32.9 C
Tirana
E mërkurë, 26 Gusht 2026
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)
Kreu Artikuj DEMOKRACIA DHE ANATOMIA E POLITIKANIT

DEMOKRACIA DHE ANATOMIA E POLITIKANIT

0
Politikanët kryesorë të Kosovës

Politika si art i mashtrimit!

Sheradin Berisha
Sheradin Berisha

Nga Sheradin Berisha

Hyrje

Demokracia premton një sistem ku pushteti buron nga populli dhe u shërben qytetarëve. Megjithatë, realiteti politik shpesh zbulon një hendek të madh midis premtimeve të bukura dhe interesave të ngushta personale. Përgjatë historisë, mendimtarë, historianë dhe burra shteti kanë analizuar mirëfilli këtë marrëdhënie komplekse. Ata kanë treguar se si politika shpesh kthehet në një lojë manipulimi ku masa popullore mbetet e zhgënjyer.

Transformimi i individit në pushtet

Hapi i parë drejt korruptimit të marrëdhënieve njerëzore fillon në momentin kur individi merr pushtet. Filozofi dhe historiani amerikan Henry Broks Adams (1838 – 1918) ka shkruar me saktësi: “Një mik në pushtet, është një mik i humbur”.

Pushteti krijon një distancë të pashmangshme midis udhëheqësit dhe njerëzve të thjeshtë. Kur një person hyn në zyrat e larta shtetërore, interesat politike dhe ruajtja e karriges zënë vendin e besnikërisë dhe parimeve morale, kështu siç po ndodhë rrjedhimisht me politikanët tanë në Kosovë dhe Shqipëri. Miku i dikurshëm pushon

së qeni i tillë. Ai shndërrohet në një pjesë të mekanizmit shtetëror që llogarit çdo lëvizje vetëm për përfitim politik.

Demagogjia dhe manipulimi i turmave

Nëse pushteti ndryshon individin, mjeti që ai përdor për të qëndruar në këtë fron është manipulimi i masave. Që në lashtësi, ky rrezik ishte i qartë. Filozofi i antikitetit Euripidi (407 – 406 p.e.s) kishte thënë: “Kur një politikan me fjalë të ëmbla, por me mendje të keqe arrin të bindë turmën, gjëma të mëdha do të bien mbi shtetin”.

Politikanët shpesh përdorin një gjuhë të thjeshtëzuar, premtime të paarritshme dhe popullizëm për të prekur emocionet e njerëzve, jo logjikën e tyre. Kjo ka ndodhur dhe vazhdon të ndodhë në spektrin politik e institucional të Kosovës dhe jo vetëm.

Ky proces i kontrollit mendor e humb qëllimin e tij të pastër në kutitë e votimit. Siç thotë novelisti Dennis E. Adonis: “Votimi është një mënyrë e përdorur, për të përcaktuar se cili politikan është më shumë në gjendje të shpërlajë trutë e qytetarëve”. Zgjedhjet, në këtë këndvështrim, nuk janë më një garë idesh, por një garë se kush mashtron më bukur.

Mungesa e llogaridhënjes dhe degradimi i debatit publik

Në epokën e sotme moderne, ky manipulim ka arritur kulmin për shkak të mungesës së llogaridhënies për fjalën e dhënë. Gazetari i shquar amerikan Thomas L. Friedman vëren: “Kur figurat publike e politike ndihen tërësisht të lirë për të thënë çdo gjë, pa asnjë verifikim faktesh, bëhet e pamundur që në një demokraci të mendohet me zgjuarsi për çështje të mëdha”.

Kur gënjeshtra nuk ndëshkohet dhe kur faktet nuk kanë më rëndësi, debati publik degradon në një shfaqje cirku, ashtu sikur shohim për çdo natë në televizionet tona dhe medat tjera elektronike. Në këtë mjedis, problemet reale si ekonomia, arsimi apo shëndetësia lihen pas dore. Kjo ndodh sepse politikanët preferojnë të krijojnë kriza artificiale për të tërhequr vëmendjen nga dështimet e tyre!

Cinizmi i politikanëve që shesin parimet

Kjo lojë e fjalëve të thëna pa vërtetësi buron nga një qëndrim thellësisht cinik që politikanët kanë ndaj profesionit të tyre dhe ndaj votuesve të vetë. Ish-presidenti amerikan Ronald Regan (1911 – 2004) bëri një krahasim të famshëm: “Supozohet se politika është profesioni i dytë më i vjetër pas prostitucionit. Unë kam kuptuar që ai ka shumë ngjashmëri me profesionin e parë më të vjetër”.

Kjo ngjashmëri qëndron te gatishmëria e politikanëve për të shitur parimet, moralin dhe premtimet në këmbim të përfitimit të çastit. Për fat të keq politikanë të tillë sot mbretërojnë në aralin tonë politik!

Ky cinizëm shfaqet hapur te politikanët që nuk ndiejnë asnjë detyrim moral ndaj atyre që i votuan. Gjenerali francez Çarls de Goli (Charles de Gaulle, 1890 – 1970) e pranoi këtë realitet me një sinqeritet tronditës: “Në politikë është e nevojshme të tradhtosh ose vendin, ose elektoratin tënd. Unë parapëlqej të tradhtoj elektoratin”. Për ta, votuesi është thjesht një numër statistikash që përdoret një herë në katër vjet.

Egoizmi politik dhe paaftësia për të pranuar humbjen

Kur ky sistem i bazuar mbi interesin personal dështon, politikanët refuzojnë të marrin përgjegjësi. Që në kohët e lashta, egoizmi i tyre ishte i dukshëm. Historiani i kohës antike Tukididi (454 – 396 p.e.s) ka thënë: “Në një demokraci, kur dikush (nga politikanët) nuk arrin të fitojë, mund ta ngushëllojë gjithmonë veten me mendimin se kishte diçka të padrejtë”.

Në vend që të reflektojnë mbi gabimet e tyre

Apo mbi faktin që populli nuk i dëshiron më, politikanët fajësojnë sistemin, manipulimet e kundërshtarëve apo fatin. Kjo paaftësi për të pranuar humbjen tregon se ata nuk hyjnë në politikë për t’i shërbyer demokracisë, por për të ushqyer egon dhe pushtetin e tyre. Soji i politikanëve të tillë egoist në teatrin tonë politik prej shumë vitesh mbijetojnë në saje të mashtrimit të votuesve të tyre!

Përfundimi

Demokracia mbetet sistemi më i mirë që kemi, por ajo kërcënohet vazhdimisht nga natyra e atyre që zgjedhim për të na udhëhequr. Thëniet e mësipërme na kujtojnë se politika pa moral shndërrohet në një industri mashtrimi. Që demokracia të funksionojë me zgjuarsi, votuesit duhet të braktisin rolin e “turmës që bindet me fjalë të ëmbla” dhe të kthehen në subjekt kritikë që kërkojnë fakte, llogaridhënie dhe vërtetësi në politikbërje.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.