11.3 C
Tirana
E premte, 10 Prill 2026
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)
Kreu Artikuj IN MEMORIAM – SHERAFEDIN F. KADRIU (1961 – 2026) – (Poet, kritik...

IN MEMORIAM – SHERAFEDIN F. KADRIU (1961 – 2026) – (Poet, kritik letrar dhe arkeolog)

0
Sherafedin Kadriu

PAK TË DHËNA PËR JETËSHKRIM

SHERAFEDIN F. KADRIU lindi në Pogragjë të Gjilanit, më 16 shtator 1961. Gjimnazin shkencor dhe Akademinë Pedagogjike (drejtimi gjuhë shqipe) i kreu në Gjilan, ndërsa me korrespodencë kreu Fakultetin Filologjik, drejtimi Letërsi dhe Gjuhë Shqipe në Prishtinë.

Ishte mësimdhënës i gjuhës shqipe në disa shkolla të Gjilanit, ndërsa në vitin 2004 pranohet në QRTK në Gjilan, me cilësinë bashkëpunëtor profesional për kulturë jomateriale. Ka përfunduar Masterin shkencor për Arkeologji në Tiranë, specialiteti Prehistori, që i ka dhënë titullin arkeolog.

Prind i përkushtuar, mik imi dhe yni, Sherafedini po i bashkohet amshimit.
Sherafedin: bashkë me më të dashurit tu: gruan e kurorës, vajzat, djemtë, nipat, motrat, xhaxhallarët, kushërinjtë, miqtë, shokë e bashkëqytetarë, sot u mblodhëm këtu tok, me dhimbje të thellë të ta japim lamtumirën e fundit!

Në emër të familjes dhe të gjithë dashamirëve tuaj, më ra një hise e pikëlluar ta shqiptoj fjalën lamtumirë! Për mbi pesë vjet përpjekjeje për ta mundur sëmundjen e keqe, ti gjithnjë i padorëzuar se e deshe jetën dhe ngjyrat e saj, i deshe familjarët me sakrificat tuaja të ekzistencës, e deshe atdheun në çdo rrethanë, i deshe shokët, miqtë e dashamirët; veçmas e deshe arsimimin e brezave, artin, letërsinë, kulturën kombëtare, vlerat e njerëzimit… Me të gjitha këto, që përbëjnë ekzistencën e jetës së qytetëruar, miku ynë i mirë Sherafedin ia dole të përballesh faqebardhë, pa të munguar asnjëherë buzëqeshja, ndonëse shpesh e hidhur. Ishe prore i etur për t’u thelluar në dituri dhe, nuk ngurroje t’i shfaqje dijet me gojë dhe me penë.

I çmuari Sherafedin! Po e lë këtë botë në kulmin e pjekurisë sate intelektuale, do t’i mungosh familjes, por edhe mjedisit e kulturës sonë krijuese kombëtare… Megjithatë, po e lë pas një trashëgimi të shëndosh familjare: vajzat, djemtë, nipa e mbesa dhe, vlera të diskurseve kritike – estetike e artistike.

Miku ynë Sherafedin: i lumi ti për gjurmët tua të mësimdhënies në breza, aty ku t’u mundësua mësimdhënia! Ende nuk është zbehur mirënjohja e ish nxënësve tuaj, për fjalët Tua elikzir në klasat e mësim-edukimit të njomakëve tanë… Dhuntinë, magjiken të fjalës shqipe nuk e ruajte vetëm për veten tënde; e kultivoje edhe kur plagët e sëmundjes të gërryenin pa mëshirë! Një shëmbëlltyrë e rrallë për penë-shkrimin! Po i lë dëshmi veprat e botuara me vlera dhe, po aq dorëshkrime të papublikuara:
Nga krijimtaria letrare – artistike:

“Në kërkim të thellësive poetike”, libri i parë në fushë të kritikës letrare, SHB Rozafa, Prishtinë, 2024;
“Në kërkim të thellësive poetike 2”, libri i dytë me kritika letrare, SHB Rozafa, Prishtinë, 2024;
“Rrugëtimi i një bashkudhëtari”, monografi (bashkë me Sabit Rrustemin), SHB “Beqir Musliu” në Gjilan, më 2020;
“Kur vdesin ngjyrat” përmbledhje poetike, SHB “Beqir Musliu”, më 2025.
Nga Trashëgimia gojore e rajonit të Gjilanit:
“Mesele për Stejtdepartament” (Anekdota origjinale).
Nga Trashëgimia Historike, Kulturore e Materiale e Gjilanit:
“Gjilani dhe Gjinollët” (Interpretime arkeologjike – historike).
Botime nga Trashëgimia Materiale:
“Kalaja e Pogragjës”, Gjilan, më 2008;
“Riti i varrimit gjatë epokës së Hekurit në Kosovë”, më 2019;
“Trashëgimia materiale e Gjilanit me rrethinë”, Gjilan, më 2021.
Lamtumirë SHERAFEDIN! Ta kemi borxh lotin dhe nderimin! Tashmë pusho pa dhimbje në dheun e kësaj toke të Dardanisë, aq shumë i përgjakur!
Të paçim të përhershëm në kujtesë!
Zoti i Madhërishëm qoftë me ne!

Gjilan, më 10 prill 2026
Mehmetali – Meti REXHEPI

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.