MODE NORDIKE
Djemt si vajza – flokët i lanë të gjata,
vajzat si djem – flokët i shkurtojnë.
Pleqt si të rij – ftyrën e rruejnë,
të rijt si pleq – mjekrrat i lëshojnë.
Sfidon natyrën njeriu i lirë,
gërsheton stinët, pozat shumfishon.
Por ç’e do, viti me borë përfundon
si për nordikun bjond
ashtu edhe për berberin e zi.
A thue ndokujt ky vit i mjafton,
apo të gjithë jemi viktimat e tij?!
Mirditë – Rrëshen, 1972
P.S. Ymer Adem Llugaliu nuk shkroi në gjuhën letrare, ndonëse e njihte mirë, por zgjodhi të krijojë vetëm në gegënishten e pastër, si akt proteste dhe rezistence ndaj një regjimi që i mohoi të drejtën për të jetuar i lirë. Poezia e tij është sarkastike dhe filozofike, duke i vënë përballë iluzionet e modës me realitetin e pamëshirshëm të kohës.
Ai është një nga zërat e rrallë të letërsisë së burgut dhe të disidencës shqiptare. Kujtohet edhe për guximin e tij më 1983, kur ishte në mesin e vetëm pesë a gjashtë vetave që morën pjesë në varrimin e shkrimtares dhe disidentes së parë shqiptare, Musine Kokolarit, e cila kishte ndarë fatin e tij të hidhur.
Përgatiti për botim Arif Ejupi


