100 VJETORI I TRAKTATIT TË LOZANËS: Një fitore për Turqinë e re, një goditje për çamët në Greqi*

0
169
Ramsay MacDonald duke firmosur Traktatin e Lozanës

Prof. Muhamed Mufaku Gega

Në vitet e fundit nisi të rritej interesimi në Turqi për 100-vjetorin e Traktatit të Lozanës (24 Korrik 1923), me paraqitje të ndryshme sikurse Turqia do të lirohet prej disa obligimeve të fshehta, madje vetë presidenti Erdogan rriti më shumë pritshmëritë me disa deklarata për “shekullin e ri turk”, pra pas atij të parë që filloi me fitoren diplomatike të Turqisë në Lozanë dhe shpalljen e Republikës më 29 Tetor 1923. Këto paraqitje të ndryshme brenda dhe jashtë Turqisë shtuan kureshtjen për 100-vjetorin e Traktatit të Lozanës, përkatësisht për konferenca dhe veprimtari të tjera shkencore kushtuar këtij jubileu. Një prej këtyre ishte një konferencë ndërkombëtare e mbajtur në Amman të Jordanisë më 25 Korrik 2023 nën titullin: “100-vjetori i Traktatit të Lozanës: nga një Lindje të Mesme e sigurt”.

Vërtetë, Traktati i Lozanës ishte fitore e re për Qeverinë e Ankarasë në krye me Mustafa Kemalin (Ataturk më vonë), në krahasim me traktatin poshtërues të Severs-it (1 Gusht 1920) me të cilën Turqia u kthye në një mini-shtet në Anatoli me një dalje në Detin e Zi, kurse tani në Lozanë 1923 e fitoi njohjen ndërkombëtare me kufijtë e tashëm si shtet i madh me dalje në katër dete. Kjo fitore u kurorëzua në 29 Tetor 1923 me shpalljen e Republikës së Turqisë moderne.

Për palën tjetër, Greqia që e filloi më 15 Maj 1919 aventurën ushtarake me zbarkimin në Izmir dhe depërtimin nga Ankaraja, ishte një humbje e madhe ushtarake dhe politike. Sepse me tërheqjen e ushtrisë greke në verën e vitit 1922 dhe njohjen ndërkombëtare të Turqisë me kufijtë e tashëm u varros miti për “Greqinë e Madhe” që do të përfshinte Anatolinë perëndimore, Kostandinopojën dhe Trakinë lindore, me çka “Greqia e Madhe” do kishte shtrirje të madhe dhe dalje në pesë dete.

Mirëpo, për Turqinë, Greqinë dhe shqiptarinë, Traktati i Lozanës kishte një trup të prekshëm: këmbimin e detyrueshëm të popullsisë që arriti gati në dy milionë njerëz që u shkulën prej trojeve të tyre dhe u zhvendosën pa mëshirë në troje të tjera, të huaja, ku nuk u qetësuan lehtë atje për shumë vjet. Në lidhje me këtë, pësuan më shumë çamët që mbetën në Greqi pas Luftërave ballkanike 1912-1913, sepse ata u shkulën prej trojeve të tyre dhe u dërguan në Anatoli me gjoja-shkakun se ishin “turq”. Mirëpo, falë veprimit të ethshëm të Qeverisë shqiptare me Athinën e Ankaranë ajo dramë mori fund kur çamët u njohën si “shqiptarë me origjinë” në vitin 1926.

Traktat kundër traktateve ndërkombëtare të Lidhjes së Kombeve

Luftrat ballkanike 1912-1913 midis shteteve ballkanike (Serbia, Mali i Zi, Greqia dhe Bulgaria) dhe Perandorisë Osmane bënë që kjo të humbte gati të gjitha territoret në Europën Juglindore dhe qindra mijëra besimtarë myslimanë të dëboheshin prej trojeve të tyre. Traktatet për paqe që u nënshkruan midis Perandorisë Osmane dhe Bullgarisë (29 Shtator 1913), Greqisë (14 Nëntor 1913) dhe Serbisë (14 Mars 1914) kumbonin një frymë të re për fatin e besimtarëve myslimanë të cilët mbetën në ato shtete ballkanike që përfituan shumë territore me popullsi të “padëshiruar”.

Kështu, ato traktate afruan dy zgjedhje për popullsitë “ndryshe” përsa i përket cipës kombtare të atyre shteteve, pra për “pakicat” që përfaqësonin popullsi ndryshe në etni ose besim fetar. Zgjedhja e parë ishte e drejta e gëzimit të të gjitha të drejtave civile me qytetarët tjerë, kurse zgjedhja e dytë ishte e drejta e tyre pas një faze kalimtare 3-4 vjeçare që të vendosin vetë: ose të vazhdonin jetën në ato shtete të reja ose të kalonin në Perandorinë Osmane përgjithmonë duke hequr dorë nga nënshtetësitë bullgare, greke e serbe. Për t’i shtyrë popullatat drejt zgjedhjes së dytë, “pakicat” gjatë fazës kalimtare ishin të liruara prej shërbimit ushtarak dhe prej taksave për ushtri. Vetëm në traktatin me Bullgarinë u përmend edhe zgjedhja e “këmbimit me dëshirë” të popullsive në thellësi prej 15 kilometra të territoreve përgjatë kufirit në Traki.

Mirëpo, ato “të drejta” për pakicat në ato traktate u theksuan më shumë pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore dhe krijimit të Lidhjes së Kombeve në Paris më 1919. Vërtetë, qëndrimet e presidentit amerikan Uillson për të drejtën e kombeve në vetëvendosje dhe për diplomacinë publike brenda Lidhjes së Kombeve në vend të traktateve të fshehta që u nënshkruan gjatë Luftës së Parë Botërore (p.sh., Traktati i Londrës më 1915) bënë që Lidhja e Kombeve të kërkonte mbrojtjen e pakicave në traktatet e reja për paqe qoftë me shtetet që humbën ose ato që fituan në Luftën e Parë Botërore.

Planet serbe e greke për “turqit” e mbetur në territoret e tyre

Kundërshtimi për të nënshkruar traktatet e reja që përfshinin mbrojtjen e “pakicave” erdhi sidomos prej Serbisë e Greqisë, sepse kishin planet e tyre për “turqit” që mbetën në territoret e tyre. Për Beogradin nuk ishte problem mbrojta e të drejtave të pakicave gjermane e hungareze, por kishte më shumë hall për “pakicën shqiptare”. Për një kohë, Beogradi këmbënguli të lirohej prej atyre detyrimeve në “tokat e liruara” më 1912-1913, pra në Dardani dhe Maqedoni. Por, më vonë u detyrua të nënshkruajë traktatin më 10 Shtator 1919 duke i futur shqiptarët në kategorinë “myslimane”, pra me të drejtat e tyre fetare e jo gjuhësore-kulturore-etnike.

Greqia, me kryeministër Venizelos (ithtar i flaktë i “Greqisë së Madhe”), ndaloi ta nënshkruajë traktatin për mbrojtjen e pakicave. Ndërkohë, e nxitur nga Britania, ushtria greke zbarkoi në Izmir më 15 Shtator 1919 dhe depërtoi në Anatoli e më vonë drejt Ankarasë. Ashtu, lufta greko-turke 1919-1922 u shndërrua në luftën për pavarësi turke me në krye Mustafa Kemalin. Lufta u përcoll me beteja të përgjakshme dhe masakra me karakter etnik-fetar. Dhe, me humbjen fatale të ushtrisë greke në betejën vendimtare Sakarja (23 Gusht – 13 Shtator 1922) dhe tërheqjen e saj, qindra mijë civilë të besimit ortodoks të krishterë nuk e ndjenin veten të sigurt dhe shoqëruan ushtrinë greke në tërheqjen e saj drejt Greqisë. Ardhja masive e refugjatëve civilë në Greqi krijoi një anarki e ngarkesë të madhe për qeverinë. Prandaj kryeministri grek iu drejtua Lidhjes së Kombeve më 16 Tetor 1922 me kërkesën për “këmbim të detyrueshëm të popullsive turke e greke”, duke kërkuar prej Komisarit për refugjatë Fridtjof Nansen që të vepronte sa më shpejt.

Komisari Fridtjof Nansen, që e fitoi çmimin “Nobel” për paqe atë vit, u nis për në Stamboll dhe zhvilloi bisedime me palën turke për pranimin e nja gjysmë milioni turqish në Turqi në vend të grekëve që lëshuan Anatolinë dhe shkuan në Greqi. Qeveria e re turke e pranoi me një kusht që ky këmbim i popullsisë të mos përfshijë turqit në Trakinë perëndimore. Në anën tjetër, qeveria greke u pajtua por me kusht që ky këmbim të mos përfshijë grekët që jetonin në Stamboll. Në bazë të atyre pajtimeve u zhvilluan bisedimet që përfunduam më 30 Janar 1923 me nënshkrimin e “Traktatit mbi këmbimin e popullsive greke e turke”.

Traktat brenda traktatit

Ndonëse Traktati i Lozanës njihet më shumë si traktat për paqe që e përfundoi Luftën greko-turke 1919-1922 dhe i përcaktoi kufijtë midis dy shteteve, ai më shumë lidhet me një praktikë të re në të drejtën ndërkombëtare dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare: këmbimin e detyrueshëm të popullsive turke (myslimane) e greke (ortodokse) midis dy vendeve.

Traktati i Lozanës i 24 Korrikut 1923 kishte 143 nene, kurse në lidhje me këmbimin e popullsive kishte vetëm nenin 142, i cili vetëm e bënte Traktatin e 30 Janarit 1923 pjesë përbërëse të Traktatit të Lozanës. Atëherë, ay Traktat mbi këmbimin e detyrueshëm të popullsive u qortua ashpër prej zyrtarëve të së drejtës ndërkombëtare. Në mesin e tyre qe edhe profesori i Universitetit të Beogradit, Ilija Przhiç, i cili më vonë botoi librin  “Mbrojtja e pakicave” më 1933.

Përkundër faktit që Traktati i 30 Janarit 1923 paraqitej për “këmbim të popullsive greke e turke”, qysh në nenin e parë të tij dilte qëllimi i pastrimit etnik sepse shkruhej: “Që nga 1 Maji do të bëhet këmbimi i detyrueshëm i shtetasve turq me fe ortodokse e qëndrim në territorin turk me shtetasit grekë me fe myslimane me qëndrim në territorin grek”. Prej kësaj shprehje duket qartë se kriteri për këmbim të detyrueshëm ishte fetar e jo etnik.

Pas pushtimit nga ushtria greke të Vilajeteve të Joninës dhe Selanikut, shumica e myslimanëve në Greqi nuk ishin turq në kuptimin etnik por pomakë, shqiptarë dhe romë. Qeveria e Athenës e shfrytëzoi atë Traktat për dëbimin e çamëve myslimanë prej Çamërisë, sepse e kishte më të lehtë tretjen e pjesës çame ortodokse dhe vendosjen e besimtarëve të krishterë ortodoksë të ardhur nga Turqia në vendin e tyre. Zbatimi i atij Traktati e alarmoi Qeverinë e Tiranës, e cila hodhi në veprim dy ambasadorë (Mitëhat Frashërin në Athenë dhe Reuf Ficon në Ankara) dhe  përfaqësuesin e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve Mehdi Frashëri. Qëllimi ishte që të përjashtoheshin çamët myslimanë prej “këmbimit të detyrueshëm të popullsive”. Përpjekjet e Qeverisë shqiptare dhanë frute në vitin 1926 kur çamët myslimanë u njohën në Greqi si “shqiptarë me origjinë”. Ashtu shpëtoi pjesa e tyre që kishte mbetur deri atëhere në Çamëri.

*Pjesë nga kumtesa e paraqitur në konferencën ndërkombëtare “Traktati i Lozanës: nga një Lindje e Mesme e sigurt”, e mbajtur në Amman të Jordanisë më 25 Korrik 2023.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.