Besnik Fishta
9 Maji është një nga datat më domethënëse të historisë moderne evropiane. Ai përfaqëson njëkohësisht fitoren mbi nazifashizmin në vitin 1945 dhe lindjen e projektit të Evropës së bashkuar pas Luftës së Dytë Botërore. Përmes kësaj date, Evropa kujton sakrificat e luftës, por njëkohësisht afirmon idealet e paqes, bashkëpunimit dhe unitetit mes popujve. Kjo simbolikë e dyfishtë është pasqyruar gjerësisht edhe në filatelinë shqiptare dhe atë botërore, ku pullat postare dhe zarfet përkujtimore janë kthyer në dokumente të vogla historie dhe kujtese kolektive.
Një nga materialet më përfaqësuese të filatelisë shqiptare kushtuar kësaj date është zarfi i ditës së parë (F.D.C.) i emetuar nga Posta Shqiptare në vitin 1985, me rastin e 40-vjetorit të fitores mbi fashizmin (1945–1985). Ky zarf paraqet në mënyrë të fuqishme simbolikën e triumfit mbi nazizmin dhe frymën antifashiste të kohës. Në qendër të kompozimit artistik paraqitet një bajonetë e ngulur mbi një helmetë ushtarake naziste me svastikë. Ky element vizual simbolizon shkatërrimin e nazizmit dhe triumfin e forcave antifashiste mbi regjimin hitlerian. Mesazhi është i drejtpërdrejtë, fashizmi është mundur nga lufta çlirimtare e popujve. Mbishkrimi i madh “9 maj”, i realizuar me ngjyrë të kuqe, i jep zarfit karakter solemn dhe përkujtimor.

E kuqja, shumë e përdorur në ikonografinë antifashiste të kohës, lidhet me sakrificën, rezistencën dhe gjakun e derdhur gjatë luftës. Dy pullat postare të vendosura në të djathtë përforcojnë më tej simbolikën e fitores. Njëra paraqet monumentin e fitores dhe flamurin e kuq triumfues, ndërsa tjetra një dorë që shtrëngon fort armën përpara globit tokësor, simbol i luftës universale kundër fashizmit dhe i mbrojtjes së paqes botërore. Ky material filatelik pasqyron mënyrën se si Shqipëria socialiste ndërtoi kulturën e kujtesës antifashiste. Në atë periudhë, filatelia kishte jo vetëm funksion postar, por edhe rol edukues dhe historik. Përmes pullave dhe zarfeve përkujtimore, brezat njiheshin me Luftën Nacionalçlirimtare, sakrificat e dëshmorëve dhe rëndësinë e lirisë.
Simbolika e 9 Majit në dimensionin evropian dhe boteror të kujtesës historike eshte e pranishme gjate 80 viteve te kaluara. Një nga shembujt e shumte shumë domethënës është zarfi austriak me siper kushtuar 60-vjetorit të çlirimit të kampit të përqendrimit të Mauthausenit (1945–2005). Ky material filatelik ndërthur kujtesën tragjike të Luftës së Dytë Botërore me mesazhin universal të paqes dhe humanizmit. Në pjesën e majtë të zarfit paraqitet fotografia historike e hyrjes së kampit pas çlirimit, e mbushur me të mbijetuar dhe ushtarë çlirimtarë. Në qendër shfaqet gjenerali amerikan George S. Patton Jr., ndërsa emblema “Thunderbolt” simbolizon Divizionin e 11-të të blinduar amerikan që çliroi kampin më 5 maj 1945. Një nga elementët më të fuqishëm artistikë të këtij zarfi është pulla postare austriake me të ashtuquajturat “shkallët e vdekjes” të Mauthausenit, simbol tragjik i vuajtjeve çnjerëzore të të burgosurve. Megjithatë, mbi këtë simbolikë të errët vendoset vula përkujtimore me pëllumbin e paqes mbi telat me gjemba. Ky kontrast artistik përçon një mesazh të fuqishëm, nga barbaria e luftës drejt paqes dhe humanizmit. Në këtë mënyrë, filatelia shndërrohet në një mjet reflektimi historik dhe moral për brezat e sotëm.

Dimensioni evropian i 9 Majit pasqyrohet edhe më qartë në zarfin francez të vitit 1984, kushtuar 35-vjetorit të Këshillit të Evropës dhe Ditës së Evropës. Ky material filatelik mishëron idealin e bashkimit evropian të lindur pas tragjedive të Luftës së Dytë Botërore. Në kompozimin kryesor paraqitet ndërtesa e Këshillit të Evropës në Strasburg përpara flamurit blu me yjet e artë të Evropës. Flamuri evropian, sot simbol i njohur i unitetit kontinental, paraqitet si shenjë e bashkimit të popujve mbi bazën e paqes dhe solidaritetit. Një element me rëndësi historike është portreti i Winston Churchill-it. Teksti përkrah tij kujton fjalimin e mbajtur në Cyrih më 19 shtator 1946, ku ai u bëri thirrje popujve evropianë të bashkoheshin për të krijuar një Evropë të re. Përfshirja e Churchill-it në këtë zarf e paraqet atë si një nga figurat simbolike të projektit evropian. Pulla “Europa 1984”, me urat e stilizuara të bashkimit, përçon idenë e lidhjes mes popujve dhe kulturave evropiane. Ndërsa vulat speciale me hartën e Evropës dhe flamurin evropian përforcojnë mesazhin e një kontinenti të bashkuar përtej ndarjeve politike dhe historike.
Në tërësi, këto tre materiale filatelike, shqiptari, austriaku dhe francezi, përfaqësojnë tri dimensione të së njëjtës histori evropiane. Zarfi shqiptar mishëron kujtesën e luftës antifashiste dhe sakrificës për liri te nje populli te vogel, zarfi austriak kujton tragjedinë njerëzore të nazizmit dhe nevojën për humanizëm, ndërsa zarfi francez simbolizon lindjen e Evropës së bashkuar mbi themelet e paqes dhe bashkëpunimit. Në këtë kuptim, 9 Maji nuk është vetëm një datë historike. Ai është një kujtesë se paqja dhe liria kërkojnë sakrificë, kujtesë dhe përgjegjësi. Filatelia shqiptare dhe botërore e ka ruajtur këtë mesazh në mënyrë të veçantë, duke e kthyer pullën postare në një dokument të vogël historie, kulture dhe ndërgjegjeje njerëzore.






