8.5 C
Tirana
E martë, 10 Shkurt 2026
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)
Kreu Artikuj HAXHI KOLA – NJERIU DHE MËSUESI MODEL

HAXHI KOLA – NJERIU DHE MËSUESI MODEL

0
Haxhi Kola

Behat Gjoka Behar Gjoka

Ishte njeriu i parë që fatluminsht piva kafe për vitin 2026. Pra, prej një rastësie të bukur, takimi me Haxhi Kolën dhe biseda e hapur, në mes patriotësh, më futi në mendime të thella. Në sytë e mi, prej vitesh, është një person tepër veçantë dhe natyrë e qetë. Nuk besoj se ka banorë të Matit, në të dyja anët e lumit Mat, që të mos ketë dëgjuar për njeriun shembullor, për qytetarin dhe mësuesin e dalluar, mësuesin e dashur të matematikës, Haxhi Kolën.

Në këtë shkrim po rrekem t’i shpreh përmasat e shumëfishta që bart mbi supet e veta ky njeri i ditur dhe i urtë, se shumëkush që e ka njohur nga afër ka ndjerë menjëherë vlerat e njeriut, qytetarit, në kuptimin e parë të kësaj fjale, të një portreti njerëzor, të mbizotëruar nga fisnikëria.

Teksa bisedonim dhe rrufisja kafenë po meditoja me vete, që kush ka pasur fatin ta takojë, qoftë edhe njëherë të vetme, e sidomos të shkëmbejë disa fjalë me këtë burrë të qetë, mbase një “djalosh” në mendje dhe zemër, edhe pse ka hyrë në harkun e 80 viteve, e ka fiksuar përgjithmonë në vetëdijen e tij, se ka pasur rastin të njohë një njeri të mirë, një njeri të veçantë, në komunikim me të tjerët, sidomos në respektimin e Tjetrit, pavarësisht moshës dhe krahinës, nxënës apo prindër, miq apo farefis qofshin.

Pra, duke e ndjerë edhe respektin e shumëkujt, u ndala të shoh pak më nga afër, këtë lidhje të përveçme me Matin, me njerëzit e kësaj zone, qendrestarë dhe të anatemuar, të besës dhe të trimërisë, e Matit të dijes dhe të kuvendeve.

Në portretin e tij, tejet paqësor, në sjelljen model, që atypëratyshëm ta përkujton matianin e hershëm, që para së të flasë, matet mirë, e peshon fjalën, e mbyt zemërimin dhe shqipton fjalën e mirë për të pranishmit. Për këtë arsye, mbase është më mirë ta themi hapur: Haxhi Kola mbetet qytetari model, në familje dhe në shoqëri, njeri i papërtuar për t’iu gjendur pranë kujtdo i cili kishte dhe ka nevojë për të, me fjalën e mirë, me ndihmën e pakursyer, me praninë kurdoherë si njeri bujar.

Megjithatë, është e çuditshme, ai hyn ndër njerëzit, të cilin e kam njohur nga larg, duke ruajtur respekt të veçantë për natyrën e tij, korrekte dhe të papërtuar si mësues, si njeri aktiv në veprimtari të ndryshme, mësimore, kulturore dhe sportive.

Fati im që të njihja dhe të bashkudhëtoja me Astrit Kolën, një “vëlla” shpirti, me Fatos Kolën, “vëllai” i artit dhe i mendimit, artistin, njeriun e ditur dhe me shpirt të madh, Luan Kolën, intelektualin e pa të dytë, qytetarin shembullor të Burrelit, Zana Kolën, këngëtaren e veçantë, pasardhës të mësuese Rruzhdies dhe burrit të mendjes dhe besës, Baftjar Kolën, pikërisht prej kësaj rrethane, kam krijuar mendim pozitiv për fisin Kola, pa harruar Vjollca Kolën dhe Myftar Cubin, dy miq të mirë të mitë.

Distanca e komunikimit, kurrsesi nuk më ka penguar që të shoh të Haxhi Kola, vlera të fisit dhe të tij, pra vlera personale, të njeriut që meriton nderim, sepse ia ka bërë vendin vetes, në mendjen time.

Emrin e mirë, vlerat njerëzore dhe profesionale të Haxhi Kolës, më shumë spikaten në faktin e qenies së tij mësues, i cili ka punuar në zonat më të thella të krahinës së Matit, si në Shëlli, Gurë të Bardhë, Xibër, dhe vitet më të gjata, ka punuar si mësues në Batër të Vogël, ku gjithnjë është dalluar si mësues model i matematikës, duke punuar me pasion dhe përgjegjësi, madje duke realizuar mësim aktiv, që nxënësit të ishin objekt dhe subjekt i orës së mësimit. Po t’i pyesësh prindërit dhe nxënësit e tij flasin me nderim për punën e këtij mësuesi, ku çelësi i punës së tij ishte komunikimi i hapur dhe i vazhdueshëm me prindërit, duke mundësuar funksionimin e lidhjes së shkollës – familjes – nxënësit.

Në vitet e fundit njeriu me vlera si mësues dhe qytetar model, u dallua edhe si pajtues gjaqesh në rrethin e Matit në bashkëpunim me Bajram Canametin trokitën disa herë te familjet Kola, Canameti dhe Dedia dhe pas një pune intensive arritën që këto të lëvizin lirshëm në qytetin e Burrelit, për të shmangur përplasjet me jo pak viktima, në mes banorëve të qytetit, në vitin e mbrapshtë 1997.

Ishin pak mendime, mbase penelata të shpejta, për skicuar portretin e një njeriu të thjeshtë, që portretin e vet e ka gdhendur si misionar i arsimit, qytetar shembullor dhe ndërmjetës i pajtimit të gjaqeve, një përvojë gjatë që duhet shfletuar nga brezat, pavarësisht se ku jetojnë.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.