Luan Kaceli
Me ftesën e mikut tim, Rexhep Çullhaj, dje pasdite vizitova Kamzën, një qytet që mbart shumë kujtime për mua, por që sot më befasoi me zhvillimin dhe ndryshimet e mëdha që ka pësuar. Destinacioni i parë ishte “Librari Fabler”, e administruar nga djali i tij, Fatosi. Ajo që pashë aty më la një përshtypje të veçantë: një librari e madhe, moderne dhe shumë e kompletuar, ndër më të mirat në Shqipëri, pas Librarisë ADRION në Tiranë. Në një kohë kur leximi i librit ka pësuar rënie dhe shumë librari kanë mbyllur dyert, një investim i tillë është një shembull i bukur i dashurisë për librin dhe kulturën. Për këtë arsye, përgëzoj dhe përshëndes familjen Çullhaj për përkushtimin dhe punën e bërë në këto vite. Vizita në Kamëz më solli edhe shumë kujtime nga e kaluara.
Pas rreth 15 vitesh mungesë, u riktheva në një vend ku kam kaluar një pjesë të rëndësishme të jetës sime profesionale. Dikur kam punuar me ish-punonjësit e ofiçinës dhe ish-traktoristët e Fermës “Ylli i Kuq”, me të cilët ndava 13 vite pune, nga viti 1972 deri në vitin 1985, si Kryetar i Degës Mekanike në Drejtorinë e Fermës. Por lidhja ime me Kamzën kishte nisur edhe më herët. Nga viti 1966 deri në vitin 1972 kam shërbyer si pedagog në Katedrën e Mekanikës Bujqësore të Institutit të Lartë Bujqësor.
Gjatë kësaj periudhe kam dhënë leksione në Fakultetin e Inxhinierisë së Pyjeve për lëndën e Rezistencës së Materialeve, si dhe kam zhvilluar praktikat në Fakultetin e Agronomisë për lëndën e Traktorëve dhe Makinave Bujqësore. Përveç punës akademike dhe profesionale, ato vite më lidhin edhe me sportin, pasi kam luajtur futboll me ekipin e Dajtit në Kategorinë e Dytë. Kthimi në Kamëz ishte një udhëtim mes së tashmes dhe kujtimeve. Pashë një qytet që ka ndryshuar shumë, por që ruan ende gjurmët e njerëzve dhe të viteve që kanë ndërtuar histori.











