Enver Robelli
Liria e besimit nuk domethënë pezullim i shtetit. Shkolla është institucioni i parë, ku fëmija takohet me shtetin. E ky shtet duhet të jetë neutral ndaj çdo feje. Procesi edukativ e arsimor nuk duhet të ndikohet nga asnjë fe. Vendimi i Drejtorisë për Arsim i Komunës së Prishtinës për të ndryshuar orarin mësimor për shkak të agjërimit, është skandaloz, antikushtetues dhe diskrimunues ndaj nxënësve të feve të tjera.
Ky popullizëm kuazifetar duhet të marrë fund menjëherë. Vendimi duhet të anulohet. Përgjegjësit që kanë marrë këtë vendim duhet të shkarkohen. Politikanët duhet të mbajnë qëndrim të qartë në mbrojtje të shtetit laik. (Të tillët, fatkeqësisht, janë gjithnjë e më pak, sepse u mungon patriotizmi kushtetues, duan të koketojnë me islamistët dhe u mungon përgjegjësia publike).
Rrjedhimisht, problemet si ky i sotmi burimin e kanë më thellë. Prindër të papërgjegjshëm që u bëjnë presion fëmijëve të agjërojnë. Fëmijë të indoktrinuar dhe të manipuluar, që bullizojnë fëmijë të tjerë se “përse nuk po agjërojnë”, arsimtarë të dorëzuar apo të pafuqishëm përballë propagandës fetare, politikanë të paaftë të sektorit arsimor, të cilët nuk kanë guxim të ndalojnë agjërimin deri në moshën e pjekurisë së fëmijëve.
Nëse të rinjtë lejohen të votojnë tek nga mosha 18-vjeçare, pse bëhen lëshime në çështje fetare? Por, këto janë tema të vështira në një shoqëri, e cila në shkollë para algjebrës e zgjedh avdesin dhe para logjikës – ilahitë arabe, që nuk i kupton askush. Prandaj Kosova prodhon analfabetë funksionalë dhe është e lumtur në fund të listës së Pisas.











