BOTA ESEISTIKE E STUDIMORE E BRAHIM AVDYLIT

Shkrime të ndryshme

admin
adminhttps://fjala.info
Publikuar nga: Arben Çokaj - Mësues Fizike & Informatike :: Gazetar & Analist i pavarur :: Shkrimtar :: Ueb- & Grafikdizajner
Bedri Tahiri
Bedri Tahiri

Recension: Bedri TAHIRI

(Mr. Brahim (Ibish) AVDYLI, “Studime kritike dhe domosdoshmëria e një polemike”(Studime, recensione e vështrime mbi të gjithë shqiptarët dhe një polemikë e patjetërsueshme), SHB “SAS”, Prishtinë, 2026).

Një ditë derisa po punoja në një projekt timin, më cingëroi telefoni. Ishte kolegu im, Mr. Brahim Avdyli. Më tha se po nisem nga Prishtina të takohemi në Vushtrri për të pirë kafen e mesditës. Dhe, brenda orës u gjendem përballë Kalasë së Vicianës së lashtë. Derisa po kuvendonim e po pinim kafenë, nga çanta nxori një dorëshkrim, të cilin ma kishte besuar për t’ia bërë edhe një recension. Ishin disa studime e vlerësime për libra e autorë, të futura nën titullin “Studime kritike dhe domosdoshmëria e një polemike”.

E pranova me gjithë dëshirë dhe i urova suksese në vazhdimësi, edhe pse, të besh vlerësim për vlerësimet, nuk është punë e lehtë. Megjithatë, po provoj të them diçka…

* * *

BrahimAvdyli është një zë i veçantë i letërsisë shqipe: poet, prozator, publicist dhe studiues. Krijimtaria e tij, e lidhur ngushtë me atdheun, lirinë, mërgatën dhe fatin e njeriut shqiptar, dëshmon një përkushtim të qëndrueshëm ndaj fjalës dhe kujtesës kombëtare. Autori që e ka kthyer fjalën në kujtesë, dhimbjen në art dhe dashurinë për atdheun në mision krijues. Nga opusi krijues i tij, po përmendim veprat „Në hijen e Alpeve“, “Buka e kuqe”, „Kur zgjohet Dodona“, „Pasqyrë e përgjakur“, „Klithje nga fundi i ferrit“, „Gjuha e dheut tim“, “Baraspesha e humbur”, „Vragat e një kohe“, „Shtegtimi i lirisë“, „Arena e dhembjeve“, “Sondazhe për Kosovën dhe kufirin e saj”, “Flatrat e jetës”, “Nëpër telat e zemrës”, “Bota shpirtërore në krijimet e veçanta”, “Thikat e mllefit”, “Parametrat e dimensioneve letrare”, etj.

Libri më i ri i tij, që e lexova dhe e rilexova me laps në dorë, si i thonë një fjale, “Studime kritike dhe domosdoshmëria e një polemike”, është i një natyre specifike me një diskurs të përzier,  ku gërshetohen natyrshëm bota studimore, recensionale, esesitsike, kritike dhe emocionale e autorit të palodhur, Mr. BrahimAvdyli.

“Studime kritike dhe domosdoshmëria e një polemike” është një vepër me qasje të gjerë kritike e studimore, në të cilën autori shtron për diskutim çështje të rëndësishme të letërsisë, kulturës dhe jetës kombëtare shqiptare. Përmes studimeve, recensioneve dhe vështrimeve, Brahim Avdyli dëshmon një mendje kërkuese dhe një qëndrim të drejtpërdrejtë ndaj dukurive që trajton. Veçanërisht, polemika nuk paraqitet si qëllim në vetvete, por si nevojë për debat, ballafaqim mendimesh dhe kërkim të së vërtetës.

Kjo vepër ka vlerë edhe për faktin se nxit dialogun kritik dhe i fton studiuesit, shkrimtarët e lexuesit të mos kalojnë indiferentë përpara çështjeve që prekin kujtesën, identitetin dhe kulturën shqiptare.

Lënda e shtruar në këtë sofër të madhe, është e larmishme dhe shumëdimensionale, andaj autori për lexuesit e tij kureshtarë, është kujdesur që tua lehtësoi shijimin, duke e klasifikuar në kapituj e nënkapituj. Kështu, kjo penë e stërholluar, kësaj radhe i ka vu nën tëhollues  nëntë vepra e nëntë autorë, si dhe një polemikë:

  1. Si mund të përjetohet rezistenca ndryshe,
  2. Gjeografia e tokave tona dhe synimet artistike të një vepre letrare,
  3. Dhembja që nuk falet,
  4. Metafora e dhembjes poetike dhe etja e madhe për dritë,
  5. Në thjeshtësinë e gjërave flet e vërteta simbolike,
  6. Universi i përgjithshëm i kulturës së mendimeve nëpër vargje,
  7. Urat e veprimit në mes të mërgatës e atdheut,
  8. Ta njohësh dhe ta durosh dritën brenda teje, është sugjestion i përkryer i vetvetes,
  9. Kur e keqja e mund njerëzoren në një qytet të lashtë të Dardanisë dhe
  10. Një polemikë e patjetërsueshme me Pangallosin e Greqisë.

* * *

Libri fillon me një vështrim të shkurtër për librin e Xun Çettës, një veprimtar i dalluar i çështjes kombëtare dhe i burgosur politik, me titull “Një rezistencë ndryshe, 1981-1990”, botuar në vitin 2013 nga ShB “Brezi’81”. Duke folur për librin, ai thekson: “Xun Çetta ka dalur para lexuesve me një libër të jashtëzakonshëm, me një libër dokumentar të rëndësisë së një karakteri politik e historik, si një kryengritës revolucionar, i pa pajtuar me realitetin e kohës së egër tej mase për të gjithë shqiptarët, pas arrestimit të tij, edhe pas dënimit me burg të gjatë, në kushtet tejet të veçanta…”.Ndërkaq, recensenti i librit, z. Berat Luzha, ka vlerësuar:“Xuni, si shumëshokë të tij të vuajtjeve të burgut, u keqtrajtua nga organet e shtetit, si në hetime, ashtu edhe gjatë mbajtjes së dënimit në burg…”.

Një recension më i thelluar analitik na vjen për përmbledhjen poetike “Eshtrat pezull” të poetit Mustafë Kraniqi, në të cilin, sipas studiuesit Brahim Avdyli tri figura të larta të shqiptarisë, Pirro Burri, Aleksandri i Madh dhe Gjergj Kastrioti e lidhin fund e krye librin dhe paraqesin një bosht të fuqishëm kurrizor. Autori e do gjeografinë e vendit të vet ashtu siç ishte, një Shqipëri reale etnike, apo dy etnike, gegë e toskë, andaj shprehet:

       Edhe po të ma veni
       thikën në fyt
       nuk do të heq dorë
       nga gjeografia ime…

Mjaft i fuqishëm ka dalë edhe recensioni për librin poetik të Qazim Berishës “Nuk ta fali dhembjen”, një libër lapidar përjetësie për të vëllain dëshmor i UÇK-së, profesorin luftëtar Selim Berisha, i cili tashmë është Hero i Kosovës! Dhembja e poetit për Heroin që pushon në shtratin e përjetësisë, nuk shuhet kurrë, as nuk falet. Për Të, mund të rrjedhin lot, por:

…Këto riga të syve
       Nuk janë lot ligështie
       Por janë riga malli…

Pena e Brahim Avdylit i shkokëlon mirë e mirë edhe librat e mëdhenj që kalojnë mbi pesëqind faqe, siç është përmbledhja “Art Metafora” i Gëzim Ajgerajt, në të cilin janë përfshi “Etje në fjalë”, Çasje Alpike”, Rizgjim i kujtesës”, Këngët e dritës”, “Kthimit furtuna m’i bëjnë prita” dhe “ Nxitoj të kthehem në dritë”. Dhembja, vetmia, malli i pashuar i vendlindjes dhe i Atdheut në përgjithësi, janë lajtmotive të shumicës së këtyre poezive.“Poeti e ka shprehur shkrumbin e mallit nëpër gjeografinë eikjeve, udhëve pa mbarim. “Piramida e mallit” dhe “Dekadat e arratise” janë disa metafora të dhembjes, sikurse vetë “gjeografia e ikjeve”, e cila është metaforë në vrushkullin e vargjeve, të cilat, nuk janë të vetmet, sepse metaforat nuk kanë përfundim në këto vargje… Vargu i tij është brumë për idenë apo muzës së idesë,- shprehet studiuesi Brahim Avdyli.

Për kulturën nuk ekzistojnë kufijtë artificialë politik. Këtë e dëshmon edhe ky libër studimor i Brahim Avdylit. Ai i shpërfill ata kufij, duke marr në trajtim vepra nga të gjitha Trojet Etnike. Sa me vullnet e përkushtim profesional iu ka rrekur edhe dy librave të poeteshës nga Burreli, znj. Erina Çoku: “Krahë s’kanë engjëjt e mi” dhe “Gjurma e gjethes”. Duke i vlerësuar lart këto vargje të fuqishme, studiuesi shprehet: “Poetja Erina Çoku” e dërgon vrugullimin e saj poetik deri te meditacioni, deri te vrungullimi lirik-epik… Nëpër këto poezi na shtrohen sinqerisht ndjenjat e shpirtit të saj, duke u përjetuar si lirikë të poezisë shqipe, me gjerat e thëna në opinionin e gjërë publik, përmes skutave të brendshme të ndërgjegjes, në shtruarje të terrenit të saj simbolik, që të vazhdojë më fuqishëm në përmbledhjen e dytë, sikurse e lëshon pak edhe në vargjet e këtushme.” Ndërkaq, për librin e dytë thotë: “Gjurma e gjethes” është një nga përmbledhjet më të mira të metaforikës letrare, të pjesëve të denja të rrëfimeve të një zemre të madhe të dashurisë njerëzor”.

Në recensionet kushtuar dy librave të Martin Çunit, “Universi i jetës” dhe “Lulet e jetës” (Letra nga burgu, Teutës dhe Agronit)”, botuar nga Radio Kosova e Lirë, më mirë se kudo, gërshetohet bota studimore e eseistike e Brahim Avdylit. “Universin e jetës e ka zënë Martin Çuni, pa poezi të ngarkuar, pa poezi të bëra vetëm prej metaforave e simbolike, pa poezi abstrakte e të tjetërsuara, nga të gjitha ciklet e këtij libri, për ta ruajtur shqiptarinë e paprishur, por të lirë e të pavarur, krahas popujve tjerë, me plis të bardhë mbi kokë”- konstaton autori i recensionit. E libri tjetër“Lulet e jetës”, në të cilin shprehet një dramë e thellë nga burgu i Nishit, që u kushtohet dy fëmijëve; Teutës e Agronit, por, në fakt, aty gjejmë të gjithë fëmijët e Kosovës të rritur pa e shijuar dashurinë e babait të burgosur.

Shkrimtarët dhe artistët përherë janë përbashkues të kombit e të atdheut. Kështu vepron edhe Ismet Krasniqi-Lala, përmes librit “Urat e komunikimit kulturor”, një simbolikë e fuqishme që shpërfaq dëshirën për ta lidhur diasporën me Kosovën, një mision i shenjtë për ribashkim, për të cilën shkruan autori Brahim Avdyli, mërgimtarinë Zvicër, ku edhe u përurua libri.

Me një ndjejnë më subtile, natyrisht edhe me një ngarkesë emocionale, është analizuar libri i parë i Fitore Avdylit- Baraliu, ku studiuesit “shpirti i ka mbetur i shpërndarë nëpër vargje”. “Është vështirë të shkruash një studim për këtë vepër, e aq më tepër të jesh baba i kësaj vajze të zgjedhur, që vuante për të gjithë, e me këtë vuajtje të saj do ta përjetoj në përgjithësi, si më të ngriturën nga fëmijët e mi”– shprehet autori Brahim Avdyli.

Mjaft specifik është edhe analiza e librit me ese të Vlera Ejupit, pedagoge në Universitetin e Evropës Juglindore (UEJT), “Pakti me djallin”, botuar në Shkup (2011). “Nëpër këto shkrime të veta për një çështje të madhe shqiptare të Vlera Ejupit, janë një zë i qartë i femrës më të ditur të kësaj gjenerate dhe gjithë shqiptare, e cila me diapazonin e saj socio-kulturor na e sjellë ndër pak faqe (140) zërin e saj, sipas traditës së vjetër familjare dhe shqiptare e formimit të saj intelektual, sipas kulturës anglosaksone”, -thekson studiuesi.

“Gjaku nuk bëhet ujë”- thotë vetë autorja, duke kujtuar e rikujtuar viset shqiptare të Çamërisë sonë, ku sot e ngufat dora e zezë greke, duke kujtuar vendlindjen e saj, kryeqytetin e Dardanisë, Shkupin, të cilin e sheh si dhembje edhe të gjyshit të vet të vrarë aty, pa lënë asnjë gjurmë. Vlera Ejupi na ka shkruar një vepër eseistike të mrekullueshme, përfundon Brahim Avdyli.

Libri “Studime kritike dhe domosdoshmëria e një polemike” përmbyllet me një shkrim shpjegues e sqarues, do të thosha unë, që autori e quan polemikë me intervistën e Teodor Pangallosit, deputet e ministër i Greqisë, në të cilën janë përdorur shumë pasaktësi, me qëllime tendecioze në dëm të çështjes kombëtare shqiptare dhe vetë historisë. Autori, me fakte të dokumentuara, i demanton ato synime qëllimkëqija. Kështu, mjafton të përmendet emërtimi arvanitas, i cili duhet të shkruhet ashtu siç është arbanitas-arbanët-arbërit (nga gegërishtja ar-ban= ai që bën arën). Ata janë shqiptarë nga kombi yllor-pellazgo-ilir dhe përbëjnë një shumicë në Greqi.

Në përmbyllje mund të konstatojmë se libri “Studime kritike dhe domosdoshmëria e një polemike”, i autorit Brahim Avdyli është një realizim i arrirë në fushën e llojit të vet, në fushën e studimit, analizës dhe eseistikes, gjë që autorit i dëshirojmë shëndet, suksese e mbarësi në hartimin e librave të rinj, e veprës mirëpritje nga lexuesit!

Galicë, 21 shtator 2026

Më shumë shkrime

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Shkrimet e fundit