6.5 C
Tirana
E martë, 5 Maj 2026
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)
Kreu Letërsi Ejup Shala – I pavdekshmi i kësaj toke

Ejup Shala – I pavdekshmi i kësaj toke

0
Ejup Shala

Rrënjë e trung nga Shala e Bajgorës,
nga gjak i Ukshin Kovaçicës,
lindur në Vendenis,
gëzim për familje
dhe farefis.

I pashëm e syçelë,
si kopshtet mbjellë me lule
në pranverë.

Edhe pse në vuajtje e varfëri,
në shkollë shkoje
me gëzim e dashuri.

Ishe i qetë e bujar;
çdo punë e nisje
dhe e përfundoje mbarë.

Kuptoje lojën e shakanë,
urreje smirën
dhe xhelozinë;
e kishe halë në sy
tradhtinë.

Me elan rinor
fillove gjimnazin;
ishe ndër nxënësit më të mirë.

Sukseset e tua
gëzonin shokë e miq,
por papritmas të shënjestroi
serbi me bindje çetnike,
Mile Paunoviq.

Duke parë se haptas urreje
pushtuesit serbo-sllavë,
të humbi vitin
në lëndën e muzikës.

Mendoi
se për jetë e mot
do të mbeteshe bari
e pa ardhmëri.

Por ti kishe në deje
gjak dardan,
me vullnet të çeliktë
për dije e dritë.

Nuk u dekurajove — prapë u ngjite
mbi Olimp.

Sukseset e tua
këtij shpirtprishuri
iu kthyen në thikë.

Ligjëroje gjuhën e ëmbël
të Naimit e Fishtës
në Vendenis e në Besianë.

Me dashuri e zemër
shpjegoje historinë e gjuhës;
analizoje me përkushtim e pasion
morfologjinë e sintaksën,
me literaturën që siguroje
në Tiranë, të cilën e quaje nënë.

Ishe besnik, i hareshëm
e orator;
orët e mësimit
i shndërroje
në ushqim shpirtëror
dhe goditje ndaj armikut.

Poezinë kishe prirje;
me afsh e zjarr
i thurje vargje me fije floriri
Atdheut,
mësuesit,
punëtorit,
bujkut
dhe minatorit.

Dy engjëllushet e tua
i pagëzove me emra të bukur
pellazgo-ilirë:
Albadete
dhe
Shqiprojë,
nga dashuria për gjuhën
e ëmbël shqipe
dhe për tokën e shenjtë.

Më 5 maj 1999,
duke mbrojtur pragun e shtëpisë,
të masakruan
bandat kriminale të Serbisë.

Nga gjaku yt,
përsëri në këmbët e veta
u ngrit Kosova.

Ejup Shala — thesar i Arkës së Kombit,
i pavdekshmi i kësaj toke.

Arif Ejupi
Gjenevë, 6 mars 2026

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.