32.4 C
Tirana
E hënë, 27 Korrik 2026
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)
Kreu Artikuj ASKUSHI

ASKUSHI

0
Kalosh Çeliku

NGA KALOSH ÇELIKU

Vështirë është ta duash një shtet që garanaton popullatën e vet nga toka e qielli. Fshatrave ua vë zjarrin… Shtëpive… Shkollave… Kishave të të parëve. Zot, u delë xhamive të Perandorisë osmane me gjysëmhënën në minare… Nuk e shpallë Xhaminë Shqiptare me Flamurin kuqezi të Skenderbeut në minare?!…

Nëse do, të duan… Nëse urren, të urrejnë… Nëse vret, të vrasin… Këto janë ligje të Natyrës. Edhe, të Partive politike. Nuk mund të shkohet kundër Natyrës. Rrymës së ujit të lumit… Ai që i kundërvihet Natyrës, është i dënuar të zhduket nga faqja e Dheut. Vallë, a nuk i keni parë disa insekte se si e marrin ngjyrën e rrethit ku jetojnë, marrin frymë. Thua, ata këtë e bëjnë me dëshirë. Jo. Atëherë, pse u përshtaten atyre ligjeve?! U përshtaten, ngase duan të jetojnë, vazhdojnë luftën me Natyrën. Jeta është luftë. Mjerë ai që i dorëzon armët, dhe e pret vdekjen në mes të udhës…

Natën, pasmesnate bie në gjumë dhe zgjohem me Zonjën Vdekje. Nuk e di kush cilin e dhunon, e detyron të bëj dashuri. Burrat me burra, apo gratë me gra. Vetëm një gjë e di, rrëzë “Çukës” më pret Varri. Nën hije të Rrapit, shtambat me verë. Gjoku pullali, i lidhur nën hije. Arma e varur në një degë… Cuca Boheme me Dy shtamba me verë.

  • Hi-hi-hiii… Tungjatjeta, zoti Shkrimtar!
  • Tungjatjeta, Cuca Boheme… Ku je nisur sot kaq herët?!…
  • Në mal… E kërkoj një burrë për grua… Nuk ka këtu burra, zoti Shkrimtar. Jo. Burrat janë në male, ose në gjirin e partive politike.…
  • E vërtetë… Jo vetëm burrat, po edhe gratë…
  • Atëherë, çka presim?! Zonjën Vdekje të na gjejë në Shtëpi?!… Shtrat…
  • Lumë ai, zoti Shkrimtar, që Zonja Vdekje nuk e gjen në shtëpi… Shtrat, në gjumë… Nuk merret më me “politikë madhore”, por me arsim dhe kulturë. Poste partiake… Dhe, hajdutëri…

Pasmesnate, u ktheva në shtëpi dhe e varrosa veten mes librave… Shtambave me verë… Në një faqe më kishte zënë gjumi…

Mesditë. I hapa sytë. Dielli më kishte hyrë në dhomë. E kisha bërë gjumin e të vdekurit. Trung. Asgjë nuk kisha parë, asgjë nuk kisha dëgjuar me veshë gjithë natën në errësirë.

Edhe ëndrrat më kishin harruar në dhomë. Një libër ma kishin vënë te koka, një te këmbët… E mora veten në shpinë dhe e zvarrita deri te Rrapi. Varri im me dy shtamba verë… Tyrbja e Babashehut, në “Baba Tomor”.

  • Heu, Kalosh Çeliku, po sa varre deri me sot i ke ti, më bërtiti matanë rrugës Cuca Boheme?!…
  • Nuk e di… Një, dy, a tre varre…
  • Hi-hi-hiii… Dy varre i ka pasur Ali Pashë Tepelena…
  • E di. Po, Kalosh Çeliku sipas romanit të Luftës ME TRE VARRE (Shkup, 2001), i ka tre varre: kokën në Shqipëri, trupin në Maqedoninë e Veriut, zemrën në Kosovë…

Dy ditë nuk dola nën Rrap. E mbylla veten te Livadhi i Babait mes librave… Shtambave me verë… Edhe, një ibriku me dy çepa përplot me raki rrushi. Në këtë libër, nga i cili kërkoja shteg për të dalë në male… E hiqja veten zvarrë mes dhiareve dhe shkurreve, te “Guri Zi” – Dy Lisat binjakë në “Çukë”, ku do ta përshkoja veten, ta shpëtoj nga magjitë… Marrëzirat… Xhindet, që më mbytën çotek (dajak) natë e ditë… Ndalem, dhe e pyes veten: ende, jam gjallë mes kaq shumë rrufjanësh?!… “Patriotëve“ vonuar… Po, kujt duhet t’i falemnderohem vetes, apo Zotit Madh?!…

Vazhdoj me mendimet e rrezikshme që më sillen lëmsh në kokë. E tërheqin njëri-tjetrin në këtë libër. Ndonjëri merr edhe malet. Nuk më dëgjon. Është, kryeneç. I kanë rrokur armët. Zërin e ngrejnë për Liri.

E unë, që e vura në shërbim të Atdheut veten dhe pasurinë e Babait. Unë, që vite me radhë i shëtisja rrugët e Shkupit me Xhip të bardhë kabriolet, tashti eci më këmbë. Gjithë pasurinë e trashëguar nga im Atë e kisha shndërruar në libra. Askushi, hiç i hiçit me gen spiun brez pas brezi, tashti shëtiste me makinë luksoze dhe shiste mend përpara kalimtarëve në këto ditë lufte. E unë atij i kisha dhënë bukë, e mbaja gjallë, më kishte borxhe…

Askushi ma tregon edhe rrugën për në “Baba Tomor.” Gabimet gjuhësore. Dhe, ma bën me dije se: kam vdekur për së gjalli?!

Hi-hii-hiii… I mjeri, Askushi. Unë kam vdekur tri herë me radhë në jetë. Dhe, jam ringjallë si Krishti. E kam thënë qindra herë nëpër libra: burgu është vend përmisimi. Pak vetë kanë dalë nga burgu njerëz normalë me trutë në kokë. Shumica i kanë lënë eshtrat mes atyre mureve. Dihet, kanë dalë edhe spiunë… Pederë. Ose, të çmendur. E ndonjëri, edhe patriot… Koha është, shqiptarët më të mos krenohen me burgun, po me diploma universiteti, vepra letrare e shkencore.

Gabimet teknike, që mund të ndodhin në gazetat e përditshme, internet, nuk janë edhe të autorëve. Edhe, nëse ndonjëri e ka bërë me qëllim, ose e ka harruar ndonjë presje, i ka shtuar fjalës ndojnë ë, që ashtu edhe ashtu i kemi nëpër fjali me shumicë e pakicë. Punemadhe. Gjuha nuk ka kufi. Me sëpatën e madhe: janë gabime teknike. Askushi, çohet dhe bërtet në rolin e të gjithëditurit, shetë mend si gjeli kur ia thotë në majë plehu: gabime fillestari! E ka “zbuluar” Amerikën para Ameriko Vespuçit. Askushi nuk merret me vepra të arrira artistike jetësore, por merret me thashetheme pas gardhit me thupra shelgu. Prandaj, edhe them: merruni me fenomene, e mos u merrni me cikrrime, individë!

Askushi e ka stazhin e të burgosurit politik: i numron vitet e “studimeve” në burg. Vuajtjet dhe maltertimet. Dërrasat, që i mungojnë në kokë. Fare pak librat nëpër rafte në bibliotekë. Edhe, ka lexuar ndonjë libër të “rrezikshëm” në bibliotekën e burgut: “Tradhëtia” nga autori Kapllan Resuli. Libër i “rrezikshëm”, të cilin në Prishtinë, ne studentëve përmes “patriotëve” të policisë na e jepte ditën, dhe herët të nesërmen na e gjente në banesë duke na rrasur disa vite në burg. Nuk pata guxim ta lexoj gjatë viteve të studimeve atë libër. Dhe, i shpëtova burgut. Romanin “Tradhëtia” e lexova në Bibliotekën Universitare në Shkup. Edhe librat tjerë të “armikut rrezikshëm” jugosllav: “Ushtima e Korabit” dhe “Gjarpëri”. I vetëdijshëm se, edhe këtu përcilleshim kush i lexon ato libra. Vetëmse, tashti i lexonim në rrethana legale.

Askushi, në “liri”, pas vuajtjes të dënimit u është rrekur edhe studimeve të Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Universitet. Dikushi edhe e ka dalldisur, i ka dhënë përpara pampurrit: patriot. Gjeni – gjuhëtar. Askushi të nesërmen, që është larg tyre me qindra kilometra, hedhë gurë e dru mbi shkrimtarë e studjuesë me bagazh letrar e shkencor: nuk e njohin gjuhën letrare, nuk dinë të përpilojnë fjalorë drejtshkrimor, fjalorë të gjuhës së sotme shqipe. Edhe Kongresi i Drejtshkrimit (1972) për “gjeniun-patriot”, është pjellë komuniste. E në anën tjetër harron se, gjuhën letrare shqipe standarde e kanë krijuar dhe e krijojnë shkrimtarët shqiptar edhe Sotekësajdite.

Askushi, i përpunuar nëpër burgje sllave, që deri dje lumit i ka thënë: “reka”. Dhe, jo lumë, në Ditën e Sotme…

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.