Diplomacia ndërkombëtare ka një histori të trishtë me “zombit juridikë”. Ashtu si Rusia që thirret në “Frymën e Jaltës” për të diktuar fatin e Evropës Lindore, edhe Serbia po e përdor Rezolutën 1244 si “mburojë” për qëllimet e saj hegjemoniste të “Botës Serbe”. Në të dyja këto raste, dokumenti nuk është bazë për paqen, por pretekst për ta minuar atë. Nëse bashkësia ndërkombëtare nuk e pati guximin t’i shpallte “të vdekura” kur filluan të prodhonin dhunë, ajo thjesht i hapi rrugë konflikteve të zgjatura. Rezoluta 1244 është e tillë: ajo ka hyrë në fazën e “nekrofilisë politike”, ku mbajtja gjallë e saj prodhon sulme terroriste, jo stabilitet dhe kërcënim për sigurinë. Sot, në 27-vjetorin e dokumentit që duhej të kishte “vdekur” para 18 vjetësh, ajo vazhdon të përdoret si instrument strategjik për “kapjen” e OKB-së, me ndihmën e Rusisë dhe Kinës.
Shkruan: Dr. Gurakuç Kuçi – profesor në Kolegjin Universum dhe bashkëpunëtor i jashtëm në ISLH “OCTOPUS”
Rezoluta 1244 si instrument i luftës juridike serbe dhe e vërteta e GJND-së
Qasja e tillë ndaj “dokumenteve-zombi”, si Rezoluta 1244, është pasojë e keqinterpretimeve dezinformuese dhe përdorimit të tyre si luftë juridike (lawfare), pra si përdorim i dokumenteve juridike për të shkaktuar dëme strategjike kundër një subjekti tjetër juridik. Përderisa “e drejta” kërkon zgjidhjen e konflikteve, “lufta juridike” kërkon shfrytëzimin e normave për t’i mbajtur konfliktet të hapura.
Lufta juridike është edhe një “armë informative”, pasi asaj nuk i mjafton interpretimi juridik i gjykatave, por i nevojitet edhe mjegullimi i gjendjes reale përmes një realiteti post-truth, i cili realizon qëllimet e saj.
Rezoluta 1244 u krijua si dokument për ndalimin e dhunës dhe represionit serb/jugosllav në Kosovë, siç reflektohet që në preambulën e saj dhe në pikën 3, ku kërkohet tërheqja e forcave ushtarake, policore dhe paramilitare serbe/jugosllave. Ajo parashihte gjithashtu parandalimin e rikthimit të forcave serbe në Kosovë (pika 9, a), vendosjen e pranisë ndërkombëtare të sigurisë (pikat 5, 7, 8 dhe 9), vendosjen e administrimit ndërkombëtar civil (pika 10), ndërtimin e institucioneve demokratike vetëqeverisëse të Kosovës (pika 11, c), transferimin gradual të përgjegjësive administrative nga institucionet ndërkombëtare tek ato vendore, procesin politik për përcaktimin e statusit të ardhshëm të Kosovës (pika 11, e), si dhe kthimin e refugjatëve dhe personave të zhvendosur, çështje që përsëritet disa herë në tekstin e rezolutës. Po ashtu, mandati fillestar i pranisë ndërkombëtare ishte 12-mujor, me mundësi vazhdimi (pika 19), gjë që dëshmon natyrën kalimtare të Rezolutës 1244.
Kjo rezolutë e plotësoi dhe e shteroi misionin e saj (funzione esaurita) më 17 shkurt 2008, kur Kosova shpalli pavarësinë, ndërsa humbi fuqinë juridike si dokument për shkak të realizimit të objektivave (desuetude) me miratimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës më 9 prill 2008 dhe hyrjen në fuqi të saj më 15 qershor 2008.
Kosova inkorporoi një pikë nga kjo rezolutë në Kushtetutën e saj, në nenin 153, duke kodifikuar mandatin e pranisë ushtarake ndërkombëtare.
Që Rezoluta 1244 është një zombi juridik, e tregon edhe opinioni i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Më 15 gusht 2008, Serbia zyrtarisht paraqiti kërkesën para Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së për të kërkuar një opinion këshillëdhënës nga GJND-ja, ndërsa më 8 tetor Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, nëpërmjet Rezolutës 63/3, e miratoi kërkesën e Serbisë.
Pyetja që iu parashtrua kësaj gjykate ishte: “A është shpallja e njëanshme e pavarësisë nga Institucionet e Përkohshme të Vetëqeverisjes së Kosovës në përputhje me të drejtën ndërkombëtare?”. Pra, Serbia kërkonte delegjitimimin e pavarësisë së Kosovës përmes një opinioni dhe jo përmes një vendimi. Po ashtu, ajo nuk pyeste për të drejtën e Kosovës dhe të popullit të saj për ekzistencë, por për përputhshmërinë me të drejtën ndërkombëtare. Në të dyja rastet, Serbia ishte e pasigurt në pyetjen e bërë, ndërsa rasti i dytë do ta ekspozonte logjikisht edhe Serbinë si shtet me të kaluar gjenocidale.
GJND-ja dha opinionin e saj për pyetjen e Serbisë më 22 korrik 2010, ku argumentoi se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk binte ndesh me të drejtën ndërkombëtare dhe, po ashtu, nuk e shkelte Rezolutën 1244, pasi kjo rezolutë nuk kishte asnjë klauzolë që ndalonte një proces të tillë. Përkundrazi, ajo kishte si mision ta dërgonte Kosovën drejt statusit përfundimtar. Po ashtu, shpallja e pavarësisë u bë nga përfaqësuesit e vullnetit të popullit dhe jo nga institucionet e krijuara nga Rezoluta 1244. Pra, GJND-ja konfirmoi të drejtën e popujve për vetëvendosje si një normë superiore (jus cogens), përtej argumenteve statike që bien në kundërshtim me të drejtave të njeriut.
Ky opinion i GJND-së, i kërkuar nga vetë Serbia, nuk ishte i mjaftueshëm që këtë të fundit ta kthente në binarët e së drejtës dhe ta largonte nga e kaluara gjenocidale. Prandaj, Serbia menjëherë refuzoi ta pranonte opinionin e GJND-së dhe, gjashtë ditë më vonë, më 28 korrik, synoi të inicionte në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së një rezolutë që kishte për qëllim tjetërsimin e opinionit të GJND-së. Madje, në atë rezolutë konfrontuese, Serbia synonte të impononte që kuadri i vetëm ligjor ku mund të diskutohej statusi i Kosovës të ishte Rezoluta 1244, duke e pranuar edhe vetë se kjo rezolutë tashmë kishte përfunduar misionin e saj.
Edhe në atë kohë, sikur edhe sot, klasa politike serbe ishte e gatshme ta vriste të ardhmen e Serbisë vetëm për të mbrojtur pushtetin e saj politik përmes Kosovës, pasi të gjithë liderët serbë e humbën betejën në Kosovë, ashtu si Millosheviqi, Tadiqi dhe Jeremiqi.
Mirëpo, klasa politike e asaj kohe e kuptoi se nuk i kishte votat në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së dhe pranoi propozimin e BE-së për Rezolutën e 9 shtatorit 2010 (A/RES/64/298), ku pranohej dhe merrej parasysh opinioni i GJND-së, duke e legjitimuar atë, si dhe duke i dhënë mandat BE-së për të lehtësuar një proces dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Rezoluta 1244 si pretekst i sulmeve terroriste
Në dhjetor të vitit 2022, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, i drejtoi një kërkesë zyrtare misionit të KFOR-it në Kosovë për rikthimin e një kontingjenti deri në 1,000 trupa ushtarake dhe policore serbe, duke u thirrur në klauzolat specifike të Rezolutës 1244. Përmes këtij akti, Beogradi zyrtar po zbatonte pikën e parë të manualit të luftës hibride: kushtëzimin juridik (legal conditioning) dhe krijimin e regjistrit zyrtar (establishing the record). Edhe pse vetë Vuçiq deklaroi publikisht se ishte pothuajse plotësisht i sigurt që kjo kërkesë do të refuzohej, manovra kishte një qëllim tjetër strategjik. Ajo shërbeu si instrument i luftës informative për të ndërtuar narrativën e parallogaritur se Beogradi kishte shteruar të gjitha rrugët ligjore ndërkombëtare për mbrojtjen e popullatës serbe, por mekanizmat e sigurisë së OKB-së kishin dështuar të vepronin.
Refuzimi kategorik i KFOR-it në janar të vitit 2023 shënoi përfundimin e kësaj faze artificiale ligjore dhe shërbeu si pretekst ose “licencë” morale që Beogradi të kalonte në fazën e dytë: operacionin kinetik. Ky kalim u operacionalizua përmes aktivizimit të krahut paramilitar dhe strukturave kriminale në veri të Kosovës, duke kulmuar me sulmin terrorist në Banjskë më 24 shtator 2023, nën udhëheqjen e Milan Radojçiqit. Ky agresion hibrid ishte një operacion i projektuar për të provokuar një përplasje të armatosur në shkallë të gjerë ndërmjet grupeve terroriste dhe institucioneve të sigurisë së Republikës së Kosovës.
Kalkulimi strategjik i këtij operacioni synonte ta vendoste komunitetin ndërkombëtar përpara një fakti të kryer (fait accompli). Plani i Beogradit parashihte që shpërthimi i dhunës dhe pretendimet për “përplasje ndëretnike” do ta detyronin KFOR-in të ndërhynte urgjentisht për të evituar eskalimin, duke vendosur një kordon sanitar, pra një zonë tampon ndarëse, midis veriut dhe pjesës tjetër të Kosovës, ngjashëm me skenarin e vitit 1999.
Kjo ndërhyrje do të prodhonte një ndarje të re de facto dhe, më pas, de jure të territorit. Në kushtet e një vakumi të tillë autoriteti, ku institucionet e Kosovës do të bllokoheshin për të shtrirë sovranitetin e tyre, kontrollin në terren do ta merrnin plotësisht strukturat ilegale të dirigjuara nga Beogradi. Ky realitet i ri do t’i mundësonte Serbisë që në arenën diplomatike ta rikthente Rezolutën 1244 nga një “zombi juridik” në një kornizë aktive ndërkombëtare për legjitimimin e statusit të ri në terren. Si rrjedhojë, ai kontingjent prej 1,000 trupash ushtarake, i kërkuar fillimisht në dhjetor të vitit 2022, tani do të futej në veri të Kosovës në formë të pakundërshtuar, duke u rishfaqur jo si forcë agresore, por si garantuese e sigurisë nën ombrellën e një dokumenti të OKB-së të rijetësuar përmes dhunës.
Synimi i rikthimit të dialogut Kosovë-Serbi në OKB nëpërmjet Rezolutës 1244
Serbia bën përpjekje të vazhdueshme që bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë t’i rikthejë në kuadër të OKB-së nëpërmjet Rezolutës 1244, duke shmangur kështu rezolutën e vitit 2010, e cila ia beson Bashkimit Evropian lehtësimin e negociatave. Për realizimin e këtij prapakthimi diplomatik, Beogradi shfrytëzon aleancën e tij strategjike me Rusinë dhe Kinën, si dhe angazhohet për krijimin e një klime ndërkombëtare propaganduese përmes influencerëve, politikanëve dhe grupeve të ndryshme ekstremiste që kanë lidhje të drejtpërdrejta me Moskën dhe Beogradin. Rivaliteti i ashpër gjeopolitik në Këshillin e Sigurimit e ka paralizuar OKB-në, duke e shndërruar cirkun e UNMIK-ut dhe mbledhjet periodike për Kosovën në një platformë ndërkombëtare të propagandës serbo-ruse. Kjo gjendje vazhdon pavarësisht kërkesave të përsëritura të partnerëve perëndimorë, në krye me SHBA-në, që ky mision dhe ky format mbledhjesh të mbyllet përfundimisht.
Po ashtu, ekziston një përpjekje e sinkronizuar që çështja e Kosovës të riforcohet si problem me rëndësi strategjike globale dhe jo si marrëdhënie dypalëshe ndërmjet dy vendeve fqinje. Serbia e sheh këtë ndërkombëtarizim artificial si mundësi për përfitime gjeopolitike dhe, të paktën, si instrument për të imponuar ndarjen e Kosovës. Rrjedhimisht, Serbia dhe aleatët e saj tentojnë që synimet e tyre strategjike kundër stabilitetit të rajonit t’i realizojnë duke filluar gjithmonë nga Kosova. Kjo e fundit mbetet pika kryesore ku thyhen dhe ndalen planet ruso-serbe për sundimin e Ballkanit Perëndimor.
Varrosja e “zombit juridik” si parakusht për paqe
Analizimi i veprimeve diplomatike, juridike dhe kinetike të Beogradit zyrtar vërteton se Rezoluta 1244 ka pushuar së funksionuari dhe tani është vetëm një instrument që keqpërdoret në kuadër të luftës juridike (lawfare) hibride. Tashmë, përdorimi i kësaj rezolute nga Beogradi zyrtar tregon se synohet krijimi i një mjedisi post-truth, bllokimi i shtetësisë së Kosovës, krijimi i preteksteve për operacione paramilitare dhe terroriste, si dhe mbajtja gjallë e influencave ruse dhe kineze të lidhura me tema të mëdha globale, si Tajvani dhe Ukraina.
Përderisa GJND-ja e konfirmoi legjitimitetin e plotë të pavarësisë së Kosovës, përpjekjet e Serbisë dhe aleatëve të saj për ta rikthyer çështjen në OKB përbëjnë qëllime revizioniste për kërcënimin e arkitekturës së sigurisë perëndimore. Mbajtja gjallë e një teme të tillë, që tashmë është vetëm pjesë e historisë, po krijon një “nekrofili politike”, duke ushqyer aspirata revanshiste që synojnë, të paktën, ndarjen e Kosovës.
Është urgjente që komuniteti ndërkombëtar, veçanërisht SHBA-ja, BE-ja, Britania e Madhe dhe Turqia, të refuzojnë kategorikisht çdo debat në institucione ndërkombëtare dhe takime diplomatike ku përmendet kjo rezolutë. Refuzimi i saj është mbrojtje e arkitekturës së sigurisë perëndimore, përveçse mbrojtje e së drejtës ndërkombëtare. Çdo debat tjetër rreth kësaj rezolute është vetëm furnizim i luftës hibride të Serbisë, e cila nuk ka si synim vetëm Kosovën, por edhe më gjerë.











