ARISTOTEL MICI
Novelë (1)
Vjeshta e tretë e vitit 1912 ishte në mbarim. Ditët qenë shkurtuar fare dhe dukej sikur mblidheshin dhe tkurreshin gjithnjë nga retë e dendura dhe mjegulla. Frynte erë jugu dhe binin shira. Udhët qenë tërë baltë dhe fushat ngjanin si gjysmë të përmbytura.
Në një mëngjes të këtyre ditëve te vrenjtura në garnizonin e kazasë së Beratit kishte lëvizje. Zabitët i ngritën asqerët herët dhe pa bërë as talimin e sabahut (2), i vunë ata për të ngrënë bukë shpejtë dhe pastaj i mblodhën të rreshtuar tek sheshi midis kazermave. Me zabitët përpara asqerët prisnin në heshtje. Dhe ja pa pritur, atë mëngjes të vrenjtur, u shfaq në tribunën e ultë prej guri bimbashi i vrazhdët, i quajtur Hasan Tursun Oglli, i cili filloi të fliste me një zë të rreptë. Asnjë ushtar nuk po e kuptonte turqishten e tij, përveç ndonjë një zabiti që kishte mësuar në ndonjë ruzhdije të kohës…
Terxhuman ishte heqimi i garnizonit, Tahir Efendiu. Ai ngjante më i moshuar nga bimbashi, po dukej i ndrojtur dhe i përulur para tij. Tahir Efendiu përkthente qartë dhe saktësisht.
Midis ushtarëve që e dëgjonin ishte edhe Bushi Furka nga Fushëmarinasi i Myzeqesë, i cili qe në rresht si gjithë të tjerët. Tërë ushtarët e taborit e dinin se Bushi ishte djalë i vetëm. Këtë e kuptoje edhe nga veshi shpuar, ku pati pas varur vath, që zakonisht iu vihej djemve si shpresë për të qenë me jetë, për të rrojtur gjatë. Kjo anë e tij si djalë i vetëm kuptohej edhe nga emri: Bushi. Pra, njerëzit e shtëpisë i kishin vënë atë emër që të ishte i fortë e jetonte shumë si druri i bushit. Kur erdhi koha për të ngritur nizam, morën edhe Bushi Furkën. I ati tij, Rrapi Furka, u qe lutur njerëzve të kryepleqësisë si edhe komisionit të okllamasë, po më kot. Bushi duhej të shkonte nizam. I ati kishte dashur që të shiste qetë e parmendës e të paguante një njeri që të vinte bedel për të, po askush nuk kishte dale bedel në vend të tij për ta zëvendësuar. Sidoqoftë, njerëzit e shtëpisë, e sidomos e ëma, u gëzuan kur morën vesh se Bushin nuk e kishin shpurë larg, andej tutje nga Anadolli, nga Jemeni a po nga vendet e Arabistanit. Ai do të shërbente si nizam në ushtrinë e vilajetit, në një tabor, që qëndronte brenda kazasë.
Terxhumani (3) vazhdonte të përkthente fjalën e bimbashit: “Për asqerët e këtij tabori është nder i madh detyra, që po u ngarkohet. Ju do të ruani rrugën që shkon nga Shkumbini deri ne Vjosë. Këto ditë pritet që të kaloje andej një njeri që ka dalë nga dora e dovletit. Ai është treguar dinsëz e harramsëz para sulltanit dhe sadrazemit. Dovleti e nderon me tituj dhe ofiqe, kurse ai në vend që t’ia dijë për nder, i kthen shpinën, dhe lidhet me mbretëritë e kaurëve. Ky njeri dinsëz, që po na sillet si rebel ndaj perandorisë, është Ismail Qemali, i cili i ka sjellë dëme dovletit dhe po përpiqet të bëjë ngatërresa të tjera për mbretërinë. Qëllimi i këtij rebeli është që të arrijë të shkëpusë nga trupi mbretërisë sonë gjithë nahijet e Arnautistanit. Po a mund të qëndrojë Arnautistani i vetëm? Jo, s’ mundet.
Këtë e di edhe ai vetë, Ismail Qemali, me gjithë rebelët e tjerë. Jo më kot ka vajtur ai në mbretëritë e të krishterëve të Evropit. Ai do që ta lidhë Arnautistanin me Kaurët. Do që të krijojë një mbretëri të vogël alla kaure nën hijen e mbretërve kaurë. Ky i mallkuar i Allahut ka shkelur besën ndaj sulltanit dhe i ka dhënë shpirtin xhehenemit. Qëllimi i tij është që të
dobësojë dovletin edhe të bëjë sa më shumë njerëz dinsëzë si vetja. Prandaj, me urdhër
nga lart, nga vilajeti, ai duhet kapur i gjallë o vdekur. Ja kjo detyrë i ngarkohet sot taborit
tonë.”
Ashtu vazhdonte të fliste bimbashi (4), duke parë me kujdes fytyrat e nizamëve dhe të
zabitëve para tij. Bushi Furka e dëgjonte si i shtangur dhe mishi i trupit i bëhej gjemba-gjemba. Ai sikur nuk po u besonte fjalëve, që përkthente terxhumani. “Si është e mundur të jetë ashtu Ismail Qemali?” – mendonte me vete Bushi Furka. Në fillim të asaj vjeshte, para se atë ta merrnin nizam, nëpër dasma e gostirat e fshatit, Ismai Qemali ishte dëgjuar aq shumë nëpër këngë. Për atë këndonin të moshuar edhe të rinj. Dihej nga shumë njerëz se ai kishte vajtur nëpër Europë për të mirën e Shqipërisë. Duke menduar ashtu, ai sikur nuk po ua vinte më veshin fjalëve të terxhumanit. Atij po i zjente brenda vetes kënga që pati mësuar para pak kohe në një nga dasmat e fshatit:
O shokë, më mori malli,
Ku gjendet Smail Qemali;
Në Paris atij krajli,
Po vrapon si sorkadh mali,
T’i dalë zot këtij vatani.
Dhe, tek kalonte me mendje fjalët e asaj kënge, Bushit i kujtoheshin shokët e fshatit si edhe njerëzit e shtëpisë dhe te fisit. Një mall i brendshëm e pushtoi të tërin. Fjalët e bimbashit nuk kishin më kuptim për të.
Po gjithsesi tabori mori urdhrin që të bëhej gati për udhëtim. Marshimi do të ishte i gjatë dhe duheshin përgatitur për çdo gjë. Të gjithë nizamët u vunë në lëvizje. Lidhnin këpucët, shtrëngonin shallvaret halldupe, qepnin xhybetë, rregullonin rripat e dyfekëve edhe i hidhnin pastaj krahaqafë.
Bushi Furka bënte si të gjithë dhe dorën e vinte shpesh tek qesja me para që e kishte varur me gjalmë në qafe e që i lëvizte mbi kraharor. Ato para ia kishte dhënë i ati, me qëllim që po të gjente bedel, të kishte mundësi të paguante edhe t’ i shpëtonte nizamllëkut.
Udha ishte e gjatë, po në marshim e sipër bëheshin ndalesa për pushim, a po edhe
për ta mbajtur taborin të rregullt dhe të mirë komanduar. Sa herë qëndronin për t’u
çlodhur, ose për të ngrënë ushqim, Bushi mendonte se si mund t’u vidhej nga sytë e të
tjerëve dhe të ikte pa u diktuar.
“Sikur të shpëtoj nga arratisja prej taborit; – mendonte ai, – do të vrapoj sa të
mund dhe do të hap lajmin kudo se Ismail Qemalit i kanë zënë pusinë.”
*
Aftër Lushnjës tabori ndali përsëri. Pas pushimit, bimbashi e ndau ushtrinë në dysh: Njërën pjesë e nisi nën komandën e një zabiti ne drejtim të Shkumbinit; pjesa tjetër do të shkonte nga ana e rrjedhës së Semanit. Merrej me mend se nizamët e këtij tabori ishin në përforcim dhe mbështetje për te gjithë koshadhet e nahijeve midis lumenjve nga Shkumbini deri ne Vjosë.
Qeveritarët e asaj kohe mendonin se mos vullnetarët që kishin dalë në përkrahje të Ismail Qemalit do të ishin të shumtë. Ata kishin ndrojtje se mos nuk e përballonin gjendjen vetëm me koshadhet e forcave krahinore, pa ndihmën e taborëve të ushtrisë së gazermave.
Ajo pjesë e ushtarëve të taborit, që mori drejtim për nga ana e lumit të Semanit, pasi
kishte bërë disa orë të lodhshme udhëtimi, kur mbërriti afër kodrave të ulta midis Petovës
dhe Mbrostarit, mori urdhër të qëndronte e të pushonte për tërë atë natë. Midis këtyre
nizamëve ishte edhe Bushi Furka.
Diku më tutje ndodhej lumi, ku ishin ngritur dy lundra gjemi, ajo e Mbrostarit e njohur nga të gjithë dhe ajo e Petovës, ndanë një trage prapa pyllit të madh, gjysmë e fshehur. “Çfarë të bëj tani? – pyeste veten Bushi: Të rri këtu dhe të bëj dyfek me Ismail Qemalin? A po të arratisem? Po sikur të më diktojnë? … Po më mirë të më diktojnë dhe të më vrasin sesa të shtije kundër Ismail Qemalit dhe shokëve të tij.”
Kur erdhi nata, asqerët nisën të kërkonin bregoret edhe ledhet e terura të lumit.
Ata vinin përqark drurëve, për t’u mbrojtur pak a shumë nga era, ose silleshin për rreth rrënjëve të trungjeve, ku qenë grumbulluar gjethe, që t’i përdornin si dyshek. Përpiqeshin
që të mbroheshin sado pak nga lagështira. Ashtu, në vendet, që zgjodhën vetë, asqerët u
shtrinë të mbuluar me xhybetë e tyre.
Edhe Bushi Furka u shtri, po atë nuk e zinte gjumi. Më tepër se lodhja e marshimit, po e mundonte qëndrimi midis nizamëve dhe zabitëve. Shiu, që kishte rënë gjatë ditës, pushoi dhe retë e dendura po zgaliteshin ca. Sikur po rrezonte pak hëna. Në mugëtirën e asaj nate Bushi po vriste mendjen se si të gjente mënyrën më të mirë për të marrë arratinë. Dhe ja tek i shkrepi në mendje shërbimi i rojes. Në mesnatë atij do t’i takonte të ishte roje. Bushi i njihte mirë këto anë të lumit, se ai për fat ishte nga kjo krahinë. Fshati i tij i lindjes, Fushëmarinasi, nuk ishte shumë orë larg nga ato brigje të Semanit. Kur pat qënë çunak, katërmbëdhjetë vjeç e ca, ai pati vajtur nga këto brigje për të gjuajtur mëllenja dhe lepuj të egër. E dinte se nga bënte lumi va dhe ku ishte vendi më i cekët.
Në mesnatë, kur mori shërbimin e rojes, pyeste veten në se do të ishte mirë, po ta
kalonte lumin, a po jo. Dhe, tek po shikonte errësirën e pyllit, i ra në kokë mendimi që të
çante përmes tij. “Qëllimi im, mendonte, nuk është që të shpëtoj kokën, po të lajmëroj
për rrezikun, se Ismail Qemalit i kanë zënë pusinë.” Ashtu, atëherë, në mesnatën pus të
errët, kur gjithë nizamët dhe zabitët kishin rënë në gjumë të thellë, të lodhur nga udha
përmes shiut me llohë, Bushi Furka në majë të këmbëve largohet pa u ndjerë. Eci dhe eci
për një kohë të gjatë pa kthyer kokën pas, deri sa ai u bind se i kishte humbur gjurmët dhe
asqerët e taborit i kishte shumë larg. Në rrugë e sipër hasi në zgërbonjën e një plepi të
vjetër. U fut brenda saj, dhe u ul të çlodhej e të mblidhte veten. Nga larg vinte uturima e
detit. Frynte jugë gjithnjë dhe deti kishte dallgë e lëshonte një burë të madhe uturitëse sa
të përgjumte. Lumi qe mbushur degë më degë me ujëra të përzjera e të turbullta. Dukej
sikur lumi nuk merrte tutje; sikur i pëlqente më mirë të teptiste nga anët e tij e jo të
merrte udhën andej nga gryka e tij në det. Bura e detit ngrinte gjithnjë dallgë dhe nuk e
linte gjithnjë lumin të derdhte gjithë prurjet e veta.
Atje, brenda në guvën e zgërbonjës, tek po shlodhej, ai mendohej, pyeste veten se
ku mund të ndodhej Ismail Qemali? Sa shpejtë paskej ardhur nga Evropa! Kurse kënga
në një dasmë thoshte se ishte aq larg…tutje nga Parisi. Bushi nuk dinte asgjë për vajtjet
dhe takimet e bisedimet e Ismail Qemalit nëpër qytete të mëdha si në Vienë, Budapest, në Bukuresht, në Trieste. Dhe ja tani, ai prapë, nuk ka një ide të qartë për udhëtimin që
karvani i Ismail Qemalit ka marrë drejt Vlorës. Ai nuk kishte dëgjuar nga askush se
Ismail Qemali kishte ca ditë që ndodhej në Durrës. Dhe ja tani nga fundi i vjeshtës së
tretë ai po shtegëtoka nëpër Shqipëri, siç kishte thënë bimbashi, “që të prish dovletin” dhe
prandaj tabori i kazasë së Beratit, ka dalë rrugëve për t’i zënë pritë. Dhe ashtu, tek po
fekste moti, Bushi Furkën e kaploi një hije gjumi, duke mbajtur pushkën në duar.
*
Pas bisedimeve që pati bërë me personalitete në Vjenë, Budapest e në Bukuresht,
Ismail Qemali qe bindur edhe më shumë se pa humbur kohë duhej shpallur pavarësia e
kombit shqiptar. Çdo ditë vonesë, mendonte ai, e rrezikonte fatin e kombit. Me këtë ide
në mendje, ai tok me shokët e shpurës së tij, Luigj Gurakuqi, Dhimitër Berati, Dhimitër
Mborja, Dhimitër Zografi, Spiridon Ilo e të tjerë, së bashku, u nisen nga Bukureshti për të
mbërritur në Trieste dhe prej aty të zbrisnin në Durrës, më 21 nëntor të vitit 1912, ku u
pritën me nderime nga Imzot Nikollë Kaçorri, Abas Dilaver Çelkupa dhe patriotë të tjerë
durrsakë. Qysh në fillim, pasi zbritën nga anija, tok me personat, që i pritën, shkuan e u
vendosën në hotelin luksoz, buzëdetit, të Azis Pashë Vrionit. Siç tregojnë kronikat dhe siç
deklarojnë në kujtimet e tyre bashkudhëtarët e prinjësit të flamurit, Ismail Beu kërkoi që
qysh të nesërmen të bëhej me një herë një mbledhje urgjente e patriotëve të shquar, ku të
shpallej me vendosmëri mëvetësia e Shqipërisë dhe të ngrihej Flamuri Kombëtar.
Për të arritur sa më shpejtë këtë qëllim dhe këtë dëshirë, Ismail Qemali fillimisht e
pa të arsyeshme të shkëmbente mendime me parinë e Durrësit në një bisedë, ku të ishin të
pranishëm myslimanë e të krishterë, bejlerë e tregtarë të shquar. Në atë takim, që u bë
shpejt, më datën 22 nëntor, pa u zgjatur, Ismail Bej Qemali ua shpjegoi njerëzve të
mbledhur aty se në ç’ rrezik gjendej Shqipëria pas thyerjes së ushtrive turke nga sulmet e
shteteve të Ballkanit:
-…“Unë them se i vetmi veprim për të mënjanuar rreziqet, që kërcënojnë kombin tonë në këtë gjendje politike, do të ishte të ngrinim flamurin kombëtar dhe të shpallim mëvetësinë e Shqipërisë, një Shqipëri të mosvarme. Ashtu t’i themi botës se jemi një komb më vete, dhe tani që fati na ndau nga Turqia, duam të qeverisim vetveten dhe të rrojmë në paqe e urtësi me të gjithë fqinjët. Po për këtë dëshirë dhe qëllim të shenjtë kemi edhe mbështetjen e Evropës, dhe në mënyrë të veçantë do t’u kujtoja mbretërinë e Austrisë.
Nxitje dhe kurajo të madhe më dha për këtë udhë Shkëlqesia e tij Konti Berthold,
Ministri i jashtëm i Austrisë. “Shko në Shqipëri, më tha i përndrituri Kont, – shpall pavarësinë dhe ngri flamurin…”. Mirë që flamurin po e ngremë, ia ktheva atëherë, po më mungon shtiza për ta lartësuar, se flamurin pa shtizë e merr era që fryn. Atëherë, pa u vonuar, ai, Konti Berthold, ma ktheu: ju siguroj se për shtizë të këtij flamuri do të keni bajonetën austriake”.
Mirëpo sa mbaroi fjalën e tij Ismail Qemali në atë mbledhje, na ngrihet dhespoti grek i
Durrësit, Imzot Jakovi, i – cili u dëgjua të thoshte: “Mendimet dhe qëllimet e Ismail Bej
Qemalit janë çështje që mund të bisedohen, por jo tani. Këto punë i ka në dorë Evropa
dhe ajo do t’i rregullojë për së miri, kur të vijë koha. Kurse për ngritjen e Flamurit
kombëtar të Shqipërisë, që e përmendi Ismail Beu, – vazhdonte të fliste dhespoti Jakov, –
unë mendoj se ne si shtetas besnikë të Sulltanit, vetëm një flamur njohim, atë të Turqisë
dhe atë e kemi mbi krye e sipër.”
Pasi tha ato fjalë, dhespoti Jakov fërkoi pak mjekrën, picërroi ca sytë dhe iu drejtua Myftiut të Durrësit duke i thënë: “Po ti Myfti Efendi, si njeri i urtë dhe besnik i mbretërisë që je, ç’thua?”
Biseda nuk po ecte për mbarë. Myftiu i Durrësit, që njihej si fanatik, dhe që nuk shquhej për zgjuarsi dhe as për kulturë, nuk e kuptoi aspak djallëzinë e dhespotit. Pa e vrarë mendjen për të treguar ndonjë gjë me vlerë, ai mbështeti fjalët e dhespot Jakovit:
– “Vallahi, Dhespot Efendi, ti e ke thanë fjalën drejt; na vetëm bajrakut të padishahut i bajmë temena.”
Kurse mytesarifi (5) i Durrësit, që nuk mund t’i thoshje se qe i paditur, por si tip i pavendosur, nuk dukej as mish as peshk, një person i pasigurt, i cili nuk dinte nga të
mbante dhe bënte gjoja figurën e njeriut të paanshëm. Po më në fund, kur pa se rreth e
qark kishte njerëz të ditur, e gjeti të udhës t’i deklarohej Ismail Qemalit frëngjisht:
“Comme Albanais, je suis avec vous, mais comme fonctionniare, je dois etre contre
vous” (6)
Pas tyre e mori fjalën Imzot Nikollë Kacorri, i cili në kundërshtim me ta, tha:
“Unë për vedi them se duhen me u marrë në konsideratë fjalët e Ismail Beut. Që të
shpëtojmë Shqypninë, duhet të ngremë Flamurin tonë Kombëtar dhe të shpallim
Shqypninë e mosvarme. Dhe po e përsëris edhe nji heri idenë e Ismail Beut për ngritjen e
Flamurit Kombëtar, të cillën po e quej vendimtare për fatin e kombit. Ky akt solemn
duhet me u krye një orë e ma parë. Me anë të këtij akti do te dallohen se cillët janë
atdhetarët e vërtetë, dhe, cilët do të jenë sahanlëpirësit e Turqisë ”. (7)
Po gjithsesi, nga mënyra se si po shkëmbeheshin fjalët, Ismail Qemali e kuptoi se një
pjesë e parisë së Durrësit nuk po e përkrahte për qëllimin e tij të shenjtë. Kështu që
mendimi për ngritjen e flamurit në Durrës, për të fituar kohë, nuk doli për mbarë. Merrej
me mend se puna antishqiptare e dhespot Jakovit si edhe e myftiut të Durrësit e kishin
bërë efektin e saj të keq tek shumë njerëz të pa informuar për rreziqet që po i kanoseshin
kombit shqiptar.
Po megjithëse nuk ia arriti qëllimit që ta ngrinte flamurin në Durrës, Ismail Qemali nuk e dha veten, nuk u përkul. Mendja filloi t’i rrihte për nga Vlora, tek vendlindja e tij. Paria e atij qyteti ia kishte bërë ftesën me telegram që kur ishte në Trieste. Vlonjatët me krenari dhe vendosmëri e prisnin që t’u vinte atje, në shtëpinë e tij dhe ashtu të ngrinin së bashku flamurin.
*
Në mbrëmje, pas mbledhjes me parinë e Durrësit, kur Ismail Qemali vajti në restorant për t’u darkuar, njerëzit e shpurës së tij i thanë se kuajt e karvanit qenë gati për udhëtimin drejt Vlorës. Nga këto fjalë Ismail Beu u bë prap plot besim në vetvete se e merrte me mend përpjekjen e patriotëve të qytetit të tij të lindjes, Vlorës së dëshiruar.
Telegrami i tyre e kishte vënë në dijeni. Atë telegram e ruante si një thesar. Sa herë fuste
dorën në xhepin e brendshëm, prekte letrën e atij telegrami, që i kujtonte zotimin e
bashkëqytetarëve vlonjatë. Ashtu, udhëtimi i karvanit të shpurës së flamurit të pavarësisë
do të niste rrugën të nesërmen, në mëngjesin e ditës së shtunë, më 23 nëntor, 1912. Tok
me katërmbëdhjetë bashkudhëtarët, që e kishin shoqëruar Ismai Qemalin në rrugën e
largët, qysh nga Bukureshti, do t’i bashkoheshin atij drejtë Vlorës edhe delegatët e Durrësit, Krujës, Tiranës të përfaqësuar nga Hirësia e tij Imzot Nikollë Kaçorri, Musta
Ali Ibrahimi, Abdi e Murat Toptanin, Mustafa Krujën, Abaz Çelkupën e të tjerë. Në rrugë e
sipër Karvanit të Pavarësisë do t’i shtoheshin edhe delegatët e Kavajës, si dhe të
qyteteve të tjera. Dhe, ndërsa Ismail Qemali me gjithë zotërinjtë e mbledhur rreth tij,
qenë duke pirë kafenë e atij mëngjesi në sallon, ku po bisedonin rreth udhës, që do të
ndiqnin, hyn portieri i hotelit, i cili iu drejtua të pranishmëve, duke thënë:
– Nja katër pesë burra kanë ardhur nga kazatë e Toskënisë dhe duan të takohen me
zotërinë tënde, Ismail Bej.
– Të urdhërojnë e të vijnë këtu pa tjetër, – i tha ai.
Me t’u hapur dera e hotelit, u dukën të hynin brenda në sallon pesë burra të veshur trashë, katër nga ata qenë me guna çile dhe mbanin në kokë qylafë të bardhë me majë për sipër, kurse ai që i printe, qe i veshur me qyrk dhe mbante në kokë qylaf të errët.
Pikërisht ai do t’i drejtohej prinjësit të Flamurit, duke i dhënë dorën e i tha:
– Jam Qemal Karaosmani dhe po vij nga jugu bashkë me këta trimat; kemi ardhur me dëshirën e parisë së Vlorës dhe të Beratit, dhe, veçanërisht me porosi të mytesarifit të
Vlorës, Xhemil Beut, për të takuar Zotërinë tënde, me qëllim që t’u ndihmojmë me sa të
mundemi në këtë udhëtim të shenjtë.
– Mirë se na urdhëruat, o burra fisnikë, – u dëgjua me një ngazëllim të dukshëm Ismail Qemali, tek i shtrëngonte duart dhe mori të çohej, për t’i hedhur dorën në qafë. Dhe, kur ai u ngrit, duke u mbajtur me një dorë në tavolinë, gjithë të tjerët u çuan, si për t’u lënë vend miqve të sapo ardhur.
– Na keni gjetur në kohën më të mirë, po urdhëroni, uluni, merrni dhe ju një kafe dhe t’u dëgjojmë për lajmet, që po na sillni nga patriotët e atyre anëve. Sa kohë që po rregullonin karriket për t’u ulur, miku, që mbante qylaf të errët, Qemal Karaosmani, ngriti zërin dhe tha:
– Nga nahijet tona ka marrë dhenë fjala se i ndrituri Ismail Beu është nisur për në
Vlorë dhe pritet të mbërrijë në qytet nga koha në kohë. Për këtë arsye paria e Beratit, duke
u marrë vesh edhe me zotërinjtë e lartë të Vlorës, dhe më ngarkuan mua të nisesha sa më
shpejt drejtë jush, që t’ju takoja për të dhënë ndihmën tonë të mundshme. Atëherë, unë
pa humbur kohë, u bashkova me këta katër miqtë trima, dhe, pasi siguruam dhe ca kuaj
me shalë me vete, u nisëm drejtë Durrësit, që të ju takonim këtu në hotelin e Aziz Beut, ose kudo të ishit. Bëmë dy ditë udhë derisa arritëm mbrëmë dhe u vendosëm në hanin e
Vesel Vargut, që na priti aq mirë, me ngrohje dhe me të ngrënë e me të pirë.
Kur të gjithë burrat zunë vend, dikush porositi kafenë për miqtë e sapoardhur. Atëherë
Ismail Qemali mori përsëri fjalën dhe nisi të fliste:
– O zotërinj! Ndjehemi shumë të nderuar nga ardhja juaj këtu, për të na takuar dhe për të na ndihmuar. Të qenurit tuaj midis nesh na rrit besimin për arritjen e qëllimit tonë të shenjtë. Tok me ju do ta kemi më të lehtë rrugën.
-Po nuk jemi vetëm ne, i dashur Ismail Bej, – u dëgjua njeri nga ata me qylaf të bardhë.
Andej nga ne, – vazhdoi ai, – të gjithë sa kanë dëgjuar se po vinte Zotëria jote për të
ngritur flamurin, me një herë lidhën fjalën, se do të dalin që t’ju ju presin me krahë hapur.
– Po këndojnë për ju, Ismail Bej, – tha një tjetër, – dhe po kërrejnë këngë të reja.
Ndër kaq kamarjeri solli tabakanë me filxhanët e kafesë. Dhe, duke pirë kafetë, Ismail
Qemali mori fjalën prap duke u thënë miqve nga zonat e jugut:
– Dhe tani, i nderuar Qemal Bej Karaosmani dhe ju të dashur zotërinj, me lejoni, që t’ju
njoh, me shokët e mi të udhës time të gjatë. Ky që shihni këtu pranë meje është zotëria e
tij Liugj Gurakuqi, ish drejtor i parë i shkollës Normale të Elbasanit. Në anën tjetër kam
Hirësinë e tij, Dom Nikoll Kaçorrin, dhe të tjerët janë përfaqësues të Durrësit, të Krujës,
Tiranës dhe të Shijakut, dhe tok me ta, ndodhen edhe përfaqësuesit e Kolonisë Shqiptare
të Bukureshtit. Sot, ne së bashku vendosëm që të nisemi për në Vlorë. Me që rruga
është e gjatë, në udhë sipër, do të ndalemi edhe për të pushuar. Ndalesën e parë mendoj se do ta kemi në Çermë, ku po na pret me dëshirë Dervish bej Biçaku. Dhe kështu, me
bekimin e Zotit, qysh tani le ta marrim këtë udhë për të mbërritur në Vlorë një ditë e më
parë.
Qysh atë çast karvani u bë gati për udhë dhe gjithë delegatët e mbledhur në Durrës u
hipën kuajve dhe morën rrugën e gjatë drejt jugut për në Vlorë. Kalorësit ecnin qetë-qetë,
duke ndjekur vargan njeri tjetrin. Si pa u ndjerë, pas dy orë e ca udhëtimi, kishin lënë pas
Gjirin e Durrësit, Golemin, Qerretin. Dhe, kur po i afroheshin Kavajës, ndaluan pak sa
për t’u çlodhur. Lanë kuajt në një han dhe shkuan te një gjellëtore që të ndiznin ndonjë
cigare dhe të thyenin urinë a po të pinin ndonjë kafe. Pastaj, mbasi kishin ngrënë e pirë, u
hipën kuajve dhe karvani i delegatëve mori rrugën nga Kavaja drejtë Gosës dhe
Rrogozhinës. Kishin kaluar disa orë udhë dhe qe thyer dita; retë nga perëndimi po
dendësoheshin dhe po bëhej dalë nga dalë si mugëtirë dhe ashtu, buzë-mbrëmjes patën
mbrrijtur tek bregu i Shkumbinit, tek vau i trrëshëm (8), atje, ku thuhej se lumi kalohej pa
rreziqe edhe pa vështirësi. Hapat e kuajve qenë ngadalësuar dhe kalorësit e karvanit qenë
më pranë njeri tjetrit. Dhe ashtu, në kalërim e sipër, dy delegatë nga Kolonia Shqiptare e
Bukureshtit, Dhimitër Berati dhe Dhimitër Zografi u gjenden fare afër njeri tjetrit.
– Si ndjehe, Zoti Dhimitër? – E pyeti Dhimitër Zografi, – po mbushen rreth tri javë nga
dita që u nisëm prej Bukureshtit.
– Me thënë të drejtën, për vete, jam pak i lodhur, me gjithë atë nuk ndjehem keq, e
përballoj rrugën si do që të jetë, po mendja më shkon gjithnjë tek Ismail Qemal
Beu. Sa do që e mban veten, prap është moshë e thyer.
– Ashtu është, – ia pranoi fjalët tjetri, ai ka djalin sa ne, i biri, Et’hem Beu është
versa jonë.
– Ismail Beu është zemra dhe truri i gjithë këtij karvani.
– Prandaj që të tërë ta kemi mendjen tek ai për gjatë këtij udhëtimi me shira të
rënduar dhe me rrugë gjithë pllashtira e baltovina.
– Do të ishte mirë të kishim porositur ndonjë karrocë të mbuluar, a ndonjë pajton, –
shtoi në fund Dhimitër Zografi.
– Po ç’ thua, Zoti Zografi? Kujton se je ndë rrugë të Korçës, a po të Bukureshtit!
Ndë këto udhë të Myzeqesë zor, që të udhëtosh edhe me qerre me rrota të mëdha
të tërhequr me buaj të fuqishëm.
– Atëherë, po u krijua ndonjë gjendje vështirësije, do t’u drejtohemi banoreve
vendas rreth e përqark.
– Pa tjetër, – tha Dhimitër Berati, – nuk e dëgjove se ç’thanë ata zotërinjtë, që erdhën tek ne tok me Qemal Karaosmanin, që gjithë fshatrat e Myzeqesë nga Shkumbini e deri në Vlorë do të jenë në këmbë në mbrojtje të Karvanit të Pavarësisë.
Dielli, i veshur nga retë ngjyrë gri, ish në perëndim e sipër. Horizonti po errej gjithandej.
Përmes mugëtirës, delegatët e Karvanit të Pavarësisë, kaluan lumin e Shkumbinit që nga
u doli para syve fushëtira e Divjakës, prej ku dukeshin qartë sarajet e Dervish bej Biçakut, ku Ismail Bej Qemali ishte i ftuar të kalonte natën tok me shpurën e tij. Dhe ashtu, duke shpejtuar udhën, karvanin e pavarësisë e zuri mbrëmja e asaj dite, të datës 23 Nëntor, në anën e majtë të lumit Shkumbin, pra, atje në Çermë, para konakëve të Dervish Bej Biçakut, ku delegati i Peqinit po priste tok me shumë zotërinj të tjerë nga zona përqark. Atë natë në shtëpinë e Dervish Bej Biçakut përveç delegatëve të Durrësit, të Krujës, e të Tiranës erdhën edhe Nebi Sefja i Lushnjës, Bexhet Bej Hydi, si edhe kryeplaku i Ardenicës dhe Kolonjës, mësuesit e Libofshës dhe të Ardenicës Spiro Saqellari dhe Jovan Ndreko, po ashtu edhe myzeqarë të tjerë, vullnetarë me armë në dorë në ruajtje të udhëtimit të Ismail Qemalit dhe të shpurës së tij drejt Vlorës (9).
Atë kohë, kur shpura e flamurit të pavarësisë ishte duke mbërritur konakët e Dervish
Biçakut, njerëzit e asaj shtëpie të gjithë së bashku, shërbëtorët, stallierët, barinjtë, po
edhe të ftuarit vendas po bënin kujdes për të ndezur zjarrin në vatrat e oxhaqeve, po
rregullonin mangallët me qëllim që të kishte sa më shumë ngrohtësi për delegatet e
kuvendit të madh. Ishin bërë gati për ndriçim edhe llambadhe, qirinj e kandila për të
ndriçuar dhomat dhe korridoret e konakëve. Dhe ja, kur po vazhdonin punët e mikpritjes,
karvani i pavarësisë me Ismail Bej Qemalin në mes, nisi të futej brenda në oborrin e
sarajeve. Gjithandej përqark shtëpisë ndihej atmosfera e përgatitjes për të nderuar miq e
rrallë. Aroma e çajit të malit përzjerë me afshin e kafesë të sapo bluar si dhe me erën e
mishit të pjekur dhe të jahnisë, tregonin për vëmendjen, që rrugëtarëve të Karvanit të
Pavarësisë t’u shërbehej sa më mirë, me qëllim që të çlodheshin dhe të kishin fuqi për
rrugën e vështirë që i priste.
Kalorësit e karvanit, sapo hynë brenda oborrit, zbritën njeri pas tjetrit, duke ua dorëzuar
kuajt stallierëve, të cilët, pasi u hiqnin kuajve frerët nga goja, i lidhnin me kapistra dhe i
rregullonin në stalla.
Ndër kaq tërë udhëtarët e karvanit hoqën xhokat, gunat, a po qyrqet e rënda e të lagura
dhe po i vendosnin në varëse ose parmaqe. Kur gjithë delegatët ishin ulur dhe po
shkëmbenin mendime për udhëtimin drejt Vlorës, Ismail Qemali hodhi shikimin rreth e
rrotull, dhe mbasi i pa të tërë, ngriti zërin dhe tha: “me sa shikoj, më duket se deri këtu e
kemi përballuar rrugën mirë që të tërë. Dhe tani duhet të falnderojmë zotërit e shtëpisë
për gjithë kushtet dhe mundësitë, që na kanë krijuar, që të pushojmë, të rehatohemi dhe ta marrim veten për nesër. Me këtë rast, një gjë do të doja ta kemi para sysh se duhet
të mbërrijmë në Vlorë sa më shpejtë, me qëllim që të fitojmë kohë, për ta mbledhur
Kuvendin më 28 Nëntor dhe, po atë ditë, të shpallim pavarësinë dhe të ngremë Flamurin
Kombëtar, e përsërisë ta ngremë Flamurin në atë ditë, më 28 Nentor, sepse edhe
Skënderbeu po në atë ditë, më 28 Nëntor të vitit 1443 e ngriti këtë Flamur në Krujë.”
Po pikërisht, kur prinjësi i Kuvendit po thoshte ato fjalë, tek porta e oborrit u duk një
kalorës lajmëtar, një mesoburrë, i cili kërceu nga kali e u dha këmbëve në drejtim të
sarajeve. Ky njeri mbante në dorë një letër dhe deshte të takohej pa tjetër me Ismail
Qemalin, që t’ia jepte vetë në dorë zarfin dhe t’i thoshte atij gojarisht:
“Vij me porosi nga zotëria e tij Emin Bej Vokopola, vij i urdhuar edhe nga kumandari i
xhandarmarisë së Lushnjes, kapiten Ibrahim efendi Borshi, që t’ju gjeja kudo që të
ndodheshit, dhe që t’i dorëzoj Zotërisë tënd këtë kartë”. Dhe atëherë Ismail beu e mori
atë letër, ku shkruhej: “Ju bëjmë ne dije se nga posta e Lushnjes njoftohemi fshehurazi
lidhur me një telegram, që sapo kishte mbrrijtur nga vilajeti i Janinës në sanxhakun e
Beratit, të cilin Mytesarifi e kishte shpërndarë si lajm në formë urdhëri me post-telegraf
ndër të gjithë kajmekamët (10): Në atë letër shkruhej:
“Ismail Qemali me shokë gjallë a vdekur të shtihet në dorë”
– Hapni sytë se u kanë zënë pusinë gjatë rrugës, Ismail Bej, – këto fjalë m’i tha me
gojë vetë komandari, si amanet.
Aq foli lajmëtari, që sapo kish mbrritur me kalë, i cili, me të dorëzuar letrën, u largua pa u zgjatur drejt qytetit të tij.
Atëherë Ismail Qemali, pasi lexoi me zë të larte lajmin e keq, u tha gjithë të pranishmëve:
– Si do të bëjmë vëllezër ?!… Në qoftë se ia mbërrijmë Vlorës, dëshira jonë plotësohet, do
ta shpallim Shqipërinë më vete, të mosvarur. Në qoftë se do të vritemi, atëherë bëhemi
dëshmitarë dhe therorë të Atdheut të dashur.”
Atë çast brenda odës së madhe të shtëpisë së Biçakajve në Çermë, pas atyre fjalëve të prijësit, u bë një heshtje, që nuk zgjati. Atë moment një nga vullnetarët e armatosur për ruajtjen e Ismail Qemalit, çohet në këmbë dhe fletë: Shumë të nderuar zotërinj! Jam këtu si i dërguar nga pleqësia e Divjakës dhe Gradishtës. Dhe dua t’u siguroj se s’ ka njeri që të pengojë dhe ta trembë Ismail bej Qemalin me shokët e tij në këtë udhë, që kanë nisur. Tërë burrat e katundeve tona kanë lidhur besën se sonte dhe nesër, dhe, sa do ta dojë puna, do të jenë me dyfek në dorë për të mbrojtur Ismail Qemalin dhe zotërinjtë, që udhëtojnë me të. Do të vëzhgojmë çdo rrugë e çdo shteg. Kaq kisha.
Prandaj zotërinjtë delegatë të flenë të qetë dhe të marrin fuqi për udhën që do të kenë
përpara.”
Pas atij, u çua edhe një tjetër myzeqar, i cili foli, po ashtu me guxim: “Edhe unë jam këtu
në emër të pleqësisë se Ardenicës, të Libofshës dhe Kolkondasit. Edhe në zonën tonë
gjithë burrat e çdo shtëpie janë bërë një. Kemi bërë çetën tonë dhe, ashtu së bashku, i
njohim gjithë rrugicat dhe shtigjet me rreziqe dhe, po ruajmë nga çdo anë, qe nga Ura e
Mbrostarit deri tek Lundra gjemi e Petovës. Kështu që udha jonë është e mbrojtur dhe
askush të mos ndjehet i ndrojtur.”
Duke shkëmbyer mendime në odën e madhe të miqve, burrat e ardhur vullnetarë nga
Myzeqeja caktuan si udhërrëfyes për karvanin Tano Bozarin nga Divjaka, që e njihte
vendin me pëllëmbë. Në bisedë e sipër, tek sillte në mendje udhën, që do të bënin të
nesërmen, ai, Tano Bozari, gjeti rastin dhe u tha delegatëve: “Për të qenë sa më të sigurt,
mendoj që ta ndryshojmë pak drejtimin e rrugës, pra ta lëmë mënjanë udhën e madhe
edhe të marrim tragën e Tërbufit e të Karatoprakut.
Do të bëjmë ecje të vështirë, do të shkelim mbi një rrugë pa rrugë, mes baltës, ku ujët ka
vajtur në shalë të kalit, po nuk është e pamundur, do të gjejmë shtigje dhe do të dalim në
dritë, them kështu se i njoh vendet fare mirë.”
Të nesërmen, më 24 Nëntor, pa lindur mirë dielli, Karvani i Flamurit të Pavarësisë doli
nga Çerma, dhe pa u zgjatur shumë, duke u mbështetur edhe tek udhëzimet e vendasve
myzeqarë mori drejt Gradishtës. Nga shirat e rëndë të vjeshtës toka qe squllur aq shumë saqë dheu kudo qe bërë si baltë kamine. Kënetat qenë mbufatur dhe lumenjtë vinin trarë-
trarë e gërryenin ledhet degë më degë. Deti uturinte dhe vazhdonte të ngrinte burë. Pas
një zagushije të rëndë, retë e veshën qiellin pus. Vetëtimat dhe gjëmimet përsëri po
rrethonin horizontin. Shirat nisën prap shtruar, pa erë, po të dendur. Duke kaluar para
fshatit të Këmishtajt, dheu po bëhej dhe më i rëndë, balta e zezë ishte shumë ngjitëse.
Dukej sikur kuajt nuk ecnin, por po ngjishnin llucë të zezë kamine.
Ishte e diela e parafundit të vjeshtës së tretë të vitit 1912, kur Karvani i Pavarësisë, i shoqëruar edhe nga vullnetarët e armatosur, po u afrohej dherave të Karatoprakut, ku kalimi i udhës me këmbë ose me kuaj bëhej më se i vështirë (11). Duke çarë udhën me pllashtira të Karatoprakut, Karvani kish mbërritur tek rrema (12) e Sulzotajt, që dukej e mbushur krejt me ujë, po që nuk kishte rrymë me rrëmbim. Pikërisht në atë kohë me llohë e me shi, një qerre me rrota të larta po afrohej në drejtim të karvanit.
Koha e dasmave ende nuk kishte mbaruar dhe ata që shikonin atë qerre, mund të kenë
kujtuar se ajo do të qe nisur për të marrë ndonjë nuse të re në atë ditë të përbaltur plot me shi, sipas zakonit të lashtë “të prerjes së ditës”, që do të thoshte se vajza behej nuse
pikërisht në ditën e caktuar nga të dyja palët e krushqisë. Po jo, nuk kishte qënë ashtu.
Qerrja me rrota të larta nuk qe nisur as për nuse e as për pajë. Pendari, që po hiqte qetë
për dore me hosten, e ndali qerren në mes të udhës. Vuri hostenin në vrimën e qajkës dhe
doli para shpurës se kalorësve. Ai ngriti duart lart në formën e gjysmë harkut duke thënë
ca fjalë që nuk merreshin vesh nga shkaku i shiut. Kur u afrua edhe më, pendari vuri një
dorë në zemër dhe me dorën tjetër takoi udhë-rrëfyesin.
– Jam i dërguar nga paria e anës sonë të Analumit, Karatoprkut dhe Sulzotajt, – foli ai, – që të takoj Ismail Qemal Beun dhe ta marrë në qerre dhe ta shpije te odat e vakëfit të kishës dhe konakët e Nedim Bej Leskovikut. Siç e shikon kjo qerre është e siguruar mirë: është e mbuluar me rrogoza të rinj që nuk i hyn asnjë pikë shiu; kurse në shtratin e saj janë shtruar dyshekë dhe qilima me thekë.
Kur udhë-rrëfyesi po e dëgjonte dhe po shikonte pak si i çuditur nga e papritura, pendari vazhdoi prap:
– Nuk jam vetëm, zotëri; tok me mua kanë dalë edhe shumë burra të tjerë, të cilët janë endur andej e këndej që të bëjnë roje, kurse populli po u pret në Libofshë.
Atje do të bëhet festë. Te oborri i vakëfit dhe te konakët e Nedim Bej Leskovikut është ngritur kënga e po hedhin valle nga gëzimi.
Udhërrëfyesi ktheu kalin, u fut në mes të shpurës, iu drejtua prinjësit të flamurit e
i tha:
– Ismail Bej! Populli i kësaj ane ka nisur këtë qerre të madhe për Zotërinë Tënde.
– Po pse janë munduar!? Kur ne kaluar jemi, – tha Ismail Qemali, duke ndjerë
ngrohtësinë e dashurisë së përzemërt të popullit.
Pendari me takije të bardhë atë çast qe pushtuar nga një ndjenjë përfaljeje para
prijësit të flamurit. Tërë qenia e tij përshkohej nga një hutim dhe marramendje
ngazëllimi. Po megjithatë e mori veten, u përcoll, hapi gojën e nisi të fliste me
shumë mirëdashje:
– Më tutje rruga bëhet edhe më e vështirë Ismai Bej, shiu e bën udhën edhe më të
zorshme, sidomos këtu, tek rrema e Sulzotajt, dheu bëhet det. Prandaj na … urdhëroni! Të paktën sa kohë që bije shi. Nuk do të lageni dhe do të çlodheni ulur.
Atë minutë, Ismail Qemali pak si i menduar, vuri dorën te mjekra dhe shikoi udhë-rrëfyesin, sikur të merrte mendim nga ai dhe i tha:
– Po ti si mendon për këtë rast? Or bir.
– Ismail Bej ! – i tha ai pa u menduar shumë, – Plotësojani dëshirën. Të paktën sa të kalojmë Karatoprakun.
Atëherë prijësi i udhëtimit të flamurit vështroi gjithë bashkudhëtarët e karvanit dhe i prekur nga ngazëllimi dhe mikpritja e popullit, foli me qetësi: “Vetëm nuk do të ulem aty. Le të urdhëroi edhe zoti Gurakuqi e ndonjë tjetër.”
– Faleminderës, Ismail Bej, po ma i moshum asht Imzot Nilollë Kaçorri. Le të urdhëroi Zotnia e tij ma parë, – u dëgjua Gurakuqi.
-Të lumtë goja, zoti Luigj, për punët e shquara, që ka bërë, ai e meriton të jetë para meje, veçanërisht për mbështetjen që më dha, kur u futa në Durrës.
– Ju lutem zotërinj të shtrenjtë, me më ndigjue edhe mu, para se të më çmoni kaq shumë. Andej nga malësia e Lurës asht nji zakon që nderon ma së pari at mik që ka ba rrugën ma të gjatë. Më thoni Ju tash, kush duhet të jete ma i parë. Unë nuk mundem me e thye rregullin e Lurës dhe të Kurbinit.
– Ka vend për tre e më shumë, – u dëgjua atë kohë pendari i qerres.
Dhe ashtu ata të tre: Ismail Qemali, Dom Nikollë Kaçorri e Luigj Gurakuqi u drejtuan nga qerrja e mbuluar me rrogoza. Pendari hapi pak vend tek shtiza e qerres, duke mënjanuar një ka, me qëllim që shtiza qerres të shërbente si mbajtëse për të vënë këmben kalorësi, kur ta hiqte nga yzengjia. Sa mori për të zbritur Ismail Qemali nga kali, pendari i tha:
– Kujdes Ismail Bej, mbahuni edhe te supi im.
Po kot u shqetësua pendari. Ismail Qemali i bëri lëvizjet të ngadalta, po të sigurta.
Hodhi këmbën mbi shtizë, u kap pas rrapinës e shkoi u ul mbi qilimin me thek pa zor të
madh. Po ashtu bëri edhe Luigj Gurakuqi. Kurse Dom Nilollë Kacorri, dukej që qe më i
stërvitur dhe i bëri lëvizjet e zbritjes nga kali për në qerre më me shkathtësi.
Shpura e kalorësve me qerren në mes rifilloi udhën me baltë, pa pyetur për shiun që s’kishte të ndaluar. Me gjithë atë, Karvani i Pavarësisë ecte drejt Vlorës pa pushuar.
Qielli shtrydhte re si guna, moti qe bërë bunacë, po karvani nuk stepej.
*
Kur u kalua Karatopraku edhe rrema e Sulzotajt, balta e zezë sikur po bëhej më e butë, më e ujshme se sa ajo e dheut të zi. Tek po kalonin Gradishtën dhe po i afroheshin Libofshës, qielli nisi të zgaliste. Retë sikur po çaheshin dhe shiu u bë si vesë e hollë, deri sa pushoi. Te sheshi i një djerrine ndanë një kodre, karvani ndali. Kalorësit zbritën nga kuajt dhe Ismail Qemali me dy zotërinjtë e tjerë, Dom Nikollë Kacorrin dhe Luigj Gurakuqin dolën nga qerrja e mbuluar. Atje, në atë vend, ndanë kodrës kalonte një rrjedhë uji, që ish si degë e një përroi që zbriste për poshtë. Të gjithë njerëzit e shpurës u vunë në lëvizje për të ushqyer kafshët. Kuajve u dhanë për të ngrënë tagji tërshëre, kurse qeve misër me lëpushka. Pastaj i shpunë kafshët për të pirë ujë te vija e rrjedhshme. Nga mundimi i udhës së vështirë si kuajve ashtu edhe qeve u dilnin avuj djerse nga kurrizi.
Për disa minuta gjithë burrat e shpurës çlodhën gjymtyrët e u shpinë duke ndezur edhe nga një cigare duhan. Dhe pak udhë dhe ata do të arrinin në Libofshë. Pasi kafshët e
shuan etjen me ujë, karvani me njerëzit e flamurit vazhdoi rrugën drejt jugut.
Lajmi se dita e flamurit kishte afruar, pati pushtuar mendjet dhe zemrat e të gjithë
myzeqarëve, të cilët po i prisnin si në një ditë feste tërë delegatët e ardhur nga shumë anë
të Shqipërisë, që ishin nisur drejt Vlorës.
Kudo që shkelnin mësuesit dhe patriotët e Myzeqesë përhapnin lajmin për ngritjen e
flamurit. Qëllimi historik që i kishin vënë vetes ata me Ismail Qemalin në krye, nuk ishte
i atillë që mund të kalohej në heshtje. Populli i Myzeqesë i lumturuar po e priste e
përcillte Ismail Qemalin me shokë në çdo fshat. Udhëtimi rrugë e pa rrugë përmes viseve
fushore zgjati më shumë se sa qe menduar. Vonesa në udhëtim po e vinte në merak
Ismail Qemalin. Ai shqetësohej përbrenda dhe mezi e përmbante ndjenjën e padurimit. Sa
herë që vinte dorën në xhepin e brendshëm, prekte telegramin e komisionit përgatitor të
Vlorës dhe i kujtoheshin fjalët e shkruara: “Nisuni, ju presim. Jemi gati.” Atë që e shkruante Vlora në telegram, ai po e shikonte në fytyrat e qeshura e në sytë e ndezur nga
dashuria për Shqipërinë e lirë në çdo krahinë. Të gjithë delegatët e ndjenin se kudo ishin
të rrethuar nga një gëzim i tërë popullit kudo që shkelnin.
Në të hyrë të Libofshës kënga dhe brohoritjet ndiheshin edhe më shumë. Ikonom Papa Dhimitri, i cili pati dhënë fshehur mësimin e gjuhës shqipe në konakët e vakëfit, kishte ngritur për këtë rast një komision feste. Me mundësitë që kish pasur, ai pati arritur të bënte edhe një kor me djemtë e shkollës së parë të krahinës, të cilëve u mësonte këngë patriotike, që i sajonte vetë. Njëra nga këto këngë qe bërë posaçërisht për këtë rast. Atë
mbasdite ajo këngë u dëgjua për herë të parë:
Shqipëri e ngrite Ballin,
Ta ngritën trimat e rrallë;
Shqipet me Smail Qemalin,
Nipat e Gjergjit me pallë.
Gjithë djemëria e Libofshës me këtë këngë në gojë doli në rrugë dhe nuk po dinin
se si t’i prisnin sa më mirë e më mirë delegatët e flamurit me prijësin e shquar në mes.
Në gëzimin e kësaj feste atë ditë qe therur një dem, po piqeshin në furrë gjela deti, po
gatuheshin gjellë me jahni, mish i pjekur, qofte dhe të gjithë familjarët me gratë e tyre
kishin sjellë lloj lloji ëmbëlsirash me kanistra si në ditën e Pashkës së Madhe edhe më
shumë; gjithandej oborri i kishës së madhe të Libofshës dhe i konakëve të vakëfit
kundërmonte nga era e kanellës që u qe hedhur përsipër pjatave me kabuni, me reshedi
dhe paluze.
Merrej me mend se delegatët kuvendarë po vinin të lodhur, të lagur dhe të uritur, prandaj te konakët e vakëfit qenë marrë të gjitha masat sipas porosive që kishte dhënë Ikonom Dhima, Jovan Ndrekua dhe Kov Saqellari. Oxhaku bubullonte nga flaka e zjarrit me drurë të trashë, mangallët qenë rregulluar të ndizeshin kur të ishte e nevojshme.
Gjellët, buka, vera dhe rakia ishin bërë gati.
Dhe ashtu, në atë buzëmbrëmje, Karvani i Flamurit të Pavarësisë mbërrijti në Libofshë para perëndimit të diellit, ishte data 24 Nëntor 1912. Gjithë njerëzit e shpurës, pasi u zbritën kuajve, u pritën me përqafime dhe shtrëngime duarsh prej parisë dhe gjindjes që qe mbledhur me në krye Ikonom Dhimën, si dhe zotërinjtë e tjerë të zonës së Libofshës, Spiro Saqellari, Tuni Gjergji, Jovan Ndreko.
Delegatët, të lodhur ashtu si ishin, u futën në një odë, që qe caktuar vetëm për ta. Ismail
Qemalit i qeshte fytyra si dielli kur lind. Në mes të asaj mikpritjeje të ngrohtë, në atë gosti të begatshme, në mes të atij ngazëllimi, që bënte të dridheshin të gjitha zemrat, Ismail Qemali nuk po qëndronte dot pa folur. Nga gëzimi i madh vetja po i dukej disa vjet më i ri.
Prinjësi i Flamurit, tek po rrinte i ulur mbi një shilte të madhe pran zjarrit flakadan, midis Spiro Saqellarit dhe Ikonom Papa Dhimitrit, pasi ngriti dollinë për Shqipërinë dhe flamurin, me atë zërin e tij të ngrohtë e të përmallur tha:
– “Vëllezër të dashur ! Erdhëm vonë; të na e falni se u bëmë të na prisni ca si shumë. Po vonesa qe se nuk kemi rrugë, nuk kemi ura, nuk kemi as siguri. Udhëtojmë me vështirësira. …Sa varfëri duket në tokën tonë të begatshme. Dhe kush e ka fajin?
Fajin e ka qeveria turke. Tani mjaft me Turqinë… Së shpejti do të ngremë flamurin dhe
pastaj duhet të përpiqemi me mish e me shpirt për ta shpurë vendin përpara.. Duhet të
ecim edhe ne në rrugën e qytetërimit, të përparimit dhe të mbarësisë. Kështu ne do t’i tregojmë Evropës se shqiptari ka mbetur gjithmonë evropian në gjak dhe se nuk dëshiron
gjë tjetër veçse të forcojë kombësinë e tij.”
Po gostia nuk qe shtruar vetëm brenda konakëve të vakëfit të kishës, po edhe në
korridore edhe në postrehët përjashta. Të gjithë burrat te vjetër e të rinj patën ardhur atë
mbasdite festive. Të tërë patën marrë me veta ushqime për të ngrënë e për të pirë me
çfarë u ndodhej. Te gjithë e ndjenin se atë mbrëmje Libofsha po jetonte ngjarjen më të
jashtëzakonshme.. Ajo kishte nën çatitë e saj përfaqësuesit e kombit, ata që kishin bërë e
po bënin aq shumë, për ta shpëtuar Shqipërinë nga zgjedha e huaj halldupe.
*
Bushi Furka pas gjithë asaj lodhjeje nëpër pyll, kur kishte ikur tek rafsha mos u vrafsha,
rrinte si i strukur atje tek zgërbonja e lisit plak. Priste sa te fekste e të nisej andej nga i
dilte më mbarë për te ura gjemi ndanë lumit. Në ushtrinë turke i dukej vetja sikur të qe
syrgjyn. Kazermat i ngjanin si burg. Godina e fjetinës ia ndrydhte gjithë dëshirat. Dhe
ashtu tek po rrinte fillikat i vetëm në atë guvë iu bë sikur po e kërkonin, sikur po e
thërrisnin me emër. Për një çast u ngjeth dhe filloi të dyshonte se mos zabitët do të kishin
urdhëruar nizamë të taborit për ta gjetur kudo që të ishte. Atë kohë shtrëngoi dyfekun nga
gryka dhe mbante veshët pipëz, për të kapur ndonjë fjalë. Po asgjë nuk dëgjohej përveç
degëve që shushurinin nga fërkimi me njëra tjetrën.
Dhe në atë mënyrë, duke pritur agimin, Bushi ra pa dashur në krahët e një ëndërre
tërheqëse. Ajo ëndërr sikur ia hoqi të gjithë lodhjen, ndrojtjen dhe pasigurinë e
veprimeve. Në atë dremitje atij iu duk sikur shiu ndali dhe një agim i purpurt po ndizte
qiellin. Tutje, shumë larg, dielli po hapte syrin me qerpikë të zjarrtë. Atë kohë kalon para
syve të Bushit e fejuara e tij, Lulja. Ndërsa ajo po nxirrte pulat e detit në kullotë, ai i doli
përpara si atëherë kur nuk e kishin marrë nizam. Ajo u tremb nga befasia, po me ta njohur
nuk u përmbajt dot nga gëzimi dhe iu hodh në qafë, duke i thënë:
– Ke ardhur me leje.
– Jo, jam larguar vetë.
– Po si e bëre këtë? – e pyeti prap vajza.
– Sepse nuk më mbante vendi. Kam merakun e argëllëkut (13). Vajti aq kohë pa ua dhënë.
– Po ne u deshëm vetë; ne nuk u deshëm për argëllëk.
– Po ç’ thonë bota pastaj….
– Asgjë…
– Si…asgjë! – Nizamët (14) e rinj që erdhën në tabor më thanë se na përflasin:
“Turp për ne që nuk e kemi dhënë…turp për ju që nuk e keni prishur fejesën.”
– Të gjitha janë gënjeshtra. Për këto llafe paske vënë kokën në rrezik dhe paske ardhur pa lejë.
– Nuk ika vetëm për punë të argëllëkut, po edhe për një gjë tjetër shumë të rëndësishme.
– Po ç’ është ajo gjëja tjetër që të paska detyruar të vish?
– Flamuri, Lule, Flamuri. Unë kam dalë këtu në mbrojtje të atij që do të ngrejë flamurin
– Po cili qenka ai? – deshi të dinte vajza.
Ai njeri është Ismail Qemali. Nuk të kujtohet? Emri i tij u përmend me këngë në dasmën e vëllait tënd.
– Kënga më kujtohet, po atë nuk e kam parë, – iu përgjegj ajo dhe po i përhumbej si një
qënie fluide.
Bushi, atë çast, duke menduar se ajo po i ikte, nuk e mbajti veten dhe nxitoi ta kapte dhe ta pushtonte përsëri si atëherë, kur nuk e kishin marrë ushtar. Po ajo bënte si lozonjare, vërtitej anës gëmushave, çapitej andej këndej dhe bënte sikur nuk i pëlqente.
Sapo ai arrinte ta kapte, ajo i shkiste nga duart si peligorgë e bukur duke cijasur si fugë.
Po më në fund ai e arriti. E zotëroi mirë dhe nuk e la t’i shkiste nga duart. E përqafoi fort
dhe nisi ta puthte si atëherë, kur takoheshin fshehur midis marinave te kullotës. “Jo jo – i
foli ajo, e bënte sikur nuk donte- ik se na shohin”. Kurse ai nuk deshte t’ia dinte; e pushtoi dhe e mbështeti mbi gjethet e rrëzuara tek ledhi midis marinave. Ik se na shohin !- përsëriti ajo prap. Po kur ai, i përqafuar, hodhi shikimin përqark, se mos e kishin pikasur të tjerë, u zgjua nga ëndërra. Hapi sytë dhe pa se po binte mëngjesi. Shiu vërtetë pati pushuar dhe nga të çarat e mëdha të reve po dukeshin copa qielli, që i sillnin në mendje sytë e kaltër të Lules, që sapo i qenë fanepsur në dremitje e sipër. Atë kohë Bushi doli nga zgërbonja e lisit plak dhe, tek po shpihej, pa se ishte nga fundi i Pyllit të Vjetër.
Iu kujtua koha kur dilte nga kjo anë e lumit për të gjuajtur lepuj të egër dhe mëllenja. Bushi hapi mirë sytë dhe mori me mend se në ato anë ndodhej bregu i Lumit të Semanit dhe pastaj, diku më tej gjendej lundra e vjetër gjemi e Mbrostarit.” Ndonëse natë, po i paskam rënë udhës në të, – tha Bushi me vete,- paskam dalë atje ku doja të mbërrija”. Hodhi dyfekun në krah e u nis sipas një trage që duhej të dilte tek ura e vjetër gjemi. Ecte me nxitim që të nxehej. Pas një gjysmë ore mbrrijti para vendit ku voziste lundra e vjetër e Mbrostarit. Me armën në dorë ai u drejtua nga ana e lundrës. Atje sikur po i bënin sytë se ishte një njeri. Mirëpo njeriu e kishte parë atë më përpara. Kur ai mori t’i thërriste, ai tjetri i humbi nga sytë. Atëherë Bushi nisi t’i afrohej sa më shumë lundrës, duke shikuar rrethe rrotull. Po askush nuk po dukej përqark.
Më kanë bërë sytë, – foli me vete, – ose ka qënë ndonjë hije. Që andej iu drejtua një ledhi, që e rrihte dielli dhe kishte shtroerë. U ul te rrënjët e një shkoze që të ngrohej. Që atje vështronte urën e vjetër prej druri krejt të shkatërruar. “Po qe se Ismail Qemali me shokët e vetë do të kalojë nga kjo anë, unë që këtu do të jem ne mbrojtje të tij. Le të vijnë koshadhet, le të vijnë asqerët, unë që këtej do të hap zjarr, po qe se e rrezikon kush atë”. Dhe ndërsa po shullëhej atje në shtroerë, mendja i shkoi te tjetra lundër gjemi, tek ajo, që voziste ca më larg, andej pas kodrës së vogël të Petovës. Ajo urë gjemi qe bërë shumë më vonë edhe për këtë arsye i thoshnin edhe lundra gjemi e re, ose vetëm Lundra e Petovës.
*
Njeriu që pati parë Bushi tek lundra e vjetër, nuk kishte qënë hije, po njeri i vërtetë. Ai kishte qënë biri i lundërtarit plak, i cili pati vajtur atje që me natë, për të vënë re se mos andej nga anët e lundrës dukeshin koshadhe ose njerëz të dyshimtë. Po i biri i lundërtarit plak, me të parë njeriun e armatosur alla halldupshe, u largua fshehur dhe iku me nxitim drejt fshatit. Iku me vrap që të jepte lajmin se një njeri i armatosur dhe me rroba si të nizamit turk qe dukur te plepat anës lundrës gjemi.
Kur djaloshi dha lajmin për personin e veshur nizamë që e kishte parë te lundra e vjetër, i ati nuk u çudit, po i tha me qetësi.
– Siç duket me urdhër të kajmekamit gjithë shtigjet e udhës kryesore qenkan zënë
nga koshadhet, or bir, po ne nuk do të jepemi. Të mëdhenj e të vegjël do të bëhemi mur
dhe do ta mbrojmë Ismail Qemalin. Ai edhe shokët e tij mbrëmë kanë fjetur në konakët e
vakëfit të kishës së Libofshës dhe nga ora në orë priten të vijnë këtu në Petovë. Edhe
kryepleqësia edhe Ikonom Dhimitri e kanë parë më të arsyeshme që Ismail Qemali me
gjithë shokët dhe karvani i tyre ta kalojnë lumin këtej nga ura e Petovës. Mos u trembni.
Gjithë burrat e nahijes, nga Libofsha në Petovë e deri në Mbrostar e më gjerë, deri në
Kolëkondas, nuk kanë vënë gjumë në sy sonte. Të gjithë janë në mbështetje te tij, ta
përcjellim shëndosh e mirë nga lumi dhe ta shoqërojmë deri në Vlorë, ku do të ngrihet
Flamuri ynë.
– Po ne të rinjtë çfarë duhet të bëjmë deri sa të vijnë kalorësit e karvanit? – Pyeti djali lundërtarin plak.
– Ju do të bënit mire, po të vendosni kërcunj nga të dyja anët e lumit, atje ku lidhet lundra, me qëllim që të mos u lagen këmbët njerëzve nga uji i lumit, kur do të hipin në lundër, ose kur do të dalin nga lundra. Për ta bërë shpejtë këtë punë përdorni sharrën, po edhe spatën. Ndër kohë unë po shkoj tek lundra e vjetër që të marrë litarët e lirtë, që t’i kemi gjendje, në rast nevoje t’i përdorim për përforcim.
Lundërtari plak, pa humbur kohë, i vuri samarin kalit dori, lidhi hejbetë në kocen
e samarit dhe mori tragën drejt lundrës së vjetër. Me të mbrrijtur atje, zgjidhi litarët e
limtë, i bëri si rrokotë, i futi në të dyja anët e hejbesë dhe u kthye vrap, duke i dhënë
kalit me të katra, deri sa mbrrijti te ura e re në Petovë. Me të arritur atje, pa se edhe
djemtë kishin prerë trungje dhe po i çanin me pyka, që ti përdornin si gjysmë dërrase të
rënda e t’i vendosnin në të dyja anët e lumit sipas porosisë, që ai u kishte dhënë.
*
Kur lundërtari plak vuri në trastat e hejbeve litarët e lirtë dhe mori rrugën drejt Petovës me kalin dori, Bushi Furka po vriste mendjen edhe më shumë dhe nuk po dinte se si të vepronte. Të rrinte ende i fshehur, a po të tregohej. Rrobat e nizamit turk si prej halldupi i prishnin punë. Vendi nuk po e mbante më. Pastaj ai nuk po dinte të shpjegonte veprimin e lundërtarit plak, i cili tërhoqi litarët e lirtë dhe i mori ato me vete. Pse e bëri ai atë gjë?
Çfarë do të ishte arsyeja e këtij veprimi?! Mos vallë i duheshin ata litarë për lundrën e Petovës, a po do të kishte qënë urdhër i kajmekamit, me qëllim që lundra të mos punonte dhe Ismail Qemali të mos kishte mundësi të kalonte lumin. Me këto mendime në kokë, Bushi doli nga pylli dhe iku midis gëmushave, duke ndjekur tragën e lundërtarit të vjetër.
*
Ndërsa delegatët me Ismail Qemalin në mes morën rrugën kaluar për tek lundra e re, populli i zonës së Libofshës atë mëngjes të 25 Nëntorit doli i gjithë përpara tërë brohori me këngë e gëzim. Atë mëngjes po dëgjohej një tjetër këngë e re:
Ishte kënga më e re e asaj feste, që po këndohej me zë të lartë dhe po shoqërohej me iso “eee”.
Ismail Qemali gjithnjë i mallëngjyer nga përzemërsia dhe dashuria e Myzeqesë, mezi po i mbante lotët e gëzimit.
“Populli na ka në mendje edhe në zemër, vëllezër; të ecim përpara për flamurin tonë”.
Me të dëgjuar ato fjalë, Karvani i Pavarësisë u vu në lëvizje. Tek ikte kaluar prijësi i flamurit përshëndeste njerëzit nga të dyja anët e udhës. Kur dëgjonte urimet e myzeqarëve, Ismail Qemalit i erdhën në mendje fjalët që kishte biseduar me Ikonomin e vakëfit, Papa Dhimitrin.
“Po mbjellim një lule të re i nderuar Ikonom, si thua të na rritet?”
“Do të rritet e shëndetshme Ismail Bej, – ia kishte kthyer ai, – sepse edhe toka është e punuar mirë”
“E kishte thënë shumë bukur Ikonomi plak – mendonte me vete prijësi i Flamurit, – toka e punuar është populli i këtij vendi, i etur për liri dhe për flamur”
Dhe ndërsa kalonte në mendje ato fjalë, duke përshëndetur njerëzit, Ismail Qemali dëgjoi edhe një herë urimin e Ikonomit, Papa Dhimitrit “Udhë të mbarë, o ëngjëlli shpëtimtar”.
Ashtu me atë urim Karvani i Pavarësisë nisi rrugën drejt urë së Petovës, ku lundërtarët kishin bërë gati gjithçka që duhej për të kaluar lumin.
*
Bushi Furka, i cili kishte ndjekur tragën e lundërtarit plak, i qe afruar brrylakut të fundit të lumit, ku qe ngjitur tek një ledh i rrethuar prej ca shkurre marinash dhe blaca ferrash. Prej andej po vështronte rreth urës së Petovës, ku lëviznin njerëz. Pas pak atij i zunë sytë Karvanin e Pavarësisë. Sa mbrrijtën atje te Ura e Re, pra tek Ura Gjemi e Petovës, delegatët zbritën nga kuajt dhe po bëheshin gati që të kalonin lumin. Atëherë Bushi nuk e mbajti më veten. Vrapoi drejt blacave me ferra dhe anës murrizave, deri sa doli te marinat e ulta të lumit. Armën e mbante gjithnjë në dorë, me dëshirën e mirë që ta përdorte, po të rrezikohej Ismail Qemali, ose ndonjë nga shokët e Prijësit të karvanit…
Po atë çast e kuptoi se Prinjësi i flamurit ishte shumë e shumë më i mbrojtur nga trimat
vullnetarë të popullit. Duke ecur me nxitim, Bushi thoshte me vete se “mua tani nuk më
mbetet gjë tjetër vetëm ta shoh atë burrë trim dhe t’i puth dorën me nderim”.
Me këtë dëshirë të papërmbajtur, Bushi Furka po çante përpara nëpër tragën e ngushtë midis marinave me krende të zverdhura nga vjeshta. Po befas u gjend i rrethuar.
Vullnetarët e fshatit e kishin kapur si person të dyshuar. Ai ndjeu se duar të fuqishme po
e mbanin shtrënguar si darë.
– Ç’ do ti halldup këtu? – qe pyetja e parë.
– Këtë halldup (15) si hije ma zunë sytë sot herët në mëngjes tek lundra e vjetër, –
foli i biri i lundërtarit plak.
– Ky do të jetë hafije. – u dëgjua një zë tjetër.
– Ose vrasës i shtyre kundër Ismail Qemalit.
Pyetjet dilnin të shpejta dhe Bushi nuk po dinte se kujt t’i përgjigjej më përpara.
– Jam shqiptar, o vëllezër, jam shqiptar bir shqiptari. Po më patën marrë më zor nizam.
– Që nga ke ardhur këtu?
– Vij nga tabori i kazasë së Beratit, po i u vodha zabitëve nga sytë natën. Rasti e solli te ndodhem këtu te lundra e lumit.
– Pse qëndroje te lundra e vjetër?
– Pse erdhe më pastaj këtu?
– Dola këtej anës së lumit, sepse doja t’i vija në mbrojtje, atij që po përcillni ju… Do të jepja jetën time, po të rrezikohej gjë ai.
– Po këtu, tek Lundra e Re, çfarë doje.? A nuk e pe se ne po e mbronim vetë atë? Fol! Fol!
– Ju them të drejtën, këtu te Lundra e Petovës nuk erdha për ta mbrojtur. E pashë se këtu ishte një popull i tërë, që po e mbron dhe po e përcjell.
– Fol, pra, pse erdhe këtej?
– Erdha vetëm për një gjë, vëllezër; të më besoni: dua të shoh Ismail Qemalin, të përulem para tij dhe t’i puth dorën.
– Mos kujton se do të na e hedhësh?
– Jam shqiptar bir shqiptari vëllezër, më zini besë. Vetëm aq dua: ta shoh Ismail Qemalin. Në doni të dini me hollë, jam nga nahija matanë lumit, jam i biri i Rrapo Furkës nga Fushëmarinasi.
Aq foli ai dhe me të thënë ato fjalë, nga sytë e shqiptarit të veshur nizam dolën pika loti. Atëherë vullnetarët e morën njeriun e veshur nizam midis tyre dhe, tok me të, shkuan tek grumbulli i delegatëve, që po përgatiteshin për të kaluar lumin. Pa ia treguar njeri, Bushi Furka e mori me mend nga nderet që i bëheshin se cili duhej të ishte Ismail Qemali. Pa folur asnjë fjalë, shqiptari i veshur nizam, me sy pak të përlotur u përkul përpara Prinjësit të Flamurit dhe i puthi dorën. Ismail Qemali, që edhe asaj radhe ndjeu t’i rrihte zemra për brenda, i fërkoi krahët shqiptarit, të veshur nizam. Dora iu lag the e kuptoi se ai i kishte rrobat të qullura, nga që kishte qëndruar jashtë në shi e në erë.
– Do të ngremë Flamurin. – i tha atij Ismail Qemali, pa ia hequr dorën nga supi.
– Rroftë Flamuri, – hapi gojën për herë të parë Bushi, pa ditur se ç’ të thoshte tjetër gjë.
– Dhe nuk do të shkojmë më nizam për Turqinë, por ushtar për Nënën tonë, Shqipërinë., – vazhdoi me zë të qartë Ismail Qemali.
– Rroftë Shqipëria, – u dëgjua për së dyti Bushi dhe iu lut që t’i jepnin pushkën,
se, pasi të hiqte rrobat e nizamit, do të vishej si gjithë myzeqarët dhe do të shkonte tok me
të tjerët vullnetar drejt Vlorës, atje ku do të ngrihej flamuri.
*
Kur delegatët po çlodheshin në Petovë, nisën të bisedonin praktikisht se si do të bëhej kalimi i lumit sa më i sigurt. Po ndërsa të tjerët flisnin midis tyre, Ismail Qemali, që po dëgjonte si i menduar, i bëri shenjë mësuesit, Spiro Saqellari, duke i thënë:
– A mund të ma sqaroni, i nderuar zoti Saqellari, se pse zbritëm këtu në Petovë dhe jo atje në Mbrostar, pra te vendi ku qe caktuar në fillim të udhëtimit tonë?
Ku bie ky Mbrostari, sa larg është prej këtej.
– Mbrostari është afër me Petovën, Qemal Bej, – iu përgjegj ai,- nuk është as një gjysmë ore më tutje. Po kryepleqësia e pa më të udhës që kalimi i lumit të bëhej këtu në Petovë, sepse ura gjemi këtu është më e re dhe më fortë, e dyta se këtu lumi ikën drejt e nuk bënë kthesa fare, pastaj gjerësia e lumit nga një breg në tjetrin është më e ngushtë, kurse thellësinë e ka më të vogël. Dhe, ajo që ka rëndësi është edhe ana e fshehtësisë nga
sytë e koshadheve.
– E bëra këtë pyetje se kam merak për delegatë e Elbasanit dhe një pjesë e delegatëve të Kosovës, të cilët janë nisur dhe kanë çuar fjalë se do të takoheshim në Mbrostar.
– Po për këtë çështje është marrë kryepleqësia, që ka porositur gjithë rojet e çetës sonë vullnetare të Mbrostar Urës, që, sapo t’i dallojnë duke ardhur ata kalorës, t’u venë në ndihmë, për t’i shoqëruar deri këtu tek Ura Gjemi e Petovës.
– E po rrofshë, se më lirove nga një shqetësim i madh, – i tha prinjësi i flamurit mësuesit Saqellari.
Po ndër kohë, pa pritur u ndjenë zëra dhe hingëllima kuajsh, pastaj u panë kalorës, që po vinin vargan. Ishin delegatë nga Elbasani dhe Kosova. Në krye të atij karvani ishte patrioti Lef Nosi, pas tij, njeri pas tjetrit, vinin Shefqet Dajiu, Mit’hat Frashëri, Sali Xhuka, Bedri Pejani e të tjerë..
Atë çast gjithë delegatët e bashkuar rreth Karvanit të Pavarësisë, të cilët qenë nisur tok që nga Bukureshti, Triestja, Durrësi e deri aty në Petovë të Fierit, u bënë grumbull, duke duartrokitur përfaqësuesit e sapoardhur nga Elbasani. Qe një takim i përzemërt me shtrëngime duarsh dhe me përqafime miqsh patriotë.
Ndër kaq, midis bisedave në atë takim të ngrohtët, Mit’hat Frashëri iu drejtua Luigj Gurakuqit, duke i thënë: ”Katër vjet që nga Kongresi i Manastirit shkuan dhe ja tek po shihemi prap për një tjetër kongres, për atë të shpëtimit të Shqipërisë, aty pranë në
Vlorën e bukur dhe trime.
– Mësimet e atij kongresi u ban dritë, – ia ktheu ai,- për tan vendin, alfabeti tij u përhap ma tepër dhe janë çelë dhe po çilen mjaftë shkolla; gjatë kësaj kohe u hap shkolla e parë këtu në Libofshë të Fierit, po ashtu në Cakran si dhe në Vlonë, gjithashtu kanë nis mësimin plot shkolla të reja.
– Patëm udhë të ndryshme, po qëllimi i njëjtë përsëri na bashkoi, i dashur Luigj. Ashtu si katër vjet më parë, ja tek jemi tok tani drejt, Vlorës për një tjetër kuvend mbarëkombëtar.
– Me shpresë te Zoti, i nderuar mik, mbarë ka me na dalë.
Në këtë kohë, hirësia e tij Ikonom Dhima i afrohet Ismail Qemal Beut dhe Luigj
Gurakuqit, për t’i shprehur merakun lidhur me delegatët e ardhur nga Elbasani, se,
me që kishin bërë edhe ata rrugë të gjatë, mund të ishin të uritur dhe duhej bërë
diçka për të ngrënë një hoft të shpejtë.
– Faleminderit për vëmendjen tuaj, i nderuar uratë, shqetësim i drejtë. Për këtë gjë duhet t’i pyesim.
– Po shkoj vet me i pyet ata, – tha Luigji Gurakuqi dhe pa humbur kohë ai takoi zotërinë e ditur, Prof. Lef Nosin, i cili nga ana e vet e sqaroi, se ishin të ngrënë e të pirë, sepse kishin bujtur dhe kishin fjetur në çifligun Godolesh të zotit Dhimtër Dashi, i cili na priti me një qind të mira; na pajisi dhe na siguroi çdo gjë, për më tepër, nuk na u nda, madje e patëm shoqërues dhe udhë rrëfyes në gjithë rrugëtimin tonë. Dua t’ju njoftoj gjithashtu se ai ka ardhur me ne dhe ndodhet midis nesh.
– Ky lajm më gëzon pa masë, zotni Nosi, dhe le t’ia bëjmë të ditur edhe zotërisë së tij Ismail Beut, se ai e ka pas merak të veçantë për ardhjen tuaj.
Atëherë ata, të dy zotërinjtë, Nosi dhe Gurakuqi, takuan Dhimitër Dashin, e vunë midis tyre dhe shkuan tok me të tek Ismail Beu, që t’ia tregonin atij si udhë rrëfyes dhe përkrahës i ngritjes së Flamurit.
Atë kohë kur prijësi i flamurit, u njoh me burrin e ardhur nga Godoleshi i Elbasanit, u ngrit në këmbë dhe fytyra iu qesh si diell, që rrezatonte mençuri dhe dashuri, dhe e përqafoi mikun dashamirës, duke thënë:
– Bashkimi i këtij zotërie me karvanin tonë tregon se jemi ne rrugë të mbarë, se me ne janë gjithë shqiptarët edhe prandaj ne do t’ia dalim mbanë qëllimit tonë atje në Vlorë, për të ngritur flamurin.
*
Në ato rrethana, mbasi lundra gjemi qe siguruar mirë, e lidhur me kavo çeliku dhe
litarë të limtë, nisi kalimi i karvanit mbi lumin Seman në fshatin Petovë. Delegatët, ca
nga ca, grupe grupe, herë nga gjashtë e herë nga shtatë veta, arrinin nga një breg i lumit
në anën tjetër. Pas tyre kaluan lumin gjithë kuajt e karvanit.
Më 25 nëntor, afër mesditës, Karvani i Pavarësisë arriti në qytetin e Fierit.. Ishte koha kur anëtarët e komisionit për pritjen dhe përcjelljen e shpurës së flamurit, po lexonin telegramin që pat mbërritur nga Vlora: “A erdhi Ismail Qemali aty a po jo? Në mos nuk ka
ardhur, ku gjendet? Në ç’ditë vjen? Na bëni të ditur hetimet tuaja gjërë e gjatë.”
Përgjigjja e telegramit të Vlorës u bë me një herë.
Lajmi për ardhjen e Karvanit të Pavarësisë u përhap në të gjithë Fierin si erë. Gjithë populli rrodhi në shesh të qytetit për të parë dhe për të nderuar shpurën e delegatëve që po vinte kaluar nga rruga aq e gjatë. Në krye të turmës dukej kryetari i zgjedhur i bashkisë së Fierit Tonç Kilica, si edhe Ymer Pashë Vrioni nga ana e parisë së qytetit. Tok me ta ndodheshin edhe Hajredin Bej Cakrani i shoqëruar me trima mallakastriotë, si edhe Babë Dudë Karbunara me delegat nga Berati.
Atëherë atdhetarëve në Fier u mbetej që t’i mirëprisnin me nderime të veçanta gjithë delegatët, të cilët rruga i kishte munduar aq shumë. Fillimisht ata u vendosën në kafenetë më të mira të qytetit, qe të merrnin veten për të bërë rrugën e mbetur. Ndërkaq Ismail Qemali deshte të niseshin një orë e më parë drejtë Vlorës, për të fituar kohë.
Po pleqësia e qytetit të Fierit, kur pa se sa të lodhur ishin, iu lut delegatëve që të hanin
drekën së bashku në sarajet e Ymer Pashë Vrionit. Atëherë prijësi i Karvanit u bind dhe
ia plotësoi dëshirën parisë së qytetit.
Kujdes treguan fierakët edhe për kuajt e shpurës së delegatëve. Pasi u dhanë ujë në korita e në kova të gjëra rreth puseve nëpër oborre, i kashaisën dhe i futën nëpër haure dhe kasolle, duke i grazhduar me tagji tërshëre dhe misër të shkoqur.
*
Sapo ishte thyer dita e 25 Nëntorit 1912. Gjithë delegatët e mbledhur dukeshin më të qetë dhe ca si të çlodhur. Pasi hëngrën drekë dhe pinë kafenë, në sarajet e Ymer Pashë Vrionit, nisën të bisedonin përsëri për udhën me përfaqësuesit e Fierit.
– Duhet të mbërrijmë në Vlorë sa më parë, – u dëgjua midis kuvendarëve Ismail Qemali, – të fitojmë kohë, që kuvendi të mblidhet pa tjetër më datën 28 Nëntor, zotërinj. Dhe duhet ta ngremë pa tjetër Flamurin atë ditë, sepse, siç e kam thënë disa herë, edhe Skënderbeu pikërisht, më këtë datë, më 28 Nëntor, 1443, e ngriti flamurin kombëtar në kështjellën e Krujës.
Mbas këtyre fjalëve të Prijësit të Flamurit, gjithë delegatët filluan të bëheshin gati për t’u hipur kuajve. Udha nga Fieri drejt Vlorës ishte më e sigurt dhe nuk duhej të kishte ndonjë trazim. Patriotët e njoftuan Ismail Qemalin se gjithë shtigjet e rrugës ishin në duart e vullnetarëve. Edhe lundra gjemi e Mifolit drejtohej nga vullnetarët. As asqerë turq dhe as koshadhe nuk qenë dukur për rreth gjemisë së Mifolit. Vjosa atë ditë qe bërë buzë më buzë, po lundra gjemi ishte e fortë dhe lundërtarët shumë të sigurtë.
Dhe ndërsa shikonte Vjosën e rënduar nga prurjet e mëdha të ujit, Ismai Qemali, si pa pritur, e ndjeu veten të ngacmuar edhe më shumë nga malli i vendlindjes. I vinte në
mendja fëmijëria, lodrat, deti, Kanina, Sazani; pastaj shtegtimi i gjatë dhe internimi i Familjes. “Ika i mitur nga ti, o Vlorë,- thoshte me vete Prijësi i Flamurit,- dhe ja tek po
kthehem me mjekër të bardhë, po sidoqoftë fitimtar”.
Kalimi i lumit të Vjosës u bë më i shpejtë se në lumenjtë e tjerë. Po moti bënte prap kohë
vjeshte dhe qielli vinte anës për shi. Ndërsa Karvani i Pavarësisë kalonte pjesë – pjesë me
lundrën gjemi mbi Vjosë, një turmë e gëzuar njerëzish qe grumbulluar dhe këndonte duke
hedhur valle. Midis tyre dalloheshin njerëz të shquar si Arshi Halili, Bilal Nivica, Jani
Minga, Hamza Isai, Zihni Abas Kanina. Hareja dukej te të gjithë njerëzit e mbledhur.
Melodia polifonike labe përzihej me ison e shtruar myzeqare. Kur Ismail Qemali po
bisedonte me patriotët e Vlorës, që kishin dalë për ta pritur atje te Lundra e Mifolit, si pa
u ndjerë, vjen ngadalë një djalë i vogël me një tufë lule vjeshte prej çikoresh të kaltra,
përzjerë edhe me lule bovice dhe konopice, që i kishte lidhur me një fije të hollë zhuke; ai
e mbante në dorë atë tufë lulesh për t’ia dhënë Prinjësit. Po para se të jepte lulet, djali i
vogël pak si i hutuar, nisi me nxitim fëmijëror të recitonte:
Jam dymbëdhjetë vjeç djalë,
Që brodha në fushë e në mal,
Mblodha këtë tufë me lule
Për Prijësin Smail Qemal.
Pastaj, çuni me të mbaruar vjershën, iu afrua Prijësit të flamurit, për t’i dhënë tufën me
lule. Ismail Qemali, duke marrë ato lule, e përqafoi çunin të vogël dhe e puthi i mallëngjyer nga ngazëllimi popullor.
Dhe atë çast, Prijësi i Karvanit të Pavarësisë, u drejtua nga populli, që po priste me
admirim dhe u foli me fytyrë të qeshur: “E shikoni, o vëllezër se ç’ lule rrit kjo tokë!”
Dhe pastaj u fut në mes të gjithë të pranishmëve, duke i takuar me radhë.
Nga Mifoli, Karvani i Flamurit të Pavarësisë u nis drejt Vlorës. Sa më shumë që delegatët i afroheshin qytetit, aq më tepër ndihej atmosfera e lirisë, aq më shumë rritej hareja popullore. Kënga për Ismail Qemalin dhe shokët e tij ndihej në çdo fshat e në çdo anë.
Delegatët e Karvanit të Pavarësisë u futën në Vlorë në orët e vona të mbrëmjes të datës 25 nëntor. Po Vlora nuk flinte. Rrugët ndrinin nga fenerët e ndezur nëpër drurë, në shtylla dhe në ballkone. Qyteti kishte ditë që po përgatitej për të përjetuar atë ngjarje të madhe të historisë kombëtare, ngritjen e Flamurit, Rilindjen e Shqipërisë.
*
Po ndërsa Karvani i Pavarësisë kishte bërë udhën drejt Vlorës, Bushi Furka pati marrë tragën që të shpinte andej nga fshati i tij, Fushëmarinasi. Ikte me nxitim dhe me gëzim në shpirt. Zemra i gufonte nga hareja. E ëma sa e pa, u çudit, e puthi, e përqafoi me mall dhe me ngrohtësinë e nënës i tha: “Shitëm pelën me gjithë mëz, me qëllim që të mbledhim para të tjera që të mund të gjejmë bedel e të lirojmë nga ushtria.
– I ruani ato para për argëllëkun, o nënë, se nuk do të kemi më nevojë të kërkojmë bedel.
– Po pse, o bir?
– Sepse do të bëhet Shqipëria e lirë
– Si, o bir, si? Si do të bëhet? Kur do të bëhet ?
– Ja, sa të ngrihet flamuri ynë.
Të parën gjë që bëri Bushi, sapo vajti në shtëpi, qe heqja e rrobave të halldupit. U zhvesh, u la, dhe veshi rrobat e tij. Vetëm qeskën e parave e mbajti ende varur nën gushë. Kishte dashur me gjithë zemër që ato para t’ia kishte falur Ismail Qemalit, po qe hutuar dhe nuk kishte ditur se kujt dhe si t’i drejtohej. “Sidoqoftë, – tha me vete, – këto para që qenë taksur për bedelin, tani i takojnë Flamurit. Ashtu mendoi dhe mendja iu bë tym e veri drejt Vlorës.
Pasi hëngri me uri gjellët që i gatoi nëna, ra të pushonte, po mendja i rrinte andej nga
udhëtonte Karvani i Pavarësisë. Po ndërkohë deshte ta shikonte edhe të fejuarën, Lulen.
Dhe, si t’ia shtinte asaj në vesh se ai kishte ardhur në shtëpi. … Për këtë ngasje, Bushi ia
hodhi fjalën si anës e anës së ëmës.
– Po andej nga Lulja si janë. Ça thonë për ne.
– Janë shumë të kënaqur me ne, edhe ne gjithashtu me ata. Ty nuk të heqin nga goja dhe Lulja të do shumë. Unë do të shkoj t’u them që ti ke ardhur. Sa do të gëzohen….
– Po do të shohin njerëzia dhe do të na përgojojnë… Paska qënë plasur i biri Rrapi Furkës, do të thonë, dhe nuk ia mbajti vetë, për të parë të fejuarën, po dërgoi të ëmën që t’ia ujdiste shtegun për takim.
– Shpirti i nënës, unë kam arsye që do të shkoj, sepse kam këstin e fundit të argëllëkut për të dorëzuar. Pastaj nuk është turp pse do t’ju tregoj edhe për ardhjen tënde. Lulja… të do shumë dhe do të fluturojë nga gëzimi.
– Mirë, mirë, shko, po mos u lerë të kuptojnë vëllezërit e saj, a po prindërit, që unë kam dalë ta pres atë gjëkundi fshehur.
– Jo, bir, ç’është ajo fjalë; pa vënë kurorë… si ta bëj nëna atë, nuk shkel nëna në dërrasë të kalbur, unë po vete atje për arsye të argëllëkut.
– Atëherë, ti shko andej nga njerëzit e shtëpisë së Lules, kurse unë për vete do të dalë nga kullota, te furri i kaminës, me qëllim që të gjej shokë për t’i marrë më vete në Vlorë, ku është duke vajtur edhe ai Karvani i atyre zotërinjve, që të thashë, që do të ngrerë flamurin.
Ndërsa Bushi u nis nga furri i kaminave, Maria, e ëma, mori rrugën nga krushqia. Sa e pa nëna e te fejuarës së të birit, i doli përpara, e përqafoi dhe e futi brenda me nderet
që duhen për një krushkë.
– Po ç’e mirë të solli, moj zonja krushkë, që je munduar zotrote, duke çarë rrugën me baltë, në këtë ditë jave, pa pritur të dielën.
– Po për mirësi, moj krushkë, për mirësi. Ja së pari erdha t’ju sjellë edhe këtë pjesë të fundit të argëllëkut, se duhet të jemi në rregull me të gjitha punët e krushqisë, – tha nënë e Bushit.
– Ç’ është ajo fjalë, moj krushkë. Pse për pesë para spec do të prishemi ne. Pastaj të gjitha këstet ju i keni sjellë para kohe.
– Fjala e dhëne, puna e bërë, – u dëgjua përsëri nënë e djalit dhe nxori nga xhepi i trikos një tufëz me para dhe ia dorëzoi të ëmës së të resë në dorë.
– Faleminderit, patshi dhe dhënshit, ju shtofshin dhe çifti me mbarësi e bashkim të shpejtë. Sa t’ju vijë djali, pa edhe ne çupën po e bëjmë gati me të gjitha.
– Të lumtë goja, krushkë, po edhe djali na erdhi, prandaj shkela dhe unë sot, pa pritur, një rrugë e dy punë thashë.
– Po të lumtë ajo gojë, moj krushka jonë! Po këtë të na e kishje thënë më përpara. Ku ka gaz më të madh për ne sot. Pa le Lulja që do të fluturojë fare, kur ta marrë vesh. Po pse nuk na e solle me vete. Do të çmalleshim të gjithë.
Po vajza një herë….që për dite e ka në mendje dhe për ditë, krahas pajës së saj bën edhe për Bushin. I ka bërë çorape, i ka blerë bluza me lule dhe këmisha.
Sa keq që nuk na e solle, moj krushka jonë…
– E para, me thënë të drejtën, i vinte zor. E dyta, e ka mendjen të ikë në Vlorë
një orë e më parë.
– Po ç ‘qenka kjo Vlorë, sa nuk ka ardhur mirë ende nga ushtria…!
– Eee…, ashtu lamë mendjen edhe ne, po puna qenka, si na tha ai, se qenkan mbledhur shumë burra trima nga gjithë krahinat e vendit dhe do të shkokan në Vlorë që të ngrenë Flamurin e Shqipërisë.
– Po kësaj s’i thonë shaka. Kjo gjë është me kokë në dorë. Pse moj të lë turku të bësh xhap. Po Bushi e ka me gjithë mend?!
– Po, moj, po. Ja tani ka dalë andej nga furri i kaminave dhe do të takojë shokë të tjerë, që t’i marrë më vete, dhe të shkojë tok me ta në Vlorë.
Lulja, që rrinte në dhomën kundruall, i kishte dëgjuar gjithë fjalët, që kishin thënë të dyja gratë me njëra tjetrën, dhe s’iu durua më. Krehu flokët, veshi një bluzë të kuqe, që e bëri të dukej edhe më trëndafili nga faqet ashtu doli si një mollë e bërë. Atë kohë, si me turp, që do të takohej me të vjerrën, u fut në odën e miqve, atje, ku të dyja krushkat vazhdonin të flisnin.
Sa u dha Lulja në derë, krushka, nënë e Bushi Furkës, hapi krahët gjithë kënaqësi që e pa aq afër. Vajza shkoi dhe përqafoi nënën e Bushit, kurse ajo e puthi në faqe, kurse Lulja, sipas zakonit, i puthi dorën.
– Dhe tani, ulu pak në minder, – u dëgjua e ëma.
– Jo, nënë, do të dal, se do të shkoj për tek patat ne kullotë. I lashë nga lera e kaminës dhe ato mund të futen në kënetë dhe kush e di se kur mund të kthehen. A po s’kanë dalë edhe dhelpra e çakenj…!
– Atëherë, kij mendjen, – u dëgjua prap e ëma, mos i lërë më patat të futen në kënetë, se një patok i egër është mësuar me patat e buta… dhe na dalin biba të egra edhe na ikin, të keqen nëna, dhe ashtu, bëj kudjes, xhan. Të jesh si çupë e rritur… me mend në kokë.
– Mirë, nënë, mos kij merak, – tha Lulja dhe mori rrugën veri si fugë drejt kullotës buzë kënetës, ku duhej të ishin patat, po ku mund të gjente edhe Bushin atje te furri i kaminës.
*
Shkrepja e diellit pas shirave të zgjatur pati çelur kudo natyrën atë ditë. Gjithë fusha qe
zgjuar dhe Lulja ecte sikur fluturonte nga një gëzim si dehje. U nis për patat, po në
mendje kishte të fejuarin, që kishte aq kohë pa e parë. Ajo ecte me aq vrull në tragën e
gjatë, sa që i trembte gjithandej harabelat, gushëkuqët dhe mullenjat, që çukisnin, duke
cicëruar e cijasur nëpër ferra e gëmusha.
Kur mbërriti te kullota e kaminës, ndali çapin dhe shikoi rreth e rrotull për lule të egra. Në fillim shkoi te shkurret, ku kishte lule të verdha bovice. Bëri një tufë të madhe me to duke i lidhur me një fill zhuke. Pastaj u drejtua nga ana tjetër, tek një hendek, ku gjeti lule konopice ngjyrë vjollcë me vile si jargavan. Këputi edhe ca lastar prej tyre, dhe formoi ashtu tufën e dytë. Duke ecur me te dy tufat e luleve në duar, vështroi rreth e qark për patat, të cilat i gjeti tek po zhuzhitnin e kullosnin në lerat me ujë të cekët, pa vajtur në kënetën e madhe.
Pasi i la pas patat të çukisnin, atje ku ishin, mori anën tjetër të kullotës, andej nga ngrihej furri i kaminës me shpresën se mos atje do të kishte vajtur Bushi, siç dilte atëherë, kur nuk kishte ikur nizam. Ec e shiko, ec e shiko përpara me tufat e luleve në duar e me zemër që po i rrihte nga e papritura. Mbi mezhdën e furrit më në fund po dukej një njeri. “Ai duhet të jetë”- tha Lulja me vete. Pastaj ndërroi mendje…”Po sikur të mos jetë Bushi, çfarë t’i them atij njeriut të botës, …sikur të më pyes se nga jam duke shkuar.” Atëherë Lulja, si një peligorgë e trembur ndali hapin, doli nga traga dhe u drejtua një marine me degë të holla. Këputi atje një shufër, e pastroi nga gjethet krënde dhe e mbante me një dorë dhe me dorën tjetër tufat e luleve. Me shufrën e marinës në duar Lulja e ndjente veten më të sigurt nga kushdo që ta pyeste. “Jam duke kërkuar patat”- do t’i përgjigjej me krenari çdo njeriu.
*
Edhe Bushin nuk e mbajti shtëpia brenda. I bëhej mendja verige të takonte shokë
të moshës dhe t’i merrte me vete në Vlorë. Të parën gjë që bëri doli nga ajo anë e fshatit
që quhej Bishti i Kaminave, nga që zgjatej si një rrip toke në kënetë. Andej mund të
takonte ndonjë peshkatar, ose gjahtar. Po kush e di andej mund të dilte me pulat e detit
ose me patat e shtëpisë edhe Lulja. Bushi kishte mall për kaminën. Pati punuar atje që kurishte çun i ri fare, kish punuar si nderës. Merrte qeramidhen në gjendje balte nga
tezgjahu, ku ato priteshin, i vendoste mbi kallëpin prej druri dhe i çonte në lëmë që të
thaheshin e të bëheshin gati për t’u pjekur ne furrë. Po më shumë mall kishte për djegien
e furrit, kur piqeshin tullat apo qeramidhet. Detyra e tij ishte të afronte dëllinja, shqopë
ose çdo lloj druri shkarpë te gryka e furrit, ku furrtarët, sipas rastit, herë shumë e herë
pak, “ushqenin”, mbanin gjallë zjarrin e furrit, duke përdorur hozhegë të gjatë e të trashë.
Bushi, si punëtor i ri kamine, kishte parë disa herë me radhë se si bëhej pjekja e tullave
dhe qeramidheve. Zjarri i furrit të kaminës niste nga dalë. Nuk duhej të merrte furri
nxehtësi me një herë se plasariteshin, ose çaheshin qeramidhet e papjekura, që ishin futur
brenda. Po kështu, kur furri nxehej, duhej edhe më shumë kujdes, se prej nxehjes së
tepruar qeramidhet shkriheshin e bëheshin zgjyra. Bushi i dinte të gjitha proceset e punës
në kaminë, po gjene nuk mund ta quante veten mjeshtër. Për atë mjeshtëri, si usta i zoti
ishte i ati, Rrapi Furka, si dhe daja i tij.
Mbasi qe sjellë anës furrit dhe fushës së vogël, që shërbente si lëmë, tek ndereshin, për
t’u tharë qeramidhet e papjekura, Bushi u fut edhe ne kasollen e mbuluar të kaminës, që
ndodhej disa metra larg furrit. Në një anë të kasolles kishin mbetur qysh nga koha e verës
disa dengje me kashtë, stivë, njeri mbi tjetrin, kurse për tokë dukej një kapicë me vandaqe
truske të butë. Bushi, me t’u future në kasolle, u ul mbi truskën e shtypur si për t’u
çlodhur pak dhe nisi të kujtonte kohën kur shkonin nga Vija e Ngjalës, në mes të kënetës,
për të korrur truskë, që, pasi e lidhnin me fije zhuke, e mbartnin me qerre deri te furri i
kaminës. Truskën e thatë kaminatorët e përdornin si lëndë djegëse në mbarim të pjekjes
së furrit. Flaka, që del nga djegia e truskës, vjen pak si e zbardhur dhe ajo ngjyrë u jepte
qeramidheve një pamje të bukur. Ashtu ato bëheshin më tërheqëse për blerësit. Gjatë verës të vitit tjetër, kur Shqipëria do të ishte bërë më vete, Bushi mendonte se ai, sapo të vinte në shtëpi, me një herë do të fillonte nga puna në kaminë. Të bënin tulla dhe qeramidhe edhe të ndërtonin me to shtëpinë e tyre të re.
Ustallarët, që ndërtonin shtëpira, në vend të flamurit varnin sipër mbi çati, si shenjë mbarësie nga një shami me lule, varnin shami se nuk lejohej nga kajmekani ngritja e flamurit. Po tani, kur kuvendarët e gjithë kombit në Vlorë do të ngrinin flamurin dhe do të shpallnin Shqipërinë e mosvarur, nuk do të kishte më pengesa për flamurin. Në çatinë e shtëpisë së re do të valëvitej flamuri me shqiponjën dykrenore. Pas pak Bushi doli nga kasollja dhe u ngjit përsëri te mezhda e furrit të kaminës, duke shikuar hapësirën e pafund të kënetës, që zjente nga klithmat, ciasjet dhe gagitjet e shpendëve të ujit, të cilat ishin shpërndarë tufa-tufa sa andej këndej. Më larg rrinin patat egra, pak më afër ishin tufat me rosa, kurse çajkat kullosnin një nga një, ose dy nga dy. Nga zhaurimat e gëzuara të shpendëve, Bushit po i dukej se e tërë këneta ishte ne festë vjeshte. Po mbi të gjitha klithmat dallohej ngakitja e gëzuar e një rosaku gushëblertë. Siç dukej, i dehur nga ushqimi që po gjente në kënetë, rosaku gushëblertë këlthiste me sa fuqi kishte dhe sikur ftonte të gjitha rosat të vinin pran tij, të gushoheshin dhe të bënin dashuri.
Bushi i gjendur vetëm përmbi furrin e kaminës, shikonte pulëbardhat, që endeshin
mbi kokën e tij, dhe nuk po dinte se çfarë të bënte. Sikur po ndjente një zbraztësirë
brenda vetes. Ndërkohë nxori nga xhepi një ftua dhe nisi ta hante, duke e bërë feta feta
me brisk. Hante ngadalë fetat e qëruara dhe cipat e ftoit i hidhte andej këndej ledhit të
furrit të kaminës. I mërzitur, i vinte plasje që nuk u takua me asnjë peshkatar a po
gjahtar, që të bisedonte dhe t’u tregonte joshjen e vet drejt Vlorës. Po as Lulja nuk u duk
siç e kishte zakon për të mbledhur pulat e detit, a po patat e shtëpisë. Dhe pikërisht,
atëherë, kur po vështronte fluturimet e lehta të pulëbardhave mbi kokë, i zunë sytë
dikë që po vinte me lule ndër duar. Në fillim sikur nuk po u besonte syve, po pastaj e
dalloi mirë me një herë, ishte vërtetë ajo, Lulja. Dhe atë kohë, si i papërmbajtur nga një
vrundull gëzimi, vrapoi drejt saj, duke i thirrur me sa zë që kishte:
– Luleee !
Vajza, atëherë, e ngazëllyer që e pa dhe i dëgjoi edhe zërin, shpejtoi hapat, ngriti
dy tufat me lule lart dhe u turr si peligorga në kullotë drejt tij.
– Më në fund të gjeta, – foli Lulja me dëshirim. – dhe gropëçelet e faqeve iu
bënë të trëndafilta, tek ndjente shikimin depërtues të fejuarit.
– Edhe unë nuk e humba shpresën se do të takoheshim, – u dëgjua edhe
Bushi, duk e përqafuar, kur zemrat që të dyve po u rrihnin nga ai gëzim i çastit të
shumëpritur. Ai e puthi në fillim lehtësisht, dhe, kur pa se ajo nuk bëri nga ato ojnat
nazike gjoja sikur nuk i pëlqente, e puthi më fort e me fort e me plot gojën. Në dehjen e
puthjeve të para shikuan edhe një herë njeri tjetrin me sy që u shkëndijonin prej
ngazëllimit të dashurisë shpërthyese. Kur Lulja erdhi ne vete pas dallgës së pare të atyre
puthjeve të forta, shikoi rrotull dhe i tha të fejuarit:
– Bushi! Kullota ka sy. Dëgjon se edhe kullota ka sy.
Po ai ia ktheu:
– Ja tek është kasollja, ku nuk na shohin dot as pulëbardhat dhe e mori hopa si ogiçe para duarve brenda kasolles dhe, si të hutuar, të pushtuar, u ulën tok të dy tek dengjet me kashtë. Si të paçmallur vazhdonin të putheshin me gugitje. Kur Bushi vuri buzët e tij tek shqeka e gushës, Lulja u drodh fort nga gudulisja , aq sa dengjet e kashtës shkanë pa pritur, dhe, ata sa kaq, u rrokullisën njeri me tjetrin sipër kapicave me truskë të butë. Në rrokullisje e sipër, kopsa e parë e bluzës së Lules u zbërthye dhe, atëherë dy të ngriturat e kurmit të saj si mollë u dukën qartë me majucë si luleshtrydhe. Aroma e kashtës fryjtje dhe e truskës së thatë u përzje me erën e flokëve të Lules. Bushi i hutuar nga e papritura e atij zbulimi u trullos fare.
Si i dehur nga aromat e kashtës fryjtje dhe të truskës, që përziheshin me erën e vashërisë së Lules, djali u dalldis me tepër, dhe buzët e tij si me përvëlim nga dashuria, zbriten poshtë gushës së vajzës, e cila sikur u gajas prej një galdimi që nuk e kishte provuar ndonjë herë kurrë. Tani ishte vetëm ai që puthte, ndërsa Lulja provonte vetëm ngazëllim. Kur Bushi filloi ta kilikoste gjithnjë dhe më poshtë, ajo po fliste si përçart me çuçuritje. Mos se na “shohin” ishte gjithnjë meraku i saj. “Jemi në kasolle”, ishte përgjigjja. Dhe ndërkohë ata qenë përzjerë aq sa qenë bërë njësh, duke gugatur si turtuj në fole. Dhe, më në fund, kur zërat e tyre u kthyen si klithma çajkash, Lulja foli me dridhje ngazëllimi dhe afsh vashërie: – “Bushi! Bushi! Shpirt!”
– “Lule!”- kumboi si pasthirrme ngashërimi zëri i tij, dhe ashtu, siç ishin me frymëmarrje të shpeshuar, u veçuan pak, u ngritën nga kapicat e truskës dhe u ulën përsëri mbi duajt e kashtës fryjtje. Pa ditur se nga do t’ia fillonin bisedës së ndërprerë, Lulja nisi të shprehte prap merakun e saj se mos i kishin pikasur, kur u futën në kasolle.
– Vetëm pulëbardhat na kanë parë, vetëm pulëbardhat – ia ktheu Bushi, – Ja, si këto, që po rrinë kundruall nesh, i shikon, tek po çukisin zhapat e ftoit, që u hodha unë aty, mbi ledhin e furrit.
Në mes të atij turbullimi dashuror, Lulja u ngrit e para me pak lagështim në trup, dhe tha me një zë si të mekur, që i merrej akoma:
– Bushi, sikur po me djeg pak këtu te gusha, mos dukem keq, -dhe u drejtua te lera e vogël e kaminës, për të parë veten si në pasqyrë. Dhe, ashtu, gjysmë e përkulur mbi lerë, – u dëgjua të thoshte: “Bu-buu! Bushi! Paskam një shenjë të kuqe!”
Ai iu afrua, e pa me vëmendje dhe i tha se e skuqura mezi dallohej, “sa të vesh ne shtëpi do të ik fare. Dhe mos harro, të mbërthesh kopsën e bluzës.
– Nëna më la porosi për patat, që të mos bashkohen me patokun e egër, kurse unë …nuk çava kokën fare dhe i lashë patat atje te lera e madhe vetëm.
– Dhe pastaj nuk ke bërë asnjë gabim, Lule.
– E po, sikur ma tha me kast këtë punën e patokut të egër.” Ik me mend në kokë” ma tha dy herë. Kurse ne nuk e mbajtëm veten dhe druaj mos kemi kaluar cakun….
Bushit atë çast i erdhi keq për vajzën dhe u përpoq ta qetësonte. Dhe, duke e përqafuar i tha:
– Çfarë mendon, Lule! Po pse patoku egër jam unë, që nuk di se ça bëj? Mos kij merak. Dhe mos harro ta mbërthesh kopsën e bluzës…
*
Atje te furri i kaminës, u përqafuan edhe një herë dhe u ndanë.
Po, kur Lulja mori rrugën për nga patat që t’i shpinte në shtëpi, Bushi e ndali dhe i la porosi:
Lule, dëgjomë mua, të kam xhan, këto tufat me lule meri ti me vete, se je lule vetë… dhe të biesh gjithandej era lule konopice.
– Po unë i solla për ty, Bushi. Tani në fund vjeshte këto lule kanë mbetur…
– Dëgjomë mua, merri me vete. Kurse unë do të ik larg. Unë të thashë se çfarë planesh ka djemëria në Vlorë….
Atëherë Lulja, duke marrë ndër duar tufat me lule, nxori nga secila tufë nga një lule konopice dhe bovice edhe ia vuri në kraharor, ndën jelek, duke i thënë:
– Mbaji edhe ti Bushi këto dy lule, se edhe ti duhet të biesh erë e mirë, kupton, jo vetëm unë. Se jo vetëm unë duhet të bije era lule konopice- i tha ajo me sy për tokë.
Ai ia pranoi ato lule me kënaqësi dhe gjeti rast ta puthte përsëri. Ashtu ata u ndanë secili në drejtim të vetë, vajza nga patat, që vazhdonin të kullosnin te lera e kaminës, kurse Bushi u drejtua nga traga që të shpinte në qendër të fshatit.
*
Pas pak minutash, duke ecur nga dalë, Bushi e mori veten mirë, dhe, i çliruar nga tundimi i dashurisë, doli nga qendra e fshatit, ku takoi disa nga moshatarët e vetë. Të gjithëve u tha se ç’i kishte ndodhur në Petovë dhe u tregoi rreth Karvanit të Pavarësisë. Ashtu, bëri disa shokë me vete dhe vendosi tok me ata të niseshin në Vlorë sa më parë për të parë ngritjen e Flamurit të Shqipërisë. Të nesërmen, pa u gdhirë mirë, të veshur me kostume myzeqare, pasi vunë nga një trastë me ushqime në krah, morën rrugën në këmbë drejt Vlorës.
Mbas një orë e gjysmë udhëtimi kishin arritur afër lundrës së Mifolit. Qëndruan për t’u çlodhur në një djerrinë anës Vjosës. Atje mblodhën ca shkarpa të thata, krende marinash, fije bathoresh dhe i lanë ato te një gëmush zhuke; ndezën eshkë me masat mbi gurin shkrepës dhe bënë zjarr me anën e eshkës që lëshonte xixa, tek i frynin. Pastaj hodhën mbi shkarpa edhe ca dru të tjera deri sa u bë zjarri i madh hamullor. Atje u ngrohën, hëngrën bukë të thekur me djathë, pinë ujë dhe poqën misra të njomë vjeshte. Dhe ashtu, të ngopur edhe te çlodhur, nisën tragën anës lumit.
Kur ata arritën në Mifol, panë se po e kalonin lumin e Vjosës me lundër edhe shumë njerëz te tjerë. Bushi dhe shokët e tij të udhës deshën ta paguanin lundërtarin, kur do të kalonin Vjosën, po ai nuk pranoi të merrtre asnjë mexhite.
– Nuk paguhet udha për flamurin, or djem. Flamuri nuk ka të paguar. U qoftë udha e mbarë, – uronte ai një palë dhe niste të përcillte palën tjetër. – Sa më shumë kalimtarë të
kapërcej sot, aq më të ri e ndjej veten, aq më e fortë dhe më e bukur më duket Shqipëria,
aq më e dashur më bëhet Vlora.
*
Nga goja e lundërtarit të vjetër të gjemisë së Mifolit Bushi Furka mori vesh se Ismail Qemali me shokët e tij e kishin kaluar lumin e Vjosës një ditë më parë dhe gjendeshin në Vlorë duke pritur delegatët kuvendarë nga të gjitha anët e Shqipërisë. Flamuri me sot e me nesër do të ngrihej patjetër.
– U jepni këmbëve çuna, se do t’ia arrijmë të shohim ngritjen e Flamurit, – u tha Bushi shokëve që e shoqëronin; – edhe pak rrugë kemi për të bërë.
Kur ata mbërritën në Vlorë, moti ish errur dhe po bëhej natë. Së bashku zunë vend në një han, u çlodhën pak, hëngrën nga ushqimet që kishin marrë me vete dhe pastaj dolën nëpër rrugët e qytetit dhe shikonin ca si të çuditur. Në krahasim me shtëpitë e ulta te fshatit, godinat dhe shtëpitë e qytetit dukeshin më të larta, më të mëdha e të zbukuruara. Kudo, nëpër Vlorë, nëpër shitore, në gjellëtore, nëpër pijetore, ndër ëmbëltore e në çdo rrugë kishte gjallëri.
Duke ecur si për shëtitje para një restorantit të madh, Bushit i zunë sytë një njeri që e njihte si fytyrë, ishte një burrë mesatar, me ballë të lartë, me sy të mprehtë e të mëdhenj, që i ndrinin nga mençuria. Edhe pse kishte kohë pa e parë, Bushi e njohu. Ai ishte mësuesi i famshëm Jani Minga. Tok me të tjerët iu afrua dhe i foli:
– Mirëmbrëma, Zoti Minga!
– Mirëmbrëma, vëlla, – ia ktheu ai përgjigjen, duke u përpjekur që ta njihte. E mori vesh nga takija që ishte myzeqar, po nuk po e shquante se cili mund të ishte.
– Nuk po më njihni, Zoti Jani.
– Nuk po të sjellë në mendje, po e shoh se vjen nga Myzeqeja.
– Kam ardhur nga Fushëmarinasi.
– Oh, po Fushëmarinasi është ngjitur me fshatin tim, me Shjën-Pjetrën.
– Si të quajnë?
– Bushi Furka.
– Po toke edhe një herë, – i tha dhe i dha dorën duke e përqafuar.
– Në Shën-Pjetër ju kujtojnë gjithnjë. Oborrin tuaj edhe sot e kësaj dite e quajnë Ara e Mingës.
– Më ka marrë malli, – tha Jani Minga, – po nga pranvera, mbase ditët e Pashkëve, kam dëshirë të vijë, se dua të bisedoj me Papa Kriston, për të hapur një shkollë shqipe ne një nga godinat e vakëfit.- Ai më tha se do të bënte çmos që të na jepej për shkollë një godinë dykatëshe nga të vakëfit.
– O, sa mirë do të jetë.
– Jam i sigurt se ata do ta mbajë fjalën.
– Do të jetë një gëzim për të gjithë krahinën, – u dëgjua Bushi.
– Pastaj, kur ta takoni, do t’ i bëni shumë të fala edhe kryeplakut të fshatit Petro Simonit, mikut tim të fëmijërisë, se edhe ai ma ka dhënë llafin se do të na ndihmojë për hapjen e shkollës.
– Mos kini merak, Zoti Jani; pa tjetër do t’ju themi. Po nuk na pyete se pse kemi
ardhur?
– Me siguri për Flamurin, – ia ktheu ai,- Këto ditë këtu në Vlorë , biri im,. është
Mbledhur gjithë djemuria e këtyre anëve.
– Po kur mund të ngrihet Flamuri ynë, Zoti Jani?
– Dëgjoni, bijtë e mi, nesër ka për t’u mbledhur Kuvendi i Madh i gjithë kombit tonë. Kuvendarët, ose përfaqësuesit e gjithë krahinave të Shqipërisë do ta vendosin këtë gjë. Besoj se nesër, më datën më 28 Nëntor, do të arrihet kjo ëndërr e madhe.
– Nesër? – Tha Bushi me një zë si pasthirrmë, – ooo sa mirë! Po ne prandaj kemi ardhur, që të shikojmë si do të ngrihet flamuri.
– Atëherë, që ta keni sa më të lehtë, pjesëmarrjen tuaj në festimin e ngritjes së flamurit, ju me gjithë shokët tuaj, duhet të shkoni nesër mbas dite rreth shtëpisë së Madhe të Xhemil bej Vlorës, ku do të jetë një gjindje njerëzish e grumbulluar për këtë qellim.
– Po ti mos u largo, për të fjetur të më vish nga shtëpia.
– Një herë tjatër mund të vij nga shtëpia, po sot për sot dua vetëm të më japësh një këshillë, zoti Jani.
– Urdhëro e fol, ore djalë.
– Deri pardje, o Zoti Minga, ishja nizam, më kishin marrë me zor. Po me të dëgjuar se do të ngrihej flamuri, ika fshehur zabitëve të ushtrisë turke, u arratisa nga tabori, dhe ndoqa pas karvanin e atyre që do të ngrenë flamurin.
– Shumë mirë ke bërë, të lumtë… dhe pastaj çfarë doje të më thoshje?
– Po ja kur ishja nizamë, më dërgoi babai para që t’i kishja për të gjetur bedel.
Tani që po rrëzohet koha e nizamllëkut, më ka lindur dëshira që këto para t’ia jap atij që po ngre flamurin për arkën e qeverisë së re… Ja për këtë dua të më mësosh, si ta gjej rastin që ta takoj Ismail Qemalin edhe t’ia dhuroj.
Jani Minga i mallëngjyer nga fjalët e atij djali patriot, që nuk i priste, e përqafoi atë për së dyti edhe e puthi në faqe, duke i thënë:
– Arka e shtetit të ri do të ketë patjetër nevojë për ndihmën e popullit. Po ti zemrën e mirë të kesh dhe mos u bëj merak se do të gjenden më vonë mënyrat për të ndihmuar shtetin e ri.
– Atëherë si të bëj?
– Sot e nesër brohorisni e këndoni gjithë sa jeni
– Po Ismail Qemalin do ta shohim, vall?
– Si nuk do ta shihni. Do ta shikoni tok me flamurin.
Pas pak djemtë u ndanë me Jani Mingën.
Atë mbrëmje Bushi me shokët e vetë shkoi te hani i madh i Lon Myzeqarit, që ishte hani më i madh në hyrje të Vlorës. Për çudinë e tyre, shumë nga ata që kishin bujtur qenë mbledhur rreth një zjarri bubulak te vatra e baxhasë. Kundruall tyre rrinte hanxhiu i ulur në një trung të cunguar të sajuar si stol dhe në një stol tjetër prej dërrase të rëndë rrinte, pranë hanxhiut, një tjetër burrë, i cili mbante një nagant në brez dhe se çfarë po u fliste atyre që po e dëgjonin. Bushi Furka, sa u fut në derë të hanit, e njohu atë që po fliste dhe u tha shokëve që kishte me vete:
– Ore, ai që është duke folur, po më duket si Leksi i Mit Marinit nga Shën-Pjetra, që është ngjitur me fshatin tonë.
– Po, po, ai këngëtari është.
– Me siguri që do të ketë nxjerrë ndonjë këngë të re, – foli tjetri, – Kot nuk
janë mbledhur gjithë ata njerëz në han.
Ndërsa Bushi me shokët e tij shkuan ngadalë dhe u ulën pas të tjerëve, njeriu me dogra për mezi, që rrinte pranë të zotit të hanit, vazhdonte të fliste:
– Kam ardhur t’u përgëzoj për atë pritjen miqësore dhe dashurinë, që ju, libofsharakët dhe gjithë Myzeqeja treguat për Ismail Qemalin dhe karvanin, që e shoqëronte. Edhe unë do të ishja tok me ju, se edhe unë jam nga ajo zonë, nga Shën-Pjetra jam, po nuk u ndodha në fshat, sepse më çoi fjalë Jani Minga që një orë e më parë të ndodhesha në Vlorë medoemos; “se ashtu është puna”. Ju e keni dëgjuar Jani Mingën, se ai është një mësonjës i ditur, të cilin e kam mik dhe shokë fëmijërie. Ai, Jani Minga, unë dhe Papa Isaia, të tre kemi lindur në një fshat, në Shën–Pjetër. Ne jemi lindur në një vit, pra jemi vërsnik.
Tok kemi lojtur dokërr dhe cingël, në sheshet e kullotave me bagëti, derisa familja e Mingajve u shpërngul dhe erdhi këtu në Vlorë. Që ta kuptoni ju, o miqtë e mi, unë atëherë, me të dëgjuar ato fjalë, shalova doriun dhe u bëra veri drejtë e në Vlorë, te shtëpia e Jani Mingës. “Dëgjo, – më tha, – është duke ardhur Ismail Bej Qemali me një shpurë të madhe njerëzish, zotërinj të rrallë, nga të gjitha anët e vendit, se do të ngremë flamurin e Shqipërisë. Ty ta kam vënë emrin në listën e rojave, që do të ruajnë sarajet e Vlorajve, ku do të mbahet kuvendi i madh. Dhe ashtu, dhashë llafin unë dhe u lidha këtu.”
Atë çast, hanxhiu, Lon Myzeqari, nxori kutinë e duhanit dhe iu drejtua atij që po fliste:
– Po tani, o zoti Leksi – na trego pak rreth këtij njeriu të famshëm, Ismail
Qemalit dhe zotërinjve kuvendarë me të cilët zotëria e tij paska ardhur.
– Po ç’ të rrëfej më parë, o xha Loni, lashë mendjen, tek shikoja atë burrë të
mënçur si dhe shpurën që e shoqëronte, njëri më i ditur se tjetri. Me sa kuptoja kishin
ardhur nga të gjitha viset e Shqipërisë. Ishin të lodhur nga rruga e gjatë, po të gjithëve u
ndrinte fytyra. Të tërë kishin një ide në kokë se Shqipëria do të bëhej.
– Mirë, more vëlla, si do të bëhet Shqipëria, si ta kuptojmë këtë.
– Fjala është se do të behet pa Turqinë.
– Me një llaf, Shqipëria do të bëhet më vete.
– Po ikën Turqia vetë? -Pyeti hanxhiu, – kemi ne këllqe ta përmbushim këtë qëllim? Si e
mendojnë ata krerë burrash kuvendarë, që janë mbledhur?
– Kjo punë, xha Loni, do të fillojë me flamurin, me ngritjen e flamurit
Shqiptar, duke i dhënë besën e burrit dhe të shqiptarit njeri tjetrit.
– Duke dhënë besën, po për çfarë.
– Të japim besën, se do të jemi të bashkuar për mëvetësinë e Shqipërisë dhe
për këtë do të luftojmë me armë në duar, duke u betuar para flamurit.
– Po si është ky Flamuri i Shqipërisë, more zoti Leksi, që u dashka ta ngremë dhe
do ta ruajmë. Duam të dimë rreth tij edhe ne si gjindje; kështu që, po munde, na rrëfe pak
edhe për atë flamur, si ta sqaroi Zoti Jani Minga atë ty.
– Çështja e flamurit, o vëllezër është si histori më vete. Kur mbrrijti Ismail Beu dhe shpura e tij, ishte ora tetë a po nëntë alla frënga. Qe mbledhur një turmë e madhe njerëzish, që i pritën me brohori. Atje te sheshi i Vlorës, njëri nga parija e qytetit mbajti një fjalim përshëndetës për mirëseardhjen e prijësit të ndritur Ismail Bej Qemalit dhe shokëve, që kishin ardhur nga shumë vise të Shqipërisë. Pasi u takuan dhe u përshëndetën me parinë e vendit, ata, delegatët përfaqësues i shpërndanë ndër dyertë më të njohura të qytetit. Ismal Qemali qe caktuar të bujtëte në shtëpinë e zotit Hasan Agë Sharrës në lagjen Muradije.
Duke ecur në këmbë për tek shtëpia e Sharrajve, Ismail Qemalin e shoqëronte Jani Minga dhe ca zotërinj të tjerë; unë ecja nga pas si roje vullnetare dhe dëgjova me veshët e mi, kur Ismail Qemali po e lavdëronte Jani Mingën për klubin Labëria dhe për hapjen e shkollës shqipe. Ndër kaq kishim arritur te Porta e Sharrajve.
Me të mbërritur aty, Ismail Beun e morën të zotët e shtëpisë, që kishin dalë dhe po e
prisnin. Ashtu, Qemal Beu atëherë u përshëndet me shoqëruesit, u nda me ta, për t’u
bashkuar me Sharrajt, duke thënë.
– Natën e mirë, o vëllezër! U gdhivshi shëndosh dhe me shpresë se më e mira do
të bëhet.
Po, në udhë e sipër, kur Jani Minga me shokë të tjerë, po merrnin rrugën, për t’u
kthyer, andej nga qendra e qytetit, atij iu drejtua njeri nga bashkudhëtarët e Karvanit të
Pavarësisë, i cili kish ardhur nga Rumania:
– Më falni, Zoti Minga, – i tha.
– Urdhëroni, mik i shtrenjtë! Me kënaqësi po ju dëgjoj.
– Jam Spiridon Ilo (16), bashkudhëtar me Ismail Qemalin qysh nga Bukureshti. Dua
të më ndihmosh, për të gjetur shtëpinë e mbesës time, Marigo Pocio, besoj se e njihni.
– Po si nuk e njohim! ajo është patriotja jonë më e flaktë, një modhistre e rrallë dhe
qëndistare artiste.
Pas pesë gjashtë minutash mbrrijtëm tek shtëpia e Marigos, e cila mbeti e mahnitur kur pa sikur t’i kishte zbritur si nga qielli daja i saj. Po ajo, Marigoja, more miq, paskej qenë si e bukura e dheut, more, e magjishme si një engjëllushe, delikate si peligorga në degë marine në ditë vere. Ashtu m’u duk, kur e shikoja.
– Të kam sjellë flamurin e Shqipërisë, – foli pa e zgjatur Spiridon Ilo, – ta kam sjell, moj mbesë, që të na e qëndisësh dhe zbukurosh, ashtu si di ti, – foli ai, duke e nxjerrë nga
gjiri flamurin.
Ky është flamuri ynë, flamuri i Skënderbeut, flamuri i kuq me shqiponjën dy krenare ne
mes. Këtë flamur do ta ringremë këtu në Vlorë, siç e ngriti Gjergj Kastrioti në Krujë më
1443.
* * *
– Flamuri, o vëllezër, ashtu si ma zunë sytë, dukej si një mandile e kuqe dhe në mes kishte të vizatuar një shqiponjë me dy krerë, -vazhdonte rrëfimin Leksi i Mit Marinit. Kur po dilnim nga oda, ku do të qëndiste zonjusha, unë e pyeta Jani Mingën,” se pse shqiponja kishte dy krerë?” … Ai m’u përgjegj, se “ashtu ka qenë flamuri ynë edhe në kohën e Skënderbeut.”
Dhe, duke dëgjuar ato fjalë, dhe, duke parë atë flamur, mua, more burra, më kapi një ngazëllim i madh, sa më dehu gjithë shpirtin, dhe, atëherë ndjeva nevojë të këndoja për Flamurin. Se duhet ta dini, që unë jo vetëm që këndoj, po edhe di të nxjerr këngë. Po kësaj radhe kënga më buroi nga zemra e nuk dija ta përmbaja veten. Si i rregullova dhe i terezita fjalët, shkova te komandari i rojeve. I kërkova nja dy orë lejë që të vija deri këtu tek ju, në hanin tuaj, e ta këndoja së bashku me ju….
Në mes të heshtjes, para zjarrit bubulak, Leksi i Mit Marinit nisi të thoshte fjalët e këngës. Ato fjalë ai i kishte shkruar dhe në një letër, që ia dha një djali, i cili kish mbaruar shkollën në Libofshë dhe dinte shkrim dhe këndim.
Më në fund, ai u dëgjua t’u thoshte të gjithë te pranishmëve të hanit: “Unë po e zë këngën, dhe ti, xha Loni, do ta mbash, kurse çunat e rinj të bëjnë iso… Dhe ashtu kënga filloi.
Ajo këngë buçiti brenda mureve të hanit dhe jehoi në oborr dhe gjithandej. Kur të rinjtë duartrokitën, Leksi i Mit Marinit u çua në këmbë, pa orën e xhepit, dhe i tha hanxhiut:
– Kaq e pata lejën, Zoti Loni, tani më lini të shkoj se komandari më pret, po këngën ju e vazhdoni vetë.
– Të lumtë goja, o bilbili i Myzeqesë. – i a ktheu hanxhiu, – se jo vetëm na gëzove me këngën e re që na solle dhe këndove, po na hape edhe sytë me aq sa na tregove për Flamurin.
– Kështu, që nesër, kur të jepet lajmi me tellall, a po pa tellall, për ngritjen e flamurit, shpresoj se do të jemi të gjithë bashkë.
– Pa tjetër, zotëri, – i tha hanxhiu, – gjithë gjindja për këtë punë ka ardhur deri këtu.
Atëherë, të tërë tok, në hanin e Lon Myzeqarit, gjithë sa qenë, kënduan dhe hodhën valle. Mes haresë së përgjithshme Bushi ndjente se si i gufonte zemra nga gëzimi. Parandjente jetën e re. Tani edhe dasma e tij s’ do të ishte e largët. Argëllëku qe paguar. Nderi i shtëpisë qe vënë në vend dhe ai do të bëhej me nuse të re.
Dhe vërtetë, të nesërmen, pas dite të datës 28 Nëntor 1912, Bushi Furka me shokët e tij të fshatit u nisën drejt sarajeve të Xhemil beut, ku dukej një grumbull njerëzish që sa vinte e zmadhohej. Disa prej tyre bashkoheshin në mënyrë rrethore edhe afroheshin duke kënduar labshe:
O prijësi Smail Qemali !
Diplomati më i parë,
Ardhja këtu në Vlorë
Do të dalë për mbarë.
Tani që na erdhe
Këtu në Vlorën tënde,
Rreth teje jemi mbledhur,
Të bëjmë ca kuvende, …
Të ngremë lart flamurin,
Të shpallim pavarësinë,
Dhe ashtu të mosvarme
Ta kemi ne Shqipërinë.
Tërë gjindja e mbledhur shikonte me admirim burrat këngëtarë, që këndonin, duke tundur
feste ose mandile në shenjë gëzim të papërmbajtur. Ca thoshnin se vinin nga Kanina, ca
nga Vranishti, nga Kuçi, nga Radhima a po Tërbaçi, dhe më larg akoma nga Tepelana, po të gjithë i bashkonte veshja, tirqet, festja, qylafi i gjatë me një majëz si antenë; pra dalloheshin se ishin lebër, që kërcenin si petrita, që sa preknin tokën, hidheshin përpjetë duke u bashkuar rrethçe, ose grupe grupe.
Ashtu bëri dhe Bushi Furka me shokët e tij nga Myzeqeja; u bënë tok grup ndanë rrugës së madhe dhe ia nisen këngës, që u mësoi Leksi i Mit Marinit një natë më parë në hanin e xha Lonit. Kënga e tyre nisi shtruar, po kur “kabaja dhe “isoja” fuqizohej, kënga kthehej në valle elegante, me ojnat e fugave në lëndinë, që të kujtonte melodinë e njohur festive: “kush i ngre njerëzit në valle, vallja dyshe myzeqare, here e rëndë here e lehtë, si peligorga, që kap retë”. Sado të ngjashëm të dukeshin grupet e këngëtarëve, ata dalloheshin, se përveç intonacionit kishin ndryshime edhe nga veshja.
Ajo që binte me një herë në sy ishin qeleshet, që vinin në kokë; ndërsa lebërit mbanin qylaf të gjatë, myzeqarët vishnin takije të bardha. Nga mbajtja e njëllojtë e takijes të dukej sikur tërë myzeqarët të ishin nga Libofsha, nga Divjaka, nga Semani a po nga Pishë-Poro.
Dhe kënga e vallëzuar e grupit nga Myzeqeja me Bushi Furkën në mes vazhdonte:
Ne flamurin kuq e zi,
Me shqiponjën dykrenare,
Po e ngremë në Shqipëri
Dhe në zemrat shqipëtare.
Le të ndizet kënga flakë,
Të gjëmojë në fush’e mal,
Flamurin po e ngremë lart
Me prinjësin Smail Qemal.
*
Më në fund nga ballkoni i asaj shtëpie të madhe dolën delegatët. Në mes të të gjithëve qëndronte Ismail Qemali. Përmidis atij gëzimi dhe asaj brohoritjeje, që dukej sikur çante qiellin, Ismail Qemali ngriti dorën, përshëndeste e buzëqeshte, deri sa ra heshtja. Pastaj mori fjalën edhe nisi të fliste me një zë të ngrohtë: “Vëllezër shqiptarë! Sa të lumtur e ndjej veten sot, që shoh këtu në Vlorë kaq burra shqiptarë të mbledhur së bashku duke pritur me kureshtje e padurim përfundimin e kësaj mbledhjeje historike për fatin e Atdheut tonë të dashur.
Plot me gaz e me lot në sy nga mallëngjimi, po dal këtu para jush që t’ju njoh me
sihariqin e madh, se sot ne këtë minutë, Kongresi ynë i madh shpalli mëvetësinë e
Shqipërisë, duke lajmëruar gjithë botën mbarë për këtë punë e, duke më ngarkuar mua
kryesinë e qeverisë së përkohshme të Shqipërisë së lirë.
Porsi një ëndërr më duket ky ndryshim i vendit tonë, që hoqi e vuajti të zezat e
ullirit pesëqind vjet me radhë nën sundimin turk, por që tani në kohën e fundit, ishte gati
të jepte shpirt përgjithmonë, të shuhej e të shfarosej krejtësisht nga faqja e dheut, kjo
Shqipëri që dikur shkëlqente nga trimëria e pashoqe e bijëve të saj: Kjo Shqipëri që kur i
kërcënonte rreziku Evropën nga pushtimet e Turqisë, nën kryetrimin e pavdekur të saj, Skënderbenë, u bë porta e hekurt kundër sulmeve më të tërbuara të sulltanëve më të egër të Turqisë.”
Brohoritjet gazmore dhe duartrokitjet shpërthyen me një herë si një rrapëllimë e
papërmbajtur Edhe Bushi Furka me shokët e tij nga fshati nuk e mbante dot veten nga
hareja. Ndjenja e krenarisë kombëtare edhe ata njerëz të thjeshtë i përshkonte tej e
mbanë. Edhe atyre u rrihte zemra për lirinë. Fjalët e zjarrta të të gjithëve bashkoheshin në
një brohoritje të vetme. Qielli ushtinte dhe jehona përhapej nëpër rrugë.
Po Ismail Qemali nuk e kishte mbaruar ligjëratën e tij, ai vazhdoi të fliste:
Për t’ia arritur kësaj dite të bardhë e të madhe, na ka ndihmuar gjaku i
dëshmorëve dhe puna e vlefshme e patriotëve tanë dhe e gjithë zotërinjve që morën pjesë
në këtë mbledhje, dhe e të gjithë juve, që tani po ju gufon zemra nga gazi i madh që
ndjeni.
Mbledhja, si më plak që jam, më ngarkoi mua ngritjen e shenjtë të shenjës sonë
kombëtare, të flamurit tonë të nderuar e të dashur.
Ja pra, ky është flamuri ynë i kuq e me shqiponjën dykrenore në mes. Dhe tani të
gjithë bashkë si një trup i tërë dhe i pandarë, le të punojmë për ta mburruar, për ta
përparuar e për ta qytetëruar, si i ka hije atdheut tonë të lirë!
Rroftë Flamuri! Rroftë Shqipëria e Mosvarme!
Qielli jehoi përsëri prap nga brohoritjet. Njerëzit shikonin flamurin dhe nuk
mbaheshin nga gëzimi. Flamuri kombëtar valëvitej nga era dhe shqiponja e tij dukej sikur
merrte fluturim në të gjithë qiellin e Vlorës dhe të Shqipërisë.
Gjithë njerëzit ndjeheshin të lumturuar në një hare të papërmbajtur, siç do të shkruante edhe gazeta e asaj kohe “Përlindja e Shqypnisë”, e cila, duke parë ngazëllimin popullor na rrëfen për atë ditë të shënuar historike: “Na u duk, sikur dora e zotit e këputi zinxhirin e skllavërisë, sikur duallëm nga terri në dritën e bekuar të diellit, zemrat na u mbushën me gas e shpresë. Qysh mos të lindësh këtë ndjenjë duke parë skenën e prekshme të vëllazërimit, Myftiu i Dibrës Vehbiu që u përqafua me Ipeshkvin e Durrësit (17)
Dom Nikollë Kaçorrin; ortodoksi i Beratit Babë Dudë Karbunara, mjekër-gjati, që puthi
në ballë katolikun Luigj Gurakuqi” …
Bushi Furka edhe ai si gjithë gjindja e mbledhur atje tek po valëvitej flamuri brohoriste me sa zë që kishte, përplaste duart lart edhe kishte dëshirë që ta shikonte fare afër Ismail Qemalin, ashtu si e pa para Karvanit të Pavarësisë dhe t’i thoshte se ai e mbajti fjalën e dhënë për të ardhur në Vlorë, kur do të ngrihej Flamuri. Po prijësi i flamurit hidhte shikimin kudo dhe në mes të atij ngazëllimi vazhdonte të përshëndeste me dorë, duke buzëqeshur vazhdimisht.
Në ato çaste Bushit do të dëshironte të kërcente fluturimthi deri te ballkoni i asaj shtëpie të lartë, ta prekte edhe një herë Ismail Qemalin, e t’ia dhuronte ato pak para të qeskës së tij për arkën e shtetit te ri, duke i puthur dorën tok me flamurin në shenjë nderimi dhe besnikërie. Po ajo gjë nuk bëhej dot, se gjithë njerëzia e mbledhur atje para Flamurit ishte e shumtë dhe të gjithë kishin po atë dëshirë e lumturi: të shikonin sa më shumë atë Flamur dhe atë Njeri që e ringriti aq lart.
Boston
15 Tetor 2023
(1) – ubjekti i novelës “Karvani i Pavarësisë merr shkas nga një artikull përkujtimor, i botuar në gazetën “Arbëria” më 28 Nëntor1936, i shkruar nga një bashkudhëtar i Shpurës historike të Ismail Qemalit, i quajtur Qemal Karaosmani, dhe që plotësohet me kujtimet e vetë Ismail Qemalit dhe të shokëve të tij, Dhimitër Berati dhe Dhimitër Zografi, që qenë bashkudhëtarë për ngritjen e flamurit. Së dyti, novela “Karvani i Pavarësisë” mbështetet edhe në rrëfimet e të moshuarve myzeqarë, nga të cilët veçoj mësuesin veteran Trushi Kola, që më ka treguar për pritjen e përcjelljen, që iu bë Ismail Qemalit në Libofshë si edhe në lundrën gjemi të Petovës, për të kaluar lumin Seman.
(2) Gjimnastika e mëngjesit.
(3) Terxhumani= përkthyesi
(4) Bimbashi = oficer i lartë në Perandorinë Turke, një grade ushtarake, që barazohet me gradën e “majorit”
(5) Titulli i kryetarit të administrates së një sanxhaku të kohës së sundimit turk.
(6) Si shqiptar jam me ju, por si nëpunës duhet të jem kundër jush”.
(7) Fjalët e diskutantëve në këtë mbledhje janë marrë nga shkrimi memorial i juristit Dhimitër Berati
(8) i trrëshëm = i cekët
(9) – Sipas artikullit të Qemal Karaosmanit, botuar në Arbëria nëntor 1926.
(10) Qeveritar i një krahine të vogël, gati sa një komune në kohën e sundimit turk.
(11) Sipas përshkrimit të Q..Karaosmanit në gazen Arbëria.
(12) Rremë = vijë e thelluar me ujë, si përrua i vogël fushor, që përdorej për mullinjtë e blurjes së drithrave.
(13) Argëllëk= me këtë fjalë duhet kuptuar detyrimi financiar i dhëndërrit ndaj të fejuarës. Ashtu si shtëpia e vajzës duhej të bënte pajë, ose prikë, dhëndërri duhej të jepte para nga ana e tij.
(14) – Nizamët = Ushtarët e kohës së sundimit turk.
(15) – Halldup= me këtë fjalë populli shqiptar quante çdo njeri të veshur me rroba të uniformës së ushtrisë turke në kohën e pushtimit osman.
(16) Spiridon Ilo (1876- 1950) është firmëtar i aktit të Pavarësisë më 28 Nëndor 1912, ka qenë pjesëmarrës në mbledhjen e 5-Nëntorit 1912 të organizuar nga Kolonia Shqiptare e Bukureshtit, për ngritjen e Flamurit Kombëtar, ku qe i pranishëm edhe Ismail Qemali.
(17) Ipeshkvi i Durrësit kështu e përmend dhe e quan gazeta “ Përlindja e Shqypnisë” Dom Nikollë Kaçorrin më 1913, duke përkujtuar njëvjetorin e pare të Pavarësisë.
Shënime për autorin
Aristotel Mici u lind më 1935 në fshatin Shën-Pjetër pranë qytetit antik të Apolonisë të rrethit të Fiert. Shkollën e mesme e kreu ne Shkodër. Më 1960, kur mbaroi universitetin e Tiranës, filloi punën si mësues i letërsisë në gjimnazin e parë të Fierit. Më vonë do të emërohej pedagog i letërsisë në filialin e Universitetit të Tiranës po në këtë qytet.
A. Mici filloi të merrej me krijimtari letrare që nga mesi i viteve ’50 të shekullit të kaluar. Gjat viteve në vazhdim do të botonte disa libra me tregime novela dhe letërsi për fëmijë, si Anës Detit, Kërrabat me bilbil, Gjoli i rosave, Lulet e pyllit, Elektricistja e betonierës, Dimri dhe shqiptarët, Blerina në malësi, Kur këndojnë gjinkallat,(titulluar :”Gjoni, Gjini dhe Motra” romani Drizana, Ariu i pyllit të madh,, Gardalina në fole e të tjera.
Në vitin 1980 ai do të niste punën në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri”, ku u mor me përgatitjen për botimin e veprave të autore të traditës si Naim Frashëri, Pashko Vasa, Foqion Postoli, Lasgush Poradeci, Migjeni, Mitrush Kuteli, Faik Konica e të tjera vepra në seri.
Në vitin 1998 emigroi në Amerikë dhe u vendos në Massacusetts, në shtetin dhe qytetin ku kish qenë emigrat ekonomik i ati para Luftës së Dytë Botërore. Atje krahas punës për jetesë, u përpoq të zgjeronte dijet e tij, duke ndjekur fillimisht Kolegjin Quinsigamond në degën e gjuhës angleze për të huaj, pastaj u regjistrua në Universitetin Shtetëror të Worcesterit, ku u diplomua Master në histori. Ndër këto kohë botoi shkrime të ndryshme në gazetat shqiptaro-amerikane në “Dielli” dhe “Illyria”, disa nga të cilat do t’i përfshinte më vonë edhe në libra të veçantë. Në kuadrin e 100 vjetorit të Ditës së Pavarësisë, 28 Nëntori 1912, botoi novelën ”Karvani i Pavarësisë, si edhe librin “Himni i Flamurit- simbol mbarëkombëtar.
Dhe po në vitin 2O12 do të botonte studimin eseistik “Prejardhja e emrit Shqiptar”. Kurse në vitin 2016 botoi librin me portrete historike “Presidentët Amkerikanë në memorialin e malit Rushmor”, që u kushtohet katër figurave më të shquara të Amerikës, katër Presidentëve të famshëm Georg Washington, Th. Xheferson, A. Linkoln, edhe Th. Ruzvelt, potretet e të cilëve janë vendosur mbi memorialin madhështor të shtetit të Dakotës së Jugut.
Po atë vit do të botonte edhe librin tjetër me ese, Meditime letrare, që do të pasohej më vonë prej dy librave të tjera studimore Apolonia dhe hinterlandi i saj, më 2017 dhe monografia “Pellazgët në optikën e Herodotit”, më 2020, publikuar nga shtëpia botuese ”Dudaj”. Kurse më 2022, në kuadrin e jubileut të 100 vjetorit të lindjes së shkrimtarit Jakov Xoxa, botoi monografinë “Zanafilla e romanit Lumi i Vdekur” të këtij autori në shtëpinë botuese Neraida.
Ky shkrim është një turp se ka shumë genjeshtra brenda.