(Kushtuar Ali A. Ajetit,
vrarë më 30 maj 1989 në Shtedim të Podujevës,
në dyluftim me forcat pushtuese të Serbisë.)
Betohem se do të lëshoj rrënjë,
si rrapi shekullor i Dyzit.
Nuk do ta marr malin,
as s’do ta lëkund qerpikun.
Nuk do ta turpëroj familjen,
as farefisin.
Do të qëndroj,
edhe po u bëra pluhur e hi,
këtu ku lindën e jetuan
të parët e mi.
Nuk do t’i kënaq
shovinistët serbo-sllavë
me frikë e nënshtrim.
Do të luftoj për Llapin
dhe Gallapin tim.
Krisma e armës sime do të jehojë
në Shalë të Bajgorës,
në Drenicë,
në Karadak,
në Kaçanik,
në Dukagjin
e në Podguri.
Vdekjen dua ta bëj si burri,
ashtu siç e bënë:
Isa Boletini,
Oso Kuka
dhe Bajram Curri.
Nga gjaku im
do të mugullojnë malet
e do të lulëzojnë fushat.
Do të kujtohem
si Hasan Prishtina
e si Shaban Polluzha.
Derisa të ekzistojë
toka dhe qielli,
do të më këndohet kënga;
krenar me mua do të ndihen
Prishtina,
Shkupi,
Ulqini
e Tirana.
Arif Ejupi
Gjenevë, 9 qershor 1997











