26.7 C
Tirana
E enjte, 23 Korrik 2026
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)
Kreu Artikuj ROLI I MËRGATËS SHQIPTARE NË KUJTESËN HISTORIKE TË KOSOVËS (59)

ROLI I MËRGATËS SHQIPTARE NË KUJTESËN HISTORIKE TË KOSOVËS (59)

0
Gazeta Liria

Sabile Keçmezi-Basha Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha

Diskursi i Robërisë dhe Rezistencës në Traktet e Demonstratave të Vitit 1981

Në vijim të traktit, autorët ndalen te pasojat që, sipas tyre, prodhoi vala e represionit të ushtruar nga aparati shtetëror jugosllav pas demonstratave. Ata shprehin bindjen se udhëheqja politike në Beograd besonte se përdorimi i forcës ushtarake dhe policore do të ishte i mjaftueshëm për ta thyer rezistencën shqiptare dhe për ta detyruar popullin e Kosovës të hiqte dorë nga kërkesat e tij politike. Në dokument thuhet se, pas sulmeve të egra të policisë dhe ushtrisë jugosllave mbi Kosovën, udhëheqësit serbë dhe ata jugosllavë menduan se do ta gjunjëzonin popullin shqiptar, por, zhvillimet që pasuan dëshmuan pikërisht të kundërtën.

Andaj, dhuna shtetërore nuk solli nënshtrimin e shqiptarëve, por forcoi edhe më tej frymën e kundërshtimit. Demonstratat, grevat dhe format e tjera të rezistencës jo vetëm që nuk u shuan, por vazhduan me një intensitet edhe më të madh. Ky konstatim pasqyron bindjen e organizatave ilegale se represioni nuk mund ta shuante aspiratën për liri, sepse ajo tashmë ishte bërë pjesë e ndërgjegjes kolektive të popullit. Në këtë këndvështrim, çdo akt dhune prodhonte jo frikë, por vendosmëri, ndërsa çdo përpjekje për ta shtypur rezistencën shndërrohej në një faktor të ri mobilizimi.

Autorët përdorin një gjuhë me simbolikë kur shkruajnë se “dora e fuqishme e popullit po godet pa mëshirë policët pushtues”, duke e paraqitur rezistencën si një reagim të natyrshëm ndaj dhunës së ushtruar nga pushteti. Ky formulim nuk duhet parë vetëm si përshkrim i një përballjeje fizike, por edhe si një metaforë e qëndresës së përgjithshme të shqiptarëve. Përmes tij, autorët synojnë të përcjellin idenë se populli kishte kaluar nga faza e mbrojtjes pasive në një fazë të vetëdijshme të kundërshtimit aktiv, duke mos pranuar më të jetonte nën frikën e represionit.

Një vend të veçantë në këtë fragment zë edhe përmendja e Prekazit të Drenicës, të cilin autorët e paraqesin si një simbol të rezistencës shqiptare. Sipas tyre, ngjarjet e zhvilluara në këtë trevë përbënin një mësim të rëndësishëm për pushtetin dhe për ata shqiptarë që ata i cilësonin si bashkëpunëtorë të regjimit. Për ilegalen shqiptare, Drenica nuk ishte vetëm një hapësirë gjeografike, por një territor me një traditë të gjatë kryengritjesh dhe qëndrese kundër pushtuesve. Përmendja e saj kishte për qëllim të zgjonte kujtesën historike të lexuesit dhe ta lidhte rezistencën e viteve tetëdhjetë me traditën shumë më të hershme të luftës për liri.

Veçanërisht domethënës është krahasimi që autorët bëjnë me figurën e Ahmet Delisë, një prej luftëtarëve më të njohur të Drenicës në fillim të shekullit XX. Në trakt thuhet se, gjatë ngjarjeve të Prekazit, “u ringjall Ahmet Delia”, duke përdorur një metaforë që nuk nënkupton ringjalljen fizike të heroit, por ringjalljen e frymës së tij luftarake. Përmes kësaj figure, autorët dëshirojnë të tregojnë se tradita e rezistencës shqiptare nuk ishte shuar, por jetonte ende në karakterin dhe qëndresën e brezave të rinj. Ahmet Delia shndërrohet kështu në simbol të vazhdimësisë historike të luftës për liri, një figurë që lidhte kryengritjet e fillimit të shekullit XX me rezistencën politike të viteve tetëdhjetë.

Po aq domethënës është edhe formulimi se “kur t’ia rrethosh shqiptarit shtëpinë, ai e ka zakon të të presë me pushkë.” Kjo shprehje, e ndërtuar mbi traditën popullore shqiptare, mishëron idenë se shtëpia, familja dhe nderi kanë qenë gjithmonë vlera të shenjta në kulturën shqiptare dhe se mbrojtja e tyre është konsideruar detyrim moral. Në kontekstin e traktit, kjo frazë përdoret si simbol i vendosmërisë për të mos pranuar nënshtrimin dhe për të kundërshtuar çdo formë dhune që cenon lirinë dhe dinjitetin e popullit.

Nga këndvështrimi historik, ky fragment është veçanërisht i rëndësishëm, sepse pasqyron mënyrën se si organizatat ilegale ndërtonin narrativën e tyre politike. Ato nuk kufizoheshin vetëm në komentimin e zhvillimeve të kohës, por t’i interpretonin ato si vazhdimësi të historisë së gjatë të qëndresës shqiptare. Duke thirrur në kujtesë figura si Ahmet Delia dhe duke e vendosur Drenicën në qendër të rrëfimit, autorët synonin t’i rrëfenin lexuesit se rezistenca e viteve tetëdhjetë nuk ishte një reagim i rastësishëm ndaj rrethanave politike, por pjesë e një tradite shekullore të mbrojtjes së lirisë, identitetit dhe dinjitetit kombëtar. Në këtë mënyrë, dokumenti fiton jo vetëm vlerën e një materiali historik, por edhe rëndësinë e një burimi që pasqyron mënyrën se si lëvizja ilegale shqiptare e konceptonte historinë, simbolikën dhe vazhdimësinë e rezistencës kombëtare.

Pas përshkrimit të zhvillimeve politike dhe të qëndresës së popullit shqiptar, autorët e traktit rikthehen edhe një herë te forma karakteristike e komunikimit me lexuesin, duke përdorur thirrjen “TË DASHUR VËLLEZËR!”. Kjo mënyrë e të shkruarit nuk ishte vetëm një formulë hyrëse, por një element i rëndësishëm i kulturës politike të shtypit ilegal shqiptar. Në pothuajse të gjitha traktet, fletushkat dhe komunikatat e organizatave ilegale, lexuesi nuk trajtohej si një individ anonim, por si pjesëtar i një bashkësie të madhe kombëtare, të lidhur nga historia, gjuha, gjaku dhe ideali i përbashkët për liri. Përmes këtij adresimi, autorët synonin të krijonin një marrëdhënie besimi me bashkatdhetarët, veçanërisht me shqiptarët e mërguar, të cilët konsideroheshin një pjesë e pandashme e frontit të rezistencës kombëtare.

Menjëherë pas kësaj thirrjeje, dokumenti vazhdon me një përshkrim të ashpër të politikave që, pushteti jugosllav kishte ndërmarrë kundër shqiptarëve pas demonstratave të vitit 1981. Në tekst theksohet se, përveç dhunës fizike, burgosjeve dhe vrasjeve, regjimi kishte kaluar në një fazë të re të represionit, duke goditur sistematikisht institucionet arsimore, kulturore dhe ekonomike të shqiptarëve. Këto masa nuk ishin veprime të izoluara administrative, por pjesë e një strategjie të menduar për të dobësuar themelet e identitetit kombëtar shqiptar dhe për ta privuar popullin nga instrumentet kryesore të zhvillimit të tij intelektual e kulturor.

Një vend të veçantë në këtë kritikë zë Universiteti i Kosovës, i cili llogaritet si një nga arritjet më të mëdha të shqiptarëve pas Luftës së Dytë Botërore. Ata kujtojnë se ky institucion ishte ndërtuar “me aq shumë mundime e sakrifica”, duke nënvizuar se themelimi i tij nuk ishte një dhuratë e pushtetit, por rezultat i përpjekjeve shumëvjeçare të inteligjencës shqiptare dhe i kërkesave të vazhdueshme të popullit për arsimim në gjuhën amtare. Në këtë këndvështrim, goditja ndaj Universitetit nuk interpretohej vetëm si një masë administrative, por si një sulm ndaj një prej shtyllave më të rëndësishme të identitetit kombëtar dhe zhvillimit kulturor të shqiptarëve në Kosovë.

Autorët ndalen edhe te largimi masiv i profesorëve dhe pedagogëve nga universiteti, duke e paraqitur atë si një përpjekje për ta zbrazur institucionin nga elita intelektuale shqiptare. Për organizatat ilegale, inteligjencia nuk shihej vetëm si bartëse e dijes, por edhe si ruajtëse e vetëdijes kombëtare. Për këtë arsye, largimi i profesorëve interpretohej si një goditje e drejtpërdrejtë ndaj mendimit kritik dhe ndaj aftësisë së shoqërisë shqiptare për të prodhuar elitën e saj arsimore e shkencore.

Po aq shqetësuese paraqitet edhe ndërprerja e marrëveshjeve të bashkëpunimit arsimor ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë. Në optikën kombëtare, këto marrëveshje kishin një rëndësi të veçantë, sepse mundësonin shkëmbimin e literaturës, të profesorëve, të përvojave akademike dhe të bashkëpunimit në fushën e kulturës, artit dhe arsimit. Ndërprerja e tyre interpretohej si një përpjekje për ta izoluar shqiptarin e Kosovës nga hapësira e tij natyrore kulturore dhe për të penguar çdo afrim me Shqipërinë. Për këtë arsye, autorët e traktit konsideronin këtë vendim jo vetëm politik, por edhe një sulm ndaj unitetit kulturor të kombit shqiptar.

Në vazhdim, dokumenti përshkruan edhe pasojat sociale të politikave shtetërore. Sipas tij, nga vendet e punës po largoheshin qindra punëtorë shqiptarë, ndërsa një fat të ngjashëm po përjetonin edhe mësimdhënësit e shkollave të mesme dhe të atyre fillore. Në këndvështrimin e shqiptarëve, këto masa nuk kishin karakter ekonomik apo organizativ, por ishin pjesë e një politike diskriminuese që synonte dobësimin e pranisë shqiptare në administratë, në arsim dhe në sektorët kyç të jetës publike. Humbja e vendeve të punës nuk paraqitej vetëm si një problem ekonomik, por edhe si një mjet presioni politik ndaj popullsisë shqiptare.

Një rëndësi të veçantë në tekst merr edhe çështja e teksteve shkollore. Autorët shprehin shqetësimin se pushteti kishte vendosur të ndryshonte librat e gjuhës shqipe, të historisë dhe të lëndëve të tjera, duke e interpretuar këtë si një përpjekje për të ndërhyrë në kujtesën historike dhe në formimin kombëtar të brezave të rinj. Për popullin shqiptar, arsimi nuk ishte thjesht një proces mësimor, por një nga mekanizmat më të rëndësishëm për ruajtjen e identitetit kulturor dhe historik të shqiptarëve. Pikërisht për këtë arsye, çdo ndërhyrje në përmbajtjen e teksteve shihej si një përpjekje për të rishkruar historinë, për të relativizuar identitetin shqiptar dhe për të dobësuar vetëdijen kombëtare të brezave që po rriteshin.

Në fund të këtij fragmenti, autorët paralajmërojnë se këto nuk ishin masat e vetme dhe se regjimi kishte në plan të ndërmerrte edhe hapa të tjerë kundër shqiptarëve. Ky konstatim pasqyron gjendjen e pasigurisë dhe të ankthit që mbizotëronte në mesin e shqiptarëve gjatë viteve pas demonstratave të vitit 1981, kur çdo vendim i autoriteteve shihej si pjesë e një politike më të gjerë represive. Në diskursin e traktit, këto masa përbënin jo vetëm një sulm ndaj individit, por një ofensivë kundër vetë ekzistencës kulturore, arsimore dhe kombëtare të shqiptarëve në Jugosllavi.

Ky tekst, veç tjerash ishte një dëshmi e rëndësishme e mënyrës se si organizatortët e demonstratës e interpretonin politikën e Beogradit pas vitit 1981. Ai pasqyron perceptimin e tyre se lufta nuk zhvillohej vetëm në rrugë, në demonstrata apo në përballjet me policinë, por edhe në universitete, në shkolla, në institucionet kulturore dhe në vendet e punës. Për autorët e traktit, mbrojtja e arsimit, e kulturës dhe e kujtesës historike ishte po aq e rëndësishme sa edhe rezistenca politike, sepse pikërisht në këto institucione ruhej identiteti i një populli dhe përgatiteshin brezat që do të bartnin më tej idealin e lirisë. Për këtë arsye, ky trakt përbën një burim me vlerë të veçantë për të kuptuar jo vetëm diskursin politik të lëvizjes ilegale shqiptare, por edhe rëndësinë që ajo i kushtonte arsimit dhe kulturës si shtylla themelore të mbijetesës kombëtare.

Në vazhdim të traktit, autorët arrijnë në një nga mesazhet më domethënëse të dokumentit, ku përpiqen ta shndërrojnë përshkrimin e represionit në një thirrje për bashkim dhe rezistencë të organizuar. Sipas tyre, zhvillimet politike të asaj kohe kishin krijuar një realitet të ri, në të cilin shqiptarëve nuk u kishte mbetur më asnjë alternativë tjetër përveç forcimit të qëndresës. Ata shkruajnë se, “në këto kushte nuk na ka mbetur rrugë tjetër pos të forcojmë luftën tonë, që t’i përgjigjemi armikut ashtu si e ka zakon shqiptari.” Kjo fjali nuk duhet kuptuar vetëm si një thirrje politike e momentit, por si një përpjekje për ta lidhur rezistencën e kohës me traditën historike të qëndresës shqiptare. Për autorët e traktit, përgjigjja ndaj dhunës nuk ishte një reagim spontan, por pjesë e një kulture historike të mbijetesës, që kishte shoqëruar shqiptarët nëpër shekuj.

Poashtu, dokumenti sjell një episod që autorët e konsiderojnë si një nga zhvillimet më domethënëse të kohës. Ata e përshkruajnë atë si një fenomen të çuditshëm”, jo sepse ishte i pashpjegueshëm, por sepse përfaqësonte një kthesë të jashtëzakonshme në marrëdhëniet shoqërore të shqiptarëve. Sipas traktit, në disa vise të Kosovës ndodhi diçka që i kujtonte kohët e hershme të pajtimeve tradicionale: familje dhe njerëz që prej vitesh apo dekadash ishin ndarë nga hasmëritë dhe gjakmarrjet vendosën t’i linin mënjanë konfliktet e tyre. Ata shkuan në shtëpitë e njëri-tjetrit, shtrinë dorën e pajtimit, falën gjaqet dhe u përqafuan si vëllezër.

Kjo e dhënë ka një peshë të veçantë historike, sepse pasqyron një fenomen që do të merrte përmasa edhe më të mëdha në fund të viteve tetëdhjetë dhe në fillim të viteve nëntëdhjetë me lëvizjen gjithëpopullore të pajtimit të gjaqeve. Edhe pse ky trakt i paraprin asaj lëvizjeje të organizuar, ai dëshmon se ideja e kapërcimit të ndarjeve të brendshme për hir të interesit kombëtar kishte filluar të qarkullonte shumë më herët në mendimin politik të rezistencës shqiptare. Për autorët, pajtimi nuk ishte vetëm një akt moral apo fetar, por një domosdoshmëri kombëtare. Ata besonin se një popull i përçarë nuk mund të përballej me sukses me një pushtet të organizuar, ndërsa një popull i bashkuar fitonte forcë morale dhe politike.

Në pasqyrimin e traktit, falja e gjaqeve merr një kuptim shumë më të gjerë sesa zgjidhja e një konflikti ndërmjet dy familjeve. Ajo shndërrohet në simbol të rilindjes së unitetit kombëtar. Përqafimi i dikurshëm i armiqve nuk paraqitet si një gjest individual, por si një akt historik që i shërbente interesit të përgjithshëm të popullit. Autorët e përshkruajnë këtë moment me tone emocionale, duke theksuar se shqiptarët, pasi kishin lënë pas armiqësitë, dolën “dorë për dore si vëllezër” në demonstrata dhe vazhduan të qëndronin “krah për krah” në mbrojtje të njëri-tjetrit. Kjo metaforë e fuqishme e dorës së bashkuar shndërrohet në simbol të një kombi që kishte kuptuar se forca e tij buronte nga uniteti dhe jo nga ndarjet.

Gjithashtu, ky është një nga fragmentet më të bukura të traktit, sepse zhvendos vëmendjen nga dhuna dhe represioni drejt fuqisë së pajtimit dhe solidaritetit. Në vend të një populli të frikësuar, autorët paraqesin një shoqëri që rilind përmes bashkimit, duke i lënë pas konfliktet shekullore për t’u përqendruar te një ideal më i madh. Kjo ide përfaqëson një nga mesazhet më të rëndësishme politike të dokumentit: se liria nuk mund të ndërtohet mbi përçarje, por vetëm mbi pajtim, mirëkuptim dhe përgjegjësi të përbashkët.

Më tej, autorët shpjegojnë se shqiptarët nuk u bashkuan vetëm nga rreziku që i kërcënonte, por edhe nga “idealet e larta të popullit e të atdheut.” Për ta, rezistenca nuk ishte vetëm një reagim ndaj padrejtësive të momentit, por një mision i lidhur me mbrojtjen e dinjitetit kombëtar. Ata theksojnë se njerëzit i bashkoi dëshira për të mbrojtur nderin e motrave dhe nënave shqiptare, për të mbrojtur fëmijët dhe për të siguruar të ardhmen e tyre përballë një regjimi që, sipas këndvështrimit të autorëve, ushtronte dhunë sistematike mbi popullin shqiptar. Këto figura nuk përdoren vetëm për të krijuar ngarkesë emocionale, por për të paraqitur luftën si një detyrim moral ndaj familjes, brezave të rinj dhe vetë ekzistencës së kombit.

Nga këndvështrimi historik, ky fragment është një dëshmi me vlerë të veçantë për mënyrën se si organizatat ilegale shqiptare e konceptonin unitetin kombëtar. Ai tregon se rezistenca nuk ndërtohej vetëm mbi organizimin politik apo mbi kundërshtimin ndaj regjimit, por edhe mbi kapërcimin e ndarjeve të brendshme që për shekuj kishin rënduar jetën e shoqërisë shqiptare. Në këtë kuptim, autori i traktit e shndërron pajtimin në një akt patriotik dhe e paraqet atë si kusht të domosdoshëm për suksesin e luftës çlirimtare. Pikërisht ky bashkim i idealeve kombëtare me vlerat tradicionale të pajtimit dhe solidaritetit e bën këtë fragment një nga pjesët më domethënëse të dokumentit dhe një pasqyrim të qartë të filozofisë politike që udhëhiqte rezistencën shqiptare në mesin e viteve tetëdhjetë.

Pastaj vazhdojnë autorët e traktit, duke e drejtuar fjalën posaçërisht kah shqiptarët që jetonin larg atdheut, duke përdorur një thirrje plot ngrohtësi dhe afërsi shpirtërore: “TË DASHUR BASHKATDHETARË NË MËRGIM!” Kjo hyrje nuk kishte karakter thjesht formal. Ajo përfaqësonte një përpjekje të vetëdijshme për ta forcuar lidhjen ndërmjet Kosovës dhe mërgatës shqiptare, duke e bërë këtë të fundit jo një spektatore të zhvillimeve, por një pjesëmarrëse aktive në fatin historik të popullit të saj. Për organizatat ilegale, mërgata nuk ishte vetëm një komunitet i shpërndarë nëpër shtete të ndryshme të Evropës, por një pjesë organike e kombit, një forcë politike, ekonomike dhe morale, e cila kishte detyrimin të qëndronte pranë atdheut në momentet më të vështira të historisë së tij.

Autorët rikujtojnë me tone prekëse arsyet që i kishin detyruar mijëra shqiptarë të merrnin rrugën e mërgimit. Ata nuk e paraqesin emigrimin si një zgjedhje të lirë ekonomike, por si një “rrugë të trishtueshme të kurbetit”, të imponuar nga rrethanat politike, ekonomike dhe shoqërore që mbizotëronin në Kosovë. Në këtë mënyrë, kurbeti nuk shihet vetëm si largim fizik nga vendlindja, por si një plagë e hapur në jetën e individit dhe të kombit. Pas çdo mërgimtari, sipas këtij rrëfimi, mbeteshin prindër të përlotur, familje të ndara dhe një Kosovë që përcillte bijtë e saj me shpresën se ata nuk do ta harronin kurrë vendin prej nga kishin dalë.

Veçanërisht prekës është momenti kur autorët kujtojnë amanetin e prindërve. Ata shkruajnë se, në çastin e ndarjes, nënat dhe baballarët i porositën bijtë e tyre të mos e harronin vendlindjen, gjuhën dhe popullin që i kishte lindur e rritur. Ky nuk ishte një amanet i zakonshëm familjar. Në kulturën shqiptare, amaneti ka qenë gjithmonë një institucion moral me peshë të jashtëzakonshme, një obligim që kalon përtej brezave dhe që lidhet me nderin, besën dhe identitetin kombëtar. Pikërisht për këtë arsye, autorët e traktit e paraqesin ruajtjen e gjuhës, të kulturës dhe të lidhjes me atdheun si një detyrë të shenjtë, të cilën mërgimtari duhet ta mbajë gjallë pavarësisht largësisë gjeografike.

Më tej, dokumenti shpreh bindjen se shqiptarët e mërguar i kishin qëndruar besnikë këtij amaneti. Ata deklarojnë se mërgata ishte bërë “më e fortë dhe më e bashkuar se kurrë”, duke e lidhur këtë forcë me demonstratat, protestat dhe aktivitetet që shqiptarët organizonin në vendet ku jetonin. Në optikën e autorëve, këto veprimtari nuk ishin vetëm tubime politike, por dëshmi se mërgata vazhdonte të jetonte me hallet e Kosovës dhe se nuk e kishte shkëputur asnjëherë lidhjen shpirtërore me vendlindjen. Përmes demonstratave në qytetet evropiane, ajo ndërkombëtarizonte çështjen e Kosovës dhe e bënte të njohur para opinionit botëror padrejtësinë që ushtrohej ndaj shqiptarëve.

Në një gjuhë të pasur me figura letrare dhe simbolikë kombëtare, autorët premtojnë se kjo luftë nuk do të ndërpritej derisa Kosova të njihte ditë më të mira. Ata shprehen se do të vazhdonin përpjekjet “që Kosova Nënë të ketë dritë”, një metaforë që simbolizon çlirimin, lirinë dhe shpresën për një të ardhme më të drejtë. Kosova personifikohet si “Nënë”, një figurë e njohur në letërsinë dhe publicistikën patriotike shqiptare, e cila mishëron tokën amtare, vuajtjen, dashurinë dhe sakrificën. Duke e quajtur Kosovën “Nënë”, autorët e ngritin çështjen kombëtare në një dimension emocional, ku mbrojtja e atdheut barazohet me mbrojtjen e nënës dhe të vetë identitetit.

Po aq domethënës është edhe vizioni që ata ndërtojnë për të ardhmen. Ata ëndërrojnë një Kosovë ku balli i popullit të mos jetë më i rrudhur nga vuajtjet, ku fëmijët të mos zgjohen natën të tmerruar nga trokitjet e policisë dhe nga britma kërcënuese “Otvorite vrata!” (“Hapni derën!”), një shprehje që për shumë familje shqiptare ishte bërë simbol i frikës, i bastisjeve të natës dhe i arrestimeve politike. Vetëm përmendja e kësaj thirrjeje në gjuhën serbokroate mjaftonte për të rikthyer kujtesën e netëve të ankthshme, kur hyrja e forcave të sigurimit në shtëpitë shqiptare shoqërohej me arrestime, dhunë dhe pasiguri.

Në vazhdim, autorët ndërtojnë një tablo poetike të Kosovës së lirë. Ata dëshirojnë që arat shqiptare të mos shkeleshin më nga zinxhirët e tankeve dhe automjetet ushtarake, por të mbeteshin vend i punës dhe i jetës. Po aq e fuqishme është edhe figura e lulëkuqeve të Kosovës, të cilat, sipas tyre, duhet të “hapin lirshëm fletët e veta.” Lulëkuqja, në këtë kontekst, nuk është vetëm një element i natyrës, por një simbol i jetës, i gjakut të derdhur për liri dhe i shpresës që rilind pas çdo stuhie historike.

Në fund të këtij trakti, autorët kthehen sërish te drama e mërgimit. Ata shprehin dëshirën që shqiptarët të mos detyroheshin më të “hanin bukën e hidhur të kurbetit.” Kjo metaforë, e rrënjosur thellë në kulturën popullore shqiptare, përmbledh gjithë dhimbjen e emigrimit: largësinë nga familja, mallin për vendlindjen, sakrificat e jetës në dhe të huaj dhe ndjenjën e përhershme të mungesës. Për autorët, kurbeti nuk ishte vetëm një gjendje ekonomike, por një plagë kombëtare që do të mbyllej vetëm atëherë kur shqiptarët të mund të jetonin të lirë dhe me dinjitet në vendin e tyre.

Nga këndvështrimi historik, ky tekst përbën një nga pjesët më të ndjera të traktit. Ai dëshmon se organizatat ilegale nuk e shihnin mërgatën vetëm si burim mbështetjeje materiale apo politike, por si pjesë të pandashme të qenies kombëtare shqiptare. Përmes një gjuhe të pasur me simbole, kujtime dhe metafora, autorët ndërtojnë një rrëfim ku malli për vendlindjen, amaneti i prindërve, dhimbja e kurbetit dhe shpresa për një Kosovë të lirë shkrihen në një ideal të vetëm. Pikërisht kjo ndërthurje e kujtesës historike me ndjenjën e përgjegjësisë kombëtare e bën këtë pasazh një nga fragmentet më të fuqishme të publicistikës ilegale shqiptare të viteve tetëdhjetë, duke pasqyruar jo vetëm programin politik të rezistencës, por edhe universin shpirtëror të shqiptarëve të mërguar.

Në pjesën përmbyllëse të traktit, autorët artikulojnë qartë kërkesën politike që, sipas tyre, përfaqësonte aspiratën themelore të shqiptarëve të Kosovës në atë periudhë historike. Ata theksojnë se populli i Kosovës kërkon, para së gjithash, njohjen e Krahinës së Kosovës me statusin e republikës, duke gëzuar të gjitha të drejtat kushtetuese që u takonin republikave të tjera të Federatës Jugosllave. Ky formulim pasqyron besnikërisht diskursin politik të viteve tetëdhjetë dhe veçanërisht frymën e demonstratave të pranverës së vitit 1981, kur kërkesa “Kosova Republikë” u shndërrua në boshtin kryesor të mobilizimit politik të shqiptarëve.

Në këndvështrimin e autorëve të traktit, kjo kërkesë nuk paraqitej si një privilegj apo si një pretendim i pabazuar, por si një e drejtë që buronte nga parimi i barazisë ndërmjet popujve të Federatës Jugosllave. Ata e konsideronin pozitën kushtetuese të Kosovës të paplotë dhe diskriminuese, duke argumentuar se shqiptarët, si një nga popujt më të mëdhenj në Jugosllavi, duhej të gëzonin të njëjtin status politik e institucional si popujt e tjerë që jetonin në republikat federative. Në këtë mënyrë, kërkesa për republikë paraqitej si një përpjekje për afirmimin e barazisë politike, juridike dhe kombëtare, e jo si një thirrje e izoluar apo e rastësishme.

Vijon

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.