(Intervistë e imagjinuar me Adem Jasharin e maleve)
NGA KALOSH ÇELIKU
Ehu, Plaku ynë satirist i madh shqiptar, dhe i urtë Xha Deralla! Që, me anekdotat e tua tejkalove edhe Nastradin Hoxhën. Burrë, që në pleqëri bukën e gojës ta shtinim në dhomë nëpër hekurat e dritares. Shkaku, se: nuk të lejonin të dalësh jashtë vetë shqiptarët, me “arsye” se ua dalldis burrat dhe gratë, rininë e fshatit… Shoqërinë… Shtetin e “përbashkët” jugosllav. Burrë, që Xhandarët e serbit në atë kohë, kur të takuan në rrugën e Katundit (Parisit Vogël), dhe të pyetën:
- O, plak! Ku, e ka shtëpinë Plaku i Katundit?
- Ecni pas meje! – u the pa frikë.
Dhe, i shëtite gjithë natën nëpër Katund. Të nesërmen, kur zbardhi dita ua tregove portën e Plakut të Katundit.
– Ja, kjo është porta e Plakut të Katundit.
- Epo, Katundi madh kishte qenë ky i juaji o plak, i tha xhandari i serbit Plakut të Katundit, në odën e burrave. Edhe, kishit pasur disa xhami në Katund?!
- Është, Katund i madh. -Iu përgjigjë Plaku i Katundit. E kemi edhe vetëm një xhami, jo disa në Katund.
- Po ne, gjithë natën i pamë disa xhami?!
- Kush, u solli deri te porta ime, në shtëpi? I pyeti Plaku i Katundit.
- Një plak me mjekër, dhe kësulë të bardhë në kokë.
- Është, Katund i madh. Buzëqeshi, Plaku i Katundit. Ai ka qenë Xha Deralla. E kuptoi, se: Xha Deralla, i kishte sjellë rretherrotull rrugës të njejtë gjithë natën përmes Katundit pranë xhamise. Prandaj, edhe e kishin parë vetëm një xhami.
Derën, që atë ditë ta mbyllën me çelës mos dalësh më në rrugë. Shkaku, se: Katundit i kishe sjellë probleme me xhandarët e serbit. I kaloje ditët e pleqërisë i vetmuar në mes të katër mureve. Dhe, e prisje te porta Zonjën Vdekje si burrat me anekdota. Edhe atë: burri mejdanit me sharrë në krah, që gjithë jetën i kishte shartuar dardhat gorrice te “Jasakët e Tikeve”. Edhe, te “Përroni i Thanës” me dardha turke të buta. Anegdotat e të cilit edhe sot qarkullojnë gojë më gojë nëpër botë.
Ende, nuk mund ta harroj këngën popullore që na e këndoje në atë kohë, kur ta sillnim bukën e gojës majë një shkopi me dy çatalla lisi nëpër dritaret e shtëpisë të mbyllur me hekura. Që, na përgjigjeshe me këngë:
… Ehu, rrahu teli në Tiranë
e ka shitë Turqia këtë Rumeli.
Edhe atë: shtatë gjemi me alltan,
E ka ble ai Moskovi Zi…
Edhe këtë ditë, ato vargje të asaj kënge popullore nuk mund t’i heq nga mendja. As, nga shkrimet e mia publicistike dhe librat. Që, më janë ngulitur në tru si pyka. Vallë, a edhe sot Kosova qenka një grua e vejë pa burrë?!… Shkuesit duhet ta shesin për poste partiake, pushtet dhe pasuri burrë më burrë?!… E ajo, edhe sot e kësaj dite, ende të mos mundet ta gjejë një burrë me tirqi dhe xhamadan me gajtana?! Kësulën e bardhë të Bajram Currit në kokë. Sahat me qystek për qafe. Mauzerrin në dorë. Nagëntin në brez me fishek në gojë. Bombat nëpër xhepat e strukes zezë krahëve…
Gjithë jetën ta kalojë burrë më burrë. E në fund, përsëri të kthehet te burri i parë, sadist me shajkaqë në kokë. Burri, që gjithë jetën e dhunoi, vrau dhe e masakroi për vdekje. Burri, që e përzuri me gjithë fëmijë edhe nga Shtëpia. Mezi e ktheu të alivanosur në shtëpi Amerika. E shi sot, vetë djemtë e saj e kthejnë te burri i parë, poligam. E martojnë me krushqi. Edhe një herë bëjnë dasëm me shtatë palë lodra. Edhe, atë: Ditën e Sotme me dy shtete shqiptar. Dhe, të tretin në prag, Maqedoinë e Veriut. Ende, pa një Shtet Etnik Shqiptar.
O Imzot! Kosova, siç duket deri më Sot pati vetëm një djalë. Edhe atë: Adem Jasharin. E di, ju më përgjigjeni sipas Historisë, pati edhe djemë të tjerë trima e gra. Pajtohem. Burra pene e pushke: Bajram Currin, Isë Boletinin, Dervish Carën, Hasan Prishtinën, Shotë e Azem Galicën, Sulltanë Qafën, Kalosh Zajazin, Ibrahim Rugovën… E vërtetë, po djemtë e sotëm i dolën kopila. E shitën, dhe e shesin ende Nënën e tyre burrë më burrë. Edhe seç ma kujtoni në këtë ditë të kobshme: “Horrin” e Prishtinës. “Zekthin” e Shkupit, që delë kur t’i teket në Shkup. Revista humoristike-satirike.
Poull, Sot: me dy shtete shqiptar?! Dhe, i treti në prag: Maqedonia e Veriut. Ende, pa një Shtet Shqiptar Etnik?!
– A, ia ndjeve krismën, o Adem Jashari? E shpallëm pas Lufte maleve Pavarsinë e Kosovës?
– “Tybe”, boll pak! E bëtë Shqypni me tupana, çifteli e dajre, e këndej gjysma e popullit shqiptar mbeti nën Serbi, Maqedoni të Veriut, Mal të Zi, Greqi… Edhe, matanë Atdheut. Dhe, e shpërndarë në të katër anët nëpër botë si Kashta e Kumbarës…
– Qysh, nuk ia paske ndi zanin, o burrë? E gjithë shqiptaria u çue më kambë me armë dhe protesta paqesore: në Prishtinë, Shkup dhe Tiranë. Skënderbeu e ngriti lartë në dorë flamurin amerikan në “Bita-Pazar” të Shkupit Historik… E ne, nëpër katunde e ngritëm flamurin kombëtrar edhe mbi avlia, dhe plepa e bandere, që e lamë të kalbet edhe në bandera (shtylla elektrike) flamurin kuqezi me shkabën dykrenare. I madh dhe i vogël, dolëm në sheshin “Skenderbeu” me protesta për Ligjin e speciales të Hagës. U bëmë bashkë me UÇK -ën. E zgjodhëm më në fund edhe presidenten e tretë të Kosovës. Përsëri, Grua. Duartrokitje! Nuk shkuam me pa instuticione dy vite me radhë në parazgjedhje të parakohshme me pazare politike. Luftë për pushtet dhe pasuri të partive politike.
– Paj, kur e shoh, he burrë se me Shqipërizë, me Maqedoni të Veriut, dhe Kosovë… e bëtë Shqypni me tupana, çifteli e dajre, përpak me gjithë “tabut” në shpinë desh u ngrita nga varri përsëri të dalë në Mal…
– A nuk po sheh se sa trima u mblodhën në Ditën e pavarsisë?! Ditën e Kongresit të Manastirit… Ditën e flamurit… Dhjetëvjetorin e UÇK -ës… Protestat “paqesore”. Zgjedhjen e presidentes Kosovës në Prishtinë. Veç sa nuk po i lëshoi toka e Kosovës, Maqedonisë Veriut… Dhe, veç falë Zotit, që nuk po iu gjuajtën me dorë Serbisë se, po me i hi për një ditë në Beograd. Punemadhe, që ato na u sulën me dorë e me këmbë…
– Zoti, ia ruajt Shqypnisë këto “trima”, këta mitingaxhi e këta këngëtarë, që e kthyen Shqypninë “mbarë” në ditë të sotme, tue këndue e tue ba “gjymysh”, tue mbajtë fjalime e tue thanë: “lavdi“, mbi varre e nëpër sheshet e Skenderbeut, e masandej tanë natën me meze e me raki, kafe turke e çaj rusi me pare të vjedhura nga populli nëpër çarshi! Shqiptaret, deri me Sot me pushtet e kanë pasur në Histori vetëm një Grua. Edhe, atë: Teutën Ilire.
– Paj bre Adem, mbasi shkaun e përzumë dhe e ndoqëm prej këtuhit… tash duhet me ba edhe na i trohë sefa! Dasëm të madhe… Edhe ne, më në fund morëm Nuse në Shqipëri…
– Kush e përzuni “shkaun”, ka e keni ndjekur?! Shuej bre, se e rroka prapë mitralozin me dy kambë! Ja… nime kund vend s’i keni lanë tue ikë, si lepujt. Tash vetëm bini çiftelisë e knone Isuf Hajdarin dhe shtynu me vite se, kush e ka nisë luftën ma i pari në Jugosllavi: Fadil Hoxha, apo Emin Duraku?! Dhe, kush ka ma shumë shpirta të vdekun për me qitë në kangë me çifteli… Dhe, kush e solli Pavarsinë e Kosovës… E, kush asht ma patriot…
– O baca Adem, ngadalë, bre burrë, ti thuaj: shyqyr, që na ka ardhë dita me kënue e me u gëzu… E me e ba Shqypni me çifteli…
– Po, po… Nime, mbasi nuk po punoni kurgja, s’keni çka me ba, veç mbaroni vorre në vend të fabrikave, xhami në vend të shkollave, ndiqni përvjetorët e humbjet i shënoni me “fitore”, kush ka vdekur e kush asht varrue… Serbia për së gjalli nuk më përzuri në Turqi… E, ju pas vdekjes më shpërngulët në një shesh të Stambollit, duke ma ngritur bustin në atë vend të mallkuar… Shpirti në paqë nuk më prehet kurrë: eshtrat nuk m’i lini rehat edhe në varr. Bustin ma shpërngulët edhe në Stamboll, në Turqi. Por, dinie mirë se tue e teprue me kangë e çifteli po na çitni në bisht të lahutës, po bani hajgare me ne shqiptaret.
E zgjodhët pasmesnate edhe presidenten e re të tretë te Kosovës, pas pesë emrave të propozuar për presidentë… Kur po ndëgjojmë, sesi po na nderoni, veç s’po kemi si me dalë prej vorri e ma jau q… nënën. Babën, jo! Q… -më vetë si popull shqiptar. Edhe, dy-tri “babat” tjerë të politikës juaj “madhore”. Këtu, po durojmë mbasi s’po kemi çka me ba. Po sa herë po i lajmë, te kroni i shpirtave të vdekun, duart e sytë në ferk të sabahit, po jau shilojmë nantë mijë herë nanat! Edhe, “Babat”.
– Po me kanë ti gjallë sot çka kishe ba, o Adem Jashari?!…
– Çka, a? Paj, me politikën e juaj pasmesnate m’u kish dashtë me dalë edhe nji herë në mal kaçak prej jush shqiptarëve me politikë “madhore” për Mëmëdhe. E, për Atdhe. Dhe, me e ba siç duhet Shqypni Etnike… Boll më e shitët Kosovën si një grua të vejë me krushqi politikanë, dhe pazare të partive politike e dajre te Moskovi Zi… Dhe, e dërguat me koçi e krushka dhe dajre si nuse e vejë burrë më burrë. Vazhdoni të bëni Shqipëri Etnike me “protesta politike” për poste partiake, pushtet dhe pasuri, por jo në emër të Adem Jasharit para këmbëve të Kalit Skenderbeut!
Bac, ende nuk është kryer…











