Nga Ramiz LUSHAJ – Tiranë
Ka personalitete që e nderojnë profesionin e tyre, por ka dhe personalitete që, përmes veprës së tyre, bëhen vetë institucion. Një nga këto figura të spikatura të jetës publike diplomatike, mediatike, kulturore shqiptare është pa dyshim Dr. Jorgji Kote, diplomat karriere, intelektual, studiues, përkthyes, publicist dhe promovues i palodhur i vlerave shqiptare në hapësirën shqiptare dhe europiane.
I vlerësuar me titullin e lartë “Mjeshtër i Madh” në Diplomaci (2022), Dr. Jorgji Kote përfaqëson një nga zërat më të respektuar të diplomacisë shqiptare, me një kontribut të shtrirë në dekada në shërbim të shtetit shqiptar, marrëdhënieve ndërkombëtare dhe integrimit europian të Shqipërisë.
Një jetë në shërbim të diplomacisë
Karriera diplomatike e dr. Jorgji Kote- Mjeshtër i Madh, është e pasur dhe shumëdimensionale. Në pozicione të ndryshme diplomatike brenda dhe jashtë vendit, si: Këshilltar dhe Ministër Këshilltar në Misionin e Shqipërisë pranë BE-së në Bruksel (1997-2001), Këshilltar në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Bruksel-Belgjikë (2011-2017), Ministër Këshilltar në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Berlin (2001-2005), Përgjegjës Sektori në Drejtorinë e Shtypit dhe Informacionit në MPJ Tiranë (2005-2011) etj. ai ka qenë një urë komunikimi mes Shqipërisë dhe Europës, duke kontribuar në forcimin e marrëdhënieve me institucionet europiane dhe me vendet partnere.
Me përvojën e tij të gjatë disa dekadore, me njohjen e thellë të gjuhëve të huaja dhe të kulturës europiane, Dr. Kote ka përfaqësuar me dinjitet interesat e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, edhe në kohët më të vështira për Shqipërinë, edhe në kohët më vendimtare të integrimeve euro-atlantike shqiptare, duke fituar respektin e kolegëve dhe bashkëpunëtorëve të shumtë, edhe të diplomatëve e në disa institucione të diplomacisë ndërkombëtare.
Intelektual dhe publicist i njohur
Përtej diplomacisë shqiptare e ndërkombëtare, Dr. Jorgji Kote – Mjeshtër i Madh në Diplomaci, është edhe një autor dhe publicist i njohur, në masmediat shqiptare e të huaja. Ai ka botuar qindra artikuj, analiza dhe komente mbi diplomacinë, politikën ndërkombëtare, integrimin europian, kulturën dhe zhvillimet bashkëkohore, disa sish edhe në “Gazeta e Alpeve”, media Rajonale-PanShqiptare-NdërBallkanike-EuroAtlantike (Shqipëri-Kosovë-Mali i Zi-Luginë e Preshevës e Rajoni i Sanxhakut, Maqedoni e Veriut, Mërgata Shqiptare në Botë).
Shkrimet e tij dallohen për qartësinë e mendimit, argumentimin profesional dhe kulturën e gjerë europiane, duke e bërë atë një nga komentuesit, analistët, më të vlerësuar të çështjeve ndërkombëtare në hapësirën shqiptare.
Në një kohë kur informacioni shpesh vjen i fragmentuar, Dr. Jorgji Kote, ka ditur të sjellë analiza të balancuara dhe të argumentuara, duke ndihmuar lexuesin të kuptojë më mirë sfidat e botës moderne.
Përkthyes dhe promovues i dialogut kulturor
Një kapitull i rëndësishëm i veprimtarisë së tij është edhe puna si përkthyes, është një nga përkthyesit më të mirë e më të njohur të botës e kohës shqiptare. Mjeshtër i vërtetë i përkthimit. Përmes përkthimeve dhe ndërmjetësimit kulturor, Dr. Kote ka afruar më shumë kulturat, letërsinë dhe mendimin europian me publikun shqiptar.
Ai është një nga ata intelektualë që besojnë se diplomacia nuk ndërtohet vetëm me marrëveshje politike, por edhe me dialog kulturor, me shkëmbim idesh dhe me respekt të ndërsjellë ndërmjet popujve.
Dr. Jorgji Kote është autor i disa librave (veprave): “Berlini pa mure”; “Fjalor Frazeologjik mbi diplomacinë”, “Vetrrethim”, “Diplomacia për të gjithë”, “True Stories from Red Albania” (anglisht),“Negociatat, sfida e fundit e integrimit” etj. që kanë pasë rëndësi të veçantë kombëtare shqiptare dhe ngjallë edhe interes ndërkombëtar.
Zëri i Gazetës së Alpeve në Bruksel dhe BE
Një vend të veçantë në veprimtarinë e Dr. Jorgji Kote – Mjeshtër i Madh në Diplomaci, zë edhe bashkëpunimi me “Gazeta e Alpeve” – tashma e kthyer edhe si “Zëri Global i Maleve të Botës” (The Global Voice of the World’s Mountains), ku ai shërben si Përfaqësues Mediatik në Bruksel (Belgjikë) dhe pranë institucioneve të Bashkimit Europian.
Në këtë rol, Dr. Jorgji Kote ka ndihmuar në pasqyrimin e zhvillimeve europiane për lexuesit shqiptarë, duke sjellë informacion, analiza dhe komente që afrojnë më shumë Shqipërinë me Europën dhe Europën me shqiptarët.
Kontributi i tij ka qenë veçanërisht i rëndësishëm në promovimin e nismave të karakterit kulturor, mjedisor dhe zhvillimor që lidhen me Alpet Shqiptare, me bashkëpunimin rajonal dhe me perspektivën europiane të rajonit tonë, veçmas për Konventën EuroBallkanike të Alpeve (Valbonë, 15-16 maj 2026).
Një mik i kulturës dhe i vlerave alpine
Dr. Kote ka mbështetur vazhdimisht nismat që lidhen me kulturën, identitetin kombëtar, trashëgiminë shpirtërore dhe promovimin e vlerave shqiptare në Europë.
Me kulturën e tij të gjerë dhe përvojën ndërkombëtare, ai ka qenë një mbështetës i rëndësishëm i veprimtarive të Konventës Alpine dhe të Gazetës së Alpeve, duke kontribuar me ide, analiza dhe promovim të kauzave që lidhen me zhvillimin e qëndrueshëm dhe me afirmimin e vlerave alpine shqiptare.
Ai ka shumë miq të afërt, një shoqëri jetëgjatë, edhe në Alpet Shqiptare, Dinarike dhe në Rajonin Europian Alpin, edhe në fushën e diplomacisë, edhe të masmediave e të kulturës, me të cilët i ka lidhë jeta e tij aktive dhe elitare, zemra e mirë e shpirti i gjërë, kultura e lartë e përkushtimi plot merita e sakrifica, i ka përforcuar mirënjohja e tij shoqërore, korrektesa e tij, puna e tij e niveleve të admirueshme, në shërbim të kombit të vet dhe në analet e diplomacisë e kulturës euro-ballkanike.
Një personalitet që nderon Shqipërinë
Figura e Dr. Jorgji Kotes – Mjeshtër i Madh në Diplomaci, është dëshmi se profesionalizmi, kultura, integriteti dhe përkushtimi ndaj interesit publik mbeten vlera të përhershme.
Ai është një ambasador i denjë dhe i përhershëm i Shqipërisë në Europë, një zë i urtë i diplomacisë, një studiues i palodhur dhe një mik i fjalës së shkruar.
Për të gjitha këto merita, Dr. Jorgji Kote gëzon respekt të gjerë e të lartë në qarqet diplomatike, akademike, mediatike dhe kulturore, duke mbetur një nga figurat më përfaqësuese të elitës intelektuale shqiptare në Europë.
Gazeta e Alpeve shpreh vlerësimin më të lartë për veprën dhe kontributin e tij shumëvjeçar në diplomaci, kulturë, publicistikë, përkthim dhe në forcimin e urave të komunikimit mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian, prandaj në “Konventa Ndërkombëtare e Tiranës” do t’i ndahet një “Mirënjohje” nga Konventa Alpine për Ballkanin Perëndimor, “Gazeta e Alpeve”, Fondi Alpin.











