15.5 C
Tirana
E hënë, 9 Mars 2026
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)
Kreu Artikuj Grabitja e pronave historike në Bregdet, në zonat Alpine dhe në Shirokë…

Grabitja e pronave historike në Bregdet, në zonat Alpine dhe në Shirokë…

0
Romeo Gurakuqi - bregdeti

Nga ROMEO GURAKUQI, ShkodraWeb 8 mars 2026

Tokat që për shekuj kanë qenë në pronësi të familjeve dhe komuniteteve vendore ndër Alpe, Bregdet, Shirokë, etj., për shkak të rendësisë ekomomike të jashtëzakonshme që po përfton çdo ditë, po tentohet të kalohen në duar të tjera, të dalëzotësve të sajuar, përmes proceseve administrative të dyshimta, shpikjes së dokumentacionit pykë e të panatyrshëm, manipulimit të dokumenteve të fillesës, harresës së qëllimtë të legjislacionit shqiptar të indipendencës dhe reformave të kryera nga shteti shqiptar në 114 vite.

Ngjarjet e fundit në Theth dhe në zonën Rrjoll-Boks të Shkodrës, si edhe grabitjet dhe tjetërsimet e pronësisë private dhe të komunitetit historik të shirokasve vendas në lagjen piktoreske Shirokë, janë vetëm simptomat më të dukshme të një procesi më të thellë shndërrues, me qellime zhbimjeje mbi popullsinë vendore dhe të zhbërjes së të drejtave ekzistuese, private dhe komunitare.

Nëse këto zhvillime analizohen në një perspektivë më të gjerë historike, ato ngrenë pyetje të rëndësishme mbi mënyrën se si shteti shqiptar i periudhës së tranzicionit ka menaxhuar marrëdhënien midis reformave ekonomike, të drejtave të pronës dhe ruajtjes së strukturave historike të komuniteteve lokale.

Mirëpo, hartuesit e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë kanë ndërtuar enkas edhe një institucion që merret me mbrojtjen e Shtetit dhe Interesave Publike, që është Prokuroria.

Pas aq shumë përplasjesh dhe kallzimesh do të kishte qenë e udhës që, Prokuroria e Përgjithshme/Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion/ Prokuroria e Qarkut Shkodër t’u jepte përgjegje angazhuese denoncimeve të njëpasnjëshme dhe të ngrinte nje Task Force për hetimin renjësor të dokumentacionit të Kadastrës dhe Hipotekës së Shkodrës, për të shqyrtuar me themel situacionin për të gjitha denoncimet e adresuar nga qytetarët dhe jo vetëm.

Dhe për të ndërmarrë një hetim të plotë dhe të thelluar mbi këtë çështje aq të ndërlikuar nga njeriu dhe udhëheqësitë e korruptuara tranzicioniste, Prokuroria duhet të ndërtojë një metodologji të saktë investiguese, që të mbështetet në verifikimin kronologjik dhe arkivor të titujve të pronësisë, duke marrë si pikë referimi themelore regjistrimin e përgjithshëm të tokave të vitit 1946, i cili dokumenton fondin real të pronësisë në Shqipëri nga vitit 1912-1946, prejardhjen e këtij fondi në çdo segment pronësor të madh, në prag të proceseve socializuese. Regjistrimi ruhet në Arkivin Qendror të Shtetit. Çdo pretendim pronësie mbi tokat në zonat e Shkodrës duhet të krahasohet sistematikisht me regjistrat kadastralë të vitit 1946, me dokumentacionin e periudhës së kolektivizimit dhe me regjistrimet e kryera pas vitit 1991 në kadastër.

Ky regjistrim, i ruajtur në Arkivin Qendror të Shtetit, përfaqëson bazën dokumentare më të besueshme për identifikimin e pronësisë së tokës, prejardhjes (për shkak të blerjes, trashëgimit, dhurimit privat), përdorimit të saj, kufijve dhe regjistrimeve kadastrale ekzistuese në momentin e vendosjes së regjimit komunist.

Eshtë shumë e rëndësishme që në këtë analizë, investigim, të merret parasysh edhe fakti se legjislacioni shqiptar i periudhës së shtetit të pavarur kishte eliminuar juridikisht strukturat feudale të trashëguara nga Perandoria Osmane dhe nuk njihte automatikisht titujt e mëdhenj të pronësisë së Bejlerëve, Agallarëve, të Tretarëve dhe atyre që në një kohë kishin marrë përsipët shfrytëzimin e popullsisë vendase Arbnore, të shpronësuar e vendosur padrejtësisht në gjendjen e rajave nga ish sunduesit. Për rrjedhojë, çdo dokument që mbështetet në pretendime të tilla duhet t’i nënshtrohet një verifikimi të rreptë arkivor, juridik dhe teknik për të identifikuar autenticitetin ose të kundërtën, falsifikime të mundshme ose manipulime të regjistrave kadastralë gjatë periudhës së tranzicionit, por jo vetëm.

Regjistrimi i vitit 1946 përbën dokumentin më të rëndësishëm referues sepse, evidenton situatën reale të pronësisë në momentin e transformimit të sistemit ekonomik, përfshin regjistrat kadastralë të çdo zone, dokumenton pronarët dhe përdoruesit e tokës para kolektivizimit.

Në çdo rast, Prokuroria duhet të kërkojë ekspertizë paleografike të dokumenteve, analizë të vulave dhe firmave, verifikim të gjuhes së përdorur dhe të bojës së dokumentit, krahasimin e prejardhjes.

Hetimi duhet të konsiderojë si sinjale alarmi, dokumentet e pronësisë, që nuk ekzistojnë në regjistrat e vitit 1946; titujt e pronësisë të bazuar në pretendime osmane që shteti shqiptar i ka fshirë me kohë, ndryshimet e kufijve të parcelave pa dokumentacion zyrtar, regjistrimet e bëra në kadastër pa dokumentacion historik mbështetës, të gjitha mbivendosjet e kryera posaçërisht në 30 vitet e fundit të kaosit dhe korrupsionit masiv në Kadastra.

Hetimi i falsifikimeve kadastrale duhet të mbështetet në një parim të qartë: referenca kryesore juridike dhe historike për fondin e tokës në Shqipëri. Çdo pretendim pronësie që nuk mund të lidhet me dokumente me regjistrimin e fondit të tokave ose me dokumentacionin zyrtar të periudhave pasuese duhet të konsiderohet me dyshim të arsyeshëm dhe të hetohet për falsifikim.

Në shumë raste Prokurorisë i duhet të operojë KRYESISHT, por rasti në fjalë është tipik dhe nuk mund të kalohet në asnjë rast në heshtje.

Së fundmi, duhet të vendosim në dukje një femomen të ndërlidhur drejtëpërdrejtë me vjedhjen masive të pronave të komuniteteve autoktone: pas 36 viteve të tranzicionit shqiptar, një proces i heshtur po zhvillohet para syve të të gjithëve: shpërbërja demografike dhe largimi gradual nga atdheu i tyre historik i arbërve, që për pesë shekuj u rezistuan presionit diskriminues te pushtetit të huaj mbërritun prej shumë larg.

Emigracioni masiv, i shoqëruar me pasojat e një diskriminimi të gjatë dhe me politika të kamufluara përjashtimi nga pjesëmarrja në administratë, punësim dhe nga përfitimet ekonomike të shoqërisë, investimet e munguara sidomos në Veri të vendit, kanë krijuar kushtet për një largim pa kthim të komuniteteve të tëra. Ky largim i detyruar nga Shkodra, rrezatohet me një shpejtësi të dhimbshme në të gjitha krahinat e saj. Ngjan se aktet e fundit, janë veç pjesëza të një plani më të gjërë denacionalizues dhe shpronësues nga Atdheu, Trualli Stërgjyshor, Familja.

Akti i fundit i kësaj drame është grabitja sistematike e pronave historike në bregdet dhe në zonat alpine. Ngjarjet me rrënimr kullash në Theth, md grabitje tokash në Rrjoll-Boks të Shkodrës dhe në Shirokë janë shfaqjet më të dukshme të këtij procesi.

Historia shqiptare njeh shumë përpjekje për të dobësuar ose zhvendosur komunitetet që kanë ruajtur më fort identitetin e tyre. Por paradoksi i madh i kohës sonë është ky: ndërsa Shqipëria deklaron se po ecën drejt Europës, brenda saj po zhvillohet një proces i heshtur që ngjan gjithnjë e më shumë me një zhvendosje historike të një pjese të popullsisë autoktone nga trojet e veta, nga prona e lanun trashëgim prej të parëve. Dhe ky proces zhbimës ndodh, jo përrmes një dore të huaj, por përmes veprave të pafama të bashkëqytetarëve, të privelegjuar nga pushtetet, ndërkohë që policia e shtetit vendoset perkunder qytetarëve!!!!

Nëse ky proces vazhdon kështu ashpërsisht siç po nxitet në këto kohë, historia e arbërve në trojet e tyre nuk do të përfundojë me një kapitull, por me cënim të rëndë të strukturës kulturore nacionale.

Dhe atëherë pyetja që do të mbetet për historinë është e thjeshtë: A ishte kjo një tragjedi e pashmangshme e kohës moderne, apo një dramë që një shtet nuk deshi, ose nuk diti, ta ndalonte?

/Nga Romeo GURAKUQI, ish-deputet i PD-së Shkodër/

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.