ANKTHI I FUNDIT

0
10
Sabile Basha

Sabile Keçmezi-Basha

  • tregim

Ajo qëndronte shtrirë në shtratin dysh, sikur trupi i saj të ishte zhytur në një oqean djersitjeje, dhe mendja e saj endet në një mjegull të pafund, pa e njohur më as vetveten. Çdo gjë i ishte fshirë nga kujtesa, si të kishte kaluar nëpër një ëndërr të harresës, ku asgjë nuk mbetej për t’u mbajtur. Në veshët e saj të ngarkuar, jehonte cingërima e telefonit, e largët, e pafundme, sikur të vinte nga kati i parë i shtëpisë. Ditë të tëra kishte që ai tingull i përsëritej, si një fantazmë që s’pushoi kurrë. E dëgjonte atë edhe në ëndërr, edhe zgjuar, një muzikë e zymtë që shoqëronte vetminë e saj.

Në atë botë kllapie, asaj i shfaqej një kujtim i trishtuar: burri i saj nuk do të kthehej më. Zemra i dridhej dhe nga thellësia e shpirtit të saj, në gjumë, pëshpëriste me një dhembje të thellë:

“Oh, ai… çfarë i kanë bërë… Jo, nuk do ta shoh më kurrë.”

Fytyra e saj ishte si një ekran i zbehur, ku shfaqeshin imazhe të largëta nga e shkuara, nga fëmijëria, ditë kur bota i dukej më e ndritshme. Ishte e humbur në mes të së kaluarës, duke u mbajtur për kujtimet si për një spirancë në detin e trazuar të dhembjes. Në mes të kllapisë, cingërima e telefonit vazhdonte të shponte heshtjen, dhe e mbushur me mllef nga ajo cingërimë e bezdisshme, ajo thërriste me një zë të dobët, që sikur humbiste në ajër:

Ajo qëndronte mes natës së rënduar, e zhytur në mjegullën e çmendurisë së përjetshme, ndërsa cingërima e pa ndalur e telefonit shpërthente në veshët e saj si një mallkim.

“Ç’ka ky telefon që nuk ndalon?” pëshpëriste me një zë të shuar, sikur të ishte një psherëtimë që frynte në boshllëk. “Kur do të pushojë ky tingull që më ngacmon në thellësi të shpirtit?” Trupi i saj përpëlitej në flakën e zjarrmisë, ndërsa shtrati mbulohej nga djersët e padurueshme, e ajo, mes peshës së lodhjes, mundohej ta kuptonte realitetin që i ikte si tym. Prapa valëve të ndërgjegjes, zhurma e cingërimës vazhdonte, një tingull që dukej se askush s’do ta ndalte.

Një herë, e mbledhur nga dëshpërimi, tentoi të ngrihej, të luftonte për të ndalur atë zë të pambarim, por trupi dhe duart e saj e tradhtuan. Forca i ishte tretur prej kohësh, e as krahët e as këmbët nuk i bindeshin më. Ajo që dikur e kishte mbajtur të gjallë tani i ishte larguar, si një kujtim që nuk rikthehet më. Çdo puls i telefonit i shponte tëmthat, si një gjilpërë që depërton thellë në tru. Timpanet i kërcisnin, dhe nga ai tingull monoton, iu rindez dhimbja në kokë, një dhimbje që e përndiqte natë pas nate. Zemra e saj, e rënduar nga ankthi, u përmbyt sërish nga vjellja, e cila ia riktheu ndjesinë e sëmundjes së natës së kaluar.

Me një fuqi të fundit, mblodhi çdo grimcë energjie që i kishte mbetur, vetëm për të marrë një pikë ujë, për të mos u fundosur në alivani. Por, telefoni nuk heshti. Cingërima vazhdonte të vinte, si një shigjetë që depërtonte heshtjen e shtëpisë bosh. Mblodhi jorganin, e hodhi mbi kokë për t’u fshehur nga ai tingull i mallkuar, dhe më pas edhe jastëkun me pupla që i buronte kujtime të dhembshme – dhuratë e burrit nga udhëtimet e tij të largëta, si një kujtim i largët i dashurisë. Por as jastëku, as mbulesa nuk ishin mjaft për ta qetësuar zemrën e saj të trazuar.

E shtrirë, me sy të ënjtur nga mungesa e gjumit, ajo mendonte për netët e mëparshme, kur përqeshte gjumin, që i dukej si një mik i humbur. Gjumi vinte, por e përqeshte me hile, duke u fshehur në raftet e librave, duke e sfiduar që të numëronte çdo yll në qiell apo çdo kokërr orizi në fushat e pafund. E tani, ajo ishte vetëm, e mbetur në boshllëkun e shtëpisë së heshtur, ndërsa gjithçka i sillej vërdallë si një rrotull ruleti në orët e vona të kazinove të harresës.

Cingërima e telefonit vazhdonte si një mallkim i pashmangshëm, një tingull që depërtonte në çdo cep të shpirtit të saj të lodhur. E shqetësuar, e frikësuar dhe e tmerruar, ajo ndiqte atë jehonë të largët që ngjitej nga kati i parë, si një frymë e padukshme që ngjitej ngadalë shkallëve, si një fëmijë që zvarritet në duar e këmbë, duke pushuar për një çast në korridor, e pastaj vazhdonte rrugën e vet të pashmangshme drejt saj. Cingërima ishte një hije që depërtonte përmes çelësit të derës, duke çarë terrin e natës, duke u lëshuar mbi jorganin e saj, duke u ngjeshur poshtë jastëkut, derisa puplat shpërndaheshin në gjithë dhomën, duke e mbështjellë me një zhurmë të pafundme që ushtonte në kokën e saj: “Cingërrrrr… cingërrrrr…”

Ajo nuk e kuptonte se ishte kapluar nga zjarrmia, edhe pse trupi i saj digjej si në flakët e një furre. Herë pas here, djersët e ftohta mbulonin ballin e saj, dhe balluket e holla ngjiteshin në fytyrën e lagur si një tatuazh i heshtur. Me një faculetë të bardhë si dëborë, ajo përpiqej të fshinte ato djersë që nuk pushonin kurrë. Por faculeta i ishte bërë qull prej kohësh, e ajo vazhdonte ta përdorte, si një mbrojtje të vetme kundër dëshpërimit. Fustani i natës, prej pambuku të butë, i ngjitej për trupi, duke e mbërthyer në një burg të lodhjes. Ajo dëshironte ta ndërronte, të vishte diçka të thatë, por nuk i kujtoheshin më as dollapët, as rrobat që dikur i kishte renditur me kujdes, si kutitë e një pakete duhani.

Në përpjekjen e pafuqishme për t’u çliruar nga ndjenja e rëndë që i mbërthente trupin dhe mendjen, ajo përpiqej të rikujtonte sa kohë kishte kaluar në këtë gjendje. Dritë e zbehtë, që vinte nga llambadari i vjetërsuar, ndriçonte paksa dhomën, duke u përzier me hijet e kujtimeve të saj. Njerëzit që dikur i kishte pranë filluan t’i shfaqeshin si fantazma të një kohe të humbur. Burri i saj, me buzëqeshjen e butë që gjithmonë e ngushëllonte, i shtrinte dorën drejt saj, sikur t’i thoshte:

“Ngrihu nga shtrati, moj gjumashja ime e bukur,” i thoshte ai, dhe ajo qeshte me një gëzim të pastër, duke i shtrirë dorën atij, njeriut që e kishte dashur… dashur thellë, pafundësisht. Por papritur, një trishtim i ëmbël i shpoi zemrën—si një rreze drite që shfaqet përmes mjegullës—sepse kujtoi se asnjëherë nuk i kishte thënë sa shumë e donte. Nuk kishte shprehur kurrë sa shumë i mungonte kur ai largohej, qoftë për në punë, për në fshat, apo në ndonjë udhëtim zyrtar. Edhe ai larg, ishte për të një boshllëk i madh, një zbrazëti që nuk mund ta mbushte asgjë tjetër. Dhe vetëm tani, në këtë moment të gjatë vetmie, e kuptoi se sa gjëra të bukura kishte lënë pas, pa i vërejtur, duke kaluar nëpër jetën e saj si një kalimtare e pandërgjegjshme.

Vetëm tani e kuptoi se sa e lumtur kishte qenë dikur. “Dikur,” tha me një zë të zbehtë, sikur fjala vetë të kishte një peshë të padukshme. Po kur kishte qenë ajo kohë e lumtur? E pyeti veten me një ngurrim, por përgjigja nuk erdhi. Mbajti frymën në boshllëkun që u krijua brenda saj.

Në atë natë të ngarkuar me mendime e përjetime të së kaluarës, në atë shtrat të zymtë, iu shfaqën vajzat dhe djemtë e saj, të dashurit e zemrës, që e përqafonin me gjithë fuqinë e shpirtit të tyre. Ai përqafim ishte i ëmbël, i ngrohtë, si një batanije e dashurisë që e mbështillte me butësi. Ajo ndjeu një kënaqësi të rrallë, një lumturi që kishte munguar kaq gjatë në zemrën e saj të lodhur nga koha dhe kujtimet.

“Oh, sa mirë ndihem,” mendoi ajo, ndërsa shpirti i saj ndjeu qetësinë e fëmijëve të saj, duke e mbushur me dashuri të pastër, dashuri që nuk kishte nevojë për fjalë.

“Largoji gërshetat nga fytyra ime,” i thoshte vajzës, “më vjen shumë nxehtë, e bukura nënës…” Duart e saj lëviznin pavullnetshëm, djathtas e majtas, në një përpjekje të kotë për t’u çliruar nga ngrohtësia që e rëndonte. Në një çast, si të ishte një fllad i largët, iu rikthyen kujtimet e nënës së sëmurë që qëndronte në shtrat, ashtu si ajo tani, e pafuqishme përballë kohës. Por pastaj, kujtimet kaluan me vrull, duke e çuar larg, shumë larg… tek trenat e mbushur plot me njerëz që shkonin dhe ktheheshin bosh, trenat që bartnin të dëbuarit, ata që humbnin shtëpitë dhe jetët e tyre, rrugët e gjata të ikjeve të detyruara.

Flakët e shtëpive të djegura, vaji i fëmijëve, dhe zhurmat e krismave ia ngushtonin frymëmarrjen. E përndjeknin si hijet e një nate të pafund. Dhe më e rënda nga të gjitha, iu rikthye momenti kur e kishin marrë burrin e saj… maskat e zeza të njerëzve pa fytyrë, që e frikësonin si një vegim i zymtë. Ata e rrethuan, me shami të lidhura rreth kokës, e rrahën, derisa gjaku i përskuqte fytyrën. I kishin rënë me dymçik, por ai qëndronte si një lis i fortë, edhe pse e donin përdhe. Tentuan përsëri, dhe përsëri… dhe pastaj, një krismë. Një tjetër krismë… dhe një rafal që i shpoi zemrën si një gjëmim i kobshëm.

Në atë çast, ajo klithi me gjithë shpirtin që i kishte mbetur, e mbuluar me jorgan deri në grykë, si të mund ta mbronte veten nga dhembja që ia shponte kraharorin.

“Mos… moooosni… atë…” – bërtiti si e çmendur, zëri i saj humbi në terrin e natës, por dhembja e saj mbeti aty, e palëvizshme, e përjetshme.

Jorgani fluturoi nga fundi i shtratit, si një shpend që përpiqet të çlirohet nga era e dhunshme, teksa ajo përpëlitej, duke luftuar me fantazmat e errëta që e sulmonin pa mëshirë. Një flakaresh e padukshme, një shtytje e egër nga maskat e mjegullta që mbushnin dhomën, e tundi nga frika e thellë, dhe me një klithmë të brendshme, ajo u zgjua.

“O Zot, çfarë po ndodh me mua? Mos vallë po çmendem?” – murmuriti, por trupi i saj i lodhur refuzoi të lëvizte nga shtrati, sikur gjymtyrët t’i ishin rënduar nga peshë të padukshme.

Dita erdhi me ngadalësi, duke sjellë vetëm një çast pushimi, por nata u kthye sërish, e zezë dhe e frikshme si më parë. Të njëjtat hije të skëterrshme i përndiqnin mendjen, fjalët i rrëshqisnin nga buzët, pa kuptim, pa logjikë. Duke folur përçart, çdo tingull ishte një jehonë që humbiste në boshllëk, ndërsa askush nuk arrinte ta kuptonte thellësinë e dhembjes së saj.

“Shiko sa zjarrmi ka,” pëshpëriti një e afërme e saj që i qëndronte pranë, duke parë fytyrën e saj të djersitur.

“Preke, preke… shiko si digjet, e shkreta,” shtoi tjetra, më e moshuar, duke ia fërkuar ballin me dorën e ngrohtë dhe të butë. Peshqiri i lagur që e ndërronte herë pas here ishte si një përpjekje për të ftohur flakën e brendshme që e përvëlonte nga brenda, një përpjekje për t’i kthyer paqen në mes të këtij zjarri që s’kishte fund.

Në katin e parë, telefoni përsëri cingëronte, zëri i tij jehonte si një thirrje e pandalshme. Teli i kufjes përshkonte ajrin, duke i ngjarë një gjarpri të errët, që dredhejë dhe zvarritej nëpër mendjen e saj të trazuar. Pastaj, ai gjarpër shndërrohej në një tren të gjatë, të lodhur e të heshtur, një tren që përshkonte shpirtra të larguar, dhe më vonë, ai tren bëhej një kolonë njerëzish, me këmbë të thyer nga lodhja, duke u zvarritur nëpër dhe, tërhequr prej peshës së dhimbjes, që iknin larg – larg nga ajo… dhe nga oborri i shtëpisë së saj të heshtur.

“Jo… nuk dua trenat… jo… jo… nuk dua ikjet… mos… mos i merrni… mos… fëmijët… jo… burri… oh, e mjera unë…” – murmuriste ajo në përçartje, me një zë që dilte nga thellësia e zemrës së saj të djegur. Dhe pastaj, papritur, sikur shpirti i lodhur ta kishte braktisur, ajo u qetësua. Trupi i lagur nga djersët e ndonjë ëndrre të frikshme mbeti shtrirë, pa jetë, pa frymëzim.

Gruaja e re që i rrinte pranë, me një butësi që ishte si puhizë në mes të një stuhie, i solli një bokall uji. Me ujin e freskët i lagi fytyrën e zbehur, sikur të donte ta zgjonte nga ëndrrat e trishta që e mbanin peng. Pastaj, me duart e kujdesshme, e mbuloi me jorganin ngjyrë qielli, që dikur kishte pasur shkëlqimin e qiejve të pafund, por tani, si të gjitha gjërat, po humbiste ngjyrën, po zverdhej ngadalë, duke marrë nuanca që shkonin drejt së kaftës, sikur edhe ai të ishte dorëzuar përpara kohës dhe lodhjes.

Pas një kohe, sërish u rikthy temperatura, fytyra iu bë gacë. Një skuqje e beftë përshkoi qafën e saj si një flakë që përhapej ngadalë, më pas u zhvendos drejt duarve dhe, në fund, mbuloi gjithë trupin e saj të lodhur. Buzët, që dikur kishin qenë të ngrohta e të buta, morën një ngjyrë vjollcë, që kaloi në të murrme. Dalëngadalë ato filluan të plasariteshin, dhe nga këto çarje të brishta dolën pikëza të kuqe gjaku, si lotë të hidhur që rridhnin nga buzë të heshtura.

Kohë kishte kaluar që vetëdija e saj ishte larguar nga kujtimet, duke dalë jashtë kornizave të mendjes, dhe pastaj, me një nxitim të çuditshëm, iku edhe nga dhoma. Kujtesa, që dikur ishte e ngulitur në mendjen e saj, tani fluturonte në hapësira të largëta, si kali i Konstandinit që përshkonte horizonte jashtë kohës. Mbi shtratin e saj, me një shkëlqim të rrallë e të fundit, fëmijëria i vallëzonte me këmbë të zbathura, duke i sjellë një kujtim të ëmbël dhe të hidhur njëkohësisht. Fëmijëria… ah, ajo fëmijëri që nuk kishte qenë kurrë plotësisht e saj.

Herë pas here, fëmijëria i afrohej afër, e përqeshte me gjuhën jashtë, me sy të zgurdulluar e të skuqur nga lotët. E qeshura e saj përplasej në dhomë, e çmendte gruan. Ajo përpiqej ta mbronte veten me duar, por pa forcë, sikur të mundohej të fshihej në fund të botës, në cepin më të errët të shtratit. Ndonjëherë, donte t’i kundërvihej, të kacafytej me të, të tregonte se sa e padrejtë kishte qenë ajo fëmijëri që i kishte mohuar aq shumë gjëra. Donte ta shporrte jashtë, ta largonte nga dhoma e nga jeta e saj.

Por forca, e humbur prej kohësh, nuk i mjaftonte. Fëmijëria, e pashpirt dhe e ftohtë, përdridhej mbi shtrat, ndonjëherë hipte mbi komodinë dhe i kërcënohej me duar, duke i treguar se hakmarrja ende nuk kishte përfunduar. Përse gjithë kjo urrejtje? Gruaja, e shtangur dhe e lodhur, pyeste veten, duke u përpëlitur mes dhimbjes dhe humbjes së vetvetes.

Në orët e para të mëngjesit, zjarrmia i ngjitej trupit me këmbënguljen e një zjarri të padukshëm, që përhapej pa mëshirë. Filloi t’ia guduliste këmbët, me një paturpësi të çuditshme, derisa ato filluan t’i mpiheshin, duke i lënë një ndjesi të huaj, si të mos i përkisnin më trupit të saj. Ngadalë, ajo u zhyt në një delir të çmendur, duke u copëtuar në fragmente të paqarta mendimesh dhe ëndrrash që s’kishin fund. Telefoni, në katin e parë, vazhdonte të cingëronte pa pushim, si një tingull larg dhe i largët, ndërsa ajo dridhej.

Para saj u shfaq morgu, i ftohtë dhe i heshtur, dhe aty, mes hijesh së vdekjes, pa babain e saj. Ai qëndronte shtrirë, me fytyrë të mbufatur dhe të mavijosur. Buzëqeshi, por ajo buzëqeshje ishte e mbushur me trishtim të thellë.

Më sheh, – foli ai me një zë të mekur, që i përshkonte tërë trupin e saj. – Shikon si më bënë mbrëmë? Ata… ata njerëzit hije… Kërkuan nga unë të flisja. Çka të flisja… kush ka armë, kush ka shpërndarë afishe, kush ka dalë në male… Por nuk fola… vogëlushja ime… Nuk fola. Shikon si më kanë bërë, – dhe me sytë e mbyllur vazhdonte të buzëqeshte me një hidhërim që rrëqethte.

Ajo dridhej, jo nga frika, sepse frikë nuk kishte pasur kurrë ndaj atyre që i donte, por nga të ftohtët që ia përshkonte gjithë trupin, si akull i mbledhur në shpirtin e saj. Duart e saj u shtrinë drejt babait, deshi ta prekë, ta përkëdhelë, t’ia fshijë plagën mbi qepallë, t’ia ngrohë duart me frymën e saj të kuqe, plot jetë. Por, duart e saj mbetën të zbrazura, të varura në ajër.

Ai u zhduk papritmas, si një hije që ikën nga drita, dhe më… më nuk ishte aty. Dikush ia kishte grabitur, e kishin marrë pa mëshirë. Ajo e thirri, më kot, duke u përpëlitur në boshllëkun e dhomës, por askush nuk iu përgjigj.

— Baba… ku je… ku shkove… dil… unë jam… bija jote, — zëri i saj, i mbushur me trishtim të thellë, çau heshtjen e akullt që sundonte në atë morg të heshtur. Ishte një heshtje shekullore, e ngarkuar me dhimbje të pashoqe, të mbledhur nga njerëzit e të gjitha anëve të Kosovës. Aty ishin trupat e atyre që ishin vrarë, goditur pa mëshirë nga ata që kishin ardhur si hije të errëta, nga larg — fantazmat e vdekjes. Ajo thirri, por përgjigje nuk pati, vetëm boshllëku dhe erërat e ftohta të dhimbjes përshkuan dhomën.

Në derën e errët të morgut, Tanati i zi u shfaq, duke mbajtur në duar një tufë të madhe çelësash, që zhurmonin ndërsa ai ecte ngadalë. Çelësa të mëdhenj, të vegjël, të ndryshkur, të ftohtë, dukej sikur mbanin në vete sekrete të lashta, të mbyllura me dryna të rëndë. Ajo vështroi me sytë e saj të zgurdulluar, kurrë më parë nuk kishte parë aq shumë çelësa, aq të çuditshëm, aq të frikshëm. Njëri prej tyre ishte aq i madh, sa dukej si një kokë elefanti. Ishte çelësi që hapte dyert e asgjësë.

Një frikë e papërballueshme i përshkoi trupin, deshi të ikte, të largohej, të fshihej diku, të kërkonte babanë e saj të humbur. Por nuk kishte ku të shkonte, grilat e zeza iu shfaqën si mure të pakapërcyeshme para syve të saj, duke u rritur vazhdimisht. Grila të ftohta, të çelikut, të gjata e të pandërprera, shtriheshin pa fund në horizontin e saj. Ajo qëndroi e shtangur, e rrethuar nga këto mure të frikshme, të cilat nuk mund t’i kapërcente dot. Ftohtësia e tyre depërtoi në shpirtin e saj, duke e mbështjellë me ndjenjën e pashpresë.

Në një qoshe të errët të morgut, ku çarçafët e bardhë ishin zhdukur, rrobat e burrave dhe të grave, të mbuluara me njolla të kuqe gjaku, përhapen si shpirtra të humbur. Një qefin qëndronte pezull në ajër, pranë dritares, duke i sjellë në mendje këmishën e babait, atë të harruar në nxitim. Një ndjesi e rëndë u ul mbi supe, sikur palca e kurrizit t’i therte me çdo hap. Ajo dëshironte të thyente grilat e errëta, të griste çarçafët e panumërt që e rrethonin, duke pritur ta shihte babanë, burrin dhe fëmijët që ishin të fshehur në atë errësirë.

Dëshira e saj ishte e fortë, një etje për të parë sërish ata të dashur, për t’i përqafuar, por flaka e ashpër që i lëpinte trupin e pengonte të bënte më shumë se sa të endej në harresë. Çarçafët e shumtë e mbyllnin ngadalë, duke filluar ta mbështillnin edhe trupin e saj, derisa ajo mori pamjen e një mumieje, e mbuluar me dhimbje dhe kujtime të humbura. Sytë e saj, të skuqur nga lotët, pikonin si gjaku, dhe ajo filloi të lemeriset, të përjetojë tmerre që e rrëzonin në zbrazësi të pafund.

I urrej vdekjet… torturat… vrasjet… krismat e pushkëve, të topave… të bombave… dhe përsëri, ajo u humb në errësirën e padurueshme, e rrethuar nga kujtimet që ishin më të ftohta se vetë vdekja.

Telefoni përsëri cingëronte, me një tingull që mbante një vajtim të thellë. Ajo u mendua se sa vajtueshëm përsëritej ky zë, si një klithmë që e ndjente brenda. Gjumi, si një shok i tradhëtuar, filloi t’i sillej vërdallë, dhe nga dritaret e hapura i afrohej Hipnosi, ai që e kishte shëruar me vite dhe tani ndjente dhembje për gruan e gjorë. Nga një qoshe e errët, ai iu fut nën jastëk prej puplave dhe e rëndoi mbi qepallë, me shpresën t’i pushojë dhembjet, t’i shuaj zjarrminë që nuk kishte të ndalur. Deshi t’ia fisnikëronte dhembjen, ta shndërronte atë në diçka më të bukur.

Por Kllapia, si një fantazmë e padukshme, e përpiu sërish. Fustani i bardhë i nusërisë doli nga dollapi, duke e thirrur me një zë plot mall:

Më vish, moj, më vish… Sa kohë ka që nuk më ke përdorur. Pse sillesh me mua si me një gjë të neveritshme? – i fliste fustani, tashmë i rrudhur nga vitet.

E ndjeu keqardhjen për të. E trembi fillimi i atij dialogu, por më vonë, e ndryshoi mendjen dhe me ngadalë i futi krahët në të, si të donte ta ruante nga lëndimi. Me dorë e lëmonte mëndafshin e butë, që u tremb për një çast, kur pa pika të kuqe gjaku duke rënë mbi të.

Ti je… shpirti i mamit… Çfarë të kanë bërë… Më thuaj, njëherë… Si vritet fëmija…?! – klithi, duke përkëdhelur fustanin, ndërsa lotët e saj rridhnin si lumenj mbi faqe. E kishte lutur vogëlushen, atë që po jepte shpirt… Kishte qarë gjer në agimin e nesërm, duke ndjerë se çdo minutë kalonte si një shekull.

Dhe ata të gjithë shkuan, u vranë, u mbytën me plumba, me dajak dhe me sëpata…
Kjo nuk durohej më… – pëshpëriti gruaja më e moshuar, zëri i saj plot plogështi.
Më thuaj, çfarë të bëjmë? – shtoi më e reja, me sytë e saj të mbushur me frikë.

Përsëri përpara iu shfaqën: njerëzit, ikjet, trenat që ndiheshin si fantazma, arkivolet, shtëpitë që digjeshin në errësirë, çarçafë të bardhë e të kuq, autoblinda që lëviznin si hijenat në natë, aeroplanë, shumë aeroplanë, ushtarë që ulërinin, vaje lebetitëse, paramilitarë, dhe eksplodime që i zhbironin timpanin dhe trupin e saj. Iu kujtuan Tanatët, Karonët, ushunjëzat, dhe Hadi me mbretërinë e tij të errët… dhe shumëçka tjetër që e trondiste shpirtin.

Qajnë njerëzit… ikin… Pse, vallë, qajnë… Pse ikin… Ku shkojnë, vallë… kështu të rraskapitur? – pëshpëriste gruaja e mbuluar me jorgan, e mbërthyer nga dhimbja.

Koka i ushtonte, dhembje të padurueshme e mundonin, sa ndjente se do t’i shpërthente. Njëherë e kishte bindur mendjen të shkokëlonte atë kokë migrenoze me duar e veta, ta rrokulliste poshtë shkallëve si një topth bejsbolli. Por, nga sëmbimi i dhimbjes, e ndryshoi mendjen, duke kuptuar se dhimbja ishte një kosh i errët që e mbante rob.

O Zot, sa të rëndë e kam kokën, pëshpëriti ajo, duke humbur në labirintet e kohës së shkuar, si në një abis që e rrokulliste përsëri në humnerën e brishtësisë së saj. Përsëri filloi të fliste përçartë, për gjërat që vetëm asaj i shfaqeshin si storie të zbehura nga hiri i harresës.

Telefoni vazhdonte të cingëronte, një tingull që e lëkundte përmes valëve të trishtimit. Ajo lëvizi duart, pastaj buzët, por zëri nuk doli dot; ngadalë, me një dhembshuri që e shtrëngonte zemrën, i vështroi dy gratë që i qëndronin pranë, dhe, me një frymëmarrje të thellë, mbylli sytë.

Një ngjyrë limoni i ra fytyrës, duke sjellë një ftohtësi që e mbuloi si një errësirë e papritur, e duke e shndërruar në kallkan. Dy gratë u shikuan trishtueshëm mes vete, e më pas, me ndjeshmëri të heshtur, mbuluan fytyrën e saj të bërë dyllë me një shami – behar, si për t’i dhënë fund një kapitulli që kishte ndodhur shumë larg.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.