letërsisë kombltare. Bibla, siç ka shkruar me të drejtë Prof. dr Zef Mirdita (Krhs “Urtia”, Revistë fetare-kulturore, 1/1995, 13), shenjtëron çdo kulturë dhe popull. Që këtej prandaj del se Bibla ose fragmente të saj të jenë përkthyer deri me sot në botë mbi 2197 gjuhë të botës, edhe në gjuhën shqipe (Krhs Bujku, 28 shkurt 1998, fq. 10).











