“E para ishte fjala”…
Jo, e para qe heshtja ndërsa mësoi të flasë
dhe kur shpirti përulshëm falënderonte mes lutjesh;
ne shkronjat i kthyem në varg
kënduam për jetën, pavdekësinë,
njëri – tjetrit i uruam të ardhmen e mbarë
zemrat i mbushëm me shpresë,
teksa në pragun e jetës
pritëm rritjen si fëmijët dhuratat
që i dëshirojnë me zjarr…
“E para ishte fjala”…
Por sot ndihem aq e varfër në shprehi
sa falënderimin për ty o zot
veç me frymë mund ta mbaj gjallë!
Ditët i kemi aq të pakta për të mishëruar
gjithë mirësinë qiellore
andaj mëkatet kthena në provë,
mësofshim prej gabimeve tona
mendjemadhësia kurdoherë na rrëzoftë
humanitetin paçim në krahë si engjëll
të na mbrojë!
I pari ishe ti krijues i gjithësisë
ti që folenë e dashurisë e ndërtove brenda qenies
për të mbetur ne robërit e shenjtërisë;
parajsën na vure si kushtin
prej nga ku i matim vitet me rrugën
drejtuar kah virtyti…
“E para ishte fjala”…
Faleminderit zot që më dhe fjalët për të t’falënderuar sot…
~ Irsa Ruçi ~