Nga Deklarata e 2 Korrikut te Kushtetuta e Kaçanikut – një proces historik i vetëdijesimit politik, juridik dhe kombëtar
Prof. dr. Sadri Rexhepi
NJË DATË QË NUK DUHET TË HARROHET
Ka data që kalojnë nëpër kalendar, por përbëjnë epokë në histori. 7 Shtatori 1990 është njëra prej tyre.
Në Kaçanik, në rrethana të jashtëzakonshme politike, nën trysninë e një regjimi represiv dhe në kohën kur Kosova ndodhej e rrethuar nga forcat policore e ushtarake të pushtetit të atëhershëm serb, delegatët shqiptarë të Kuvendit të Kosovës miratuan Kushtetutën e Republikës së Kosovës.Ky akt nuk ishte një ngjarje e shkëputur nga zhvillimet e kohës.
Përkundrazi, ai ishte rezultat i një procesi të gjatë politik, juridik, intelektual dhe kombëtar, që kishte marrë një hov të veçantë pas suprimimit të autonomisë së Kosovës në vitin 1989.Kushtetuta e Kaçanikut ishte shprehje e një vullneti të qartë: Kosova të mos mbetej peng i njërendi kushtetues të imponuar, por të afirmonte të drejtën e saj për një pozitë të re politike dhe juridike.
NGA 23 MARSI 1989 TE 2 KORRIKU 1990
Për ta kuptuar rëndësinë e 7 Shtatorit, duhet të kujtojmë rrethanat në të cilat u zhvillua.
Më 23 mars 1989, nën trysninë e jashtëzakonshme të aparatit policor dhe politik të Beogradit, undryshua në mënyrë thelbësore pozita kushtetuese e Kosovës, duke i hapur rrugë një periudhe të re represioni dhe mohimi të të drejtave politike e institucionale të shqiptarëve të Kosovës.
Pas këtij ndryshimi, diferencimi politik u shtri në shumë fusha të jetës shoqërore. Në arsim, administratë dhe institucione të tjera publike u ndërmorën masa kundër atyre që kishin kundërshtuar ndryshimet kushtetuese.
Edhe shumë prej nesh që punonim në arsim u përballëm me këtë politikë. Ata që nuk u tërhoqënnga qëndrimet e tyre u diferencuan, u suspenduan dhe, në raste të shumta, iu ndalua hyrja në objektet shkollore.
Kjo ishte koha kur bindja politike kishte filluar të paguhej me vendin e punës, ndërsa qëndresa qytetare po shndërrohej në një formë të re të rezistencës.
Në këtë klimë u arrit te një nga aktet më të rëndësishme të vitit 1990:
Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut.
Ajo shënoi një kthesë në artikulimin e kërkesave politike të Kosovës dhe përbënte një hap të rëndësishëm drejt përcaktimit të një pozite të re kushtetuese.
7 SHTATORI – VULLNETI POLITIK MERR FORMË KUSHTETUESE
Dy muaj pas Deklaratës së 2 Korrikut, delegatët e Kuvendit të Kosovës ndërmorën hapin tjetër historik.
Më 7 Shtator 1990, në Kaçanik, u miratua Kushtetuta e Republikës së Kosovës.
Në një kohë kur institucionet e Kosovës ishin nën presion të jashtëzakonshëm, ky aktpërfaqësonte një sfidë politike dhe juridike ndaj përpjekjeve për ta zhveshur Kosovën nga subjektiviteti i saj. Kaçaniku u shndërrua kështu në një simbol. Aty nuk u miratua vetëm një dokument juridik. Aty u artikulua një vizion për të ardhmen.
Nga Deklarata te Kushtetuta.
Nga kërkesa politike te akti juridik.
Nga rezistenca te institucionalizimi i vullnetit politik.
Kjo është njëra nga vijat më të rëndësishme që përshkon historinë moderne politike të Kosovës.
TRIBUNA “KOSOVA PARA DHE PAS VITIT 1945”
Në këtë proces të ndërgjegjësimit kombëtar e politik, një vend të veçantë zë edhe bota akademikedhe intelektuale. Më 25 dhe 26 qershor 1990, Shoqata e Historianëve të Kosovës, nën udhëheqjen e Prof. dr.Fehmi Pushkollit, organizoi tribunën shkencore: “KOSOVA PARA DHE PAS VITIT 1945” Në tribunë morën pjesë historianë, studiues të shkencave juridike dhe intelektualë të Kosovës.
Në të morën pjesë edhe disa përfaqësues të brezit politik të periudhës së Luftës Nacionalçlirimtare, ndër ta Fadil Hoxha, Xhavit Nimani, Xhevdet Hamza, Shaban Kajtazi, Veli Deva, Ymer Pula, Iljaz Kurteshi, Sami Peja, Selim Obrança dhe të tjerë. Diskutimet ishin të drejtpërdrejta, kritike dhe shpesh të ashpra. Ato shënuan përballjen e dy qasjeve: njërës që mbronte interpretimet e trashëguara nga historiografia jugosllave dhe tjetrës që kërkonte një rishikim kritik të së kaluarës së Kosovës. Në këtë tribunë mora pjesë edhe unë.
Pyetjet që ua drejtova përfaqësuesve të brezit politik të atëhershëm kishin të bënin me disa prej plagëve më të rënda të historisë sonë të Pasluftës së Dytë Botërore. Si ishte e mundur që Masakra e Tivarit të mos ishte trajtuar me përgjegjësinë që meritonte? Si ishte e mundur që krimet dhe vrasjet e shqiptarëve të Kosovës të mbeteshin për kaq gjatë jashtë vëmendjes së historiografisë zyrtare? Këto nuk ishin vetëm pyetje për të kaluarën. Ishin pyetje për ndërgjegjen, sepse një shoqëri që nuk guxon ta pyesë historinë e vet, rrezikon të mbetet peng i historisë së shkruar nga të tjerët.
DOKUMENTI I TRIBUNËS – ZËRI I INTELEKTUALËVE
Në përfundim të tribunës u vendos që të hartohej një dokument me kërkesa të qarta nëmbështetje të Deklaratës Kushtetuese dhe të delegatëve të Kuvendit të Kosovës.
Në grupin hartues u caktuan:
Prof. dr. Fehmi Pushkolli
Prof. dr. Muhamet Pirraku
Prof. dr. Esat Stavileci
Prof. dr. Hakif Bajrami
Prof. dr. Tahir Abdyli
Prof. dr. Sadri Rexhepi
Dokumenti kërkonte, ndër të tjera, njohjen e subjektivitetit të barabartë të Kosovës, sovranitetin e saj ekonomik e politik dhe përcaktimin e pozitës së re kushtetuese në bazë të vullnetit të popullit. Një rëndësi të veçantë kishte edhe kërkesa që delegatët e Kuvendit të Kosovës të qëndronin të vendosur në realizimin e kërkesave gjithëpopullore për nxjerrjen e Kushtetutës së Kosovës.
Po aq domethënëse ishte edhe thirrja drejtuar popullit shqiptar që të ruante qetësinë, maturinë dhe dinjitetin dhe të mos binte pre e provokimeve që mund të shërbenin si pretekst për repression të ri. Ky dokument, për kohën kur u hartua, ishte shumë më tepër se një tekst politik. Ishte një dokument i ndërgjegjes kombëtare dhe i përgjegjësisë historike.
NJË SHOQËRI QË PO ZGJOHEJ
Procesi që çoi te Kushtetuta e Kaçanikut nuk ishte vetëm rezultat i veprimtarisë së deputetëve. Ai u mbështet nga një mobilizim i gjerë shoqëror. Lëvizja gjithëpopullore për Faljen e Gjaqeve, e cila kishte tubuar rreth vetes qindra mijëra shqiptarë, përfaqësonte një moment të jashtëzakonshëm të solidaritetit dhe vetëdijes shoqërore.
Në anën tjetër, Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës kishte dhënë një kontribut të rëndësishëm intelektual në artikulimin e kërkesave për pozitën e re kushtetuese të Kosovës. Edhe bota akademike, historianët, juristët, shkrimtarët dhe intelektualët e Kosovës po luanin një rol të rëndësishëm në këtë proces. Në këtë mënyrë, çështja e Kosovës po dilte nga kufijtë e një kërkese të ngushtë institucionale dhe po shndërrohej në një projekt të gjerë politik, juridik dhe kombëtar.
NGA KAÇANIKU TE SHTETËSIAU
Sot, kur e shikojmë 7 Shtatorin 1990 nga distanca e më shumë se tri dekadave, kuptojmë më qartë rëndësinë e tij. Kushtetuta e Kaçanikut nuk e solli menjëherë shtetin e pavarur të Kosovës. Por ajo krijoi një pikë të fuqishme referimi në rrugën drejt shtetësisë. Pas saj erdhën faza të tjera të rezistencës politike dhe qytetare, institucionet e Republikës së Kosovës, rezistenca e viteve ’90, lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, çlirimi i vitit 1999 dhe proceset ndërkombëtare që pasuan.
Më 17 Shkurt 2008, Kosova shpalli pavarësinë.Në këtë rrugëtim historik, 2 Korriku dhe 7 Shtatori i vitit 1990 zënë një vend të veçantë, sepse shënojnë momentin kur kërkesa politike e Kosovës mori formë të artikuluar juridike.
PËR KUJTESËN HISTORIKE
Historia nuk është vetëm ajo që ndodh. Historia është edhe ajo që një popull zgjedh të kujtojë.7 Shtatori duhet të mbetet në kujtesën tonë jo vetëm si një datë kalendarike, por si dëshmi e një kohe kur, përballë trysnisë, frikës dhe represionit, një pjesë e madhe e shoqërisë Kosovare zgjodhi të qëndronte.
Kushtetuta e Kaçanikut ishte zëri juridik i një vullneti politik.
Ishte përpjekja për ti dhënë ligj një aspirate.
Ishte dëshmi se edhe në kohët më të vështira, një popull mund ta ruajë aftësinë për të menduar për të ardhmen.
Dhe pikërisht këtu qëndron madhështia e 7 Shtatorit 1990.
Sepse shtetësia e Kosovës nuk lindi në një ditë.
Ajo u ndërtua me vetëdije, qëndresë, dije, sakrificë dhe këmbëngulje historike.
Kaçaniku ishte një nga gurët e rëndësishëm të këtij themeli.
KUTI KRONOLOGJIKE
7 SHTATORI 1990 – DATAT QË HARTUAN RRUGËN DREJT SHTETËSISË
23 mars 1989
Ndryshimet kushtetuese nën presionin e regjimit të Beogradit shënojnë suprimimin e autonomisësë Kosovës të përcaktuar me Kushtetutën e vitit 1974.
14 dhjetor 1989.
Kriza e Federatës Jugosllave thellohet pas zhvillimeve në Kuvendin e Jugosllavisë dhe largimit të delegacioneve sllovene e kroate.
16 qershor 1990.
Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës artikulon kërkesa për pozitën e re kushtetuese të Kosovës.
25–26 qershor 1990.
Mbahet tribuna shkencore “Kosova para dhe pas vitit 1945”, organizuar nga Shoqata e Historianëve të Kosovës.
2 korrik 1990.
Delegatët shqiptarë të Kuvendit të Kosovës miratojnë Deklaratën Kushtetuese, duke hapur një etapë të re në artikulimin e pozitës politike të Kosovës.
7 shtator 1990 Në Kaçanik miratohet Kushtetuta e Republikës së Kosovës.
17 shkurt 2008 Kosova shpall pavarësinë.
NJË MESAZH PËR BREZAT
“Një popull që e harron rrugën nëpër të cilën ka ardhur, e rrezikon ta humbasë edhe drejtimin kah duhet të shkojë.”
Prandaj, 7 Shtatori i vitit 1990 duhet të kujtohet, të studiohet dhe tu përcillet brezave të rinj si pjesë e rëndësishme e historisë politike dhe kushtetuese të Kosovës.
Kaçaniku i vitit 1990 nuk është vetëm kujtim.
Është pjesë e identitetit tonë shtetëror.











