14.5 C
Tirana
E enjte, 5 Mars 2026
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)
Kreu Artikuj Kosova drejt zgjedhjeve me dilema të mëdha!

Kosova drejt zgjedhjeve me dilema të mëdha!

0
Albini - agregat

Shkruan: Florim Zeqa, 05.03.2026

Kjo çfarë po ndodhë rreth zgjedhjes së Presidentit është e pafalshme për skenën parlamentare të Kosovës, në veçanti për ata që i kanë fituar zgjedhjet! Mirëpo, kjo nuk i liron nga përgjegjësia as partitë opozitare pavarësisht numrave në Kuvend. Ngase secila parti parlamentare e ka për obligim ndërtimin dhe mbarëvajtjen e institucioneve shtetërore. Të gjitha partitë pa dallim fuqie elektorale duhet të kontribuojnë njëjtë për interesin e shtetit.

Zgjedhje për prolongim të marrjes së përgjegjësive shtetërore

Zgjedhja e presidentit nuk ka ardhur si befasi dhe as surprizë politike, por kjo ka qenë e ditur që një kohë të gjatë, dhe ka qenë e pritshme se do të vijmë në këtë ditë. Prandaj, është dashur që të bëhen disa parapërgatitje politike për gjetjen e një emri konsensual për President të ri të shtetit.

Shkuarja në zgjedhje të jashtëzakonshme si pasojë e mos zgjedhjes së presidentit është dëm i madh për vendin.

Përveq kostos financiare, vendi do të humbë kohën e artë të konsolidimit dhe rekuperimit të dëmëve paraprake shkaku i zgjedhjeve të shpeshta dhe të panevojshme!

Papërgjegjësia e liderëve partiakë, të cilët për inate personale dhe ego të sëmuara për pushtet po e dërgojnë vendin drejt zgjedhjeve e jo drejt zgjidhjes nuk guxon të kalojë pa ndëshkim nga elektorati kosovar!

Edhe pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme do të kthehemi sërish në të njëjtën pikë siq u kthyem pas zgjedhjeve të 9 shkurtit të vitit 2025, përkatësisht pas bllokadës së gjatë 9 mujore të mos krijimit të institucioneve shtetërore, të cilat kanë mundur të themelohen menjëherë pas çertifikimit nga KQZ-ja vitin e kaluar!

Andaj, kam dronë se e njëjta gjë do të ndodhë edhe pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme shkaku i mos zgjedhjes së presidentit, ku do të kemi prolongim dhe stërzgjatje të procesit në formimin e institucioneve të reja, ndoshta deri në vjeshtën e këtij viti!

Mos zgjedhja e presidentes Osmani edhe për një mandat nuk është e rastësishme. Edhe pse në dukje të parë, mendohej se ishin në një linjë me kryeministrin Kurti, ishte e kundërta e saj.

Mes Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit ishte krijuar një hendek i thellë, ku secili prej tyre zhvillonin aktivitete ndaras në politikën e jashtme. Politikat e jashtme nuk bëhen ndaras nga institucionet shtetërore, por bëhen në unitet të plotë mes krerëve shtetëror, që i bie se, në politikën e jashtme duhet të flitet me një zë të vetëm dhe të prerë, e jo me dy e tre siq ka ndodhur në qeversjet e deritanishme, në veçanti tek kjo e fundit!

Kosova pa President në mjegullën e madhe ndërkombëtare

Situata në të cilën ndodhet Kosova në mjegullën e madhe nga pluhuri i luftërave ndërkombëtare, gjegjësisht të luftës së gjatë Rusi-Ukrainë dhe fillimit të luftës së përmasave globale në Lindjen e Mesme, Kosovës nuk ia jepë komoditetin e shkuarjes në zgjedhje të jashtëzakonshme!

Të gjithë liderët pa dallim, pushtet dhe opozitë duhet t’i thërrasin mendjes për vetëdijësim, që sa më parë të ulën dhe të merren vesh mes tyre si vëllezër të një gjaku, për ta gjetur një zgjidhje optimale për të evituar zgjedhjet dhe jo vetëm.

Ngase, kështu të ndarë, Kosova si shtet në embrion dhe në përgjithësi si komb i shprishur do ta kemi të vështirë t’iu bëjmë ballë kërcënimeve dhe rrezikut permanent që na kanoset nga fqinji ynë verior, për shkak se zhvillimet e gjithmbarshme ndërkombëtare dita-ditës po bëhen më të paqarta dhe më të pasigurta për të ardhmen tonë si shtet i pavarur dhe sovran.

Mos arritja e marrëveshjes ndërpartiake për zgjedhjen e presidentit konsensual ka hapur dilema të mëdha për stabilitetin politik ne vend. Kur kësaj t’i shtohet fakti se asnjëra nga partitë parlamentare, perfshirë edhe partinë fituese nuk mund ta siguroj kuorumin e nevojshëm në Kuvend, atëherë zgjedhjet e jashtëzakonshme mbeten alternativa më e keqe e labirinthit politik kosov(r)ar.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.