Diskursi politik
Çdo tentim nga kushdo për të penguar hapjen e urës mbi Ibër, për qarkullim të automjeteve në qytetin e Mitrovicës është kundër sovranitetit e integritetit të Kosovës. Andaj në këtë drejtim duhet të reflektojnë edhe nga BE për të realizuar në praktikë marrëveshjen e dates 2 shkurt të vitit 2016, e jo duke pasur qasje të njëanshme, duke e favorizuar Serbinë, e cila si më parë edhe tash vazhdon për të qenë faktor destabilizues në regjion, sepse urat bashkojnë qytetin, ku rasti i Mitrovicës ka një mision të tillë, jo vetëm për qytetin por për tërë qytetarët e Kosovës
Dr. Nail Draga
Në këto ditë vere me temperatura të larta qytetarët e Kosovës për të parën herë pas luftës shijuan dhe shfrytëzuan ujin në liqenin e Ujmanit, duke dëshmuar gadishmëri për lëvizje të lirë edhe në këtë territor qe më parë ishte i pa realizueshëm, ndërsa idea nga ana e Qeverisë për hapjën e Urës mbi lumin Ibër për qarkullim të makinave është mirëpritur nga qytetarët e Kosovës. Por, nga ana tjetër ka irrituar ndërkombëtaret, të cilët nuk e mbeshtesin një ide të tillë, duke theksuar se ajo duhet të zgjidhet përmes dialogut, nga del se ata vazhdojnë me qendrim të njëanshëm si më parë në favor të Serbisë, e cila dëshiron të fitojë në kohë, duke harruar se çështja e urës është çështje e brendshme e Kosovës
Konsolidimi i qeverisjës në veri
Në kohën kur Qeveria e Kosovës ka arritur të qetësojë situatën në veri nga veprimi aktiv i bandave dhe krimineleve serbë, duke qenë e pranishme institucionalisht, ku edhe popullata vendore serbe ka pranuar targat e Kosovës për makina, ka eliminuar dinarin si mjet pagese, po ashtu janë pajisuar edhe me dokumente të identifikimit(letërnjoftime, pasaporta, patent të shofereve), qarkullimi i qytetarëve dhe shfrytëzimi i ujit të Ujmanit etj., idea për hapjën e urës mbi lumin Ibër ka irrituar ndërkombëtarët , të cilët reaguan mënjëherë.
Ishin pikërisht ambasadorët e QUINT-it të cilët shkuan të premten(2 gusht)në zyrën e kryeministrit A.Kurti, duke i shprehur paknaqësinë e tyre se „në konsultim me NATO-n ura mbi Ibër nuk bën të hapët, sepse ajo është çështje e dialogut në mes Kosovës e Serbisë“.
Qeveria për hapjen e urës
Mediat informuan se pas takimit me ambasadorët e shteteve të QUINT-it dhe BE-së, Kurti ka thënë se liria e lëvizjes dhe sundimi i ligjit nuk e rrezikojnë paqen dhe sigurinë.
“Konsultimet dhe koordinimi vazhdojnë. Siç thuhet në planin e Bashkimit Evropian për rivitalizimin e urës, ura e Mitrovicës mbi Ibër do të bëhet simbol i normalizimit të marrëdhënieve në Kosovë. Në po atë plan thuhet se ‘rivitalizimi i saj do të kontribuojë shumë në lehtësimin e kontakteve ndërmjet të gjithë qytetarëve të Mitrovicës së Veriut dhe Jugut dhe kështu do të kontribuojë në shkëmbime dhe mirëkuptim’. Andaj ura duhet të hapet. Ajo është në shërbim të të gjithëve, dhe nuk është kundër askujt. Liria e lëvizjes dhe sundimi i ligjit nuk e rrezikojnë paqen dhe sigurinë, përkundrazi”, thuhet në komunikatën e Kryeministrisë.
Kurti ua ka paraqitur ambasadorëve planin e Qeverisë për hapjen e urës mbi lumin Ibër, që sipas tij “parasheh testimet për stabilitetin infrastrukturor të urës, vlerësimin e rrezikut dhe rreziqeve nga fatkeqësitë natyrore, rivitalizimin vizual të urës me qasje në urë për të gjithë, diskutimet me qytetarë dhe grupe të interesit si dhe fushatën e informimit gjithëpërfshirës mbi përfitimet dhe qëllimet e hapjes së urës”.
Kurti ka shtuar se Qeveria është për lëvizje të lirë dhe për të simbol është ura e Ibrit.
“Ura është simbol i lëvizjes së lirë, e që është vlerë dhe liri themelore e Bashkimit Evropian. Ura është simbol i integrimit, e që është punë e përbashkët e Kosovës me partnerët tanë”.
Ura s’duhet të jetë temë në dialog, Vuçiqi s’ka pse të pyetet
Në lidhje me këtë çështje presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se çështja e urës së Ibrit nuk duhet assesi të jetë temë e dialogut me Serbinë, duke thënë se kjo do të ishte shkelje e sovranitetit, integritetit territorial dhe kushtetutshmërisë së Kosovës.
Osmani i reagoi Bashkimit Evropian që të enjten u shpreh se çështja e hapjes së urës duhet të trajtohet në dialogun në Bruksel me Kosovës dhe Serbisë. Ajo ka thënë në Facebook se presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, nuk ka çka pyetet “se kur do të hapen urat për qarkullim në Republikën e Kosovës”.
Për presidenten, dialogu i vetëm që duhet të bëhet është brenda Kosovës mes institucioneve dhe partnerëve “që të ndërtohet plani i përbashkët i zbatimit për hapjen e urës”.
“Çështja e urës nuk duhet assesi të bëhet temë e dialogut me Serbinë. Një gjë e tillë do të ishte shkelje e rëndë e sovranitetit, integritetit territorial dhe e kushtetutshmërisë në vendin tonë. Vuqiçi nuk ka çka pyetet se kur do të hapen urat për qarkullim në Republikën e Kosovës. Dialogu i vetëm që duhet të bëhet, është ai brenda Kosovës, në mes të institucioneve tona dhe partnerëve tanë të sigurisë (veçanërisht me NATO-n) në mënyrë që të ndërtohet plani i përbashkët i zbatimit për hapjen e urës për çdo qarkullim, që ka parasysh vlerësimet e sigurisë dhe interesat e qytetarëve tanë”.
Ura çështje e brendshme e Kosovës
Nëse rastësisht ura do të ishte ne kufi të Kosovës me Serbinë atëherë do të ishte një situate tjetër, sepse për hapjen e saj duhet të ekzistojë mirëkuptimi nga të dyja palet. Por, pasi kemi të bëjmë me urën e cila është në brendësi të Kosovës, atëherë nuk ka dilemë se ura është çështje ekskluzive e brendshme e Kosovës. Çdo trajtim tjetër është përzierje në punët e brendshme dhe sovranitetin dhe integritetin e Kosovës. Pikërisht duke marrë parasysh këtë pozitë të urës e cila deri më tash paraqet simbol të ndarjës së qytetit nga QUINT-i dhe BE duhet të japin kontributin e tyre në favor të hapjës së saj e jo duke refuzuar me arsyetimin e kjo duhet të zgjidhet në procesin e dialogut Kosovë-Serbi, duke favorizuar Serbinë e cila dëshiron të fitojë në kohë, për qellimet e veta në veriun e Kosovës.
Heshtja e cila vret
Nga ana tjetër duhet cekur se ndarja e Mitrovicës në veri-jug është veprim perfid i faktorit ndërkombëtar(NATO) në qershor të vitit 1999, ku ura mbi Ibër është bërë nyja ndarëse nga ajo kohë e deri më tash. Nuk ka dilemë se një veprim i tillë është bërë me skenar e regji nga NATO e KFOR-i duke vendosur barrikadat në urë dhe penguar shqiptarët për të shkuar në shtëpi të tyre në veri.
Por përmasa të veçanta situata mori me 3-4 shkurt 2000, kur formacionet kriminale serbe të drejtuar nga “Rojat e Urës”, filluan aksionin e spasztrimit etnik të veriut të Mitrovicës nga shqiptarët.Ndonëse ngjarjet kanë ndodhur para syve të të pjesëtarëve francezë të KFOR-it, nga dhuna serbe uvranë 10 shqiptarë dhe mbi 100 janë plagosur, ndërsa u dëbuan nga shtëpitë e tyre me dhunë 11.364 shqiptarë, duke e spastruar etnikisht veriun e Mitrovicës. Për këtë masakër kundër shqiptarëve askush nuk ka dhënë përgjegjësi, ndërsa nga QUINT-i dhe KFOR-i kanë heshtur!
Në vend qe këto çështje të trajtohen me seriozitet dhe autorët e këtyre veprave kriminale të sillën para drejtësisë, nga QUINT-i paralajmërojnë se ura mbi lumin Ibër nuk bën të hapët sepse ajo është çështje e dialogut Kosovë-Serbi.
Ura e hapur eliminon simbolin e ndarjës
Nuk ka dilemë se institucionet e Kosovës janë për koordinim me BE-në për çështje të dialogut me Serbinë, por çështjet të cilat janë ekskluzive të brendshme të Kosovës, ku bënë pjesë edhe ura e Ibrit nuk duhet të presin përfundimin e dialogut, sepse Serbisë nuk i intereson dialogu por do të fitojë në kohë për qellimet e tyre politike, ndërsa ura e hapur eliminon simbolin e ndarjës ndërmjet shqiptarëve e serbëve dhe garanton qarkullimin e lirë të qytetarëve në këtë qytet.
(Gusht 2024)