A do ta ketë fatin e Sejdiut e Pacollit presidentja Osmani?

0
Vjosa Osmani - presidente

Shkruan: Florim Zeqa, 31.03.2023

Dollia e ngritur apo cakërrimi i gotave me raki tradicionale mes kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj, në kullën e familjes së këtij të fundit për Epopenë e Dukagjinit, është kthyer në temën më të përfolur pas takimit të Ohrit.

Si mund të rrëzohet Presidentja Osmani?!

Më shumë se për rakinë, është bërë i diskutueshëm përafrimi i ditëve të fundit mes kryeministrit Albin Kurti dhe liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj. Nga rakia e pirë në Dukagjin nuk është duke ardhur erë e mirë në Presidencë!

Siq dihet është një padi e ngritur në Gjykatën Kushtetuese për shkelje të të drejtave gjatë zgjedhjeve të vitit 2021.

Fjala është për dy deputetë të zgjedhur me 14 shkurt 2021, të cilët mund të shpallen jo-legjitim nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës, e cila prej vitit 2021 ka pranuar ankesën ndaj dy kandidatëve për deputetë, njëri nga radhët e komunitetit rom (Albert Kinolli) dhe tjetri nga komuniteti egjiptian (Veton Berisha).

Sipas përcaktimeve kushtetuese, “…kur një autoritet shteti merr detyrën e përcaktuar në Kushtetutë dhe deputetët të cilët kanë votuar nuk kanë legalitet dhe legjitimitet të plotë, atëherë detyra e tyre është e përkohshme…”.

Që të dy këta deputetë, kanë marrë pjesë në raundin e parë të zgjedhjes së presidentes së vendit, ku obligative ishte që në sallë të jenë 80 deputetë.

Në zgjedhjen e Presidentes Vjosa Osmani, në raundin e parë ka qenë të pranishëm në sallë 81 deputetë, në mesin e tyre edhe dy deputetët e kontestuar.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese mund të shkakton tërmet politik në Kosovë. Vjosa Osmani shumë shpejtë mund të bëhet presidentja e tretë e shkarkuar nga Kushtetuesja, pas Fatmir Sejdiut e Behgjet Pacollit.

Si rezultat i vendimit të Gjykatës Kushtetuese, procesi i zgjedhjes së presidentes mund të shpallet i pavlefshëm, dhe përbërja aktuale e Kuvendit do të detyrohet të votojë president të ri, ose vendi të shkojë në zgjedhje.

Grupi Parlamamentar i LVV-së drejt ndarjes së re

Si pasojë e heterogjenititit dhe fragmentizimit të Grupit Parlamentuar të LVV-së, lideri i këtij subjekti politik është duke kërkuar partner të rinjë për ta ruajtur mazhorancën në Kuvend. Pas largimit të disa deputetëve nga ky grupim parlamentar (Dorsa Kica-Xhelili dhe Fatmir Humolli) dhe paknaqsive të disa deputetëve të tjerë, largimi i deputetëve të partisë GUXO është çështje kohe, shkaku i mospërmbushjes së kërkesës së tyre për emërimin në krye të Ministrisë së Shëndetësisë të deputetit, Dr. Haxhi Avdyli pas largimit të “ambasadorit fluturues” Rifat Latifi.

Asgjë nuk ndodhë rastësisht. Sikurse që nuk ishte e rastësishme vizita e Kurtit në Dukagjin dhe ngritja e dollisë në Ditën e Parë të Ramazanit, nuk është i rastësishëm as përafrimi i Haradinajt me Albin Kurtin, me të cilin, më afër e kishte “duelin” jashtë ringut sesa cakërrimin e gotave n’Ditën e Ramazanit.

Që në fillim, është kjo një betejë e fituar e Ramush Haradinajt me besim pagan, i cili e tërhoqi dhe e detyrojë të pijë raki Albin Kurtin “ateist” me besim orijental.

Siq duket, qershitë e pastruara me raki i kanë bërë mirë Albin Kurtit, por e keqja është se aromën e rakisë së pirë në Gllogjan të Deçanit, erërat e Gjykatës Kushtetuese e kanë çuar deri në Presidencë. Nuk i dihet, mbase pretendimet e Ramush Haradinajt edhe mund të bëhen realitet, që përveq aromes, edhe rakia e Dukagjinit të zë vend në sirtarët e Presidencës!

Kësisoji, pavarësisht epilogut të Gjykatës Kushtetuese, rikonfigurimi i skenës politike në Kuvend pritet të ndodhë shumë shpejt. Pra, do të kemi grupime dhe ri-grupime të reja të partive politike në Kuvend.

Zhvillimet e fundit politike në Kuvend dhe jasht tij, po e dëshmojnë edhe një herë papjekurinë dhe paaftësinë e kësaj klase politike për të ndërtuar shtet, gjuha fyese dhe denigruese e deputetëve në Kuvend po e dëshmon egon e sëmurë të politikanëve për pushtet. Në një vend ku drejtësia e merrë anën e parasë, ai vend bëhet i pamundur për të jetuar njerëzit e ndershëm.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.