Kombëtarja e Kosovës në futboll sonte shkëlqeu në Bratislavë, duke e mundur Sllovakinë vendase me rezultatin 3:4. Në këtë përballje të vlefshme të play-off-it, të gjithë futbollistët e përzgjedhur nga kryetrajneri Franko Foda u angazhuan maksimalisht dhe treguan lojë të shkëlqyer.
Kombëtarja e Kosovës, edhe pse pësoi gol që në minutën e 4-të të pjesës së parë, nuk u demoralizua. Ajo, me sulme të shpejta dhe të organizuara për mrekulli, arriti të barazojë rezultatin në 1:1 në minutën e 21-të nëpërmjet Hoxhës.
Siç ndodh shpeshherë në lojën e futbollit, një pakujdesi e vogël mund të kushtojë. Në minutën e 45-të, mbrojtja e Kosovës u tregua e ngathët dhe sulmuesi sllovak Lukas Haraslin e solli skuadrën e tij në avantazh 2:1.
Me të filluar pjesa e dytë e lojës, kosovarët atakuan furishëm portën e portierit sllovak Martin Dúbravka. Një krosim të shkëlqyeshëm të Vojvodës nga krahu i majtë, në minutën e 47-të, e shndërroi në gol Fisnik Asllani. Ai gjuajti sikur me katapultë, me kokë, aq fuqishëm sa që çdo përpjekje e portierit sllovak për ta evituar golin ishte e kotë.
Barazimi i rezultatit në 2:2 sikur u dha krahë futbollistëve të Kosovës. Ata kaluan në epërsi 3:2, në minutën e 60-të, pas një gjuajtjeje të lirë dhe precize, të ekzekutuar me mjeshtëri nga sulmuesi Florent Muslija.
Kësaj radhe ra në sy edhe angazhimi i lojtarëve të mbrojtjes së Kosovës, të cilët shpeshherë u përfshinë edhe në sulm.
Një gjuajtje të harkuar bukur të Vedat Muriqit, e cila për një çast u largua nga mbrojtësit e Sllovakisë, u përpoq ta dërgonte në rrjet Albian Hajdari, por topi u dëbua nga portieri Dúbravka. Aty reagoi shpejt Kreshnik Hajrizi, i cili në minutën e 72-të e ngriti rezultatin e Kombëtares së Kosovës në 4:2.
Sllovakët, me traditë të gjatë në futboll, duke parë disfatën, sikur u ndjenë të turpëruar dhe, në finish të ndeshjes, sulmuan pandërprerë portën e portierit kosovar Arijanet Muriq.
Ata arritën vetëm ta zbusin humbjen në 3:4, në minutën e fundit të lojës së rregullt, me golin e David Strelec, i cili në këtë ndeshje ishte golashënues i dyfishtë.
Në referimin e Espen Eskås u vërejtën disa lëshime, por nuk ndikuan në rezultat.
Kombëtarja e Kosovës dhe selektori i saj, Franko Foda, më 31 mars 2026 do ta kenë shansin jetik për të arritur majat e suksesit. Nëse, Kosova, në stadiumin “Fadil Vokrri”, do ta mposhtë Turqinë, do të bëhet pjesëmarrëse e Kampionatit Botëror të Futbollit, që do të mbahet në SHBA, Meksikë dhe Kanada.
ARIF EJUPI











