25.4 C
Tirana
E martë, 9 Qershor 2026
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)
Kreu Artikuj Hobi që ruan kohën: Arkivat familjare, ephemera dhe kujtesa e përditshme

Hobi që ruan kohën: Arkivat familjare, ephemera dhe kujtesa e përditshme

0
Zarfa - letra
Besnik Fishta
Besnik Fishta

Besnik Fishta

Çfarë thonë sendet tona për ne? Më konkretisht, çfarë tregojnë ato për të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen tonë? Në një botë ku gjithçka qe prodhohet dhe zhduket me shpejtësi, sendet e vogla të jetës së përditshme mbeten si dëshmitarë të heshtur të kohës. Fotografitë, letrat, kartolinat, zarfat postarë, kartat telefonike, ftesat familjare apo edhe listat e thjeshta të shpenzimeve përbëjnë atë që sot gjithnjë e më shumë njihet si “arkivi familjar”.

Shumë familje zotërojnë një arkiv të tillë pa e menduar kurrë si të tillë. Ato nuk i kanë konsideruar këto materiale si pjesë të trashëgimisë kulturore, por thjesht si kujtime të ruajtura në kuti, albume apo sirtarë. Megjithatë, duke i ruajtur këto sende, familjet ndërtojnë në mënyrë të vetëdijshme ose të pavetëdijshme një ndjenjë identiteti. Çdo fotografi apo dokument nuk është vetëm një objekt; është një fragment historie që lidh brezat mes tyre. Në këtë kuptim, gëzimi i gjetjes së një kutie të vjetër, të mbushur me kartolina, ftesa, etiketa pijesh, kupona e triska blerje apo abone transporti nuk është thjesht nostalgji. Është zbulimi i historive të fshehura. Brenda këtyre letrave të zakonshme fshihet drama e jetës së përditshme, e njerëzve të zakonshëm që kanë ndërtuar historinë pa e ditur se po e linin atë pas.

Këto gjurmë të letrës së jetës sonë, të quajtura shpesh ephemera( nga anlisht ne shqip do te thote qe prodhohen per nje kohe te shkurter), kanë një natyrë të veçantë. Ato nuk janë krijuar për të mbijetuar gjatë, por pikërisht për këtë arsye bëhen më të çmuara me kalimin e kohës. Ato mund të kenë vlerë sentimentale, duke na kujtuar gjyshërit dhe jetën e tyre të përditshme. Mund të kenë vlerë si objekte koleksionimi apo edhe si antika. Por vlera më e madhe qëndron në aftësinë e tyre për të rindërtuar, me një menjëhershmëri të habitshme, realitetin e jetës së zakonshme. Një kartolinë e dërguar nga një qytet tjetër, nje liste te ftuarish ne dasma, një deftese shkolle apo certifikate e cfardollojshme, mund të na tregojnë më shumë për një epokë sesa dokumentet zyrtare. Ato flasin për zakone, për mënyrën e jetesës, për gjuhën e përdorur dhe për ritmin e përditshëm të shoqërisë. Në to pasqyrohet kultura e vërtetë popullore, ajo që nuk shkruhet gjithmonë në librat e historisë.

Një shembull i rëndësishëm i kësaj qasjeje është vepra “The Encyclopedia of Ephemera”, e cila përmbledh një gamë të gjerë objektesh të jetës së përditshme nga certifikatat e lindjes deri te etiketat e produkteve, gjobat e parkimit apo kartat e telefonit. Duke vazhduar një traditë që nis që në epokën viktoriane, kur kartat tregtare, kartolinat,zarfat e pullat mbi to,grumbulloheshin në albume, studiuesi Maurice Rickards e ka zgjeruar këtë fushë duke treguar se edhe objektet më të zakonshme si këto fragmente të thjeshta letre flasin për statusin shoqëror, shijet, zakonet dhe tabutë e një kohe të caktuar. Në mënyrë të tërthortë, ato zbulojnë vetë rrënjët e kulturës popullore dhe mënyrën se si shoqëritë ndërtojnë identitetin e tyre përmes gjërave të përditshme.

Në traditën shqiptare, kjo trashëgimi shpesh ka mbijetuar në mënyrë të heshtur. Në shumë familje ruhen ende fotografi të vjetra, telegrame, triska ushqimesh, letra emigrantësh, bileta udhetimi, dokumente pronësie, deftesa te firmave piramidale, dokumente identifikimi, kartolina, kartemonedha te vjetra apo objekte personale që nuk janë konsideruar kurrë si “arkiv”, por që në fakt përbëjnë një kujtesë të çmuar kolektive. Historia jonë e shekullit XX dhe e tranzicionit nuk gjendet vetëm në dokumentet zyrtare, por edhe në këto gjurmë të shpërndara të jetës familjare. Në këtë kuptim, arkivi familjar përfaqëson një formë të rëndësishme të trashëgimisë “prapa skenës”, një trashëgimi që shpesh mbetet e nënvlerësuar. Ai qëndron në kufirin midis publikes dhe privates, midis historisë së madhe dhe jetës së zakonshme. Pikërisht këtu lind edhe rëndësia e koleksionimit si praktikë kulturore.

Koleksionisti nuk është thjesht një mbledhës objektesh, por një ruajtës i kujtesës, një arkivist vullnetar që shpëton nga harresa ato që koha do t’i fshinte. Një album fotografish, një seri zarfash postarë, një koleksion pullash apo një grup dokumentesh familjare mund të shndërrohen me kalimin e kohës në burime me vlerë historike të pazëvendësueshme. Në shumë raste, ajo që sot studiohet nga historianët është ruajtur pikërisht nga individë të thjeshtë që nuk e kanë menduar veten si ruajtës të historisë. Një fotografi e zakonshme e dikurshme mund të jetë sot dëshmia e vetme e një ngjarjeje, vendi apo personi të zhdukur.

Në epokën digjitale, kjo çështje bëhet edhe më komplekse. Informacioni prodhohet në sasi të jashtëzakonshme, por ruajtja e tij është gjithnjë e më e paqëndrueshme. Fotografitë mbeten në pajisje elektronike, mesazhet zhduken, dhe formatet ndryshojnë me shpejtësi. Paradoksalisht, sa më shumë dokumentojmë jetën tonë, aq më i madh bëhet rreziku që ajo të humbasë. Prandaj, koleksionimi fiton një kuptim të ri në kohën moderne. Ai nuk është vetëm një hobi, por një mënyrë për të ndërtuar kujtesë qe mbetet. Ai na mëson të shohim vlerë në detaje, të ruajmë atë që duket e zakonshme dhe të kuptojmë se çdo objekt mund të bëhet dëshmi e kohës. Sendet që ruajmë nuk flasin vetëm për atë që kemi qenë, por edhe për atë që duam të kujtohet prej nesh në të ardhmen. Ndoshta pyetja më e rëndësishme nuk është çfarë koleksionojmë, por çfarë historie po lëmë pas. Sepse çdo send i ruajtur është një fije e hollë që lidh të shkuarën me të ardhmen, dhe në këtë lidhje qëndron vetë kuptimi i kujtesës njerëzore.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.