Nga : Isak A H M E T I
I. Në vend të hyrjes
Që në fillim të këtij shkrimi le të theksojmë se fjalimi historik i Hydajet Hysenit në sheshin qëndror të Kryeqytetit të Kosovës në Prishtinë është njëra nga kryengjarjet e demostratave të mëdha jo vetëm të vitit 1981. Prandaj jo rastësisht Hydajet Hyseni është quajtur megafoni historik i popullit shqiptar (Khs. EPOKA E RE, 1 prill 2021)…
II. Paraverë në katër pamje
Kështu titullohet libri me poezi i Hydajet Hysenit, që shqipton idenë sublime të Lirisë dhe Pavarësisë të Kosovës.
Librin në fjalë e ka botuar LSHK, Prishtinë, 2006, fq. 535.
Redaktor: Agim Vinca
Për botuesin
Adem Demaçi
Është ky një libër me vlera shumështresore dhe i veçantë edhe për faktin se i përket Letërsisë nga burgu që është shumë e veçantë dhe kapitull me vete në letërsinë shqipe (Khs.Bajram Kosumi: Letërsia nga burgu-kapitull më vete në letërsinë shqipe, Shkup, 2022).
Për këtë libër (të cilin autori ma ka dhuruar me dedikim të veçantë për çka e falenderoj publikisht nga zemra!), pothuaj se menjëherë pas botimit dhe leximit, kam shkruar dhe botuar një shkrim kritik-vlerësues afirmativ (Zëri, 10 nëntor 2007, fq. 39).
Sërish iu ktheva këtij libri edhe për faktin se, siç e kam thënë edhe te shkrimi im i parë për këtë libër, përmban në vete idenë sublime të Lirisë dhe Pavarësisë të Kosovës!
Këtë poeti e ka shpreh më se miri te poezia emblematike me titull:
RROFTË KOSOVA – REPUBLIKË
U ngrit në këmbë biri i Kosovës,
Mitralozit iu hodh në grykë
Ngriti zërin, i foli botës:
Rroftë Kosova – Republikë!
Hapi gjoksin para tankut,
Duke thirrur s’kemi frikë,
Tundi grushtin aeroplanit:
Rroftë Kosova – Republikë.
E burgosën, e torturuan,
E thanë: Kurrë s’do të shohësh dritë;
Ai thirri përsëri:
Rroftë Kosova-Republikë
…
Edhe trupin e dërmuar,
Copa , copë t’ia bëjnë me thikë,
Në zemër të tij do të gjejnë të shkruar:
Rroftë Kosova-Republikë !
(1981 )…
III. Pak biografi për autorin
Hydajet Hyseni-Kaloshi u lind me 10 mars 1954, në Përlepnicë të Gjilanit. Ka studiuar Gazetari dhe Diplomaci në Universitetin e Prishtinës. Ka punuar gazetar i “Rilindjes ” dhe më vonë redaktor dhe kryeredaktor i gazetës”Bujku”.
Ka qenë pjesë e Levizjes së fshehtë çlirimtare të kohës dhe i shtypit ilegal.
Për shumë vite ka qenë i burgosur politik. Pas lirimit nga burgu nuk e ka reshtur veprimtarinë politike në levizjen e fshehtë të LPK-së dhe njëkohësisht ka qenë i angazhuar në alternativën politike dhe në Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut.
Aktualisht është kryesues i Këshillit të Përgjithdhëm të LVV, drejtor në Shoqatën e ish të burgosurve politikë, është amëtar i këshillit global të Federatës për Paqe Universale.
Gjithashtu Hydajet Hyseni është edhe autor dhe bashkautor i një sërë botimesh letrare e publicistike, edhe i librit me poezi:
PARAVERË NË KATËR PAMJE,
të cilin këtu po e marrim në rishqyrtim.
IV. Paraverë në katër pamje – libër i jetës…
Libri të cilin po e marrim në rishqgyrtim është libër i jetës së poetit për të cilin, siç shkruan Agim Vinca, në cilësinë e redaktororit, është nga ai lloj librash që mund të quhen libra të jetës. Ç’është e vërteta, autori, në hartimin e tij, ka punuar një jetë të tërë dhe në të ka futur mjeshtrisht e në mënyrë të përkrye poetike gjithë jetën e tij dhe të brezit të vet dhe pse jo edhe të popullit të cilit i takon (fq. 531).
Edhe fëmijërinë, edhe djalërinë, edhe inkuadrimin në levizjen ilegale, edhe burgun, edhe gjykimin edhe lirimin nga burgu. Ëndrrat, dëshirat, idealet, sakrificat, njerëzit, rrethanat. Ashtu siç kanë qenë dhe ashtu siç i ka parë e përjetuar autori. Është ky një libër ku ka dominuar ideja sublime e Lirisë dhe Pavarësisë së Kosovës.
V. Struktura e librit
Libri: Paraverë në katër pamje përbëhet nga katër pamje:
I. Pamja e parë 81 GRI,
II. Pamja e dytë 81 GRI,
III. Pamja e tretë 81GRI,
IV. Pamja e katërt 81 GRI.
Ky libër, ku janë përfshirë mbi 300 poezi, dhe 81 vizatime që i japin një sharm të veçantë librit në fjalë, ka një strukturë të saktë, të veçantë, interesante, origjinale. Rrallë ndonjë vepër e letërsisë së sotme shqipe ka strukturë aq të saktë sa Paravnerë në katër pamje e Hydajet Hysenit. Poezia e këtij libri që ngjan si një poemë e gjatë në vazhdime, mbështetet në vlerën simbolike të numrave (vitit 81).
Librit në fjalë, në vend të parathënies i prin poezia: TI MË ERDHE KËNGA IME, që fillon me këto vargje shumë domëthënëse dhe kuptimplote, citojmë:
“Ti më erdhe papandehur,
Kënga ime e pranguar;
Njëzet vjet nuk jemi pjekur,
Njëzet shekuj të kam kërkuar.
Mezi të njoha kënga ime,
Zhubrosur, zverdhur, pak demode;
E hutuar kur m’i sheh thinjat
Dhe kollaren time të re” (fq. 7).
Është ky tekst letrar – poetik pashmangshmërisht me karakter eksplorues do thoshte Eko.
Kjo poezi, që ka një kuptim dhe domëthënie të veçantë e me peshë, ka në fund edhe vizatimin: Refleks (1986) Nish.
Librin në fjalë autori e ka shoqëruar edhe me 81 vizatime (grafika) me të cilat vetëm sa e përplotëson dhe forcon idenë kryesore por edhe simbolikën e numrit 81. (Më gjërësisht për këtë libër shih: Isak Ahmeti, Poezi me idenë sublime …Zëri, 10 nëntor 2007, fq. 39). Kjo sipas këndvështrimit tim është mbase si refleks i largët i simbolikës së numrave që e hasim jo vetëm në Bibël por edhe te Komedia Hyjnore e Dantes. Por te libri i H. Hysenit struktura bazë është numri 81.
Por edhe numri katër( katër pamje) numër simbolik biblik, Katër Ungjij, që flasin për Jezu Ktishtin, e këtu, tek libri në shqyrtim, flasin për poetin, për shqiptarin me Kryqin e Golgotës për Lirinë e Kosovës. Ndërsa numri 81 këtu shpreh simbolikën filozofike, politike e kombëtare të Pranverës 1981.Ndërsa fjala PARAVERË, si sinonim i pranverës, këtu shndërrohet në metaforë të përkryer poetike për të shënuar pranverën e vitit 1981.
VI. Në përmbyllje
Krejt në fund të këtij shkrimi le të ritheksojmë edhe njëherë se poeti dhe veprimtari i dëvotshëm i çështjes kombëtare, bashkë me poetët e brezit të tij siç janë: Bajram Kosumi, Merxhan Abdyli etj., kanë krijuar një letërsi me vlerë që, sipas poetit dhe studiuesit, Bajram Kosumi, është vlerësuar si kapitull më vete në letërsinë shqiptare (Krhs. Bajram Kosumi, vep. e cit.).