Në nadje, nga ura e Lemanit, hodha mbi ujë tri-katër bozhure e tulipanë, në kujtim të shpirtit tënd të bardhë e të pamëkate.
E nga ballkoni i shtëpisë mbi katërqindvjeçare, nëpërmjet pëllumbave, nisa një letër me kërkimfalje që s’munda të jem në përvjetorin tënd të gjashtë të kalimit në amshim.
Hijet tinëzare e grabitqare të një nate, mbështjellë në pëlhurë të zezë, që ta ndërprenë hapin pa e përfunduar mirë pranverën e njëzeteshtatë, i mallkova me tërë fuqinë e shpirtit.
Të ndoqi fat i njëjtë me nënën, që edhe ajo iku në të njëjtën moshë e në të njëjtën stinë.
Prehu i qetë në gjirin e saj, mallin për të cilën e mbaje në heshtje, sikur ta dije se së shpejti do të jesh tek ajo.
Arif Ejupi
Gjenevë, 12 gusht 2026











