30.5 C
Tirana
E premte, 14 Gusht 2026
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)
Kreu Artikuj MBI TENDENCËN UNIVERSALE PËR POSHTËRIM, NË SFERËN E DASHURISË

MBI TENDENCËN UNIVERSALE PËR POSHTËRIM, NË SFERËN E DASHURISË

0
Frojdi - Një studim autobiografik

Zigmund Frojd

Përktheu Arben Çokaj, [ Një studim autobiografik + ]

(KONTRIBUTE NË PSIKOLOGJINË E DASHURISË II)

(1912)

1

Nëse psikoanalisti praktikues pyet veten se për çfarë çrregullimi njerëzit i drejtohen më shpesh atij për ndihmë, ai është i detyruar të përgjigjet – duke shpërfillur format e shumta të ankthit – se është impotencë psikike. Ky çrregullim i vetëm prek burrat me natyra të forta libidinoze dhe manifestohet në një refuzim nga organet ekze­kutive të seksualitetit për të kryer aktin seksual, megjithëse para dhe pas tyre mund të tregohen të paprekur dhe të aftë për të kryer aktin, dhe megjithëse është e pranishme një prirje e fortë psikike për ta kryer atë. E dhëna e parë për të kuptuar gjendjen e tij merret nga vetë personi që vuan kur zbulon se, një dështim i këtij lloji lind vetëm kur përpjekja bëhet me individë të caktuar; ndërsa me të tjerët nuk bëhet kurrë fjalë për një dështim të tillë. Ai tani bëhet i vetëdijshëm se është një tipar i objektit seksual, që shkakton freni­min e fuqisë së tij mashkullore, dhe ndonjëherë ai raporton se ka një ndjenjë pengese brenda tij, ndjesinë e një kundër-vullneti, që ndërhyn me sukses në qëllimin e tij të vetëdijshëm. Megjithatë, ai nuk është në gjendje të hamendësojë se çfarë është kjo pengesë e brendshme dhe çfarë tipari i objektit seksual e vë atë në veprim. Nëse ai ka pasur përvojë të përsëritur të një dështimi të këtij lloji, ka të ngjarë që, nëpërmjet procesit të njohur të ‘lidhjes së gabuar’, të vendosë që kujtimi i rastit të parë shkaktoi idenë shqetësuese të ankthit dhe kështu shkaktoi përsëritjen e dështimit çdo herë; ndër­sa ai e nxjerr vetë rastin e parë nga ndonjë përshtypje ‘aksidentale’.

Studimet psikoanalitike të impotencës psikike janë kryer dhe bo­tuar tashmë nga disa shkrimtarë[1]. Çdo analist mund të konfirmojë shpjegimet e dhëna prej tyre nga përvoja e tij klinike. Në fakt, bëhet fjalë për ndikimin frenues të komplekseve të caktuara psikike të cilat tërhiqen nga njohuritë e subjektit. Një fiksim incestuoz ndaj nënës ose motrës, i cili nuk është kapërcyer kurrë, luan një rol të spikatur në këtë material patogjen dhe është përmbajtja e tij më universale. Përveç kësaj, duhet të merret në konsideratë ndikimi i përshtypjeve aksidentale shqetësuese, të lidhura me aktivitetin se­ksual infantil, si dhe ato faktorë që në një mënyrë të përgjithshme zvogëlojnë libidon, që duhet të drejtohet ndaj objektit seksual femë­ror[2].

Kur rastet e habitshme të impotencës psikike hetohen në mënyrë të plotë me anë të psikoanalizës, merret informacioni i mëposhtëm rreth proceseve psikoseksuale që veprojnë në to. Këtu përsëri – si shumë e mundshme në të gjitha çrregullimet neurotike – themeli i çrregullimit sigurohet nga një frenim në historinë e zhvillimit të libidos përpara se ajo të marrë formën, që ne e marrim si përfun­dimin e saj normal. Dy rryma, bashkimi i të cilave është i nevojsh­ëm për të siguruar një qëndrim plotësisht normal në dashuri, në rastet që po shqyrtojmë, nuk kanë arritur të kombinohen. Këto të dyja mund të dallohen si rryma e dashur dhe ajo sensuale.

Rryma e dashur është më e vjetra nga të dyja. Ajo buron që nga vitet e para të fëmijërisë; ajo formohet në bazë të interesave të ins­tinktit të vetë-ruajtjes dhe drejtohet te anëtarët e familjes dhe ata që kujdesen për fëmijën. Që në fillim, ajo mbart me vete kontribute nga instinktet seksuale – përbërës të interesit erotik – të cilat mund të shihen pak a shumë qartë që në fëmijëri dhe në çdo rast zbulohen te neurotikët nga psikoanaliza më vonë. Ajo korrespondon me zgje­dhjen kryesore të objektit nga fëmija. Në këtë mënyrë mësojmë se instinktet seksuale i gjejnë objektet e tyre të para duke u lidhur me vlerësimet e bëra nga instinktet e egos, pikërisht në mënyrën se si kënaqësitë e para seksuale përjetohen në lidhje me funksionet tru­pore të nevojshme për ruajtjen e jetës. ‘Dashuria’ e treguar nga prin­dërit e fëmijës dhe ata që kujdesen për të, e cila rrallë dështon të tradhtojë natyrën e saj erotike (‘fëmija është një lodër erotike’), bën shumë për të rritur kontributet e bëra nga erotizmi në katekset e instinkteve të tij të egos, dhe për t’i rritur ato në një masë që është e detyruar të luajë një rol në zhvillimin e tij të mëvonshëm, veçanë­risht kur rrethana të tjera të caktuara japin mbështetjen e tyre.

Këto fiksime të dashura të fëmijës vazhdojnë gjatë gjithë fëmijë­risë dhe mbajnë vazhdimisht me vete erotizmin, i cili rrjedhimisht devijohet nga qëllimet e tij seksuale. Pastaj, në moshën e pubertetit, atyre u bashkohet rryma e fuqishme ‘sensuale’, e cila nuk i ngatë­rron më qëllimet e saj. Me sa duket, ajo nuk dështon kurrë të ndjekë shtigjet e mëparshme dhe të katetojë objektet e zgjedhjes primare infantile me kuota libidoje, që tani janë shumë më të forta. Këtu, megjithatë, ajo përballet me pengesat, që janë ngritur ndërkohë nga barriera kundër incestit; si pasojë, ajo do të bëjë përpjekje për të kaluar nga këto objekte, që janë të papërshtatshme në realitet dhe për të gjetur një rrugë sa më shpejt të jetë e mundur për objekte të tjera, të jashtme, me të cilat mund të zhvillohet një jetë e vërtetë seksuale. Këto objekte të reja do të zgjidhen ende sipas modelit (im­ago) të atyre infantile, por me kalimin e kohës ato do të tërheqin pas vetes dashurinë, që ishte e lidhur me ato të mëparshmet. Një burrë do e lërë babanë dhe nënën e tij – sipas urdhrit biblik – dhe do të lidhet me gruan e tij; dashuria dhe sensualiteti bashkohen në këtë rast. Intensiteti më i madh i pasionit sensual do të sjellë me vete vlerësimin më të lartë psikik të objektit – ky është mbivlerësimi normal i objektit seksual nga ana e një burri.

Dy faktorë do të vendosin nëse ky përparim në rrugën e zhvi­llimit të libidos do të dështojë. Së pari, ekziston sasia e frustrimit në realitet, e cila kundërshton zgjedhjen e re të objektit dhe zvogëlon vlerën e saj për personin në fjalë. Në fund të fundit, nuk ka kuptim të nisesh në një zgjedhje objekti, nëse nuk lejohet asnjë zgjedhje ose nëse nuk ka perspektivë për të qenë në gjendje të zgjedhësh diçka të përshtatshme. Së dyti, ekziston sasia e tërheqjes, që objektet infa­ntile, që duhet të hiqen, janë në gjendje të ushtrojnë, dhe e cila është në përpjesëtim me kateksinë erotike, që u bashkëngjitet atyre në fëmijëri. Nëse këta dy faktorë janë mjaftueshëm të fortë, mekaniz­mi i përgjithshëm, me të cilin formohen neurozat, hyn në veprim. Libidoja largohet nga realiteti, merret përsipër nga aktiviteti ima­gjinar (procesi i introversionit), forcon imazhet e objekteve para sek­suale dhe fiksohet tek ato. Pengesa e ngritur kundër incestit, megji­thatë, e detyron libidon që është drejtuar drejt këtyre objekteve të mbetet në pavetëdije. Aktiviteti masturbues i kryer nga rryma shqisore, e cila tani është pjesë e pavetëdijes, jep kontributin e vet në forcimin e këtij fiksimi. Asgjë nuk ndryshon në këtë gjendje nëse përparimi që ka dështuar në realitet tani përfundon në fantazi, dhe nëse në situatat e fantazisë, që çojnë në kënaqësi masturbuese obje­ktet origjinale seksuale zëvendësohen nga të tjera. Si rezultat i këtij zëvendësimi, fantazitë bëhen të pranueshme për vetëdijen, por nuk bëhet asnjë përparim në ndarjen e libidos në realitet. Në këtë mëny­rë mund të ndodhë që i gjithë sensualiteti i një të riu të lidhet me objektet incestuoze në pavetëdije, ose për ta thënë ndryshe, të fikso­het në fantazitë incestuoze të pavetëdijshme. Rezultati është në kë­to raste impotencë totale, e cila ndoshta sigurohet më tej nga fillimi i njëkohshëm i një dobësimi aktual të organeve, që kryejnë aktin seksual.

Kushte më pak të rënda janë të nevojshme për të shkaktuar gjen­djen e njohur konkretisht si impotencë psikike. Këtu fati i rrymës sensuale nuk duhet të jetë që e gjithë ngarkesa e saj të fshihet pas rrymës së dashurisë; ajo duhet të ketë mbetur mjaftueshëm e fortë ose e pafrenuar, për të siguruar një dalje të pjesshme në realitet. Megjithatë, aktiviteti seksual i njerëzve të tillë tregon shenjat më të qarta se nuk e ka të gjithë forcën lëvizëse psikike të instinktit pas saj. Është kapriçioze, shqetësohet lehtë, shpesh nuk kryhet siç duhet dhe nuk shoqërohet me shumë kënaqësi. Por mbi të gjitha është e detyruar të shmangë rrymën e dashurisë. Kështu, është ve­ndosur një kufizim në zgjedhjen e objektit. Rryma sensuale që ka mbetur aktive kërkon vetëm objekte, që nuk kujtojnë figurat inces­tuale të ndaluara për të; nëse dikush bën një përshtypje që mund të çojë në një vlerësim të lartë psikik të saj, kjo përshtypje nuk gjen problem në asnjë ngacmim sensual, por në dashurinë që nuk ka efekt erotik. E gjithë sfera e dashurisë tek njerëz të tillë mbetet e ndarë në dy drejtime të personifikuara në art si dashuri e shenjtë dhe profane (ose shtazore). Atje ku ata duan, ata nuk dëshirojnë dhe aty ku dëshirojnë, ata nuk mund të duan. Ata kërkojnë objekte, që nuk kanë nevojë t’i duan, në mënyrë që ta mbajnë sensualitetin e tyre larg objekteve që duan; dhe, në përputhje me ligjet e ‘ndjesh­mërisë komplekse’ dhe të kthimit të të shtypurave, dështimi i çudit­shëm i treguar në pafuqinë psikike shfaqet sa herë që një objekt i zgjedhur, me qëllim shmangien e incestit e sjell në mendje objektin e ndaluar përmes ndonjë tipari, shpesh një tipari të padukshëm.

Masa kryesore mbrojtëse kundër një shqetësimi të tillë, të cilës burrat i drejtohen në këtë ndarje në dashurinë e tyre, konsiston në një poshtërim psikik të objektit seksual, mbivlerësimi që normalisht i bashkëngjitet objektit seksual, i rezervohet objektit incestual dhe përfaqësuesve të tij. Sapo të përmbushet kushti i poshtërimit, sens­ualiteti mund të shprehet lirisht dhe mund të zhvillohen aftësi të rëndësishme seksuale dhe një shkallë e lartë kënaqësie. Ekziston një faktor tjetër, që kontribuon në këtë rezultat. Njerëzit tek të cilët nuk ka pasur një bashkim të duhur të rrymave të dashurisë dhe sensuale zakonisht nuk tregojnë shumë përsosje në mënyrat e tyre të sjelljes në dashuri; ata kanë ruajtur qëllime seksuale perverse, mospërmbushja e të cilave ndihet si një humbje serioze e kënaqësisë dhe përmbushja e të cilave nga ana tjetër duket e mundur vetëm me një objekt seksual të poshtëruar dhe të përçmuar.

Tani mund t’i kuptojmë motivet pas fantazive të djalit të përmen­dura në të parin nga këto ‘Kontribute’ (më sipër, f. 2331), të cilat e degradojnë nënën në nivelin e një prostitute. Ato janë përpjekje për të kapërcyer hendekun midis dy rrymave në dashuri, të paktën në fantazi, dhe duke e poshtëruar nënën për ta fituar atë si një objekt sensualiteti.

 

2

Në seksionin paraprak ne i jemi afruar studimit të impotencës psikike nga një këndvështrim mediko-psikologjik, për të cilin titulli i këtij punimi nuk jep asnjë tregues. Sidoqoftë, do të bëhet e qartë se kjo hyrje na është kërkuar për të ofruar një qasje ndaj temës sonë të duhur.

Ne e kemi reduktuar impotencën psikike në dështimin e rrymave të dashurisë dhe sensuale në dashuri për t’u kombinuar, dhe ky pen­gim zhvillimor është shpjeguar nga ana tjetër si për shkak të ndiki­meve të fiksimeve të forta të fëmijërisë dhe të frustrimit të mëvon­shëm në realitet përmes ndërhyrjes së barrierës kundër incestit. Ekziston një kundërshtim kryesor ndaj teorisë që ne paraqesim; ajo bën shumë. Ajo shpjegon pse disa njerëz vuajnë nga impotenca psi­kike, por na lë me misterin e dukshëm se si të tjerët kanë qenë në gjendje t’i shpëtojnë këtij çrregullimi. Meqenëse duhet të pranojmë se të gjithë faktorët përkatës që njohim – fiksimi i fortë i fëmijërisë, pengesa ndaj incestit dhe frustrimi në vitet e zhvillimit pas puber­tetit – gjenden praktikisht tek të gjitha qeniet njerëzore të civilizu­ara, duhet të jemi të justifikuar të presim, që impotenca psikike të jetë një sëmundje universale e civilizimit dhe jo një çrregullim i ku­fizuar vetëm tek disa individë.

Do të ishte e lehtë të shmangeshim nga ky përfundim duke tregu­ar faktorin sasior në shkaktimin e sëmundjes – në masën më të ma­dhe ose më të vogël të kontributit të bërë nga elementët e ndryshëm që përcaktojnë nëse një sëmundje e dallueshme rezulton apo jo. Por, megjithëse e pranoj këtë përgjigje si të saktë, nuk është qëllimi im ta bëj atë një arsye për të hedhur poshtë vetë përfundimin. Përkun­drazi, do të paraqes pikëpamjen se impotenca psikike është shumë më e përhapur sesa supozohet, dhe se një sasi e caktuar e kësaj sje­lljeje në fakt karakterizon dashurinë e njeriut të civilizuar.

Nëse koncepti i impotencës psikike zgjerohet dhe nuk kufizohet vetëm në dështimin për të kryer aktin e koitusit në rrethana ku është e pranishme dëshira për të marrë kënaqësi dhe aparati gjeni­tal është i paprekur, në radhë të parë mund të shtojmë të gjithë ata burra që përshkruhen si psikanestetikë: burra që nuk dështojnë ku­rrë në akte, por që e kryejnë atë pa marrë ndonjë kënaqësi të veçan­të prej tij – një gjendje që është më e zakonshme nga sa do të mendo­hej. Ekzaminimi psikoanalitik i rasteve të tilla zbulon të njëjtët faktorë etiologjikë që gjetëm në impotencën psikike në kuptimin më të ngushtë, pa arritur fillimisht në ndonjë shpjegim të ndryshimit midis simptomave të tyre. Një analogji lehtësisht e justifikueshme e çon dikë nga këta burra anestetikë te numri i madh i grave të ftohta; dhe nuk ka mënyrë më të mirë për të përshkruar ose kup­tuar sjelljen e tyre në dashuri sesa duke e krahasuar atë me çrregu­llimin më të dukshëm të impotencës psikike tek burrat[3].

Megjithatë, nëse e drejtojmë vëmendjen jo te një shtrirje e konce­ptit të impotencës psikike, por te gradimet në simptomatologjinë e saj, nuk mund t’i shpëtojmë përfundimit se sjellja në dashuri e bu­rrave në botën e qytetëruar sot mban vulën krejtësisht të impoten­cës psikike. Ka vetëm pak njerëz të arsimuar, në të cilët dy rrymat e dashurisë dhe sensualitetit janë shkrirë siç duhet; burri pothuajse gjithmonë e ndjen respektin e tij për gruan, duke vepruar si kufizim në aktivitetin e tij seksual dhe e zhvillon potencën e plotë vetëm kur është me një objekt seksual të poshtëruar; dhe kjo nga ana e saj shkaktohet pjesërisht nga hyrja e komponentëve perverse në syni­met e tij seksuale, të cilat ai nuk guxon t’i kënaqë me një grua, që respekton. Atij i sigurohet kënaqësi e plotë seksuale vetëm kur mund t’i përkushtohet pa rezerva arritjes së kënaqësisë, të cilën, për shembull, me gruan e tij të edukuar, nuk guxon ta bëjë. Ky ësh­të burimi i nevojës së tij për një objekt seksual të poshtëruar, një grua etike inferiore, së cilës ai nuk duhet t’i atribuojë asnjë skrupull estetik, që nuk e njeh në marrëdhëniet e tjera shoqërore dhe nuk mund ta gjykojë në to. Është një grua e tillë, që ai preferon t’i kush­tojë fuqinë e tij seksuale, edhe kur e gjithë dashuria e tij i përket një gruaje të një lloji më të lartë. Është gjithashtu e mundur që ten­denca e vërejtur kaq shpesh tek burrat e klasave më të larta të sho­qërisë për të zgjedhur një grua të një klase më të ulët si dashnore të përhershme apo edhe grua, nuk është gjë tjetër veçse pasojë e nevojës së tyre për një objekt seksual të poshtëruar, me të cilin, psikologjikisht, lidhet mundësia e kënaqësisë së plotë.

Nuk ngurroj t’i bëj të dy faktorët që veprojnë në impotencën psiki­ke në kuptimin e ngushtë – faktorët e fiksimit intensiv të incestit në fëmijëri dhe zhgënjimin nga realiteti në adoleshencë – përgjegjës ed­he për këtë karakteristikë jashtëzakonisht të zakonshme të dashu­risë së njerëzve të qytetëruar. Tingëllon jo vetëm e papëlqyeshme, por edhe paradoksale, por megjithatë duhet thënë se kushdo që do të jetë vërtet i lirë dhe i lumtur në dashuri, duhet ta ketë tejkaluar respektin e tij për gratë dhe të jetë pajtuar me idenë e incestit me nënën ose motrën e tij. Kushdo që i nënshtrohet një vetë-ekzami­nimi serioz mbi temën e kësaj kërkese, me siguri do të zbulojë se ai e konsideron aktin seksual në thelb si diçka degraduese, e cila ndot dhe ndyen jo vetëm trupin. Origjina e këtij mendimi të ulët, të cilin ai me siguri nuk do ta pranojë me dëshirë, duhet kërkuar në peri­udhën e rinisë së tij, në të cilën rryma sensuale tek ai ishte tashmë fort e zhvilluar, por kënaqësia e saj me një objekt jashtë familjes ishte pothuajse po aq e ndaluar sa ishte me një incest.

Në botën tonë të qytetëruar, gratë janë nën ndikimin e një efekti të ngjashëm pasardhës të edukimit të tyre dhe, përveç kësaj, të rea­gimit të tyre ndaj sjelljes së burrave. Natyrisht, është po aq e pafa­vorshme për një grua nëse një burrë i afrohet asaj pa fuqinë e tij të plotë, sa është nëse mbivlerësimi i tij fillestar për të kur është i da­shuruar i jep vend nënvlerësimit, pasi ai e ka zotëruar atë. Në ras­tin e grave ka pak shenja të nevojës për ta poshtëruar objektin e tyre seksual. Kjo pa dyshim lidhet me mungesën në to si rregull të ndonjë gjëje të ngjashme me mbivlerësimin seksual që gjendet tek meshkujt. Por frenimi i tyre i gjatë nga seksualiteti dhe zgjatja e sensualitetit të tyre në fantazi ka një tjetër pasojë të rëndësishme për ta. Më pas, ato shpesh nuk janë në gjendje të zhbëjnë lidhjen midis aktivitetit sensual dhe ndalimit, dhe provojnë të jenë të pafu­qishme psikikisht, domethënë të ftohta, kur një aktivitet i tillë më në fund u lejohet. Kjo është origjina e përpjekjes së shumë grave për të mbajtur të fshehta edhe marrëdhëniet legjitime për një kohë; dhe të aftësisë së grave të tjera për ndjesi normale, sapo të rivendoset kushti i ndalimit nga një lidhje e fshehtë dashurie: pabesi ndaj bu­rrit të tyre, ato janë në gjendje të mbajnë një rregull të dytë besimi me të dashurin e tyre.

Kushti i ndalimit në jetën erotike të grave është, mendoj unë, i krahasueshëm me nevojën e burrave për të poshtëruar objektin e tyre seksual. Të dyja janë pasoja të periudhës së gjatë të vonesës, e cila kërkohet nga edukimi për arsye kulturore, midis pjekurisë sek­suale dhe aktivitetit seksual. Të dyja synojnë të zhdukin impoten­cën psikike, që rezulton nga dështimi i impulseve të dashurisë dhe sensuale për t’u bashkuar. Që efekti i shkaqeve të njëjta duhet të jetë kaq i ndryshëm tek burrat dhe tek gratë, ndoshta mund të gjur­mohet në një ndryshim tjetër në sjelljen e dy gjinive. Gratë e civili­zuara nuk e shkelin zakonisht ndalimin e aktivitetit seksual në pe­riudhën gjatë së cilës duhet të presin, dhe kështu ato fitojnë lidhjen intime midis ndalimit dhe seksualitetit. Burrat e thyejnë zakonisht këtë ndalim, nëse mund të plotësojnë kushtin e poshtërimit të obje­ktit, dhe kështu ata e vazhdojnë këtë kusht në dashurinë e tyre në jetën e mëvonshme.

Duke pasur parasysh përpjekjet e fuqishme që bëhen në botën e civilizuar sot për të reformuar jetën seksuale, nuk do të jetë e tepërt të kujtojmë se kërkimi psikoanalitik është po aq larg tendenciozi­tetit, sa çdo lloj tjetër kërkimi. Nuk ka qëllim tjetër përveçse të he­dhë dritë mbi gjërat, duke gjurmuar atë që është e dukshme deri te ajo që është e fshehur. Është mjaft e kënaqur, nëse reformat i për­dorin gjetjet e saj për të zëvendësuar atë që është e dëmshme me diçka më të favorshme; por nuk mund të parashikojë nëse instituci­onet e tjera mund të mos rezultojnë në sakrifica të tjera, dhe ndo­shta më të rënda.

 

3

Fakti që frenimi i vënë ndaj dashurisë nga qytetërimi përfshin një tendencë universale për të poshtëruar objektet seksuale, do të na çojë ndoshta tëa kthejmë vëmendjen tonë nga objekti te vetë instin­ktet. Dëmi i shkaktuar nga frustrimi fillestar i kënaqësisë seksuale shihet në faktin se liria që i jepet më vonë asaj kënaqësie në martesë nuk sjell kënaqësi të plotë. Por në të njëjtën kohë, nëse liria seksu­ale është e pakufizuar që nga fillimi, rezultati nuk është më i mirë. Mund të tregohet lehtësisht, se vlera psikike e nevojave erotike zvo­gëlohet sapo kënaqësia e tyre bëhet e lehtë. Një pengesë është e ne­vojshme për të rritur epshin; dhe aty ku rezistencat natyrore ndaj kënaqësisë nuk kanë qenë të mjaftueshme, burrat kanë ngritur gjithmonë pengesa konvencionale, në mënyrë që të jenë në gjendje ta shijojnë dashurinë. Kjo është e vërtetë si për individët ashtu edhe për kombet. Në kohërat kur nuk kishte vështirësi, që pengonin kë­naqësinë seksuale, si ndoshta gjatë rënies së qytetërimeve të lash­ta, dashuria u bë e pavlerë dhe jeta bosh, dhe formacione të forta reagimi ishin të nevojshme për të rivendosur vlerat e domosdoshme afektive. Në këtë drejtim, mund të pretendohet se rryma asketike në Krishterim krijoi vlera psikike për dashurinë, të cilat antikiteti pagan nuk ishte kurrë në gjendje t’i jepte asaj. Kjo rrymë mori rën­dësinë e saj më të madhe me murgjit asketikë, jeta e të cilëve ishte pothuajse tërësisht e zënë me luftën kundër tundimit libidinal.

Prirja e parë e dikujt është pa dyshim të gjurmojë vështirësitë e zbuluara këtu te karakteristikat universale të instinkteve tona org­anike. Pa dyshim, është gjithashtu e vërtetë në përgjithësi se rëndë­sia psikike e një instinkti rritet në përpjesëtim me zhgënjimin e tij. Supozoni se një numër qeniesh njerëzore krejtësisht të ndryshme ishin të ekspozuara në mënyrë të barabartë ndaj urisë. Ndërsa nevoja e tyre imperative për ushqim rritet, të gjitha ndryshimet individuale do të zhdukeshin dhe në vend të tyre do të shihje mani­festimet uniforme të një instinkti të pashuar. Por a është gjithashtu e vërtetë, se me kënaqësinë e një instinkti vlera e tij psikike bie gji-thmonë po aq ndjeshëm? Merrni parasysh, për shembull, marrëdhë­nien e një pijaneci me verën. A nuk është e vërtetë që vera i jep gjithmonë pijedashësit të njëjtën kënaqësi toksike, e cila në poezi është krahasuar kaq shpesh me kënaqësinë erotike – një krahasim i pranueshëm edhe nga pikëpamja shkencore? A keni dëgjuar ndo­njëherë, që pijedashësi të jetë i detyruar të ndryshojë vazhdimisht pijen e tij sepse lodhet shpejt duke u mbajtur me të njëjtën pije? Përkundrazi, zakoni e forcon vazhdimisht lidhjen midis një burri dhe llojit të verës që pi. A keni dëgjuar ndonjëherë për një pijeda­shës, që duhet të shkojë në një vend ku vera është më e shtrenjtë ose pirja është e ndaluar, në mënyrë që duke futur pengesa të mund të përforcojë kënaqësinë në rënie që fiton? Aspak. Nëse dëgjojmë atë që thonë alkoolistët tanë të mëdhenj, si Bocklin[4], për marrëdhënien e tyre me verën, kjo tingëllon si harmonia më e përsosur, një model i një martese të lumtur. Pse marrëdhënia e të dashuruarit me objek­tin e tij seksual është kaq shumë e ndryshme atëherë?

Besoj se, sado e çuditshme që mund të tingëllojë, duhet të marr­im në konsideratë mundësinë që diçka në natyrën e vetë instinktit seksual është e pafavorshme për realizimin e kënaqësisë së plotë. Nëse marrim në konsideratë historinë e gjatë dhe të vështirë të zhvillimit të instinktit, menjëherë na vijnë në mendje dy faktorë, që mund të bëhen përgjegjës për këtë vështirësi. Së pari, si rezultat i fillimit dyfazik të zgjedhjes së objektit dhe ndërhyrjes së barrierës kundër incestit, objekti përfundimtar i instinktit seksual nuk është më kurrë objekti origjinal, por vetëm një zëvendësues i tij. Psiko­analiza na ka treguar se kur objekti origjinal i një impulsi dëshirues humbet si rezultat i shtypjes, ai shpesh përfaqësohet nga një seri e pafundme objektesh zëvendësuese, asnjëra prej të cilave, megjitha­të, nuk sjell kënaqësi të plotë. Kjo mund të shpjegojë paqëndruesh­mërinë në zgjedhjen e objektit, ‘dëshirën për stimulim’ që është kaq shpesh një tipar i dashurisë së të rriturve.

Së dyti, ne e dimë se instinkti seksual ndahet fillimisht në një numër të madh komponentësh – ose më saktë, zhvillohet prej tyre – disa prej të cilëve nuk mund të përvetësohen nga instinkti në for­mën e tij të mëvonshme, por në një fazë më të hershme duhet të shtypen ose të përdoren për përdorime të tjera. Këto janë mbi të gjitha komponentët instiktivë koprofilikë[5], të cilët kanë rezultuar të papajtueshëm me standardet tona estetike të kulturës, ndoshta që kur, si rezultat i adoptimit të një ecjeje të drejtë, e ngritëm org­anin tonë të nuhatjes nga toka. E njëjta gjë vlen edhe për një pjesë të madhe të impulseve sadiste, që janë pjesë e jetës erotike. Por të gjitha proceset e tilla zhvillimore ndikojnë vetëm në shtresat e sip­ërme të strukturës komplekse. Proceset themelore që prodhojnë ngacmim erotik mbeten të pandryshuara. Jashtëqitja është shumë ngushtë dhe e pandashme e lidhur me atë seksuale; pozicioni i orga­neve gjenitale – inter unrinas et faeces [lat. midis urinës dhe jashtë­qitjes] – mbetet faktori vendimtar dhe i pandryshueshëm. Dikush mund të thotë këtu, duke ndryshuar një thënie të njohur të Napole­onit të madh: ‘Anatomia është fati’. Vetë organet gjenitale nuk kanë marrë pjesë në zhvillimin e trupit njerëzor në drejtim të bukurisë: ato kanë mbetur shtazore, dhe kështu edhe dashuria ka mbetur në thelb po aq shtazore sa ka qenë gjithmonë. Instinktet e dashurisë janë të vështira për t’u edukuar; edukimi i tyre arrin herë shumë, herë shumë pak. Ajo që qytetërimi synon të bëjë prej tyre duket e paarritshme përveçse me çmimin e një humbjeje të ndjeshme të kë­naqësisë; këmbëngulja e impulseve, që nuk mund të përdoren mund të zbulohet në aktivitetin seksual në formën e mos-kënaqësisë.

Kështu, ndoshta mund të detyrohemi të pajtohemi me idenë se është krejtësisht e pamundur të përshtaten pretendimet e instin­ktit seksual me kërkesat e qytetërimit; se si pasojë e zhvillimit të tij kulturor, heqja dorë dhe vuajtja, si dhe rreziku i zhdukjes në të ardhmen më të largët, nuk mund të shmangen nga raca njerëzore. Kjo prognozë e zymtë mbështetet, është e vërtetë, në hamendësimin e vetëm se mos-kënaqësia që shoqëron qytetërimin është pasojë e domosdoshme e disa veçorive, që instinkti seksual ka marrë nën presionin e kulturës. Paaftësia e instinktit seksual për të dhënë kë­naqësi të plotë sapo i nënshtrohet kërkesave të para të qytetërimit, bëhet, megjithatë, burimi i arritjeve më fisnike kulturore që krijo­hen nga sublimimi gjithnjë e më i gjerë i përbërësve të tij instiktivë. Sepse çfarë motivi do të kishin njerëzit për t’i përdorur forcat instik­tive seksuale në përdorime të tjera nëse, me çdo shpërndarje të kë­tyre forcave, do të mund të merrnin kënaqësi plotësisht të kënaq­shme? Ata kurrë nuk do ta braktisnin atë kënaqësi dhe kurrë nuk do të bënin ndonjë përparim të mëtejshëm. Prandaj, duket se ndry­shimi i papajtueshëm midis kërkesave të dy instinkteve – atij seksu­al dhe atij egoist – i ka bërë njerëzit të aftë për arritje gjithnjë e më të larta, megjithëse të nënshtruar, është e vërtetë, ndaj një rreziku të vazhdueshëm, ndaj të cilit, në formën e neurozës, më të dobëtit po i nënshtrohen sot.

Nuk është qëllimi i shkencës as të frikësojë as të ngushëllojë. Por unë vetë jam plotësisht i gatshëm të pranoj se përfundime të tilla të gjera si ato, që kam nxjerrë, duhet të ndërtohen mbi një themel më të gjerë, dhe se ndoshta zhvillimet në drejtime të tjera mund t’i mundësojnë njerëzimit të korrigjojë rezultatet e zhvillimeve, që kam shqyrtuar këtu në izolim.


[1] Steiner (1907), Stekel (1908), Ferenczi (1908).
[2] Stekel (1908, 191 e tutje).
[3] Unë jam në të njëjtën kohë shumë i gatshëm të pranoj se frigiditeti tek gratë është një temë komplekse, e cila mund të trajtohet edhe nga një kënd tjetër.
[4] Floerke (1902, 16).
[5] Koprofilik është një mbiemër që do të thotë i tërhequr nga jashtëqitjet ose plehrat ose lulëzon në to.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.