Enver Robelli
Në mungesë të argumenteve për të goditur profesorin Bekim Sejdiu, i cili nga kryetarët e LDK-së dhe VV-së u propozua për President të vendit, po qarkullon një e pavërtetë, sipas të cilës Sejdiu e paskësh “rrëzuar Qeverinë e kryeministrit Avdullah Hoti”.
Këtë rrenë ka nisur ta shpërndajë edhe njëri nga këta 6 të “rebeluarit” e LDK-së, të cilët rrezikojnë ta çojnë vendin sërish në zgjedhje – pa arsye dhe në dëm të partisë së tyre dhe të Kosovës.
Kjo rrenë, e cila ka për qëllim ta njollos personalitetin e Bekim Sejdiut, mund të demantohet lehtë. Shumë lehtë dhe si vijon:
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për “rastin Hoti”, si pak raste të tjera, është marrë me votë NJËZËRI, pra TË GJITHË 9 gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese kanë konstatuar se qeveria është zgjedhur në mënyrë jolegale për shkak se një deputet s’ka pasur të drejtë të votojë pasi që ka qenë i dënuar me burg për vepër penale. Kushtetuta thotë se nuk mund të zgjidhet deputet dikush që është i dënuar. 9 gjyqtarët e kanë mbrojtur rendin juridik të Kosovës. Askush s’ka pasur asgjë personale as me kryeministrin e atëhershëm Hoti, as me partinë e tij, LDK.
Në favor të vendimit kanë votuar:
Arta Rama-Hajrizi, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar
Bekim Sejdiu
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi
Gresa Caka-Nimani
Safet Hoxha
Radomir Laban
Remzije Istrefi-Peci
Nexhmi Rexhepi
Nëse vendimin e paskësh marrë Bekim Sejdiu, një nga 9 gjyqtarët, siç po trumbetohet nga disa prej të “rebeluarve” dhe nga ndonjë propagandist i shfrenuar dhe me snajper digjital, atëherë po i bie që Bekim Sejdiu ka aq kapacitet intelektual sa t’i bind edhe 8 gjyqtarë të tjerë; ose ata 8 gjyqtarë të tjerë paskan qenë aq të padinjitet dhe të padijshëm dhe paskan votuar një vendim me të cilin nuk janë pajtuar. Nëse ndonjëri prej tyre i ka rënë pishmanit, le të dalë publikisht dhe të flasë. Sepse gjërat janë të pastra si loti. Por ata shumë saktë e dinë se vendimi ka qenë i bazuar në ligjin themelor të Kosovës, prandaj kanë votuar për të.
Mund të shtrohen edhe pyetje të tjera: nëse 8 gjyqtarë paskan votuar me vetëdije, atëherë po i pyesim publikisht 6 të “rebeluarit” e LDK-së se a do ta votonin për President/e Arta Rama-Hajrizin, Gresa Cakën, Safet Hoxhën, Nexhmi Rexhepin, Radomir Llabanin, Bajram Ljatifin, Remzije Istrefin, Selvete Gërxhaliu-Krasniqin?
Të gjithë këta, me vullnetin e tyre, të bindur se është shkelur Kushtetuta në rastin e zgjedhjes së Qeverisë Hoti, e kanë ngritur dorën për një vendim sipas të cilit një person i dënuar me burg efektiv nuk mund të jetë deputet i Kosovës, rrjedhimisht as nuk mund të votojë.
Si do të silleshin këta të “rebeluarit” nëse për president/e propozohet dikush nga të lartpërmendurit? Aty ka mjaft figura tepër të afërta me PDK-në dhe AAK-në. Ndoshta me këta të tjerët nuk kanë fare problem të “rebeluarit” e LDK-së, por tani po shpikin diçka për të penguar një kandidat dinjitoz për President të Republikës së Kosovës, i cili është bartës fisnik edhe i vlerave rugoviane, edhe i sakrifikës për liri gjatë luftës çlirimtare, edhe i proceseve të shtetndërtimit.
Hajde të shkojmë edhe pak më tutje.
Vendimi për qeverinë Hoti ka pasur pasoja konkrete për Albin Kurtin. I njëjti vendim ia pamundësoi Albin Kurtit të garojë për deputet. Pse nuk po e përmendin këtë fakt këta 6 të “rebeluarit”? Kjo tregon mungesën e çdo logjike në argumentim. Këtu më befasojnë prof. Avdullah Hoti, prof. Hykmete Bajrami dhe prof. Kujtim Shala, të tjerët jo. Por kjo s’e bën më pak të pafalshme këtë fushatë aq të padrejtë dhe aq të ndyrë ndaj prof. Bekim Sejdiut. Kjo qenka tradita e LDK-së? Jo, kjo nuk ka qenë mënyrë pune as e Ibrahim Rugovës, as e Fehmi Aganit.
Qeveria Hoti nuk është zgjedhur në Mesjetë, por pak vite më parë. I mbajmë mend mirë rrethanat. Pazaret për poste në diplomaci. Vizitën në mesnatë në shtëpinë e një deputeti nga krerët e PDK dhe AAK.
A po i bie se 6 të “rebeluarit” sillen si “institucionalistë” vetëm kur iu bie mirë personalisht? Vendimi i kryesisë së LDK-së respektohet për ta bërë president kryetarin e një partie rivale, por nuk respektohet kur kandidat është një profesor dhe institucionalist i dëshmuar dhe mbi të gjitha një qytetar lojal i Republikës.
Tendenca për të njollosur çdokënd tashmë ka pasoja fatale për cilësinë e jetës publike në Kosovë. Njerëzit profesionistë po ngurrojnë të marrin përgjegjësi publike për shkak të fushatave tmerrësisht linçuese kundër tyre. Po e shohin se si brenda 24 orësh një grua fisnike si Feride Rushiti, e cila i ka kushtuar gjysmën e jetës pjesës më të ndjeshme të shoqërisë kosovare – grave të përdhunuara nga soldateska serbe – nga një heroinë nisi të përshkruhej si shtrigë. Çfarë kolapsi etik dhe moral i propagandistëve!
Politikanët që kanë marrë besimin e popullit dhe vazhdimisht po pëshytjnë mbi atë besim mund të vazhdojnë të notojnë në moçalin që po e shkaktojnë vetë, por tregoni një grimë njerëzillëku dhe mos tentoni t’i përlyeni profesionistët dhe qytetarët me autoritet të këtij vendi. Ata s’ju kanë borxh. As Bekim Sejdiu s’ju ka asnjë borxh.
Kjo shoqëri e gjen rrugën e mbarë vetëm kur e përbuz rrenën dhe e përqafon të vërtetën.











