Dëshmori Selim Berisha-profesori që frymëzonte brezat

0
Zymer Mehani - Dëshmori Selim Berisha

Zymer Mehani

(Në 25-vjetorin e rënies)

Profesorit dëshmor

Selim Berisha, emri yt mbetet i gjallë,
Në zemrat e atyre që lirinë e duan,
Si një flakadan që kurrë s’ka për t’u shuar.

Ndjejmë dhimbjen e një kombi në luftë,
Por edhe krenarinë që lindi nga sakrifica,
Me atdhetarin, profesor Selim Berisha. 

Të kujtojmë çdo jetë që u dha për amanet,
Të ndërtojmë një të ardhme në tonin shtet,
Me themele të forta, në paqe dhe n’prosperitet.

Prof. Selim Berisha, ti je simboli i guximit,
Një yll që ndriçon në qiellin e Kosovës,
Gjaku yt u ngjit në flamur të Marigonës.

Kosova gjatë mugëtirës së shekujve nuk reshti asnjëherë së përpjekuri për t’i këputur vargojtë e pushtimeve të gjata. Këto përpjekje për çlirim i bartën dhe i trashëguan, sidomos mësuesit, duke ushqyer brezat me dije dhe kombëtarizëm. Ata, me mençurinë dhe urtësinë që i karakterizonte, siç ishte edhe prof. Selim Berisha, u shndërruan në fanarë ndriçues përgjatë çdo shtrëngate.

Prof. Selim Berisha, i vjen Llapit e Gollakut, por edhe Kosovës e mbarë kombit shqiptar, pikërisht në kohën e duhur. Ky ishte intelektual i denjë dhe i arsyeshëm, që mundte të çante pa drojë mes përmes errësirën, si një shkëndijë drite me hapin ngadhënjimtar dhe të dritësonte si një flakadan shprese për Drenocin që e lindi dhe për Kosovën që e rriti këtë intelektual dhe ushtar të Zahir Pajazitit e të Adem Jasharit, me vlera të mëdha.

Në kujtesën e shumë brezave, prof. Selim Berisha do të mbetet ndër emrat më të veçuar, i cili erdhi në jetë për të mbetur përgjithmonë i përjetshëm, ngase me penë e me pushkë shkroi faqe të reja në historinë e popullit shqiptar. Ai do të mbetet në kujtesën e të gjithëve si një testament i çmuar i arsimit dhe i luftës për çlirim në vendin tonë.

Liridashësit, arsimdashësit, miqtë dhe admiruesit e mbajnë në kujtesë dhe e mbulojnë me nderim dhe respekt këtë dishepull vlerash. Gjithmonë inteligjenca e tij prej intelektuali të denjë gërshetohej me guxim, që për të gjithë ne ishte shembull se si duhet të punohet për interesin kombëtar.

Prof. Selim Berisha konsiderohet si një nga figurat dhe personazhet më të rëndësishmëm të arsimit shqiptar dhe të luftës për liri, ku, përgjatë gjithë rrugëtimit të vet tregoi vlera, ngase fjala e tij e matur dhe me vend ishte gjithmonë në korelacion me punën dhe me veprimin. Ai ishte një ndër arsimtarët më të njohur. Mbaroi me rezultate shumë të mira, Normalen e Mitrovicës e Fakultetin Filozofik, Dega e Historisë dhe për shumë vjet, deri në rënien e tij dëshmor, iu përkushtua edukimit dhe arsimimit të brezave të rinj, ngase e dinte fare mirë se arma më e fuqishme për ta mposhtur çdo të keqe është arsimimi i popullit.

Puna e palodhur si mësues i popullit të prof. Selim Berisha njihet për një vërshim të vrullshëm dhe plot temperament. Kontributi i tij është një vlerë e pazëvendësueshme e memories historike të shqiptarëve dhe kësofare ai bën pjesë në plejadën e intelektualëve të denjë të kombit, që me penë e me pushkë e shkroi faqen më të rëndësishme të historisë së arsimimit dhe të epokës ademjashariane të çlirimit të Kosovës.

Përkushtimi, karakteri, vendosmëria dhe zgjuarsia e prof. Selim Berishës i shërbyen interesit kombëtar dhe ishin një sprovë e ngadhënjimit mbi një jetë gjithnjë të vështirë për shqiptarët e Kosovës, jo vetëm ekonomike, por edhe politike e shoqërore nën regjimin serb.

Deri në momentet e fundit të jetës së tij qëndroi me kokën lart, pa u frikuar, pa kërkuar privilegje dhe pa u fshehur pas emrit të madh. Cilido që e njohu atë, njohu tek ai më të mençurin prej miqve, më besnikun prej shokëve dhe më trimin prej bashkëluftëtarëve të tij.

Prof. Selim Berisha jetoi në jetë si një ikonë dhe simbol i mençurisë dhe i trimërisë. E gjitha kjo rrezatoi në mënyrën më të fuqishme në ditët e atij marsi pranverak të vitit 1999, kur po zhvillohej lufta e Ushtrisë sonë të lavdishme-UÇK-së për çlirim të vendit nga pushtuesit serbë, në të cilën ra duke luftuar i vendosur, ngase ishte i gatshëm të sakrifikonte gjithçka për lirinë e popullit.

Sa më shumë që kalojnë vitet, jemi të bindur se figura dhe personaliteti i tij vazhdojnë të marrin përmasat që ai i kishte me të vërtetë. Ai do të shndrisë gjithnjë e më shumë në botën shqiptare, ngase vërtet ishte një nga personalitetet dhe figurat më poliedrike të kohës dhe i tillë do t’u përcillet brezave përgjatë kohërave.

Ndër gjithë dimensionet e shquara të prof. Selim Berishës, në qendër të tyre do të shkëlqejë gjithmonë dimensioni i tij i lirisë. Si pasardhës i një familjeje atdhetare, ai pati fatin më të madh që të marrë një nga vendimet më të rëndësishme të jetës së tij, të rreshtohej në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të rrok armën e të luftojë për liri, me heroizëm të paparë, në stilin ademjasharian, duke mbrojtur pragun e shtëpisë.

Ndaj le të përulemi në 25- vjetorin e rënies së tij, me nderimin më të madh, para veprës së tij të ndritur dhe le të shprehim gjithashtu, krenarinë tonë, sepse sot, pas kaq vitesh, e gjejmë këtë burrë disa herë më të madh sesa ditën që u nda nga ne.

(Fragment nga monografia e publicistit Zymer Mehani “Dëshmori Selim Berisha-profesori që frymëzonte brezat”, që do të promovohet sot, më 20 mars 2024 në IAP, në 25-vjetorin e rënies në luftë për liri).

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.