14.5 C
Tirana
E martë, 24 Shkurt 2026
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)
Kreu Artikuj Pjetër Budi (1566-1622)

Pjetër Budi (1566-1622)

0
Pjetër Budi

Prof. Dr. Fatbardha Fishta Hoxha

Nga cikli “Humaniste te hershem shqipetar te shek XV-XVIII”

Pjetër Budi është shkrimtari më prodhimtar i letërsisë së hershme në gjuhën shqipe. Veprat e tij, që nuk janë pak, qarkulluan dhe u bënë të njohura në hapësirën shqiptare. Pjetër Budi ka lindur më 1566 në Gur të Bardhë, një fshat malor në krahinën e Matit në kufi të Malësisë nga Tirana dhe të Elbasanit, siç thotë vetë në një familje që njihet si “shtëpi e Budëve të vjetër”. Ndërsa fshatin e tij e quan “fortesë e Matit”, meqë ishte i njohur që në kohën e Skënderbeut, familjes së tij i njeh merita në jetën kishtare të vendit. Në një mjedis të tillë ai u formua me dashurinë për vendin e vet dhe me një devocion të natyrshëm fetar. Nuk dihet me saktësi se ku mori mësimet e para në ndonjë kuvend në vend apo diku tjetër. Më vonë pohon “Që i ri kam qëndruar pothuajse gjithnjë, gjer në moshën 21 vjeç, në shërbim të disa ipeshkëve të vendit, pranë të cilëve kam marrë këtë pak mësim që kam”.

Mungesën e shkollimit të rregullt ai e përmend në disa pjesë të veprës së vet, por i zgjuar e i pajisur me një vullnet të rrallë, mësoi vetë si një autodidakt i zellshëm. Më 1587, apo kur ishte 21 vjeç, mësojmë se u bë prift, por meqenëse rregullat kishtare nuk lejonin që dikush të bëhej meshtar e aq më pak ipeshkëv pa pasur një formim të rregullt arsimor, studiuesit mendojnë se duhet të ketë kryer Kolegjin e Loretos apo të ketë dhënë provimet e pjekurisë në këtë kolegj të njohur fetar në Itali. Siç dëshmon vetë, ai filloi punën si meshtar në Kosovë e Maqedoni. Kjo detyrë e vuri në kontakt me besimtarët e atyre anëve, e njohu më mirë me jetën e tyre. Me sa duket, duke ndjerë nevojat e kishës dhe të meshtarëve, ai ka nisur nga puna për hartimin e veprave të tij të rëndësishme. Më 1599 i besohet posti i zëvendësit të përgjithshëm të kishave katolike në Serbi dhe Kosovë, që asokohe ishin në administrimin e arqipeshkvisë së Tivarit.

Por jeta në kontakt të vazhdueshëm me besimtarët bashkatdhetarë ka ndikuar në rritjen dhe forcimin e vetëdijes shqiptare tek Pjetër Budi. Në atë fund shekulli (XVI) në të gjithë rajonin është ndezur shpresa e organizimit të revoltës kryengritëse jo vetëm në trojet shqiptare por edhe më gjerë, në gjithë Ballkanin. Pjetër Budi nuk qëndron larg ngjarjeve më të rëndësishme të kohës, përkundrazi, me intuitën e tij ai bashkon në një mbrojtjen e ripërtëritjen e krishtërimit me çështjen e çlirimit të atdheut nga zgjedha e urryer aziatike. Në këtë kohë mbahen kuvende, ku hartohen plane konkrete për një kryengritje të përgjithshme. Më 1599 mbahet Kuvendi i Matit dhe më 1601–1602 ai i Dukagjinit, ku vendoset të dërgohen delegatë jashtë vendit për t’i njohur fuqitë evropiane me planet kryengritëse. Më 1614 u mbajtën dy kuvende në Kuç, ku u formësuan plane për një kryengritje të përgjithshme ballkanike dhe më 1616 u mbajt Kuvendi i Prokuplies ku u vendos t’i kërkohet ndihmë Selisë së Shenjtë si dhe Francës dhe Spanjës.

Në këtë kuvend u vendos që si delegat në Selinë e Shenjtë të jetë Pjetër Budi. Ishte kjo shprehje e autoritetit të Pjetër Budit, si patriot dhe klerik i respektuar. Studiuesit arrijnë të dëshmojnë se ai ka shkuar në Selinë e Shenjtë dy herë më 1616 dhe më 1618. Pa arritur të sigurojë audiencën e Papës, të cilit ai do t’i njoftonte vullnetin e delegatëve të shumë shqiptarë dhe jo shqiptarë, pjesëmarrës në kuvendet ballkanike kundër osmanëve, ai u kthye në atdhe vendosi që planet kryengritëse t’ia parashtrojë në një letër kardinalit Gocadin O. Letra ka vlerë të rrallë dokumentare. Në të për herë të parë parashtrohet taktika dhe strategjia e një veprimi për një kryengritje që do të përfshinte trojet shqiptare që nga Veriu në Jug. Në të përmenden krahinat dhe numri i luftëtarëve që do të nxjerrin ato. Plani i hartuar synon në radhë të parë marrjen e fortesave, pastaj shkatërrimin e ushtrisë turke përmes sulmeve të befasishme në gryka e ngushticat dhe në malësi.

Në këtë plan ai nuk përjashton as shqiptarët e konvertuar në islamë, përkundrazi parashikon një mbështetje të sigurtë nisur nga ndjenjat e tyre patriotike. Ai në letër përmend ato pasuri njerëzore e natyrore që ka vendi si dhe faktorin e jashtëm që do ta favorizonte lëvizjen kryengritëse, faktin që Turqia ishte e zënë në luftë me Poloninë. Me idetë e shfaqura largpamëse, me bashkëpunimin me shqiptarët myslimanë, P. Budi pararend taktiken dhe strategjinë e Rilindësve që dy shekuj më vonë do të bëheshin promotorë të lirisë kombëtare. Pjetër Budi gjatë qëndrimit në Romë, boton veprën e parë të përkthyer edhe pse ka shumë kundërshtarë dhe që kërkojnë ta pengojnë, “Doktrina e krështerë” (1618). Budi nuk ndjehet i qetë. Mospërkrahja ndaj çështjes të revoltës antiosmane e bën të ndërmarrë udhëtime në Galici dhe në Spanjë, ku qëndron deri më 1621. Kthehet në Romë ku boton tri vepra:

1. “Pasëqyra e të rrëfyemit”;
2. “Rituali roman” dhe
3. “Kush thotë meshë këtê kafshë i duhet me i shërbyem”.

Kthehet në atdhe dhe fillon detyrën e ipeshkvit të Zadrimës, për të cilën kishte shumë pretendente, çfarë ia shtoi kundërshtarët dhe armiqësitë. Me te marre detyren Pjeter Budi ndermori veprime te guximshme duke organizuar një kuvend me pjesëmarrjen e klerit të Shkodrës, të Zadrimës dhe të Lezhës, ku u morën disa vendime ndër të tjera që të mos pranoheshin misionarë të huaj që nuk e njihnin gjuhën dhe zakonet e vendit. Në një kohë kur punon me ngulm për organizimin e qëndresës antiosmane në shkallë vendi dhe ballkanike, kur ndërmerrte veprime të guximshme në forcimin e ritit fetar me misionarë që të njihnin shqipen dhe traditat e vendit, ai vritet në një incident aksidental që ngjan më shumë të jetë i parapërgatitur kundër tij. Kështu Pjetër Budi ndahet nga kjo jetë në rrethana misterioze duke u mbytur, teksa kalonte Lumin Drin, natën e 25 dhjetorit 1622.

Figura dhe personaliteti i Pjetër Budit spikat në letërsinë e hershme të shkruar shqip dhe në gjuhë të huaj për gjerësinë e interesave dhe të veprimtarisë. I zgjuar, i zellshëm, energjik në situatën që kalonte krishtërimi nën trysninë e pushtimit turk, ai lufton për ripërtëritjen e tij që nuk mund të ndahet nga këmbëngulja e tij për të hequr qafe zgjedhën e huaj nga trojet shqiptare e gjithë Ballkani. Tek Budi është shumë e shfaqur dëshira e flaktë për të shkruar dhe botuar në gjuhën shqipe, që rrezikon të humbasë dhe të venitet nga moslëvrimi. Ai është ndër autorët e hershëm që krijoi një vepër të gjerë. Budi ka lënë katër vepra të botuara ose më shumë se 1000 faqe. “Doktrina e kërshtene” (Dottrina Cristiana), 1618, faqe 292, është vepra e parë e Pjetër Budit. Ajo është një përkthim nga italishtja në gjuhën shqipe të veprës së Roberto Belarminos.

Është një libër katekizmi i ndërtuar në formën e dialogut me pyetje e përgjigje në mes të priftit e nxënësit. Ajo është ribotuar tri herë më 1636, 1664 dhe 1868. Doktrina fillon me prozën në gjuhën shqipe: “Të rekumenduom n’uratë gjithë atyne që ta marrënë me u zjedhunë”, shkruar në Romë, më 7 janar 1618, të cilën mund ta konsiderojmë si parathënie të saj. Shënon kjo fillimin e lëvrimit të prozës origjinale shqipe nga ky autor por edhe në të gjithë letërsinë shqiptare të vjetër. Ky shkrim i Budit si dhe parathëniet e veprave të tjera janë parashtirim i vetëdijes letrare të autorit të hershëm. Në arsyetimin e P. Budit, këtij prelati të urtë, gjejmë mjaft pika të ngjashme me arsyetimet e Buzukut në pasthënien e “Mesharit”. Edhe tek Budi është i madh shqetësimi se mungojnë veprat të tilla, si ato që po ndërmerr dhe për këtë thotë: “Tue paam se gjuha jonë asndonjë letër e të msuom së ka me të cilët të mundej ndërta me t’ndimuam feja e Krishtit, zuna fill, mund aqë saa munda, nkthve këte Shinte Doktrinë gjue cë lëtine mbë gjuhu t’arbëneshte, si për ndihmë të atij populli…”

Me një devocion të ndjerë të thellë, Pjetër Budi i përcjell lexuesit, përdoruesit të librit të vet dashurinë dhe nderimin për Zotin, si porosia themelore e veprës së tij dhe të atyre që do ta përvetësojnë atë. Por në këtë tekst ai nuk le pa përmendur faktin se dëshiron që “u nxjerrë pakëz gjumin e disave, qi pakmos gjithë të rijtë e jetën e vet e shkuanë ndë të mbrazetë, paa moslanë ndonjë të përmendunë të mirë mbas vetehej”. Është me interes se në radhët e kësaj proze gjenden elementet e para të polemikës në letërsinë tonë, pas atyre që vihen re në parathëniet e veprave të Barletit. Dhe në këtë parathënie bie në sy modestia e krijuesit si në parathëniet e Barletit apo në pasthënien e “Mesharit”, çfarë dëshmon për vetëdije dhe etikë të lakmueshme tek këta krijues. Pas kësaj parathënie vjen teksti i doktrinës: “Doktrina mbë këtë aresyë vuum e ndërequnë për ndimët e të mpsuomitë t’kërshtenve”, e renditun në 14 kapituj. Në 110 faqet e fundit, Budi ka përfshirë 19 vjersha me 711 strofa katërshe me vargje tetërrokëshe, me rimë të alternuar. Me këtë varg janë shkruar pothuajse të gjitha vjershat e Budit.

Studiuesi Kolë Ashta mendon se vjershat e “Doktrinës së Kershtenë” qëndrojnë “porsi një vepër më vete”. Në mënyrë të veçantë ato janë shtjelluar dhe interpretuar në studimin monografik të Zeqirja Nezirit: “Poezia e Budit”, të botuar në Shkup më 1995. Ndër të tjera ai arrin në përfundimin se midis veprës poetike të Budit dhe barokut religjioz që zotëroi letërsinë evropiane në shekullin XVII, mund të hiqen paralele, çfarë flet për përfshirjen e letërsisë sonë në rrjedhat e zhvillimit letrar evropian. Vepra “Pasëqyra e t’Rëfyemit” që u botua në Romë më 1621 (Speculum Confessionis) ka 416 faqe. Edhe kjo vepër është përkthim nga latinishtja e veprës së E. De Bonisit. Ajo ka lëndë rreth sakramentit të rrëfimit dhe ligjërata lidhur me të.

Në fund ai ka vënë tri vjersha me 41 strofa katërshe. E para i kushtohet Shën Mërisë, e dyta Papës Grigor XV, i cili siç thotë autori “Këtë letër qi s’patmë urdhënojë e shtampojë” dhe e treta është një lutje për Zotin. Përpara vjershave vjen një letër origjinale e gjatë 68 faqe, drejtuar klerit “dërgoume me të madh dëshirë gjithë atyne ndë gjuhu tanë qi ta marrënë me xjedhunë” e cila flet për gjendjen e vendit dhe të krishtërimit, për mungesën e shkollave si dhe për dorëshkrimet dhe botimet e tij. Jo rrallë autori flet për aktualitetin shqiptar për jetën e vështirë dhe tepër të mundimshme të njerëzve të thjeshtë. Ndërsa pas parathënies vjen teksti i rrëfimit i titulluar “Pasqyra e të rrëfyemit e drita e koshiencës këjo ashtë”, ku jepen fragmente nga jeta shoqërore e vendit. Një rëndësi të veçantë për të njohur synimet dhe vetëdijen e krijuesit ka parathënia e veprës “Pasëayra e t’Rëfyemit”.

Në këtë prozë të frymëzuar nga situata e vështirë, që kalon shkrimtari, që me zgjuarsi di ta shmange dhe të vazhdojë punën e nisur.
Janë dy faktorë që e nxisin sërish Pjetër Budin të ndjehet se rruga që ka nisur ku mplekset shqetësimi për popullin dhe vendin e vet me shqetësimin për fenë, për krishtërimin, e nxisin atë ta mbarojë veprën për ndihmë të atij populli. Pjetër Budi e ka shfaqur hapur vetëdijen e tij si krijues kur shkruan: “se sa i madh ka qenë gjithherë kujdesi e dëshiri i zemrësë sime për ndihmë të Patriesë e të gjuhësë sonë.” Dhe kjo punë nuk është, siç dëshmon në parathënie autori, përmbushje e kërkeseve thjesht intelektuale por e sheh si një ndihmesë, kontribut në jetën e popullit.

Botimin e çdo vepre të kësaj natyre ai e çmon “sa e madhe ndihmë e dritë e gazmend e ngushëllim kish me qenë i atij populli.” Shfaq letërsia shqipe edhe përmes veprës së Pjetër Budit, fillin e pakëputur të zotimit të saj ndaj përpjekjeve e nevojave të njerëzve të thjeshtë. Në parathënie ka edhe elemente të karakterit personal që flasin për historinë e botimit të veprave, për njerëzit që e kanë përkrahur apo e kanë penguar në rrethin shqiptar, të inteligjencës klerikale.

Por i rëndësishëm dhe me vlerë në këtë prozë origjinale të Budit është shqetësimi i tij për mosveprimin e intelektualëve që kanë mundësi të gjallërojnë jetën mendore të vendit, por që qëndrojnë indiferentë. Për këtë rreth njerëzish ai ka folur edhe në parathënien e Doktrinës por edhe këtu nuk i kursen në polemikën e tij me theks pamfleti kur shkruan: “aq ma tepër do letërore e të mëdhenj dies, qi leterenë e dijne e në të pak frujt me të kallëzonjënë, e se, ndë dashinë gjaakafshë me baam oo me kallëxoom e atëherë cë keqe cë tyne s’e banjenë ndoone mbë gjuhu të vet, ke dijne se ashtë ma tepër nevoja e zyra, po mbë tjera gjuhë, ke asndonjë s’ashtë.” Është interesant se Budi i vlerëson si njerëz që i sjellin shumë dëm atdheut dhe fesë si kundërshtarët apo dashakeqit, anëmiku, siç i quan ai ata, ashtu edhe ata që s’ndjehen apo indiferentët që për të janë po aq të papranueshëm dhe të rrezikshëm.

Vepra e tretë e botuar e Pjetër Budit është botuar në Romë po më 1621. Vepra titullohet “Rituali Roman” (Rituale Romano). Ka 360 faqe ku jepen ceremonitë fetare të vitit sipas ritit katolik. Libri hapet me pjesën e ritualit me titull “Maa parë se si e mbë qish arësye duhenë me qenë shërbyem këto shinte sakramente”. Pjesa më e madhe e veprës është latinisht si lutjet dhe formulat, por rregullat, shpjegimet dhe komentimet e tyre janë shqip. Pas ritualit është një lloj pasthënie një letër në 25 faqe prozë origjinale drejtuar klerit shqiptar. Në fund vinë dy vjersha, njëra shqip e tjetra latinisht. Bashkë me veprën Rituali roman, Budi boton edhe veprën e tij të katërt e të fundit si fashikull më vete me 16 faqe dhe me titull “Kush thotë meshë këto kafshë i duhen me shërbyem” në të cilën shpjegon rregullat e meshës romane, me qëllim që të ndihmojë meshtarët në praktikën e tyre të përmbushjes së detyrimeve të ritit.

Siç del dhe nga parashtrimi, vepra e P. Budit është e gjerë dhe e larmishme me brendi fetare por edhe patriotike e politike si dhe etike e letrare. Ajo flet shqip por edhe latinisht e italisht. Veprat e tij janë përkthime në pjesën më të madhe të lira apo përshtatje por edhe shkrime origjinale sidomos në prozë. Ai është lëvruesi më produktiv i poezisë dhe i prozës në shekullin XVII. Megjithëse proza më e shumtë është e përkthyer, ajo ka tërhequr edhe vëmendjen e studiuesve të vendit por edhe të huaj. Albanologu danez Gunter Svane ka kryer një studim krahasues midis Pasqyrës së Budit dhe Pasqyrës se de Bonisit dhe ka arritur në mendime të argumentuara për ndryshimet në mes tyre, ai ka shqyrtuar vlerat gjuhësore, letrare të pranishme në librin e Budit.

Studuesi danez shpjegon: “Kam punuar mbi kopjen e librit të rrallë, që ruhet në Bibliotekën Mbretërore në Kopenhagë”, një e dhënë kjo rreth shtetgtimit të veprës së Budit në qendrat kulturore të Evropës. Ai vëren ndër të tjera se: “…është fare lehtë të shihet se Pasqyra shqipe e të rrëfymit është larg së qeni kryesisht përkthim i origjinalit italian. Pavarësinë e tij nga modeli italian, Budi e nxjerr në shesh në drejtime të ndryshme si p.sh. ‘Pasëqyra nuk është kryesisht një përkthim i origjinalit italian, por e frymëzuar nga Specchio ajo mbetet kryesisht një vepër origjinale. Në dispozicion dhe në stil Budi është i pavarur nga de Bonisit duke krijuar kështu një prozë kombëtare që në disa aspekte nuk mbetet prapa standardit të përgjithshëm evropian’.” Studuesi Svane thekson: “E marrë në tërësi së bashku me parathënien, letrën pastorale edhe përpjekjet poetike – vepra e Budit nuk është vetëm një manual i të rrëfyerit katolik, ajo është gjithashtu një tekst publicistik, një dokument i historisë kulturore. Dhe është pikërisht stili i Budit që e ngre atë në sferën e letërsisë.”

Librin e Budit ai e sheh edhe si pasqyrë e formimit të gjuhës letrare shqipe, duke i dhënë krijimtarisë së autorit të hershëm një rol të veçantë në historinë e gjuhës letrare shqipe.
Në faqet e prozës së shkruar nga Pjetër Budi, ndonëse jo në shqip, por italisht, një domethënie të veçantë ka letra që Budi i dërgoi më 15 shtator 1621 kardinalit Gocadino, që është vlerësuar nga studuesit si letra e politikanit atdhetar, që harton plane për shpëtimin e vendit të vet nga zgjedha turke dhe ka vizionin për integrimin e lëvizjes çlirimtare në Ballkan duke siguruar aleatë në Evropë. Ai përfshin në vizionin e paraqitur kardinalit Gocadino “kelmendasit që rrijnë ditë e natë me armë në dorë”, Krujën e Dukagjinin që i kanë dalë prej dore turkut, krahina të tjera që quhen vise të Skënderbeut, d.m.th. Matia, Brenda, Tomadheja e Çermenika” si dhe “…shumë krahina të tjera në Epir, si Ohri, Elbasani dhe Vlona”.

Ai llogarit deri në tridhjetë mijë forcat shqiptare që do të ngrihen në luftë. Por ai besimin më të madh e ka tek trimëria e tyre prandaj thotë: “Gjithë shkatërrimi dhe rrënimi i turkut vjen po t’i hiqet Shqipëria, sepse nuk ka ndonjë anë tjetër nga ku mund të dëmtohet dhe të asgjësohet… aq sa nga kjo anë e jonë”. Edhe pse prift shumë i devotshëm, por tepër i zgjuar e atdhetar, siç vërejnë bashkëkohësit, ai arrin të marrë përsipër përgjegjësi jo pak të guximshme për kohën duke kërkuar në lëvizje dhe mbështetjen e shqiptarëve të islamizuar. Letra në fjalë e ka tepër të kthjellët momentin politik, diplomatik, strategjik por edhe momentin letrar sadoqë ai zgjodhi një gjuhë të huaj si italishtja.

Trashëgimia letrare e Budit në prozën-përkthim, por sidomos në prozën origjinale (janë mbi 100 faqe) zgjon interes për të vështruar edhe më mirë raportet midis prozës fetare, dokumentare, por edhe ato faqe që evidentojnë historinë kulturore shqiptare. Por kontribut të veçantë dha Pjetër Budi në lëvrimin e poezisë. Lënda poetike që na ka arritur prej Budit është e shtrirë në tre libra: tek Doktrina, ku gjenden 19 poezi që përfshijnë 2922 vargje,; tek Pasqyra, ku gjenden tri poezi që përfshijnë 170 vargje dhe tek Rituali, ku është vetëm një poezi në shqip, shkruar në vargun 16-rrokësh dhe me 41 vargje gjithsej. Lënda poetike Budiane përmbledh 23 poezi, me 3133 vargje gjithsej, dhe këto, duke lexuar si të tillë edhe përshëndetjen fetare, sepse ajo është pjesë e strukturës së poezive.

Po të marrim në konsideratë edhe poezitë latinisht që janë tek Rituali, për nevojat e sakramenteve fetare, atëherë mund të themi se prej Budit trashëgohen më tepër vargje.
Njohja e këtij kontributi poetik paraqet interes të veçantë por edhe disa probleme që duhen të shihen në një optikë të saktë e moderne shkencore. Vetëm pas botimit më 1986 nga studiuesi Rexhep Ismaili i gjithë poezisë të P. Budit të transkriptuar u bë i mundur shqyrtimi i saj i plotë pas studimeve të kryera nga E. Çabej, S. Riza, I. Zamputi, Z. Skiroi, do të artikulonin ide dhe teza në këndshikime të reja studiues si Rexhep Ismaili, Sabri Hamiti, Zeqirja Neziri, Behar Gjoka. Këto dy të fundit do t’i jepnin lexuesit monografitë e para për poezinë e Budit (Z. Neziri: “Poezia e Budit”, Shkup, 1995; B. Gjoka: “Poetika e Budit”, Tiranë 2003). Interpretimi i poezisë së P. Budit është bërë i nevojshëm dhe i domosdoshëm në një vështrim të ri të të gjithë veprave të letërsisë së hershme shqiptare si dhe të rikëndimit të Psalmeve të Davidit nga Buzuku. Në këtë vështrim vepra poetike e Budit paraqet vlerë të mirëfilltë letrare.

Karakteri kompleks i krijimtarisë letrare të kohës, ku nuk mungon funksioni utilitar praktik, nuk shmang anën poetike të pranishme në këto poezi si mbitekst apo nëntekst, me polivalencën kuptimore që ndryshon sipas tematikës dhe motivit të poezisë së Budit. Ky problem jo pak i koklavitur, sa vjen dhe është qartësuar. Pavarësisht nga pikënisja fetare, personale apo atdhetare, qëndrimi dhe interpretimi autorial nuk mungon, që krijon një shtresë mbindërtimi në tekstin utilitar fetar, por është më i drejtëpërdrejtë në poezitë laike, kushtim apo personale. Nje problem tjeter jo pak I nderlikuar eshte fakti se Budi në parathënien e Doktrinës ndër të tjera dëshmon për disa kapituj të Ditës së Gjygjit që i ka patur të shkruara nga Pali prej Hasit, me të cilin Selman Riza mbron idenë e traditës shkrimore parabuzukiane. Por gjithsesi, siç vëren studiuesi Sabri Hamiti, Pal Hasi mbetet autor i dorëshkrimeve të humbura.

Por duke marrë parasysh faktin se Budi shkruan e rishkruan qoftë edhe nisur nga shkrimet e Palit prej Hasit, ai në poezinë e tij niset nga paratekste si janë ato biblike, nga dorëshkrime si ai i Palit të Hasit, si dhe nga shkrime biblike të shkruara më parë në gjuhë të huaj. Por në të gjithë poezinë e tij ai ka mbindërtuar një tekst të ri shpesh me shumësi vlerash e kuptimesh. Duke shqyrtuar më drejtpërdrejtë kontributin e tij në poezi në tre librat që botoi do të përpiqemi të evidentojmë risitë që solli. Pjesa më e madhe e poezive të Pjetër Budit u botuan si shtesë në veprën që përktheu “Doktrina e Kërshtencë”, më 1618, rreth 19 vjersha me gjatësi të ndryshme. Studiuesi Selman Riza mendon se ato Budi i kishte shkruar më parë se t’i hynte përkthimit të Doktrinës.

Po kështu tashmë është vërtetuar nga krahasimi, se teksti bazë, që përktheu Budi, një katekizëm i Shën Robert Belarminit (1542–1621), nuk kishte fare poezi.
Më tepër nga ana e artikulimit të motivit se sa nga mënyra e ndërtimit ato janë klasifikuar në tri lloje: në dy të parat që kanë një temë vdekjen; në vjershat si ritregime poetike të subjekteve biblike dhe në katër të fundit që janë poezi të rastit.

Dy poezitë e para kanë për temë vdekjen, por më e thellë nga ana kuptimore është e dyta që i drejtohet drejtpërdrejt njeriut si mundësi dialogu me të. Motivi i pastër biblik i poezisë së parë të Doktrinës më tepër se një fakt i thjeshtë letrar është tregues i paracaktimit të shkrimtarit. Teksti poetik i kësaj kënge, gjithnjë brenda natyrës së motivit biblik, me një densitet e konçizitet përvijon linjat dhe përmasat e ditës së gjyqit që qëndron i pamëshirshëm për çdo qenie njerëzore mëkatare, por poeti e ndërpret motivin biblik me vargjet: “Kur letera të dale/Ndë të cit asht shkruom/Gjithë mkat e gjithë fjalë/Qi a folë e ligjërum” Çfarë flet për vetëdijen krijuese të poetit dhe për zgjerimin e tematikës fetare dhe forcimin e vlerës letrare, që në këtë poezi të parë:

Prania e shprehjeve të tilla si “Kur letera të dalë”, ka parasysh konceptin e librit, jo vetëm në kuptim fetar-utilitar, por më shumë se kaq, edhe si mjet për t’u vetëshprehur autori si prift e poet.

Mbizotërimi i frymës moralizuese është mesazhi themelor i vargjeve të kësaj poezie, ku uni poetik është mbështjellë me velin e mjedisit mëkatar. Poezia e dytë e Doktrinës që i kushtohet vdekjes dhe madhështisë, të vëna ballë për ballë, në një nga vjershat më të gjata të Budit, nënvizon gjithsesi vdekjen si një gjë absolute që zhvleftëson çfarëdo madhështie, që në konceptin e poetit vjen si vlerë morale jo e vërtetë dhe kalimtare. Kjo shquan që në apostrofën e fillimit të poezisë, që është një thirrje për bashkëbisedim: O i pafati njeri. Poezia mëton të dëshmojë domethënien e vdekjes si një vlerë absolute dhe e pashmangshme dhe jetën njerëzore përballë saj si dhe përballë botës qiellore. Poeti arrin të nënvizojë se sa kalimtare janë edhe të tjera dukuri të jetës si sqima, madhështia dhe pasuria. Është anafora “ku janë” që përsëritet në çdo strofë që realizon idenë poetike të vjershës, moralizimin që rrjedh prej saj.

Me rëndësi është se moralin poeti e përcjell përmes dialogut që shënohet midis unit dhe “ti” që e dëgjon, të cilin ai kërkon ta bindë, duke qëndruar disi ansjanjës për ato që artikulon që janë “jo rënë në përrallë”. Edhe pse në poezitë fetare morale kjo është një kërkesë, Budi nuk mund të fshehë emocionet, sado që ai vetë kërkon t’i përmbahet rregullit, të qëndrojë i mënjanuar dhe të paraqesë thelbin e doktrinës së vet. Por nuk e ka të vështirë të konstatosh bashkëpraninë e priftit me poetin. Poezia është bazuar në mjetet e retorikës se sa të poetikës. Ajo është shkruar në trajtën e një ligjërimi oratorik bindës dhe këtij qëllimi i shërbejnë përsëritjet e shpeshta të stilemave dhe të vargjeve, bile edhe të figurave. Tema që trajton kjo poezi do të rimërret nga Budi edhe në poezi të tjera për vetë natyrën e saj universale si dhe mënyrën e ligjërimit poetik. Në poezitë e tjera të Doktrinës, ose më saktë në trembëdhjetë vjershat në vazhdim, poeti vijon poetizimin e subjekteve biblike nisur fillimisht nga Dhjata e Vjetër e më pas nga Dhjata e Re.

Pjetër Budi poet do të krijonte një sistem personal të kuptimeve brenda sistemit të kuptimeve biblike. Nëse vetë Bibla përfaqëson një vlerë letrare, artistike të krijuar nga njerëzit, ajo fare mirë është konsideruar dhe konsiderohet si korpus letrar, edhe trajtimit të saj nga Budi nuk i mungon, por evidenton qëndrimet e tij poetike ndaj objektit. Prandaj edhe vjershat e tij marrin një kuptim polivalent. Nga poezia III–V, personazhe janë Adami dhe Eva, kurse temë e parë është mëkati i parë njerëzor. Budi kërkon të thotë se me lindjen e njeriut lindi edhe mëkati, prandaj ai bart ndjenjën e fajit të përjetshëm të gjinisë së vet. Fillimi i poezisë është tregim për fatin e njeriut që mëkatnon dhe vuajtjen që i sjell poeti ky fakt. Me te drejtë është thënë nga studjuesit se kjo vjershë që këndon apo vajton mëkatin e parë në botë është një ndër vjershat më të fuqishme që ka shkruar Budi. Strofat e para japin dhimbjen e poetit dhe të atyre që do të mëkatnojnë.

“Kish të djeg’ me ligjërum
Se jam gjith ndë të zi
Ditë e natë tu’ kujtuom
Që lumtë që i pat njeri.
….
Ma ata tue qenê
Dy të bukur e të ri
Si tinzot ishnë dhanë
Pa mkat pa mashtri”

Adami dhe Eva ‘hanë pemën e ndaluar, ku si i tretë ndërhyn gjarpëri. Kështu krijesat e para njerëzore mësojnë kuptimin e jetës dhe të vdekjes, nga eterniteti kalojnë në jetën kalimtare duke njohur dashurinë dhe mërinë. Kënga e gjashtë e këtij cikli biblik është ndërtuar e tëra në trajtën e mallkimit me figura popullore por me frymë dhe ide fetare. Poezia e shtatë është mjaft e gjatë dhe përforcon idenë se jeta e njeriut që kur njohu mëkatin e parë, shkon nga Krimi tek Ndëshkimi. Fëmijët e parë të Adamit dhe të Evës sjellin në tokë krimin e pare. Kaini e vret vëllanë e vet më të vogël, Abelin për cmirë.Budi shkruan kur tregon:

“E kështu i pari u ba
Mizuer në këtë jetë
E gjithë dheu u përga
Anci gjaku cë derëjtë”

Kënga e njëmbëdhjetë i kushtohet ringjalljes së Krishtit. Në ciklin biblik, ringjallja e Krishtit është njëri prej momenteve më të rëndësishëm të besimit, shpresës, dritës e lumturisë në indin e mesazhit fetar universal, që i jep kuptim atij, përmes kësaj figure simbol në emër të sakrificave njerëzore, çfarë realizohet me mjete figurative të qëlluara duke funksionalizuar natyrën dhe krijuar kontraste të fuqishme. Në disa këngë që vijojnë poeti ka ritreguar për ditën e Ringjalljes, për Pasringjalljen e madhe, për skenën e Ringjalljes dhe ardhjen e Mesisë, të cilin e metaforizon me shprehjen “Si dielli me rreze”. Në këngën që mbyll ciklin biblik, Budi merret edhe njëherë me kryemëkatarët, me Pilatin e përmbysur që është dënimi i merituar për keqbërësit dhe ekzekutorët. Në katër këngët e fundit të Doktrinës si dhe në vjershat e Pasqyrës e të Ritualit ndeshemi me një tjetër temë apo motiv të poezisë së Budit.

Janë këto poezi që janë klasifikuar si poezi personale, ku është shprehur qartë qëndrimi autorial e personal, ku temat dhe idetë kanë karakter të mirëfilltë personal por edhe kombëtar. Në këto autori ka shmangur alegorinë dhe i drejtohet lexuesit drejtpërdrejt. Në këto poezi ndjehet më fort dhe shpërthen personaliteti krijues i P. Budit. Te këto poezi, Budi kalon në lëvrimin e një poezie të mirëfilltë, në kuptimin që ka ajo sot, për nga mënyra e artikulimit. Nga poezia XVI-XVIII të Doktrinës, Budi shpreh një varg shqetësimesh siç janë ato për njeriun, shqiptarin dhe hapësirën arbërore dhe ku shfaq përmes gjuhës poetike mjaft ide që së pari, afirmohen në letërsinë shqipe që janë vetëdija e shqipes (Kënga XVI), që zbulojnë dramën e Budit si prift dhe si njeri përballë mbrapshtive të jetës që e rrethojnë, që rrjedhin nga shmangia prej rrugës hyjnore.

Këtu sipas poetit fillojnë të gjitha të këqijat, këtu zë fill humbja e trupit dhe e shpirtit. Edhe pushtimi i huaj, edhe konvertimi fetar, edhe të këqijat morale janë pasojë e braktisjes së rrugës së Zotit. Subjekti lirik është i ndodhur në zgrip të asaj që ndodh në tokë dhe Zotit që është lart në Qiell dhe i sheh të gjitha sa ngjasin. Në poezinë e tij me motiv personal ndeshim vargje të tilla që japin raportin e tij të dyfishtë si prift e poet me turmën që dalldiset nga e keqja dhe me hyjninë që jepet aq bukur përmes vargjeve të strofës së dytë:

Se u jam posi një zgjuo
Keq i mbrazët e j n’kotë
O një i keq përruo
I turbulltë gjithë momë
E ti je si një kruo
Qi njëtë s’i vien më
E ma ji amblë se një huo
Mialte bletëzë ce re

Në këtë poezi P. Budi gjenden edhe këto vargje:

Tashti të lus, ndriimë mua
Zoti im me një rreze

Shqip të mundëni me rrefyem
Ndonjë kankë te re

Të mos gjendem i harruom
Këtë jetë tue shkruom

Në këto vargje shpaloset vetëdija e poetit. Ai njeh aktin e frymëzimit që për të ka natyrë hyjnore prandaj me përvujtësi i drejtohet Perëndisë që t’i zgjojë e t’a ndriçojë me rrezet e tij frymëzueses. Por teoria e tij e krijimit nuk ka vetëm këtë frymë. Ajo artikulohet edhe si poetikë e shkrimit të gjuhës amtare që bëhet një ndër përbërësit kryesorë të poetikës evropiane në atë kohë, me të cilat Budi është në kontakt të vazhdueshëm. Këtë e dëshmon e gjithë vepra e tij që është vazhdim i rrugës së hapur nga Buzuku për t’i sjellë omatë së vet, vlerat e Biblës por edhe për të krijuar vlera të tjera personale. Është me vend të theksohet se vetëdija e shkrimit të shqipes shkon në harmoni me vetëdijen e krijimit të një “kanik të ri” që sig shprehet Budi për krijimin poetik. Kënga e re për P. Budin është kënga personale, kënga autoriale që kërkon të bëhet e tillë në trashëgiminë letrare shqipe që, sipas gjasave, ka filluar më herët se ndonjë vjershë e Gjon Buzukut apo e Lekë Matrëngës.

Kurse dy vargjet e fundit në mënyrë të hapur theksojnë dëshirën, por edhe synimin e tij, që përcaktojnë personalitetin e tij moral e poetik. Janë këto poezi që e zbulojnë poetin e parë të letërsisë shqiptare në kuptimin e mirëfilltë dhe të plotë të fjalës. Ai ka vetëdijen se duke shkruar shqip, duke kënduar këngë të reja nuk do të harrohet por përkundrazi do të njihet e do të kujtohet. Në vjershën XVIII, duke iu drejtuar Shën Mërisë, poeti shtrom shumë probleme të hapësirës arbërore. Kjo poezi bën pjesë në vjershat e drejtpërdrejta të Budit siç e thotë edhe titulli “Për ndihmë të gjithë këshëtërimit Arbënit”. Sipas studiuesve porositë morale të fiksuara në të dhe shprehësia poetike i japin kësaj poezie vlerën e një testamenti poetik kristian. Ai u drejtohet të krishterëve të pagëzuar në Arbëri. Edhe këtu shfaqet vetëdija e krijuesit dhe e misionit të poetit, si një rrëfim autorial i poezisë. Kësisoj ai shprehet:

Këtë letërzë e përzini
Qi juve kam dërguom
Gja kafshë ndo të xini
Këtë jetë me shkuom
N’dorë e merrni e këndoni
Ju qi dini me kënduom
Vini veshët e dëgjoni
Ju që dini me ndëgjuom
Këto fjalë i ligjëroni
Si kamkë tue kënduom
E me za t’i vjershoni
Fort t’amblë e të ngushëlluom.

Mbas kushtimit të këngës Arbënit dhe shpjegimit të nevojës për mësim, në këtë poezi, Budi thur dëshirat, porositë, mësimet, predikimet morale e shoqërore për Arbënin. Ai vihet kështu në rolin e ndërmjetësit të popullit të vet, të Arbënisë me Perëndinë. Ndërsa në poezinë e fundit, (XIX), të Doktrinës, Budi mbasi falënderon me përunjësi Zotin që e bëri të mundur mbarimin e veprës së nisur shpreh disa ide shumë interesante lidhur me rolin e saj tashmë të pavarur si vepër në mesin e atyre që do ta këndojnë apo dëgjojnë. Vargjet e mëposhtme e dëshmojnë qartësisht se vetëdije krijuese kishte poeti ynë i parë që i njihte rol të veçantë veprës së tij tashmë tek lexuesi-dëgjuesi.

Nd’Arbëni me ua dërguom
Pak ndër mend me i treguom Po si pemët në prill
Ndë shpirt me lulëzuom

Vetëdija estetike e krijuesit është shprehur dukshëm përmes stilemash kuptimplote. “ndër mend me i trazuo͂m”, “ndë shpirt me i lulëzuo͂m”, ku bie në sy jo vetëm kuptimi dhe vlera e dyfishtë konotative dhe denotative e fjalës poetike, por edhe figuracioni i gjallë dhe emocionues. Në këtë varg e ke të vështirë të ndash Budin-poet nga Budi-prift apo njeri sepse aty shkrihet i tëri në mesazhin universal që emeton, ku shprehet roli i pazëvendësueshëm i fjalës artistike, çfarë nuk e humb vlerën për asnjë kohë. Tri vjershat e Pasqyrës për nga mënyra e artikulimit janë të përsosura nga pikëpamja e formës. Sadoqë poezitë i kushtohen Shën Mërisë dhe Papës Gregorit XV dhe Zotit, përveç vazhdimit të lëvrimit të temës biblike, në të spikat edhe ndonjë nuancë e re lidhur me vetëdijen krijuese. Ai shprehet:

Natë e ditë tue shkruom
Zemra më gjet të lirë

Vargjet zbulojnë përcaktimin e tij që nga krijimi e ndjen veten më të çliruar. Vjersha e fundit e Budit (XXIII) “Laudans invocabo dominum” është vjersha më e bukur e Budit që studiuesi Sabri Hamiti e karakterizon si kurorë poetike e tij. Si nga tema, mënyra e ndërtimit poetik, figurave, ritmit, vargut ajo sintetizon forcën e artit të Budit. Kjo poezi është shkruar në vargje 16-rrokëshe, ose dy tetërrokësh të dyzuar. Poeti këtu edhe njëherë thekson qëllimin final qoftë në botimin e librave si dhe në adresimin poetik të shpallur që ai e shpreh në vargjet:

Këtë këngë me mbarom, që për derë
Natë e ditë me shkruom “Zemra më gjet të lirë”
Shokëve me ua dërguom sikur një pasqyrë

Hyrja në këtë këngë, siç vërejnë studiuesit, është e ngjashme me hyrjet në epopeët homerike dhe veprat e mëdha epike të romantizmit shqiptar. Pas hyrjes dhe apostrofimit të perëndisë që e konsideron burim frymëzimi nga jashtë ai i kthehet asaj që është thelbësore për një poet, situatës shpirtërore në krijim, ku ai çlirohet dhe realizohet plotësisht si njeri. Theksohet përmes shprehjes “natë e ditë tue shkruom” mundi i pafund për të krijuar veprën. Aty theksohet edhe adresimi i veprës “shokëve me ua dërguom sikur një pasqyrë” që nënkupton edhe auditorin e madh të kishës. Me konceptet që është frymëzuar, me lëvrimin e vjershës monokolone, me praninë e vargut 16-rrokësh, me thyerjen e skemës ritmike të vargut tetërrokësh (theksi bie edhe në rrokjen e dytë), varg që më vonë në letërsinë tonë do ta lëvronte Naimi, e bën atë një ndër poezitë më të bukura të poetit.

Nga pikëpamja e metrit, në poezitë e P. Budit mbizotëron vargu tetërrokësh, me përjashtim të poezisë së lartpërmendur. Zakonisht ato janë vargje jambike por edhe trokaike të natyrës popullore. Budi i njeh si rrokje të veçanta diftongjet dhe zanoret e gjata apo të dyfishuara. Përgjithësisht vjershat e tij janë strofike dhe zotëron strofa katërshe me rimë të alternuar ABAB. Poezia e shkurtër apo e gjatë e Budit të përkujton himnin, litaninë, lavdet, psalmet me një fjalë këngët liturgjike. Ajo ka në vetvete funksionin e dëgjimit. Studiuesit tek poezitë më të gjata të Budit kanë parë fillimet e poemës në letërsinë shqipe nga pikëpamja gjinore (Ibrahim Rugova). Një pamje tjetër që dëshmon origjinalitetin poetik të P. Budit është figuracioni, ku zotëron krahasimi, epiteti si dhe paradoksi, por të gjitha të natyrës popullore shqiptare. Përsa i përket leksikut është shumë e përdorur sinonimia. Disa nga figurat karakteristike të tij janë:

Hi e pluhunë e bani – E të zeza si thëngjilli – Jo rrenë o përrallë më – Pa mëkat, pa mashtri – Mendjeshkurtëna flokëgjatë – Se idhun e helmuom – Dera e qiellës u thye – Zemra u akulluo – Faqeja u zverdh si ftuo – Sikur një thes i zi – Porsi akull i ngrimë – Si qielli me trezë – I bardhë si vdorë – I çpejt si rrufe – Veçë si nji qen i zi – E ti te si një kruo – Mjaltë fletëzë të re – Ngrirë si gur i gjallë – Zemrat tona janë ngrirë si gur i gjallë – Porsi pemët në brill – Ndër shpirt me lulëzuom – Nëcë zesasht si thëngjilli – E ndë të bardhat mirfilli – Më të ndritshme se ylli – Porsi ujku i tërbuar – Përmbys me faqe përdhe – Keq idhun e ndë të zi – Porsi qeni në senxhirë – Ndo si uku që tërbuom. Pjetër Budi është një përkthyes-poet, rikrijues, tek i cili përkthimi dhe krijimi plotësojnë njëri-tjetrin, jo shumë rrallë fiton poeti mbi përkthyesin.

Ai zë një vend qendror në zhvillimet e letërsisë së vjetër. Dhe me tërësinë e veprës së tij ai përfaqëson një nga figurat më të shquara të shekujve XV–XVII. Si në lëndën e përkthyer e atë origjinale ai ka arritur, ashtu si ndodh me humanistët në përgjithësi, që poezisë së tij t’i japë pamje të gjallë jetësore, në të lëviz mendimi dhe ndjenja njerëzore në kuptimet që jep qenies njerëzore Koha e Re, e Rilindjes kudo në Evropë. Si i tillë ai meriton të vlerësohet dhe të qëndrojë denjësisht në panteonin humanist shqiptar.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.