14.6 C
Tirana
E enjte, 24 Shtator 2026
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)
Kreu Artikuj Gjeneral ® Piro Ahmetaj: “mbi broçkullat për katastrofën Kombëtare që mbart arrestimi Drejtoreshës...

Gjeneral ® Piro Ahmetaj: “mbi broçkullat për katastrofën Kombëtare që mbart arrestimi Drejtoreshës së SHISH”!

0
Gjen. Piro Ahmetaj - Vlora Hyseni

Sigurisht po ndjek me shqetësim të shtuar dinamikën e pas-masës së SPAK për të vendosur në arrest shtëpie ish-Drejtoreshën e Shërbimit Informativ të Shtetit, Znj. Vlora Hyseni. Në pamundësi për përgjigje të dedikuar ndaj studiove televizive, gazetave, aq më pak hijenave të rraskapitura nga uria perverse për pushtet në tavolinē, në vijim gjeni vlerësime, rezerva dhe rekomandime strategjike:

Pikësëpari, për arsye edhe të njohjes profesionale, pra përfshi dhe përtej kësaj kurrësesi nuk mund të bëj as avokatin, as prokurorin dhe as gjykatësin e znj. Vlora Hyseni. Por, nuk mund të mos e them që ka një dallim thelbësor, p.sh. me pa-burrërin e ish-zv. Kryeministrit Arben Ahmetaj (me mbiemër rastësisht të njëjtë), ndaj sigurisht e vlerësoj shumë vetëdorëzimin e znj. Hyseni, pasi kjo demonstron një standard perëndimor të përgjegjshmërisë zyrtare, por edhe të kodeve fisnike për t’u përballur.

Ndërsa, përkundër protagonizmit të gjithëditurve dhe kakofonisë patriotiko-folklorike të medias, përfshi mitomanët e sëmure në port-Halet dhe rrjetet sociale, shpreh neverinë dhe revoltën strategjike për reagimin “mbas pilafit”, jo vetëm në këtë rast, por ashtu p.sh edhe pas vendimit të Gjykatës së Hagës për dënimin e Presidentit Thaçi, si dhe bashkëluftëtarëve të çlirimit të Kosovës nga makineria kriminale e Millosheviçit. 

Së dyti, reagimin e Kryeministrit, për më qartë “shkarkimin në ajër” të znj. Vlora, jo vetëm e gjej në të drejtën e pushtetit që i jep Kushtetuta e RSh-së, por edhe si mesazh të përgjegjshmërisë shtetërore për të mos lënë asnjë ditë nën mllefet populisto-bollshevike, një Institucion që mbart peshë kritike për Sigurinë dhe interesat Kombëtare. Ndërsa asnjë koment nuk meriton “shpejtësia rrufe”, ose euforia e Presidentit, qoftë për emërimin, apo shkarkimin e Znj. Vlora Hyseni, etj.

Në shtesë të kësaj, edhe nga eksperienca për rreth 6 vjet Këshilltar i Presidentit, doja të qartësoj jo vetëm për komunitetin e Sigurisë, por edhe opinionin politik, zyrtar dhe publikun e interesuar se Këshilli i Sigurisë Kombëtare është vetëm organ këshillimor i Presidentit. Në rastin konkret, bashkë me Presidentin, ka ZERO kompetenca për të zgjidhur krizat politike apo shtetërore qofshin.

Së treti, thënë këtë, broçkullat e radhës të deputetëve të opozitës, në fakt vartës të gaze-muleshit: “shteti ka rënë, ndaj Presidenti duhet të mbledhë urgjentisht Këshillin e Sigurisë Kombëtare”, i gjej mjerane, cinike, dëshpëruese dhe qesharake njëherësh.

Po ashtu, edhe kujën dëshpëruese, daullet e mortit për mbledhjen e Kryesisë, si dhe protagonizmin e disa skuthe/ëve port-Halesh, i gjej vetëm përpjekje për tu/a shitur si opozitë zyrtare, kur në fakt, për shkak të 14 vjet humbjeve turpëruese, fatkeqësisht opozitarizmi është keqkatandisur jo vetëm në një kompani private tërësisht e falimentuar, por edhe të neveritur nga mbarë-Shqiptarët, si dhe abandonuar nga USA, UK dhe Perëndimi.

Së fundmi, por jo nga rëndësia, në kapacitetin e eksperiencës në reformat e sigurisë, do ta këshilloja Kryeministrin Rama që, përtej emrit të drejtorit pasardhës, SHISH ka domosdoshmëri kritike për të ndërmarrë një reformë radikale të konceptit, misionit, strukturave, personelit dhe rregullave të angazhimit, me qëllim përmirësimin rrënjësor të cilësisë/peshën e produkteve të Inteligjencës në mbrojtjen si dhe zhvillimin e interesave Kombëtare, fatmirësisht të ndërthurura me ato Amerikane në Rajon, Mesdhe, etj.

Autori: * Gjeneral ® Piro Ahmetaj:

Senior Ekspert për çështjet e Sigurisë Kombëtare,

Ballkanit si dhe marrëdhëniet me USA/NATO.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.