Mashtruesit
Herë shtohen, herë pakësohen,
por kurrë nuk zhduken nga rruga,
i gjen në çdo cep të jetës,
në punë, në lagje, në çdo turmë.
Disa vishen bukur me kollare,
flasin ëmbël e duken fisnikë,
por pas buzëqeshjes së tyre
fshihen mijëra hile të vogla.
Janë mjeshtër të fjalëve të mëdha,
ustallarë të premtimeve boshe, e thonë:
“lëre, se rregullohet”,
por hallin ta lënë ty në derë.
Disa dalin si njerëz seriozë,
nisin me plane e me zhurmë,
dhe vazhdojnë pa fund
duke luajtur të njëjtën lojë.
Ka edhe nga ata më “sportivë”,
që rregullojnë çdo gjë me dorë,
premtojnë mrekulli e zgjidhje,
por shpesh lënë vetëm fjalë pas.
Mashtruesit ndryshojnë fytyrë,
por loja mbetet po ajo:
ta hajë kush ta hajë,
derisa dikush ta kuptojë.
I Ndershmi
Ah, sa e bukur do të ishte kjo botë,
sikur i ndershmi të ishte shumicë!
Do të mbillej besim në çdo vatër,
e shpresa do të çelte pa frikë.
Sot shpesh më duken pak në numër,
si yje që ndriçojnë në errësirë;
herë shtohen, herë veniten,
por drita e tyre nuk shuhet kurrë.
I ndershmi s’ka nevojë për lavde,
as zë të lartë, as bujë kot;
argumenti është arma e tij,
e vërteta shoku më besnik në botë.
Ai ecën krenar në çdo udhë,
me ballin lart e shpirtin e pastër;
lë pas gjurmë që koha nuk i tret,
si gur themeli për një jetë më të ndershme.
Lum ai që ka një të ndershëm prijës!
Punon i qetë, me zemër të lirë;
ku sundon drejtësia dhe ndërgjegjja,
aty lulëzon puna me dëshirë.
Të ndershmit nuk kërkojnë përplasje,
nuk ushqehen me zhurmë e mashtrim;
se zhurma shuhet si tymi në erë,
ndërsa e vërteta mbetet përjetim.
Kudo që suksesi ngrihet i fortë,
një dorë e ndershme e ka ndërtuar;
edhe kur emri nuk përmendet,
vlera e saj ka triumfuar.
Prandaj u shtofshin të ndershmit,
si rrezet që sjell agimi i ri;
le të mbjellin besë e dashuri,
drejtësi, shpresë e njerëzi.
Se mirësia nuk njeh kufij,
kur zemra me nder rreh çdo ditë;
dhe lavdia më e madhe e njeriut
është të jetojë me ndërgjegje e dritë.
Ngrihuni, o njerëz të ndershëm!
Bota ka nevojë për shembullin tuaj.
Një zemër e pastër ndez mijëra të tjera,
dhe vetëm ndershmëria e bën të ardhmen më të bukur.
Frikacakët
Kam njohur shumë frikacakë,
në fjalë duken burra të fortë;
flasin gjatë si delegatë,
por zemra u dridhet në çdo portë.
Kur rreziku u del përpara,
heshtin, fshihen, bëhen hi;
mos u beso fjalëve të tyre,
se trimërinë e kanë veç në sy.
Ka pa shkollë e ka me shkollë,
veshur bukur e mendjehollë;
por ditën kur kërkohet burrëria,
zhduket maska, del ligështia.
As i ndërgjegjshëm, as i përgjegjshëm,
veç fjalë të mëdha e premtime bosh;
kur vjen koha për të qëndruar,
largohen pa lënë asnjë shenjë.
Frikacak në fis e në mexhlis,
me shokët rri e të përqesh;
por kur stuhia troket te dera,
është i pari që ikën me vrap.
Prandaj dalloni njerëzit mirë,
mos u mashtroni nga çdo zë;
frikacakët s’janë për punë,
as për shokë në ditë të vështirë.
Se shoku provohet në stuhi,
jo në tavolina e biseda kot;
trimëria nuk bërtet me fjalë,
por matet me vepra në këtë botë.
21.07.2026
Harresa
Më harrove, më harrove,
asnjëherë s’më kujtove.
Ditët iknin në vetmi,
duke pritur një fjalë nga ti.
Prisja një shenjë, një përqafim,
një mesazh, qoftë edhe kujtim.
Por ti zgjodhe të largoheshe,
pa menduar se një zemër lëndoje.
Ike larg e s’u ktheve më,
më le vetëm me lot në sy.
Sërish zemra shpresën mban,
se një ditë do të vish pranë.
Koha plagët i qetëson,
shumë gjëra ajo ndryshon.
Por gjurmët që lë në zemër,
nuk i shuan dot asnjë erë.
Sepse plagët e dashurisë,
mbeten thellë në kujtim;
mund të zbehen me kalimin e viteve,
por kurrë nuk humbin përgjithmonë.
Ndizet
Ndizet… një zjarr i pashuar.
Trimëri, besnikëri, shpatë –
këto fjalë zgjojnë ëndrra,
ëndrra të kahershme.
Jam trimëreshë, jam shqiptare;
vetë kjo shprehje zgjon një ndjenjë të thellë.
Jam krenare që jam shqiptare.
Të dua, e shtrenjta ime!
Do të të mbroj nga kthetrat gjakpirëse.
Vetë zemrën do ta bëj armë, e shpirtin – shpatë.
Një shokut tim
Bota jonë e fëmijërisë,
e pastër si hija e një bime.
S’na ndante gjë atëherë;
një kothere e ndanim përgjysmë.
U rritëm pranë njëri-tjetrit,
me të njëjtën bindje, krah për krah.
Pastaj erdhi dita kur ti u ngjite në piramidë.
Desha të të uroja. U nisa drejt teje,
kapërceva pengesa dhe, më në fund, arrita.
Të takova… por vështrimi yt ishte ftohur;
në atë çast, u ftoha edhe unë.
Një jetë ecëm bashkë,
e sot s’të kam më shok.
Mos ndrysho kaq shpejt,
se penjtë këputen lehtë;
edhe njeriu, kur harron rrënjët,
mbetet i vetëm.
15 shtator 1998











