Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha
Diskursi politik dhe mobilizimi kombëtar në thirrjen e mërgatës shqiptare për demonstratën e Brukselit (13 qershor 1981)
Edhe thirrja për protestën dhe demonstratën e organizuar në Bruksel ishte ndër dokumentet më domethënëse që hasa gjatë hulumtimeve të mia në arkivin e materialeve të ruajtura ndër vite. Kur e mora në duar atë fletë të zverdhur nga koha, krijova përshtypjen se po prekja jo vetëm një dokument të zakonshëm, por një copëz të gjallë të historisë së rezistencës shqiptare në mërgatë. Vitet kishin lënë gjurmët e tyre të pashmangshme mbi letër, ngjyra ishte zbehur dukshëm, ndërsa lagështia, pluhuri dhe kalimi i dekadave kishin bërë që në disa vende teksti të ishte fshirë ose dëmtuar, duke e bërë të pamundur leximin e plotë të çdo rreshti. Megjithatë, pavarësisht këtyre dëmtimeve, pjesa dërrmuese e dokumentit kishte mbijetuar në gjendje të mirë dhe vazhdonte të ruante qartësinë e mesazhit të saj politik dhe kombëtar.
E vetëdijshme për vlerën e veçantë historike që mbartte kjo thirrje, iu qasa transkriptimit të saj me kujdesin dhe përgjegjësinë më të madhe. Çdo fjalë, çdo fjali dhe çdo parullë kërkonte lexim të vëmendshëm, jo vetëm për të ruajtur besnikërinë ndaj dokumentit origjinal, por edhe për të mos humbur frymën e kohës në të cilën ai ishte hartuar. Synimi im ishte që ky dokument të mos mbetej i mbyllur në dosje të harruara apo në fletë të zverdhura nga koha, por të bëhej pjesë e kujtesës sonë historike dhe të vihej në shërbim të studiuesve, hulumtuesve dhe brezave të ardhshëm. Në këtë mënyrë, një dëshmi autentike e veprimtarisë së mërgatës shqiptare dhe e përpjekjeve të saj për ta sensibilizuar opinionin ndërkombëtar për çështjen e Kosovës do të ruhej dhe do të vazhdonte të jetonte si pjesë e trashëgimisë sonë dokumentare dhe kombëtare.
Një nga veçoritë më domethënëse që bie menjëherë në sy gjatë shqyrtimit të këtyre materialeve dokumentare është mënyra e përgatitjes së tyre. Me përjashtim të ndonjë dokumenti të rrallë, të hartuar me dorë, pothuajse e gjithë lënda arkivore është e shtypur me makinat e shkrimit karakteristike të kohës. Ky fakt, në pamje të parë teknik dhe formal, në të vërtetë bart një domethënie shumë më të thellë historike. Ai dëshmon për përpjekjen e organizatorëve që materialet të përgatiteshin në mënyrë sa më të rregullt, të lexueshme dhe të përshtatshme për t’u shumëfishuar e shpërndarë në rrethana të vështira konspirative. Në një kohë kur teknologjia ishte e kufizuar, ndërsa veprimtaria kombëtare ndiqej e survejohej nga aparati shtetëror jugosllav, përdorimi i makinës së shkrimit nuk ishte thjesht një zgjedhje praktike, por një mjet i rëndësishëm i organizimit politik dhe i komunikimit të fshehtë.
Po aq domethënës sa forma është edhe gjuha në të cilën janë shkruar këto dokumente. Në të gjitha materialet që kam pasur rastin të hulumtoj deri më tani dominon gjuha e unjisuar shqipe, por në të shumtën e rasteve vjen në pah shqipja e folur në Kosovë, një gjuhë e natyrshme, e gjallë dhe e afërt me ligjërimin e përditshëm të popullit. Nuk bëhet fjalë për një gjuhë të stërholluar burokratike apo për një stil të ndikuar nga administratat zyrtare, por për një shqipe që buron drejtpërdrejt nga realiteti shoqëror e kulturor i kohës. Pikërisht kjo i bën këto dokumente edhe më autentike, sepse ato nuk synonin vetëm të përcillnin informacione apo udhëzime, por edhe të krijonin afërsi me lexuesin, duke përdorur fjalorin dhe mënyrën e të shprehurit që ai e njihte dhe e ndiente si të vetën.
Edhe pse dominon gjuha e unjisuar, megjithate, herë pas here, në tekstet e trakteve dallohen edhe nuanca të ndryshme dialektore, shprehje dhe trajta gjuhësore që janë karakteristike për rajone të veçanta të Kosovës. Këto dallime nuk paraqiten si mangësi gjuhësore, përkundrazi, ato përbëjnë një pasuri të çmuar kulturore dhe gjuhësore. Ato dëshmojnë se autorët e këtyre dokumenteve vinin nga mjedise të ndryshme, por megjithatë ishin të bashkuar nga një ideal i përbashkët kombëtar. Brenda të njëjtit tekst mund të ndihen jehonat e të folmeve të Dukagjinit, Drenicës, Llapit, Anamoravës apo viseve të tjera shqiptare, duke krijuar një mozaik gjuhësor që pasqyron larminë dhe gjallërinë e identitetit shqiptar në Kosovë.
Pikërisht kjo shumëllojshmëri gjuhësore i jep dokumenteve një vlerë të dyfishtë. Përveç rëndësisë së tyre si burime historike që dëshmojnë për organizimin dhe veprimtarinë e lëvizjes kombëtare, ato shndërrohen edhe në dëshmi të rëndësishme të historisë së gjuhës shqipe në Kosovë. Në faqet e tyre ruhet jo vetëm kujtesa e ngjarjeve, por edhe fryma e kohës, mënyra e të menduarit dhe e të shprehurit të brezit që mbajti gjallë idealin e lirisë në vitet më të vështira të represionit jugosllav.
Prandaj, duke i lexuar sot këto dokumente, nuk ndeshemi vetëm me tekste të shtypura në letër të zverdhur nga koha. Në secilën faqe gjejmë gjurmët e një epoke të tërë, dëgjojmë zërin e brezit që i hartoi ato dhe ndiejmë përkushtimin me të cilin ruhej identiteti kombëtar edhe përmes gjuhës. Çdo fjalë, çdo shprehje dhe çdo nuancë dialektore përbën një copëz të historisë sonë kolektive, duke e bërë këtë trashëgimi dokumentare jo vetëm një burim të rëndësishëm për historianët, por edhe një pasuri të çmuar për studiuesit e gjuhës, kulturës dhe identitetit shqiptar.
Nga shqyrtimi i kujdesshëm i këtyre dokumenteve mund të nxirret një përfundim me peshë historike: trakte, thirrje, ftesa dhe materiale të tjera propaganduese janë hartuar kryesisht nga mërgata shqiptare e Kosovës, nga ata burra e gra që, të detyruar nga rrethanat politike, ekonomike ose nga përndjekja e regjimit jugosllav, kishin gjetur strehim në vendet e Evropës Perëndimore. Ata jetonin e punonin larg vendlindjes, por asnjëherë nuk u shkëputën shpirtërisht prej saj. Përkundrazi, mërgimi u shndërrua në një hapësirë të re të organizimit politik, të ndërgjegjësimit kombëtar dhe të vazhdimit të rezistencës përmes mjeteve që u lejonin kushtet e lirisë në shtetet demokratike.
Pikërisht në qytetet e Zvicrës, Gjermanisë, Belgjikës, Austrisë, Suedisë dhe vendeve të tjera evropiane u krijuan qendra të rëndësishme të veprimtarisë patriotike shqiptare. Aty u hartuan dhe u shumëfishuan qindra trakte, komunikata, thirrje dhe ftesa për protesta, demonstrata, tubime përkujtimore dhe aktivitete të tjera kombëtare. Përmes këtyre materialeve, mërgata jo vetëm që mobilizonte bashkatdhetarët e saj, por njëkohësisht përpiqej të sensibilizonte opinionin publik ndërkombëtar mbi gjendjen e rëndë të shqiptarëve në Kosovë, mbi shkeljet sistematike të të drejtave të njeriut dhe mbi dhunën politike të ushtruar nga regjimi jugosllav.
Një veçori që bie menjëherë në sy në pothuajse të gjitha këto dokumente është mungesa e plotë e emrave dhe mbiemrave të individëve që i kishin hartuar ose nënshkruar ato. Askund nuk haset identiteti personal i autorëve, organizatorëve apo drejtuesve të veprimtarisë. Në vend të emrave individualë figuron vetëm emri i organizatës, lëvizjes apo komitetit organizues, si dhe vendi ku do të zhvillohej manifestimi ose protesta. Ky nuk ishte një rastësi dhe as një zgjedhje formale, ishte një domosdoshmëri e diktuar nga realiteti politik i kohës.
Në rrethanat e ashpra të ndjekjes së vazhdueshme nga shërbimet sekrete jugosllave, ruajtja e anonimitetit përbënte një masë elementare sigurie. Veprimtarët shqiptarë në mërgatë ishin objekt i përhershëm i survejimit, infiltrimit dhe kërcënimeve. Shumë prej tyre kishin familjarë në Kosovë, të cilët mund të përballeshin me pasoja të rënda nëse identiteti i autorëve të materialeve zbulohej. Për këtë arsye, mbrojtja e identitetit personal nuk ishte vetëm akt vetëmbrojtjeje, por edhe përgjegjësi morale ndaj familjeve dhe bashkëveprimtarëve që mbeteshin nën kontrollin e regjimit.
Njëkohësisht, kjo mënyrë komunikimi pasqyron edhe filozofinë organizative të lëvizjes kombëtare shqiptare të asaj periudhe. Në plan të parë nuk vendosej individi, por organizata dhe ideali që ajo përfaqësonte. Mesazhi kishte rëndësi më të madhe sesa autori, kauza kombëtare qëndronte mbi afirmimin personal. Kjo frymë kolektive krijonte bindjen se lufta për liri nuk ishte vepër e një njeriu apo e disa individëve të njohur, por përpjekje e përbashkët e një populli të tërë, e organizuar përmes strukturave të ndryshme politike dhe patriotike të mërgatës.
Për studiuesin e sotëm, kjo mungesë e emrave individualë paraqet një sfidë serioze në identifikimin e autorësisë së dokumenteve. Megjithatë, në të njëjtën kohë, ajo përbën një dëshmi autentike të natyrës konspirative të veprimtarisë së asaj kohe dhe të rrezikut të vazhdueshëm me të cilin përballeshin organizatorët. Vetë fakti që dokumentet kanë mbijetuar deri në ditët tona, duke ruajtur përmbajtjen, gjuhën dhe frymën e kohës, është një dëshmi e rëndësishme e sakrificës dhe përkushtimit të mërgatës shqiptare, e cila, edhe pse larg atdheut, mbeti një nga shtyllat kryesore të rezistencës politike dhe të përpjekjeve për lirinë dhe çlirimin e Kosovës.
Thirrja për protestën në Bruksel përbëhet vetëm nga dy faqe të daktilografuara, por pavarësisht gjatësisë së saj modeste, ajo përfaqëson një dokument me vlera të jashtëzakonshme historike dhe politike. Çdo paragraf është ndërtuar me kujdes të veçantë, ndërsa argumentet janë të renditura me një logjikë të qartë, duke dëshmuar pjekurinë politike dhe aftësinë analitike të autorëve të saj. Nuk kemi të bëjmë me një fletë propagandistike të zakonshme, por me një tekst të menduar mirë, ku analiza historike ndërthuret natyrshëm me argumentimin politik, duke i dhënë dokumentit një peshë që tejkalon funksionin e tij fillestar si thirrje për pjesëmarrje në një manifestim protestues.
Autorët ndalen me kujdes në trajtimin e rrugëtimit të vështirë historik të popullit shqiptar, duke rikujtuar padrejtësitë e shumta, diskriminimin sistematik dhe mohimin e të drejtave kombëtare nën regjimin jugosllav. Ata e paraqesin protestën jo si një reagim të çastit ndaj një ngjarjeje të caktuar, por si vazhdimësi të një rezistence të gjatë historike, e cila kishte lindur si pasojë e dekadave të shtypjes politike dhe kombëtare. Në këtë mënyrë, protesta merr dimensionin e një akti të përgjegjësisë historike, ndërsa pjesëmarrësit ftohen të bëhen pjesë e një misioni që tejkalonte interesat individuale dhe lidhej drejtpërdrejt me fatin e Kosovës dhe të shqiptarëve në përgjithësi.
Megjithatë, ajo që e bën këtë dokument veçanërisht të rëndësishëm është një qëndrim i pazakontë, i shprehur me një gjuhë të drejtpërdrejtë dhe dukshëm më të ashpër sesa ajo që haset zakonisht në materialet e tjera të kësaj periudhe. Për herë të parë, në dokumentet që kam pasur mundësinë të shqyrtoj, organizatorët deklarojnë hapur se në protestë nuk dëshirohet pjesëmarrja e personave që kishin emigruar nga Shqipëria komuniste. Ky qëndrim nuk paraqitet si një vërejtje kalimtare, por si një kërkesë e formuluar qartë, e argumentuar dhe e vendosur në qendër të mesazhit politik të dokumentit.
Për ta kuptuar drejt këtë formulim, është e domosdoshme të merret parasysh konteksti historik i kohës. Në vitet kur u hartua kjo thirrje, Shqipëria ndodhej nën regjimin stalinist të Enver Hoxhës, një nga sistemet më të izoluara dhe më represive në Evropë. Kufijtë e saj ishin pothuajse hermetikisht të mbyllur dhe kontaktet me botën e jashtme ishin të kufizuara në mënyrë ekstreme. Megjithatë, për pjesën më të madhe të shqiptarëve të Kosovës, Shqipëria përfaqësonte simbolin e shtetit shqiptar të lirë, atdheun historik dhe një ideal kombëtar që ushqente imagjinatën dhe shpresën e shumë brezave. Për ta, Shqipëria ishte më shumë se një realitet politik, ajo ishte një mit kombëtar, një pikë referimi shpirtërore dhe emocionale, një lloj “parajse mbi tokë”, pavarësisht se pak veta kishin mundësinë ta njihnin realisht jetën brenda kufijve të saj.
Pikërisht për këtë arsye, formulimi i përdorur në këtë thirrje tërheq vëmendje të veçantë. Ai dëshmon se edhe brenda mërgatës shqiptare ekzistonin dallime të caktuara politike, ideologjike dhe organizative, të cilat herë pas here reflektoheshin edhe në dokumentet publike. Organizatorët duket se synonin ta mbanin protestën larg ndikimeve që, sipas bindjeve të tyre, mund të identifikoheshin me regjimin komunist të Tiranës ose me individë të ardhur prej tij. Kështu, dokumenti pasqyron jo vetëm unitetin rreth çështjes së Kosovës, por edhe debatet, rezervat dhe ndarjet që ekzistonin brenda vetë lëvizjes shqiptare në mërgim.
Në këtë kuptim, kjo thirrje fiton një rëndësi të veçantë historiografike. Ajo nuk na informon vetëm për organizimin e një proteste në Bruksel, por zbulon edhe kompleksitetin e marrëdhënieve politike ndërmjet grupeve të ndryshme të mërgatës shqiptare, perceptimet e tyre ndaj Shqipërisë së asaj kohe dhe përpjekjet për të ruajtur një identitet të caktuar politik të lëvizjes. Për studiuesin e sotëm, dokumenti është dëshmi se historia e rezistencës shqiptare nuk ishte një proces njëdimensional, përkundrazi, ajo ishte e përbërë nga ide, qëndrime, debate dhe vizione të ndryshme, të cilat, megjithëse ndryshonin në disa çështje, bashkoheshin rreth idealit të përbashkët të lirisë dhe të çlirimit të Kosovës.
Një nga pjesët më prekëse dhe njëherazi më domethënëse të kësaj thirrjeje është mënyra se si autorët u drejtohen shqiptarëve që, dekada më parë, ishin dëbuar me dhunë nga trojet e tyre për në Turqi. Ky fragment nuk përmban vetëm një ftesë për pjesëmarrje në protestë, ai shndërrohet në një rrëfim të heshtur të një plage të madhe historike, e cila kishte lënë gjurmë të thella në kujtesën kolektive të popullit shqiptar. Në pak rreshta, hartuesit arrijnë të rikthejnë në vëmendje një nga kapitujt më të dhimbshëm të historisë së Kosovës, atë të shpërnguljeve të detyruara dhe të politikave sistematike të zbrazjes etnike që u ushtruan ndaj shqiptarëve gjatë dekadave të ndryshme të shekullit XX.
Me një ndjenjë të thellë mallëngjimi dhe dashurie vëllazërore, autorët u drejtohen bashkatdhetarëve të tyre që ishin detyruar të linin vendlindjen nën trysninë e aparatit shtetëror jugosllav. Ata nuk i trajtojnë si njerëz të larguar apo të shkëputur nga atdheu, por si pjesë të pandashme të trupit kombëtar shqiptar. Në çdo fjali ndihet dëshira për t’i afruar sërish, për t’i bërë pjesë të së njëjtës kauzë dhe për t’u kujtuar se, pavarësisht viteve të gjata të mërgimit, ata nuk ishin harruar kurrë nga bashkëkombësit e tyre.
Kjo thirrje fiton një peshë edhe më të madhe kur vendoset në kontekstin historik të kohës. Gjatë periudhave të ndryshme, veçanërisht pas Luftës së Dytë Botërore, mijëra shqiptarë nga Kosova, Maqedonia Perëndimore dhe viset e tjera shqiptare në ish-Jugosllavi u përballën me politika të organizuara të presionit shtetëror, diskriminimit dhe shpërnguljes së detyruar drejt Turqisë. Përmes marrëveshjeve ndërshtetërore, trysnisë administrative, konfiskimit të pronave, frikësimit dhe formave të ndryshme të represionit, shumë familje shqiptare u detyruan të braktisnin vendlindjen, duke lënë pas shtëpitë, tokat, kujtimet dhe varret e të parëve. Ishte një proces që synonte dobësimin e elementit shqiptar në Kosovë dhe ndryshimin e strukturës etnike të krahinës.
Në këtë dritë, ftesa që u drejtohet këtyre shqiptarëve merr një kuptim shumë më të thellë sesa një thirrje e zakonshme për të marrë pjesë në një protestë. Ajo është një akt simbolik i rikthimit të tyre në gjirin e kombit, një përpjekje për të rindërtuar lidhjet që historia kishte tentuar t’i këpuste me forcë. Organizatorët i konsiderojnë ata jo si mërgimtarë të huaj, por si vëllezër të larguar padrejtësisht nga trualli i tyre, të cilët vazhdonin të kishin një vend të pazëvendësueshëm në kujtesën dhe ndërgjegjen kombëtare.
Gjuha e përdorur në këtë pjesë të dokumentit është e mbushur me ndjenjë, respekt dhe mall. Nuk vihet re asnjë distancë mes atyre që jetonin ende në Evropë dhe atyre që kishin ndërtuar jetën në Turqi. Përkundrazi, në çdo rresht përcillet bindja se largësia gjeografike nuk mund ta zbehte përkatësinë kombëtare. Ata ftohen me përzemërsi të marrin pjesë në protestë, të bashkohen me bashkatdhetarët e tyre dhe të japin kontributin në përpjekjet për lirinë e Kosovës. Mesazhi është i qartë: dera e kombit mbetet gjithmonë e hapur për bijtë e tij, pavarësisht se ku i kishte shpënë fati apo dhuna e historisë.
Kjo pjesë e dokumentit është një dëshmi e vyer se mërgata shqiptare nuk e konceptonte çështjen kombëtare brenda kufijve administrativë apo shtetërorë, por si një përgjegjësi të përbashkët të të gjithë shqiptarëve, kudo që ndodheshin. Në këtë frymë, protesta nuk paraqitej vetëm si një manifestim politik, por edhe si një moment ribashkimi shpirtëror i shqiptarëve të shpërndarë nëpër botë, të cilët i bashkonin kujtesa historike, dhimbja e përbashkët dhe shpresa për një të ardhme më të drejtë.
Prandaj, ky fragment mbetet ndër pjesët më njerëzore dhe më emocionuese të dokumentit. Ai nuk flet vetëm për organizimin e një proteste, por shpreh besimin se plagët e shkaktuara nga dëbimet, ndarjet dhe mërgimi mund të shëroheshin përmes ruajtjes së solidaritetit kombëtar. Është një dëshmi e qartë se, edhe larg atdheut, shqiptarët vazhdonin ta ndienin veten pjesë të së njëjtës histori dhe të së njëjtës përgjegjësi për fatin e kombit të tyre.
Vijon











