11.5 C
Tirana
E dielë, 5 Prill 2026
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)
Kreu Artikuj Roli i Hashim Thaçit në Rambuje!

Roli i Hashim Thaçit në Rambuje!

0
Driton Smakaj - Udhëkryqe misionesh

Driton Smakaj

Po e sjell këtë pjesë të shkëputur nga përshkrimi i ngjarjeve në Kështjellën e Rambujesë.
Është e vërtetë që Hashimi ka qenë deri në fund kundërshtuesi kryesor i marrëveshjes, por për dy pika:
– Nuk përfshihej referendumi për pavarësi
– Çarmatosja e UÇK-së

Në Rambuje një rol shumë pozitiv e ka pasur edhe Veton Surroi. E absolutisht nuk ia kam mohuar aspak këtë rol në këtë roman.

Shumë politikanë nga lakmia e madhe për pushtet u bënë armiq mes vete pas luftës. Sidomos pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2008. Lufta jonë e brendshme për karriga, është e gërrditshme…Megjithatë, LIRINË e fituam e duhet ta ruajmë si sytë e ballit.

* * *

Kur mbërriti zonja Ollbrajt kishte dy qëllime: i pari të bindte serbët se arritja e marrëveshjes ishte në interes të tyre, një gjë në të cilën zonja Ollbrajt vërtetë besonte. E dyta ishte të bindte shqiptarët të pranonin marrëveshjen e propozuar nga Grupi i Kontaktit. Fillimisht takimi me mëkëmbësin e Millosheviçit, Milan Milutinoviç rezulton i pafrytshëm, përveç një rrëfimi të sinqertë të tij, kur Ollbrajt i thotë se ushtria serbe në Kosovë, ishte argumenti më i fortë për rritjen e UÇK-së

“Jo zonjë, unë besoj se ky përcaktim i përket më shume forcave policore paramilitare serbe”. – ia ktheu shpejt Milutinoviç.

Natyrisht maratona me interesante e takimeve të zonjës Ollbrajt është me përfaqësuesit shqiptarë. Fjala larmi ndoshta është shpikur për të cilësuar pikërisht ketë grup shqiptarësh që ishte mbledhur në Rambuje, nga enigmatiku Rugova, te pragmatiku Surroi, e deri te kokëforti Thaçi. Asnjë prej tyre nuk kishte marrë pjesë në negociata komplekse me parë, aq me pak në shkallë botërore, dhe kishin shumë mosmarrëveshje të thella mes tyre. E vetmja gjë që Z. Ollbrajt konstatoi me kënaqësi ishte se shqiptarët kishin pranuar të konsultoheshin nga një grup këshilltarësh amerikanë të jashtëm, ku përfshihej edhe ish-ambasadori Morton Abramovitc, një miku i vjetër i Zonjës Ollbrajt dhe një avokat i zjarrtë i të drejtave të njeriut.

Mesazhi i Ollbrajt për shqiptarët, ishte ai për serbet, por si i parë në pasqyre:”Ju jeni liderë, ju jeni zgjedhur të përfaqësoni shqiptarët këtu. Ndaj mendohuni mirë para se të dënoni njerëzit tuaj të luftojnë pa mbarim. Marrëveshja që ju propozojmë do t’u japë vetëqeverisje, mbrojtje nga NATO, ndihmë ekonomike, të drejtën e arsimit në shqip për fëmijët tuaj dhe aftësinë për të pasur kontroll mbi jetën tuaj. Nëse e pranoni marrëveshjen, ju do të shkoni më shpejt drejt një të ardhmeje begatie, demokracie dhe integrimi me Europen. Refuzojeni dhe pasoja do të jetë një luftë, që do ta humbni së bashku me mbështetjen ndërkombëtare”.

Shume pjesëtarë të delegacionit shqiptar e kuptuan mesazhin e saj, se ata më në fund nuk ishin vetëm në duart e evropianëve dhe se Shtetet e Bashkuara do të merrnin pjesë eventualisht, në një forcë ndërkombëtare implementuese të paqes. Rugova theksoi se për shqiptarët gjithmonë siguria ka pasur barasvlerë me pavarësinë dhe se kështu vullneti i tyre për të vonuar lëvizjet për pavarësi, me pranimin e një periudhe të përkohshme tranzicioni, duhej konsideruar si lëshim që po bënin shqiptarët. Të gjithë ishin në një mendje për nevojën në të ardhmen të një referendumi për pavarësinë. Përndryshe, siç i thotë një shqiptar zonjës Ollbrajt në Rambuje: “Do ta gjejmë vetën të kyçur përjetësisht brenda Serbisë”.

Zonja Ollbrajt i kushton një hapësire të veçantë raportit të saj ato ditë me Hashim Thaçin, me të cilin është takuar së pari, pas takimit të përgjithshëm me gjithë delegacionin. Në takimet e mëvonshme ajo konstatoi se po befasohej nga mungesa e tij e përvojës, që e bënte atë njëkohësisht kokëfortë dhe të prirë për t’u përkëdhelur. Me Rugovën ajo ndjehej se po i drejtohej një kolegu akademik ekscentrik. Thaçi ishte si ai studenti i shkëlqyer, por që i dorëzonte me vonesë detyrat e shtëpisë, reflektonte me vete Ollbrajt.

Marrëveshja parashikonte çarmatimin e UÇK-së dhe ndërprerjen e të gjitha operacioneve të saj të pavarura ushtarake. Ollbrajt e ndjeu se kjo nuk do të pranohej lehtë nga Thaçi, me gjithë premtimin se NATO do të mbushtë vakuumin e sigurisë. Në takim të parë Ollbrajt bën presion mbi Thaçin, që ai të nisë të mendoje transformimin e UÇK-së, në një parti politike. Thaçi përgjigjet se marrëveshja me gjase do të nënshkruhej nga delegacioni shqiptar, porse ushtrisë shqiptare dot t’i duhej kohë të përshtatej sipas saj. Ollbrajt tenton të përfitojë nga fjalia e parë e parashikimit të Thaçit: “Jam e kënaqur që ju keni vullnetin të nënshkruani marrëveshjen”. Por lideri i ri ia pret hovin në mes:”Mendoj se mund të arrihet një marrëveshje, por ketë nuk e vendos unë, bile as i gjithë delegacioni. Mund të dalin vështirësi”.

* * *

Javën e dytë të negociatave Ollbrajt kthehet në Uashington, ndërsa kishin mbetur dy vështirësi: dëshira eksplicite e shqiptareve për një referendum për pavarësinë, një pikë ku Sekretarja e Shtetit mendonte se kishte hapësirë për ndërhyrje dhe zbutje. E dyta, kundërshtia serbe ndaj një pranie ndërkombëtare ushtarake në Kosove, tepër e vështirë për t’u kapërcyer në negociata, pasi në fund të fundit, i vetmi që mund të vendostë për ketë ishte Millosheviçi. Telefonata me të zgjati njëzet minuta. Në fund e binda që ambasadori Hill të shkonte në Beograd që ta sqaronte Sllobodanin në detaje mbi marrëveshjen. – shpjegon ajo. Ndërkohë edhe serbët po jepnin shenja dhe ju përgjigjen me disa vërejtje draftit të marrëveshjes dhe sektorit politik të saj. Kjo inkurajoi amerikanët, por solli një zhvillim të paparashikuar: rritjen e nervozizmit të shqiptarëve, të cilët konstatuan me xhelozi, se avokatët e Grupit të Kontaktit po kalonin shumë më tepër orë me anëtarët e delegacionit serb.

Zonja Ollbrajt mori Thaçin në telefon, kurse ai i tha se dëshironte që sugjerimet e shqiptarëve të merreshin më shumë në konsideratë. Por, ai në përgjithësi, mbetej optimist.

Të shtunën në darkë, kur u kthye Z. Ollbrajt në France zhvilloi takime me shqiptarët, të cilët i thanë se do ta mbështesnin marrëveshjen, pasdite, kur të mblidhej Grupi i Kontaktit i ministrave të jashtëm. Përderisa serbët nuk kishin reaguar ndaj çështjeve të sigurisë, kosovarët kishin një shans të artë për të izoluar Millosheviçin dhe Ollbrajt priste që ata ta shfrytëzonin këtë mundësi. Por gjërat po merrnin një rrjedhë tjetër.

Takimi po zhvillohej në një dhomë të vogël dhe salla ishte mbushur plot. Ministrat e jashtëm u ulën në një panel, si gjykatës mesjetarë. Takimi mori një atmosferë inkuizicioni. Atmosfera u duk e tensionuar, që nga momenti kur ata vunë kufjet e përkthimit. Pyetja ishte: a e pranonin shqiptarët marrëveshjen? Me gjithë premtimin se përgjigja do të ishte pozitive, pikërisht kur erdhi ai moment, Thaçi nuk dha një përgjigje të drejtpërdrejtë. Kjo i dha mundësinë ministrit të jashtëm italian Lamberto Dini, i cili edhe me parë kishte reaguar ashpër kundër UÇK-së, të sulmonte shqiptarët.

Dini i bëri hapur presion Thaçit të pranonte marrëveshjen, bile duke hequr dorë edhe nga kërkesa për referendum për pavarësinë. Kjo ishte e pandershme, mendonte me vete Ollbrajt, pasi ndërkombëtarët i kërkonin kosovarëve të vononin, por jo të hiqnin dorë nga aspiratat e tyre për pavarësi. Sërish dhe sërish Lamberto Dini i bëri presion Thaçit të përgjigjej: po ose jo, për një propozim që natyrisht ai nuk mund të pranonte. Si rezultat Thaçi as e refuzonte marrëveshjen, por as nuk jepte një përgjigje të drejtpërdrejtë. Kolegët e tij të delegacionit shqiptar, qëndronin të palëvizur si statuja. Surroi që e ndjente se nuk i takonte të fliste, Rugova se ky ishte stili i tij, Qosja që mendonte se Thaçi po bënte gjënë e duhur.

Zonja Ollbrajt hoqi kufjet dhe i përplasi mbi tavolinë. Shqiptarët i kishin premtuar një përgjigje pozitive, zhvillimet e mëvonshme provuan se ata e mbajtën fjalën, por ndërkohë demi ishte bërë. Për momentin Millosheviçi nuk ra në grep.

Bisedimet shtyhen edhe për tre ditë të tjera. Tani jo vetëm Thaçi, por edhe një pjesë e madhe e delegacionit shqiptar nuk ndjehej komod me kohën e madhe që avokatët e Grupit të Kontaktit kishin shpenzuar me serbët. Shqiptarët po dëgjonin gjithnjë e më shumë njerëz jashtë kështjellës që u thoshin të mos iu besonin amerikanëve. Ata ndruanin se gjuha me të cilën ishte shkruar marrëveshja, largonte gjithnjë e më shumë aspiratat për pavarësi, ndërkohë që nuk kishte asnjë pikë vullneti për të pranuar çarmatimin.

Një faktor që ndikoi negativisht ishte dhe ai se francezët nuk lejuan oficerë të NATO-s në kështjellë, që mund t’u shpjegonin shqiptarëve detaje të planit ushtarak të Aleancës për Kosovën. Në të kundërt, pikëpamja ushtarake u drejtua nga një avokat i Grupit të Kontaktit dhe një oficer amerikan, që kishte arritur të fuste vjedhurazi në kështjellë, uniformën e tij ushtarake. Gjenerali Klark fluturon nga Brukseli dhe informon delegacionin shqiptar në një bazë të NATO-s jashtë Rambujesë, se vendosmëria e NATO-s për të marre në dorë sigurinë e Kosovës pas nënshkrimit të marrëveshjes, tashme ishte e pakthyeshme. Ne nxitem qeverinë e Shqipërisë dhe shqiptarë të tjerë nga e gjithë bota që t’i komunikonin delegacionit, mbështetjen e tyre për marrëveshjen, – shpjegon ai, – por edhe vetë zonja Ollbrajt bënte punën e saj.

Rezultati ishte progres i dukshëm. Kështu ndërsa të shtunën në darkë, nëntë pjesëtarë të delegacionit ishin kundër, të hënën i vetmi që kundërshtonte, ishte Hashim Thaçi. Problemi me të vështirësohej, pasi nuk ishte e lehtë të diskutoje në detaje problemin, ishte e qartë se pavendosmëria e tij nuk ishte vetem rrjedhojë e ideologjisë, apo e presionit të anëtarëve të tjerë të delegacionit. Ai thjesht po ruante edhe kurrizin e tij. UÇK-ja nuk ishte një organizatë monolite. Kjo shpjegonte telefonatat pa fund në celular të Thaçit dhe ndihmësve të tij. Të vetmit që i fliste diçka më shumë ishte Xhejms Rubin, me të cilin Thaçi kishte vendosur një lidhje të veçantë.

Për Sekretaren e Shtetit fillon ndeshja e vështirë personale me personalitetin e liderit politik të UÇK. Fillimisht i thotë se ai kishte një potencial të madh për të qenë lider, pastaj kur shihte se kjo nuk i ecte, e kërcënonte se SHBA dhe NATO nuk do të sulmonin ushtarakisht, pa firmën e shqiptarëve mbi marrëveshje. Thaçi iu përgjigj se qëllimi i vetëm pse luftonte UÇK-ja, ishte pavarësia dhe se nuk ishte e lehtë të hiqej dorë prej saj. Ajo i tha se jo domosdoshmërisht po i kërkohej një gjë e tillë, porse shqiptarët duhet të bëheshin realistë. Marrëveshja ishte për tre vjet dhe se Millosheviçi ishte problemi i vërtetë. Por kjo mund të ndryshonte deri atëherë. “Ky është shansi Juaj, kuptoni se ndoshta kurrë nuk do të keni më tjetër, i tha ajo Thaçit.

Thaçi i prekur, me lot në sy, jep përgjigje negative.
E hëna mbetej dita e fundit dhe Grupi i Kontaktit kishte vënë afat orën tre të pasdites. Sekretarja e shtetit konstaton se gjendja po bëhej e padurueshme edhe nga sjelljet e anëtarëve të delegacioneve, që duket u kishte pëlqyer klima dhe vera në kështjellë. Dikush në drekë, bile u ankua se përse nuk u kishin sjellë pjatën me djathëra.

Pasi vlerëson se cili mund të ndikonte në UÇK-në, Zonja Ollbrajt merr në telefon Adem Demaçin. Ai ishte një nacionalist i vjetër kosovar dhe radhitej mes atyre që i bënin presion Thaçit, të mbante linjën e ashpër. Kur e mori në telefon, ai ishte në Slloveni. I kërkoi të inkurajonte Thaçin të pranonte marrëveshjen. Ajo fliste e zemëruar në telefon. Zemërimi i erdhi pasi Adem Demaçi reflektoi ndoshta momentin me arrogant në qëndrimin shqiptar, përballe diplomacisë amerikane. Ai i tha asaj se nuk mund të binte dakord, pa u takuar personalisht me të dhe e fton zonjën Ollbrajt të vijë e ta takojë atë në Slloveni:

Ollbrajt: “Më duhet të ju bëj me dije se negociatat po vazhdojnë, qe dy javë, dhe se afati po mbaron pas pak orësh. Ju ftoj të inkurajoni Thaçin të pranoje marrëveshjen. Nëse nuk e bëni këtë, kjo do t’u ndjekë si fantazmë në vitet që vijnë, ndërsa do të shihni shqiptarët të vriten çdo ditë e më shumë.”

Demaçi e ruan qetësinë: “Zonja Ollbrajt, ne vlerësojmë përpjekjet tuaja, por nuk na nxiton asgjë. Nëse është e nevojshme të vriten tridhjetë mijë shqiptarë, kështu qoftë, por nuk mund të ulim armët vetëm për premtime. Asnjëherë nuk do të heqim dorë nga ëndrra për të qenë të lirë”.
Ollbrajt: “Marrëveshja nuk parashikon heqjen dorë nga kjo ëndërr dhe se shqiptarët duhet ta rrëmbejnë këtë mundësi paqeje. T’i thoni Thaçit se marrëveshja ka mbështetjen tuaj.”

Demaçi, shkurt: “Kjo nuk është e mundur”.
Ollbrajt përplas telefonin me zemërim.”Ishte nga telefonatat me të tensionuara të jetës së saj”, shpjegohet më vonë.
¨
Megjithatë, të frustruar me Thaçin, kishte edhe brenda delegacionit shqiptar, shumica e të cilëve tashmë dukeshin të bindur se marrëveshja ishte favorizuese dhe se do të merrte mbështetjen e shumicës së kosovarëve. Ndërsa po afrohej frikshëm ora tre e pasdites, Thaçi ende ishte problem, por Veton Surroi, ministri i jashtëm i delegacionit, mori situatën në dorë, duke propozuar një deklaratë të shkurtër, në të cilën të thuhej se delegacioni ishte dakord me marrëveshjen dhe se do ta nënshkruante pas dy javësh, pasi të konsultohej me popullin e Kosovës.

Derisa Surroi dhe të tjerët punonin, situata u tensionua pasi Thaçi nuk binte dakord me tekstin dhe ndryshimet sipas versioneve nga shqip në anglisht. Surroi tha se teksti mund të arrihej vetëm nëse Thaçi bindej të linte dhomën për disa minuta. Juristi i palës amerikane, Xhim O’brejen, propozoi se e vetmja mënyrë, që ai ta bënte atë, ishte nëse e thërriste Xhejms Rubin. Kështu, ndërsa Xhim dhe Hashimi shkojnë të kërkojnë Xhejmsin i cili natyrisht nuk gjendej, se ndërkohë ishte në konference shtypi, Veton Surroi tha se deklarata tashme ishte gati dhe se Thaçi duhej, për t’i venë firmën.

Ndërkohë Thaçi sapo kishte gjetur Rubinin dhe kishte nisur me të një bisedë për filmat dhe Hollivudin, kur ndjeu ta tërhiqte prej krahu Obrejen: “Nuk na dhatë kohë as për një cigare”, ankohet Rubin. Por në fakt kohë nuk kish. Ishin momente historike. Me gjithë një përpjekje finale të Thaçit për të ndryshuar diçka në tekst, mirëpo tashme kokëforti, ishte Surroi. Deklarata u nënshkrua edhe prej tij dhe iu dorëzua ministrave të jashtëm të Grupit të Kontaktit. Xhejms Rubin nxitoi të bënte lajmin publik.

Kështu, me gjithë përplasjet, kthimet prapa, u larguan nga Rambuje, pasi realizuan shumicën e gjërave që donin, mendonte me vete Ollbrajt. Tashmë pak a shumë ishte arritur të bashkonim delegacionin shqiptar dhe kishin një vizion më të qartë se si do të dukej në të ardhmen një Kosovë demokratike.

Për dy javë Thaçi u soll nëpër male dhe baza, duke shitur marrëveshjen tek komandantët e UÇK-se. Ai u rishfaq pas dy javësh, pak para rifillimit të negociatave në Paris, në 15 mars, duke iu bashkuar delegacionit. Aty ata firmosen zyrtarisht në një ceremoni që zgjati me pak se pesë minuta, e që u bojkotua nga delegacioni jugosllav dhe negociuesi rus.

P.S.
Komplet kapitulli që trajton Rambujenë në roman, janë informacione të shkëputura nga materiale që i kam grumbulluar nga të tjerët, sepse unë në Rambuje nuk kam qenë 😁

Referencat i kam diku të ruajtura, e nuk i kam përmendur në roman, sepse realisht ngjarja bosht në roman është lufta e jo Konferenca. E kam trajtuar për t’i dhënë lexuesit sa më shumë informacion rreth gjithçkaje që ndodhte në atë kohë lufte.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.