PALUSH SYLA, PRIJËS I FANDËVE NGA LUBOZHDA – NJË FIGURË E AUTORITETIT SHQIPTAR NË DËSHMITË AUSTRO-HUNGAREZE TË VITIT 1881

Shkrime të ndryshme

admin
adminhttps://fjala.info
Publikuar nga: Arben Çokaj - Mësues Fizike & Informatike :: Gazetar & Analist i pavarur :: Shkrimtar :: Ueb- & Grafikdizajner

(Hulumtim shkencor)

Shkruan: Lekë Mrijaj

Historia shqiptare e shekullit XIX ruan në dokumentacionin diplomatik austro-hungarez një varg figurash vendore, veprimtaria e të cilave nuk është trajtuar sa duhet në historiografinë e deritanishme. Një ndër ta është Palush Syla nga Lubozhda, ( i cili, mbi njëqind vjet më parë, së bashku me familjen e tij, ishte zhvendosur nga Lubozhda në Klinë-Shënimi im – L. M.), i cili në raportin e përfaqësuesit austro-hungarez Schmucker drejtuar Haymerle-s, të hartuar në Prizren më 21 shtator 1881, identifikohet qartësisht si prijës i Fandëve të zonës së Pejës.¹ Burimi ka vlerë të veçantë, sepse nuk kufizohet në përmendjen e emrit të tij, por jep të dhëna mbi pozitën shoqërore, ndikimin, marrëdhëniet me administratën osmane dhe rolin përfaqësues që ushtronte në një bashkësi katolike shqiptare të organizuar sipas strukturave tradicionale.

Dokumenti është ruajtur në Österreichisches Staatsarchiv – Haus-, Hof- und Staatsarchiv, në fondin e Politisches Archiv, me signaturën HHStA PA XXXVIII/Kt. 239, f. 88r–92r, dhe është botuar si Dokumenti nr. 110 në vëllimin I të edicionit kritik të Oliver Jens Schmitt dhe Eva Anne Frantz, Politik und Gesellschaft im Vilayet Kosovo und im serbisch beherrschten Kosovo 1870–1914.² Regesti e përkufizon çështjen si rezistencë të Fandëve kundër taksës së zëvendësimit të shërbimit ushtarak, thirrje në një privilegj sulltanor, kundërshtim ndaj regjistrimit të popullsisë dhe kërkim të ndërmjetësimit të klerit katolik e të diplomacisë austro-hungareze.

Raporti shënon se Schmucker kishte marrë një letër nga famullitari katolik i Pejës, Don Nikollë Mazreku, i cili kërkonte këshillë për një problem që prekte Fandët. Bartësit ishin dy krerë të tyre. Njëri prej tyre paraqitet në origjinal si: “Palusc Süla, Fandesenchef aus Libošda (3 Stunden von Ipek)”, që në shqip do të thotë: Palush Syla, prijës i Fandëve nga Lubozhda, rreth tri orë nga Peja.³ Vetë redaktorët e edicionit e identifikojnë Libošda-n me Lubozhdën, fshat në verilindje të Pejës.⁴

Ky përcaktim ka peshë të drejtpërdrejtë burimore. Palush Syla nuk paraqitet thjesht si përfaqësues familjar ose si pjesëtar i një bashkësie, por me termin Fandesenchef, pra si një nga krerët e Fandëve. Për më tepër, raporti jep një dëshmi edhe më të rëndësishme për pozitën e tij. Kur ishte thirrur në Gjakovë rreth dy muaj më parë dhe ishte pyetur se kush urdhëronte mbi Fandët, ai kishte deklaruar se ata i bindeshin Sulltanit dhe përfaqësuesit të tij, kajmekamit të Pejës. Pas insistimit të autoriteteve, kishte pranuar se si prijës i Fandëve të Pejës ushtronte ndikim mbi ta dhe se, në çështjet e brendshme, konsiderohej “prijësi i parë”.⁵

Kjo e dhënë lejon që statusi i Palush Sylës të përcaktohet me kujdes historiografik. Ai nuk ishte funksionar shtetëror në kuptimin modern, por bartës i një autoriteti tradicional, i cili buronte nga besimi i bashkësisë, aftësia për përfaqësim, pozita shoqërore dhe kompetenca për të komunikuar me pushtetin. Në shoqërinë shqiptare të kohës, figura të tilla ndërmjetësonin ndërmjet normave vendore dhe strukturave administrative të Perandorisë Osmane. Në rastin e Palush Sylës, ky rol dëshmohet nga prania e tij në Gjakovë, lidhja me famullitarin e Pejës dhe kontakti i drejtpërdrejtë me përfaqësinë austro-hungareze.

Çështja kryesore që e kishte sjellë atë në këtë proces lidhej me bedelijen, taksën e zëvendësimit të shërbimit ushtarak. Administrata osmane kërkonte që Fandët t’i nënshtroheshin këtij detyrimi, ndërsa ata kundërshtonin duke u thirrur në një privilegj të trashëguar. Sipas deklarimit të Palush Sylës, Fandët, të identifikuar në dokument edhe si Mirditorë, kishin marrë nga një Sulltan Murat një ferman të shkruar në metal, si shpërblim për besnikërinë dhe trimërinë e tyre. Në bazë të tij, ata pretendonin se ishin liruar përgjithmonë nga shërbimi i rregullt ushtarak, duke marrë përsipër vetëm detyrimin që në rast lufte të dilnin me armë në mbrojtje të Sulltanit dhe të Perandorisë.⁶

Në aspektin e kritikës së burimit, ky pohim duhet trajtuar me kujdes. Raporti dëshmon me siguri se Palush Syla dhe Fandët pretendonin ekzistencën e një privilegji të tillë, por vetëm kjo shkresë nuk mjafton për të provuar juridikisht autenticitetin, datën ose përmbajtjen e fermanit. Për një përfundim të tillë do të nevojitej identifikimi i dokumentit osman përkatës. Megjithatë, si dëshmi për vetëdijen juridike dhe historike të Fandëve, raporti është jashtëzakonisht domethënës.

Veçanërisht e fuqishme është formula sipas së cilës ata nuk pranonin të hiqnin dorë nga privilegji i fituar me “gjakun e të parëve”.⁷ Kjo shprehje tregon se për ta çështja nuk ishte vetëm fiskale. Në themel qëndronte koncepti i së drejtës së trashëguar, i nderit kolektiv dhe i një marrëveshjeje që konsiderohej e vulosur nga sakrifica e brezave të mëparshëm. Kështu, bedelija shndërrohej nga një detyrim administrativ në konflikt mbi statusin historik të bashkësisë.

Raporti tregon se administrata osmane kishte tentuar ta zbatonte kërkesën edhe me forcë. Dervish Pasha, megjithatë, ishte detyruar të tërhiqej nga përpjekja për t’i përfshirë Fandët në shërbimin ushtarak ose për t’ua imponuar taksën zëvendësuese.⁸ Ky tërheqim nuk e kishte larguar pasigurinë. Krerët druheshin se presioni mund të rikthehej në një formë tjetër.

Në këtë klimë u shfaq edhe problemi i regjistrimit të popullsisë. Njoftimi se në krahinat e tyre do të zhvillohej nüfus-i u interpretua nga Fandët si mundësi që administrata të krijonte bazën për rekrutimin e ardhshëm ose për vjeljen e bedelijes. Për këtë arsye, ata kërkuan këshillën e përfaqësuesit austro-hungarez.⁹ Sjellja e Palush Sylës në këtë episod është domethënëse: në vend të një reagimi të menjëhershëm të armatosur, ai kërkoi sqarim dhe ndërmjetësim diplomatik.

Schmucker u rekomandoi krerëve që të mos e kundërshtonin regjistrimin, duke argumentuar se masa prekte njësoj të krishterët dhe myslimanët. Në të njëjtën kohë u bëri të ditur se, nëse administrata do të tentonte përsëri t’i detyronte në pagesën e bedelijes, mund t’i drejtoheshin atij.¹⁰ Kjo dëshmi zbulon një sistem të ndërlikuar komunikimi politik ku ndërvepronin tri struktura: prijësia tradicionale shqiptare, Kisha Katolike dhe diplomacia austro-hungareze.

Roli i Don Nikollë Mazrekut në këtë proces është po aq i rëndësishëm. Në shtojcën e raportit ruhet letra e tij e 15 shtatorit 1881. Ai njoftonte se, për shkak të rrethanave politike, nuk mund të paraqitej vetë dhe se krerët e Fandëve kishin dërguar posaçërisht dhe fshehtas bartësin e quajtur “Palusc Sola” për të marrë udhëzimet e nevojshme.¹¹ Në këtë mënyrë, funksioni përfaqësues i Palush Sylës dëshmohet nga dy pjesë të të njëjtit kompleks burimor: raporti i diplomatit dhe letra e famullitarit.

Mazreku e paraqet çështjen në kontekstin e gjendjes së katolikëve dhe të përpjekjeve të administratës për mbledhjen e tatimeve dhe rekrutimin ushtarak. Në letrën e tij, dërgimi i Palush Sylës nuk është i rastësishëm. Ai paraqitet si personi të cilit i besohej jo vetëm përcjellja e kërkesës së krerëve, por edhe shpjegimi gojor i rrethanave dhe marrja e udhëzimeve për veprimin e mëtejshëm.¹² Kjo e forcon edhe më shumë tezën se kemi të bëjmë me një figurë të besimit dhe të autoritetit.

Raporti vazhdon me të dhëna mbi katër prijës të tjerë të Fandëve nga Gjakova, të cilët flisnin për lidhjet ndërmjet krahinave malore, gatishmërinë e tyre për mobilizim dhe marrëdhëniet e tensionuara me Dervish Pashën. Përmendet gjithashtu një përçarje rreth zgjedhjes së Adem Mollës si përfaqësues dhe përkthyes pranë qeverisë.¹³ Ky informacion është i dobishëm për të kuptuar se prijësia e Fandëve nuk ishte një strukturë monolitike, por një sistem me disa krerë, interesa dhe raporte të brendshme. Pikërisht brenda këtij pluraliteti bëhet edhe më domethënës pohimi se Palush Syla konsiderohej prijësi i parë në punët e brendshme të Fandëve të Pejës.

Korpusi dokumentar i Schmitt-it dhe Frantz-it i trajton raportet konsullore austro-hungareze si burime të dorës së parë për studimin e Kosovës së vonë osmane, por njëkohësisht thekson nevojën e analizës kritike të tyre. Diplomatët nuk ishin vëzhgues neutralë; ata përfaqësonin interesat e Monarkisë austro-hungareze dhe vepronin në një hapësirë ku Austria-Hungaria kishte interesa politike, fetare dhe strategjike.¹⁴ Prandaj, informacioni i tyre duhet përdorur duke dalluar faktin e regjistruar, interpretimin e diplomatit dhe interesin politik që mund të ndikonte në mënyrën e paraqitjes së ngjarjeve.

Megjithatë, në rastin konkret, identifikimi i Palush Sylës është i fuqishëm nga pikëpamja dokumentare. Emri, vendbanimi dhe funksioni i tij paraqiten qartë; vetë redaktorët e edicionit shpjegojnë se Libošda është Lubozhda, në verilindje të Pejës, ndërsa raporti e përcakton atë si Fandesenchef. Për këtë arsye, përfshirja e Palush Sylës në historinë politike dhe shoqërore të trevës së Pejës mbështetet në një bazë primare të verifikueshme.

Për Lubozhdën, dokumenti ka rëndësi të veçantë. Ai e nxjerr këtë vendbanim nga periferia e një harte administrative dhe e lidh me një figurë që komunikonte me Pejën, Gjakovën dhe Prizrenin, ndërsa përmes diplomacisë austro-hungareze çështja e tij arrinte deri në strukturat politike të Vjenës dhe Konstantinopojës. Kështu, historia lokale bashkohet me historinë rajonale dhe ndërkombëtare.

Nga aspekti shoqëror, dokumenti dëshmon një model autoriteti që nuk mbështetej në tituj burokratikë, por në aftësinë për të përfaqësuar dhe mbrojtur bashkësinë. Palush Syla paraqitet si njeri që dinte të negocionte, të ruante raportin me institucionet fetare dhe të kërkonte zgjidhje përmes kanaleve diplomatike. Në një periudhë të tensionuar, kur Perandoria Osmane po përpiqej të konsolidonte administrimin fiskal dhe ushtarak, një rol i tillë kërkonte jo vetëm ndikim, por edhe maturi politike.

Në këtë kuptim, figura e tij duhet vendosur në kontekstin e një shoqërie ku prijësia ishte përgjegjësi para se të ishte privilegj. Fjala e një prijësi vlente vetëm për aq sa pranohej nga bashkësia që ai përfaqësonte. Dokumenti i vitit 1881 tregon se Palush Syla e kishte këtë besim: ai dëgjohej nga Fandët, pranohej si zë i tyre dhe dërgohej në çështje që preknin drejtpërdrejt statusin e bashkësisë.

Në planin historiografik, rëndësia e Palush Sylës qëndron edhe në faktin se ai del nga një burim bashkëkohor me ngjarjet. Nuk kemi të bëjmë me një kujtim të shkruar shumë dekada më vonë, por me një raport të datës 21 shtator 1881 dhe me një letër të 15 shtatorit të të njëjtit vit. Afërsia kohore ndërmjet ngjarjes dhe regjistrimit dokumentar i jep burimit një peshë të posaçme.

Prandaj, çdo hulumtim i mëtejshëm mbi Palush Sylën duhet të nisë nga ky kompleks dokumentar dhe të zgjerohet në fondet e tjera të Haus-, Hof- und Staatsarchiv, në dokumentacionin osman, në burimet kishtare të Pejës dhe të Kryeipeshkvisë Shkup–Prizren, si edhe në regjistrat civilë e pronësorë të trevës. Vetëm përmes ndërthurjes së këtyre kategorive burimore mund të ndërtohet një biografi më e plotë e tij dhe të përcaktohen më saktë lidhjet familjare, shoqërore dhe territoriale.

Historia e Palush Sylës, megjithatë, nuk mbyllet vetëm në dosjen e Vjenës. Kujtesa familjare e ruan vazhdimësinë e tij dhe pasardhësve të tij, të cilët prej më shumë se një shekulli jetojnë në Klinë. Familja Palushaj është njohur në mjedisin vendor për bujari, mikpritje, fisnikëri dhe respekt ndaj traditës. Kjo shtresë e kujtesës duhet dalluar metodologjikisht nga dëshmia arkivore, por ajo është me rëndësi për të kuptuar mënyrën se si figura e një paraardhësi historik vazhdon të jetojë në ndërgjegjen familjare dhe lokale.

Në këtë vijimësi përmendet edhe Sylë Palushi, biri i Palush Sylës, i cili në kujtesën e trevës njihet si pleqnar me autoritet në Lugun e Drinit, Dukagjin dhe rrethinë. Në botën tradicionale shqiptare, pleqnia nuk fitohej me dekret. Ajo ndërtohej me urti, maturi, drejtësi, aftësi pajtimi dhe besim të fituar ndër njerëz. Prandaj kujtimi i tij si burrë i fjalës e vendos këtë trashëgimi në të njëjtin horizont moral ku dokumenti i vitit 1881 na paraqet prijësinë e të atit.

Këto dy shtresa – dokumenti dhe kujtesa – duhet të mbahen të dalluara, por jo të shkëputura. Arkivi dëshmon Palush Sylën si prijës të Fandëve të Pejës; tradita ruan vijimësinë e trungut familjar në Klinë. Njëra është provë dokumentare; tjetra është kujtesë e transmetuar. Kur trajtohen me metodë kritike, ato mund të ndihmojnë në rindërtimin e një historie më të gjerë njerëzore.

Përfundimisht, Palush Syla nga Lubozhda del në dokumentacionin austro-hungarez të vitit 1881 si një prijës shqiptar me ndikim real ndër Fandët e Pejës, përfaqësues i interesave të tyre dhe ndërmjetës në një konflikt që përfshinte detyrimet ushtarake, taksat, regjistrimin e popullsisë dhe statusin e një privilegji të trashëguar. Dokumenti e vendos atë brenda një rrjeti që lidh Lubozhdën, Pejën, Gjakovën, Prizrenin, klerin katolik dhe diplomacinë e Monarkisë austro-hungareze.

Emri i tij, për këtë arsye, nuk është vetëm një shënim në një dosje. Në fletët e HHStA PA XXXVIII/Kt. 239, f. 88r–92r, ai del si një njeri që mbante mbi vete besimin e një bashkësie. Në këtë pikë historia lokale fiton përmasë më të gjerë: nga Lubozhda në Pejë, nga Gjakova në Prizren dhe prej andej deri në Vjenë, fjala e një prijësi shqiptar hyri në dokumentacionin diplomatik evropian dhe mbeti aty si dëshmi e një kohe, e një statusi shoqëror dhe e një tradite të autoritetit.

Në këtë vazhdimësi, kujtesa e Palush Sylës kalon edhe përtej dokumentit. Nga prijësia e tij te pleqnia e Sylë Palushit, e deri te pinjollët e familjes Palushaj që prej brezash jetojnë në Klinë, ruhet një vijë njerëzore që lidhet me fjalën, nderin, bujarinë dhe përgjegjësinë ndaj bashkësisë. Dokumenti e dëshmon prijës; koha e vendos në histori; kujtesa e ruan në brez. Pikërisht në këtë ndërthurje të arkivit dhe trashëgimisë, figura e Palush Sylës fiton vendin e vet në historinë e Lubozhdës, Pejës, Klinës, Lugut të Drinit dhe Dukagjinit.

FUSNOTAT DHE REFERENCAT

¹ Österreichisches Staatsarchiv (ÖStA), Haus-, Hof- und Staatsarchiv (HHStA), Politisches Archiv, PA XXXVIII, Kt. 239, f. 88r–92r, Nr. 110, Schmucker an Haymerle, Prizren, 21 shtator 1881.

² Oliver Jens Schmitt – Eva Anne Frantz (Hg.), Politik und Gesellschaft im Vilayet Kosovo und im serbisch beherrschten Kosovo 1870–1914. Berichte der österreichisch-ungarischen Konsuln aus dem zentralen Balkan, Bd. I: 1870–1884, Wien: Verlag der Österreichischen Akademie der Wissenschaften, 2020, Dok. nr. 110, f. bot. 419–423.

³ Po aty, f. 420: “Palusc Süla, Fandesenchef aus Libošda (3 Stunden von Ipek)”.

⁴ Po aty, shën. 669: “Lubozhda, serb. Ljubožda, Dorf nordöstlich von Peja.”

⁵ Po aty, f. 420. Raporti pohon se Palush Syla kishte ndikim mbi Fandët e Pejës dhe në çështjet e brendshme konsiderohej “erster Chef”.

⁶ Po aty. Dëshmia mbi fermanin që Fandët ia atribuonin Sulltan Muratit dhe pretendimin për përjashtim të përhershëm nga shërbimi i rregullt ushtarak.

⁷ Po aty. Formulimi mbi privilegjin “mit dem Blute ihrer Vorfahren erkaufte Privilegium”.

⁸ Po aty, f. 420–421. Pjesa mbi tërheqjen e Dervish Pashës nga imponimi i shërbimit ushtarak ose i taksës zëvendësuese.

⁹ Po aty. Dyshimi i Fandëve lidhur me regjistrimin e popullsisë dhe pasojat e tij të mundshme ushtarake e fiskale.

¹⁰ Po aty, f. 421. Këshilla e Schmucker-it për pranimin e regjistrimit dhe mundësinë e ndërhyrjes së mëtejshme diplomatike.

¹¹ Don Nicolò Masarek [Nikollë Mazreku] drejtuar Schmucker-it, Pejë, 15 shtator 1881, shtojcë e Dokumentit nr. 110, në: Schmitt – Frantz, Politik und Gesellschaft, Bd. I, f. 422–423.

¹² Po aty, f. 423. Mazreku shënon dërgimin e “Palusc Sola” nga krerët e Fandëve dhe detyrën e tij për të dhënë sqarime të mëtejshme gojarisht.

¹³ Schmucker an Haymerle, 21 shtator 1881, në: Schmitt – Frantz, Politik und Gesellschaft, Bd. I, f. 421–422.

¹⁴ Oliver Jens Schmitt, “Einleitung”, në: Schmitt – Frantz (Hg.), Politik und Gesellschaft, Bd. I, veçanërisht pjesa metodologjike mbi vlerën dhe kufizimet e raporteve konsullore austro-hungareze.

BURIMET DHE LITERATURA

Burime arkivore

Österreichisches Staatsarchiv, Haus-, Hof- und Staatsarchiv, Wien, Politisches Archiv, PA XXXVIII, Kt. 239, f. 88r–92r, Nr. 110, Schmucker an Haymerle, Prizren, 21 shtator 1881.

Mazreku, Nikollë, letër drejtuar Schmucker-it, Pejë, 15 shtator 1881, shtojcë e Dokumentit nr. 110.

Botim dokumentar

Schmitt, Oliver Jens – Frantz, Eva Anne (Hg.), Politik und Gesellschaft im Vilayet Kosovo und im serbisch beherrschten Kosovo 1870–1914. Berichte der österreichisch-ungarischen Konsuln aus dem zentralen Balkan, 5 vëll., Wien: Verlag der Österreichischen Akademie der Wissenschaften, 2020.

Schmitt, Oliver Jens – Frantz, Eva Anne (Hg.), po aty, Bd. I: 1870–1884, Dokumenti nr. 110, f. 419–423.

Më shumë shkrime

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Shkrimet e fundit