ZHAN-POL SARTRI

0
Jean-Paul Sartre

Xhelal Zejneli Xhelal Zejneli

Ferri, janë të tjerët / L’enfer, c’est les autres – Zhan-Pol Sartrë

“Mos e burgosni Volterin!” – gjenerali Sharl Dë Gol, me rastin e arrestimit të Sartrit gjatë protestave studentore në Sorbonë, në maj të vitit 1968.

Zhan-Pol Sartri (Jean-Paul Charles Aymard Sartre, Paris, 21 qershor 1905 – Paris, 15 prill 1980) është romancier, filozof, dramaturg dhe kritik. Është themelues i ekzistencializmit ateist. Në vitin 1964 iu dha çmimi “Nobel” por e refuzoi për arse morale. Ishte bir i oficerit të marinës Zhan-Batist Sartrë (Jean-Baptiste Sartre, 1874-1906) dhe e gruas së tij An-Mari Shvajcer (Anne-Marie Schweitzer; Alzas, Francë, 22 korrik 1882 – 18 janar 1969). Nëna e Sartrit  ishte me prejardhje gjermane-alzase. Ka qenë fise e laureatit të çmimit “Nobel” për paqe, Albert Shvajcer (Albert Schweitzer, Kaysersberg-Vognoble, Francë, 1875 – Lambarene, Gabon, 1965).

Kur Sartri ishte 15 vjeç, i vdiq babai. Që atëherë, atë e edukoi gjyshi nga nëna, Sharl Shvajcer (Charles Schweitzer, 1844-1935), i cili ishte profesor i gjuhës gjermane. Në moshë të hershme e njoftoi Sartrin me letërsinë klasike. Si i ri, në vitin 1920 e këndej, pasi e kishte lexuar shkrimin “Ese mbi të dhënat e drejtpërdrejta  të vetëdijes” (Essai sur les données immédiates de la conscience, 1889) të filozofit dhe shkrimtarit francez Anri Begson (Henri Louis Bergson, Paris, 1859 – Paris, 1941), Sartri filloi të interesohet për filozofinë.

Shënim: Në vitin 1927 Anri Begsoni e mori çmimin “Nobel” për letërsi.

Sartri u shkollua në liceun Anri IV, në Cours Hattmer, në liceun Luigji i Madh (Grand Louis). Pasi e kreu gjimnazin, studio në Ḗcole Normale Supérieure, institut i arsimit të lartë ku ishin shkolluar të gjithë mendimtarët dhe intelektualët francezë të asaj kohe. Ishte i inspiruar nga filozofia perëndimore. Ushqehej me idetë e filozofit gjerman Emanuel Kant (Emmanuel Kant, 1724-1804), të filozofit gjerman Georg Vilhelm Fridrih Hegel (Georg Wilhelm Friedrich Hegel, 1770-1831) dhe të filozofit gjerman Martin Hajdeger* (Martin Heidegger, 1889-1976).

Shënim: Kur të famshmin filozof gjerman Edmund Huserl (Edmund Husserl, 1859-1938), për shkak të prejardhjes çifute e larguan nga universiteti, vendin e tij e zuri Martin Hajdegeri. Këtë akt të filozofit të madh të ekzistencializmit, Hajdegerit, ia kanë zënë për të madhe shumë filozofë të tjerë. Ia kanë zënë për të madhe edhe disa fjalime dhe paraqitje publike, sidomos Rektoratsrede-n e tij, në të cilat gjatë përhapjes së nazizmit e glorifikonte “thirrjen historike të Gjermanisë” . Më vonë Hajdegeri e ndërpreu angazhimin aktiv për Rajhun e Tretë. Hajdegeri ka ushtruar ndikim të dukshëm mbi shumë filozofë në mbarë botën.

*   *   *

Në vitin 1929, në Ḗcole Normale Supérieure Sartri u njoh me Simon dë Bovuar (Simon de Beauvoir, Paris, 1908 – Paris, 1986), e cila studionte në Sorbonë. Ajo ishte edukuar në frymën katolike, por e braktis fenë dhe u bë kritikuese radikale e dogmave dhe e miteve të qytetërimit. Deri në vitin 1945 ishte profesoreshë e filozofisë në universitet. Pastaj i përkushtohet letërsisë. U bë intelektuale e shquar, prozatore dhe themeluese e feminizmit dhe e filozofisë feministe. Me Sartrin kishte miqësi të ngushtë dhe lidhje dashurie të hapur. U bë bashkudhëtare jetësore e tij.

Në vitin 1964 Sartri e adoptoi vajzën Arlet Elkaim-Sartrë (Arlette Elkaïm-Sartre, Constantine, Algjeri, 1935 – 16 shtator 2016). Ishte përkthyese dhe redaktore franceze.

*   *   *

Sartrë dhe Simon dë Bovuar i vunë në dyshim premisat kulturore dhe sociale të edukimit të vet të cilin e quanin edukim borgjez. Konflikti midis konformizmit opresiv (shtypës) që shkatërron shpirtin (mauvaise foi, keqbesimi, qëllimi i keq) dhe qenies autentike, u bë temë kryesore e veprave të Sartrit, duke përfshirë edhe veprën e tij filozofike “Qenia dhe asgjëja” (L’Être et le Néant, 1943).

*   *   *

Në filozofinë e Sartrit mund të hyhet me veprën “Ekzistencializmi është humanizëm” (L’Existentialisme est un humanisme, 1946). Në fillim, ky punim u prezantua si ligjëratë. Në këtë vepër ai e mbron ekzistencializmin prej kritikëve. Në vitin 1965 Sartri deklaron se botimi i kësaj vepre ka qenë një gabim.

Në vitin 1929 Sartri diplomon në Ḗcole Normale Supérieure me doktoratën nga filozofia. Në vitet 1929-1931 ishte në shërbim ushtarak në ushtrinë franceze.

Sartri e studioi shkollën filozofike të ekzistencializmit dhe të marksizmit. Tregoi interesim për metafizikën, epistemiologjinë, etikën, politikën, fenomenologjinë dhe ontologjinë.  

Ide të tij janë: “Ekzistenca i prin esencës”“Asgjëja”.

Sartri u ndikua: prej filozofit gjerman Emanuel Kant ((Emmanuel Kant, 1724-1804), prej filozofit gjerman Georg Vilhelm Fridrih Hegel (Georg Wilhelm Friedrich Hegel, 1770-1831), prej filozofit gjerman me prejardhje çifute Karl Marks (Karl Marx, 1818-1883), prej shkrimtarit rus Fjodor Mihajloviç Dostojevski (1880-1881), prej filozofit danez Seren Kierkegor (Sören Kierkegaard, 1813-1855), prej filozofit dhe poetit gjerman Fridrih Niçe (Friedrich Nietzsche, 1844-1900), prej filozofit gjerman me prejardhje çifute, i cili merrej me fenomenologjinë, Edmund Huserl (Edmund Husserl, 1859-1938), prej filozofit ekzistencialist gjerman Martin Hajdeger (Martin Heidegger, 1889-1976), prej filozofit ekzistencialist gjerman Karl Jaspers (1883-1969), prej prozatores franceze Simon dë Bovuar (Simon de Beauvoir, 1908-1986), prej shkrimtarit dhe filozofit francez Alber Kamy (Albert Camus, 1913-1960).

*   *   *

Sartri ishte profesor i filozofisë në Le Havre dhe në Paris. I studioi dhe i përktheu veprat e filozofëve gjermanë Martin Hajdegerit dhe të Karl Jaspersit, veproi në lëvizjen e rezistencës; pas Luftës II Botërore e la punën e profesorit dhe në vitin 1945 e themeloi revistën “Les Temps modernes”. Është një prej intelektualëve më të njohur me angazhim të majtë, simpatizues dhe “bashkudhëtar” i komunizmit; kurrë s’ka qenë anëtar i Partisë Komuniste të Francës; e dënoi luftën e amerikanëve dhe të pushtuesve të tjerë në Vietnam (1955-1975); e dënoi ndërhyrjen sovjetike në Hungari dhe në Çekosllovaki; e mbështeti luftën çlirimtare të popullit algjerian kundër kolonialistëve francezë (1954-1962); i mbështeti protestat studentore në Francë dhe në Evropë në maj të viti 1968; mori pjesë në themelimin e gazetës “Libération” (1973).

Si filozof, ishte i preokupuar me çështjet ekzistenciale të lirisë së njeriut, të përgjegjësisë së njeriut, të zgjedhjes, të kuptimit të jetës dhe të historisë, të angazhimeve shoqërore dhe politike.

Duke u marrë me filozofin gjerman, me prejardhje çifute, Karl Marksin (Karl Marx, 1818-1883), me psikologun dhe psikiatrin austriak, me prejardhje çifute, themelues i psikanalizës, Sigmund Frojdin (Sigmund Freud, 1856-1939), me fenomenologjinë dhe me ekzistencializmin, Sartri u përqendrua në çështjet e përcaktimit të pozitës së njeriut që ndodhet në bashkëmarrëdhënie paradoksale të lirisë së vet dhe të lirisë së tjetrit. “Duke marrë parasysh tërësinë shoqërore, çdo njeri është edhe i lirë, edhe ndodhet në situatë të caktuar”.

*   *   *

Sartri ushtroi ndikim: mbi filozofen dhe prozatoren franceze Simon dë Bovuar (Simon de Beauvoir, 1908-1986), mbi shkrimtarin dhe filozofin francez Alber Kamy (Albert Camus, 1913-1960), mbi psikiatrin, filozofin politik dhe marksistin francez afro-karibian nga kolonia franceze Martinik, Franc Omar Fanon (Frantz Omar Fanon, 1925-1961), mbi prozatoren irlandeze Ajris Merdok (Iris Murdoch, 1919-1999), mbi psikiatrin skocez Ronald Dejvid Leing (Ronald David Laing, 1927-1989), mbi filozofin francez Zhil Delez (Gilles Deleuze, 1925-1995), mbi psikanalistin francez Feliks Gyatari (Pierre-Félix Guattari, 1930-1992), mbi filozofin francez Alen Badju (Alain Badiou; Rabat, Maroko, 1937- ).     

*   *   *

Pasi i kreu studimet, Sartri punoi një kohë në Avrë (Avre) si profesor i filozofisë. Pastaj vajti në Berlin ku studioi Edmund Huserlin dhe Martin Hajdegerin. Me t’u kthyer në Avrë, botoi esetë filozofike “Transcendenca e egos” (La Transcendence de l’ego, 1936) dhe “Skicë e teorisë së emocioneve” (Esquisse d’une theorie des émotions, 1939) me të cilat solli në Francë fenomenologjinë gjermane dhe ekzistencializmin gjerman. Pas udhëtimit në Itali në vitin 1936, ia ofroi shtëpisë botuese “Gallimard” romanin “Melankolia”. Botuesi i njohur e refuzoi. Në vitin 1938 kjo vepër u bë roman filozofik i filozofisë ekzistencialiste me titullin “Neveria” (La Nausée).

Që atëherë e deri në fund të jetës, Sartri do të veprojë në tre fronte: filozofik, letrar dhe politik.

Vepra filozofike më të njohura të tij janë “Qenia dhe asgjëja” (L’Être et le Néant, 1943), romani në tre vëllime, i papërfunduar “Rrugët e lirisë” (Les Chemins de la liberté, I-III, 1945-1949): “Mosha e pjekurisë” (L’Âge de raison); “Shtyrja” (Le Sursis); “Shpirtrat e vrarë” (La Mort dans l’âme); dhe “Kritika e arsyes dialektike” (Critique de la raison dialectique, 1960),                  

*   *   *

Pjesët teatrore të Sartrit: „Pas dyerve të mbyllura“ (Huis clos, 1945)*;  “Duar të ndyra“ (Les Mains sales, 1948) dhe „Djalli dhe Zoti  i mirë“ (Le Diable et le bon Dieu, 1951) patën  famë botërore.

Shënim: Drama me një akt dhe vetëm me tre personazhe „Pas dyerve të mbyllura“ apo „S’ka dalje“, në anglisht është botuar me titullin „No Exit“.

*   *   *

Prej veprave në prozë, përpos romanit „Neveria“ (La Nausée, 1938), është e njohur edhe përmbledhja me tregime „Muri“ (Le mur, 1939) dhe proza autobiografike „Fjalët“ (Les Mots, 19964).

*   *   *

Ese më të mira të Sartrit janë: „Bodleri“ (Baudelaire, 1947), „Shën Zhene, artist dhe martir“ (Saint Genet, comédien et martyr, 1952, për poetin, romancierin dhe dramaturgun francez Zhan Zhene* (Jean Genet, Paris, 1910 – Paris, 1986).

Shënim: Poeti Zhan Zhene kurrë nuk i pa prindërit. Fëmijëria në Shtëpinë ndëshkimore-përmirësuese përjetësisht la gjurmë në psikologjinë e tij të ndodhur midis ligësisë dhe të madhërishmes. U end nëpër Evropë, vodhi, u përndoq dhe shkoi pas lavireve. Në vitin 1942 filloi të shkruajë poezi në burg. Kritikët e kanë përfshirë në radhët e përfaqësuesve teatrit absurd.

Vepër e fundit e Sartrit është studimi monumental „Idioti i familjes“ (L’Idiot de la famille, 1971) për romancierin francez Gystav Flober (Gustave Flaubert, 1821-1881).  

*   *   *

Sartri ishte anëtar i Lëvizjes së Qëndresës (Mouvements Unis de la Résistance). Gjatë Luftës II Botërore u zu rob. Një kohë ishte i afërt me komunistët, por u shkëput prej tyre qysh në vitet ’50. E kundërshtoi ndërhyrjen ushtarake sovjetike në Hungari në vitin 1956, doli kundër luftës në Vietnam dhe luftës së Francës në Algjeri; në vitin 1968 e kundërshtoi invadimin e Çekosllovakisë nga Bashkimi Sovjetik. E mbështeti lëvizjen studentore të vitit 1968. Ishte një prej intelektualëve të rrallë të Perëndimit i cili i vizitoi vendet komuniste: në vitin 1954 – Bashkimin Sovjetik; në vitin 1956 – Kinën; në vitin 1958 – Jugosllavinë; dhe në vitin 1960 – Kubën.

“Për punën e tij, të pasur me ide dhe me plot shpirt lirie e kërkim të së vërtetës dhe për ndikimin e gjerë që ushtroi në kohën tonë”, në vitin 1964 juria ia dha Sartrit çmimin “Nobel”, por ai e refuzoi me arsyetimin se gjithmonë i kishte refuzuar vlerësimet zyrtare dhe se nuk dëshironte të vihej në një rrafsh me institucionet.   

*   *   *

Kur të pasurit bëjnë luftë, vdesin të varfërit, thotë Sartri.

Solipsizmin e tij Sartri e kapërcen me një lloj rituali. Vetëdijes i nevojitet “tjetri” që ta tregojë dhe ta vërtetojë ekzistencën e vet. Ajo ka një dëshirë mazohiste për të qenë e kufizuar,  e kufizuar nga vetëdija reflektuese e një subjekti tjetër. Kjo shprehet në mënyrë metaforike në fjalinë e njohur të dramës „S’ka dalje“ apo „Pas dyerve të mbyllura“ të Sartrit, „Ferri, janë të tjerët, pasi unë varem nga gjykimi i tyre“.

„Neveria“ dhe ekzistencializmi – Në vitin 1938 filozofi legjendar – Sartri, botoi romanin „Neveria“ (La Nausée) i cili në njëfarë dore shërbeu si manifest i ekzistencializmit. Ky roman edhe sot konsiderohet si një prej veprave më të mira të tij. Bazuar në gjurmët e fenomenologjisë gjermane, Sartri pohonte se idetë tona janë produkt i përvojës nga jeta reale dhe se dramat dhe romanet që i paraqesin përvojat e tilla themelore apo fundamentale, vlejnë po aq sa edhe esetë diskurzive (arsyetuese) që shërbejnë për t’i elaboruar teoritë filozofike.

Me një mendim të këtillë, veprimi i romanit e dërgon hulumtuesin Antuan Rokanten në qytezën që i ngjan Avrit, ndërsa ai dalëngadalë bëhet i vetëdijshëm se sendet dhe situatat, duke mos qenë të gjalla, plotësisht janë indiferente ndaj ekzistimit të tij. Si të tilla, tregohen rezistente ndaj çdo kuptimi që mund t’ua japë vetëdija e njeriut. Nocionin e neverisë e ka marrë nga rapsodia në prozë “Kështu fliste Zaratustra” (1883-1885) e Fridrih Niçes i cili e ka përdorur në kontekstin e cilësisë së ekzistimit, shpeshherë neveritës.

Njeriu është i dënuar të jetë i lirë, për të treguar indiferencën e botës ndaj individit.

Shënim: Është thënë se romani “I huaji” (L’Étranger, 1942) i Alber Kamysë është imitim i romanit “Neveria” (La Nausée, 1938) të Sartrit. Gjykimet e tilla Kamy i hedh poshtë duke botuar në vitin 1942 esenë “Miti i Sizifit” (Le Mythe de Sisyphe).                          

*   *   *

Tregimet nga përmbledhja „Muri“ (Le Mur, 1939) theksojnë aspektin arbitrar të situatave në të cilat ndodhen njerëzit dhe absurditetin e përpjekjeve të tyre për t’u ballafaquar me to në mënyrë racionale. Më vonë nga kjo u zhvillua një shkollë e tërë e letërsisë së absurdit.

*   *   *

Sartri dhe Lufta II Botërore – Në vitin 1939 Sartri u mobilizua në ushtrinë franceze ku shërbeu si meteorolog. Në vitin 1940 ushtria gjermane e zuri rob në qytetin Pad. Nëntë muaj i kaloi si rob lufte. Më vonë e dërguan në Nansi dhe në fund në Trir. Këtu e shkroi pjesën e parë teatrale „Bariona ose biri i bubullimës“ (Bariona ou le Fils du tonnerre, 1940), dramë për Krishtlindjet. Duke qenë shëndetlig, në prill të vitit 1941 e liruan nga robëria. Të parit e dobët ia çrregullonte baraspeshën. E mori statusin civil dhe punoi si profesor në Lycée Pasteur afër Parisit. U vendos në një hotel pranë Monparnasit (Montparnasse) dhe u angazhua si profesor në Lycée Condorcet ku e zëvendësoi profesorin hebre të cilit iu ndalua të ligjërojë.

Në maj të viti 1941 Sartri u kthye në Paris ku bashkë me Simon dë Bovuarin, me filozofin francez, profesor në Sorbonë, Moris Merlo-Ponti (Maurice Merleau-Ponty, 1908-1961), me gazetaren, historianen, eseisten dhe prozatoren franceze Dominik Desanti (Dominique Desanti, 1919-2011) dhe të tjerë, formuan shoqërinë e fshehtë Socializmi dhe Liria (Socialisme et Liberté). Në gusht të po atij viti, Sartri dhe Bovuar e kërkuan mbështetjen e romancierit, eseistit, dramaturgut dhe poetit francez, laureat i çmimit “Nobel” (1947), Andre Zhid (André Gide, 1869-1951) dhe të romancierit dhe eseistit francez Andre Malro (André Malraux, 1901-1976). Këta dy u treguan të pavendosur. Shoqata Socializmi dhe Liria (Socialisme et Liberté) u zhbë.

Sartri vendosi t’i përkushtohet më tepër letërsisë se qëndresës  aktive. Në këtë periudhë i shkroi veprat: “Mizat” (Les Mouches, 1942); “Qenia dhe asgjëja” ((L’Être et le Néant, 1943) dhe “Pas dyerve të mbyllura” ose “S’ka dalje” (Huis clos, 1944).

Asnjërën prej këtyre tri veprave gjermanët nuk e ndaluan. Botonte, si në revistat letrare ilegale, ashtu edhe në ato legale. Pas muajit gusht të vitit 1944 dhe çlirimit të Parisit, Sartri bashkëpunoi në revistën “Combat” që e kishte themeluar në fshehtësi shkrimtari dhe filozofi Alber Kamy (Albert Camus), i cili kishte pikëpamje të ngjashme me ato të Sartrit.

Sartri dhe Simon dë Bovuar kanë qenë në raporte miqësore me Kamynë, derisa ai nuk ishte larguar nga komunizmi. Marrëdhëniet miqësore midis tyre morën fund në vitin 1951, kur Alber Kamy botoi esenë e madhe “Njeriu i revoltuar” (L’Homme révolté, 19151).                

*   *   *

Më vonë, kishte të tillë që e kritikuan Sartrin si pjesëtar të lëvizjes së rezistencës. Filozofi dhe muzikologu francez Vladimir Jankeleviç (Vladimir Jankélévitch, 1903-1985) ia zuri për të madhe Sartrit angazhimin politik të pamjaftueshëm gjatë pushtimit gjerman të Francës, ndërsa përpjekjet e tij të mëtejshme për liri, i interpretoi si përpjekje për shëlbim apo shpagim.

Pas përfundimit të luftës, Sartri e themeloi revistën letrare politike mujore “Les Temps Modernes“ (Kohët moderne), duke u bërë kësisoj shkrimtar me orar të plotë. E vazhdoi edhe  angazhimin politik. Në këtë periudhë i punoi skicat nga përvoja e luftës, për trilogjinë e vet „Rrugët e lirisë“ (Les Chemins de la Liberté).   

Sartri dhe komunizmi – Periudhën e parë të karrierës së Sartrit e shënon vepra „Qenia dhe asgjëja“ (L’Être et le Néant, 1943). Me këtë ia çeli rrugën fazës së dytë në të cilën ai u bë veprimtar politik dhe intelektual. Vepra e tij „Duar të ndyra“ (Les Mains Sales, 1948) e problematizonte sidomos intelektualin politikisht aktiv. Sartri e përqafoi komunizmin, ndonëse zyrtarisht nuk u anëtarësua në Partinë Komuniste të Francës. Angazhohej me të madhe për çlirimin e Algjerisë nga kolonializmi francez. U bë mbështetësi më eminent i luftës së Algjerisë për pavarësi. Në vitin 1964 adoptoi një vajzë algjeriane të quajtur Arlet Elkaim (Arlette Elkaïm; Constantine, Algjeri, 1935 – 16 shtator 2016). Më vonë ajo u quajt Arlette Elkaïm-Sartre. Kishte studiues që thoshin se vajza e adoptuar u bë dashnore e tij.       

Në vitin 1967, si kundërshtar i luftës në Vietnam, bashkë me filozofin dhe prozatorin anglez Bertrand Rasel (Bertrand Russel, 1872-1970) dhe të tjerë, e organizoi tribunalin në të cilin duhej të demaskoheshin krimet e luftës të kryera nga amerikanët. Ky tribunal njihej si “Tribunali i Raselit”. Efektet e tij ishin të kufizuara.

Shënim: Filozofi dhe prozatori anglez Bertrand Rasel (Bertrand Russel) studioi në Kembrixh matematikën dhe filozofinë. Në vitet 1910-1916 ishte ligjërues në këtë universitet. Në vitin 1950 mori çmimin „Nobel“ për letërsi.

*   *   *

Gjatë një pjese të jetës së tij, Sartri u përpoq t’i pajtojë idetë ekzistencialiste mbi lirinë e vullnetit me parimet komuniste. Sipas atyre ideve, forcat socio-ekonomike jashtë kontrollit tonë individual të drejtpërdrejtë, luajnë rol vendimtar në formësimin e jetëve tona. Vepra e tij kryesore e kësaj periudhe „Kritika e arsyes dialektike“ (Critique de la raison dialectique) u botua në vitin 1960.

Theksimi i vlerave humaniste në punimet e hershmeKarl Marksit nga Sartri, në vitet ’60 e solli atë në konflikt me intelektualin komunist kryesor të Francës, filozofin dhe sociologun Lui Altiser (Louis Althusser, 1918-1990) i cili thoshte se idetë e Marksit të ri kanë rënë në mënyrë bindëse nën hijen e sistemit shkencor të Marksit të periudhës së pjekurisë.     

*   *   *

Në vitet ’60 Sartri vajti në Kubë për të takuar Fidel Kastron (1926-2016) dhe Çe Gevarën* (1928-1967). Pas vdekjes së Çe Gevarës, Sartri deklaroi se ai ka qenë qenia njerëzore më komplete e kohës së tij.

Shënim: Ernesto “Che” Guevara (Rosario, Argjentinë, 14 qershor 1928 – La Higuera, Bolivi, 9 tetor 1967), ka qenë revolucionar dhe politikan marksist argjentinas-kuban. Lindi në një familje qytetare të pasardhësve spanjollë, baskë dhe irlandezë. Mbiemri Guevara vjen nga baskishtja. Pasi i kreu studimet e mjekësisë, udhëtoi nëpër Amerikën Jugore. Aty pa mjerimin e punëtorëve dhe të indianëve. Për këtë i fajësoi kapitalistët amerikanë dhe regjimet autoritare të mbështetura prej tyre.

Në Kubë u emërua ministër. Në vitin 1965 dha dorëheqje në të gjitha pozitat që i mbante. Planifikonte të organizojë revolucion në mbarë Amerikën Jugore dhe në Afrikë, por ekspedita e tij dështoi. U kthye në Kubë. Sakaq, me një numër luftëtarësh u nis për në Bolivi për të ngritur atje kryengritje guerile. Meqë nuk gjeti mbështetje ndër fshatarët bolivianë, edhe kjo përpjekje e tij dështoi. Çe Gevara dhe guerilët përndiqeshin nga ushtria boliviane e cila  mbështetej prej amerikanëve dhe stërvitej prej tyre. Të mbetur pa ushqim dhe pa barna të nevojshme për astmë, tentuan të tërhiqen. Më 8 tetor 1967 ushtria boliviane i rrethoi. I plagosur në këmbë, Çe Gevara u zu rob.

E morën në pyetje koloneli bolivian Andres Selih (Andres Selich) dhe agjenti i CIA-s, kuban që jetonte në ShBA, Feliks Rodrigez (Felix Rodrigez). Shpejt u erdhi urdhri për ta ekzekutuar Çe Gevarën. Ekzekutimin e kreu ushtari bolivian Mario Teran i cili për këtë akt u paraqit vullnetarisht. Çe Gevara u qëllua me pushkë gjysmë-automatike, më 9 tetor 1967, në orën 13 e 10 minuta. Ishte jo më shumë se 39 vjeç. Trupi iu ekspozua në spitalin e qytetit Vallegrande. Për t’ia verifikuar gjurmët e gishtërinjve, ia ishin prerë duart. U varros në një varr të pashënuar ashtu si guerilët e tjerë të vrarë. Në vitin 1997 u zbulua lokacioni i varrit të Çe Gevarës. Mbetjet mortore të tij u dërguan në Kubë.

*   *   *

Sartri dhe letërsia – Në vitet ’40 dhe ’50, ekzistencializmi u bë filozofi e admiruar e brezit Bit (Beat)*. Në vitin 1948, kisha katolike të gjitha veprat e tij i futi në Indeks me arsyetimin se besimtarët duhet të jenë të mbrojtur prej dilemave të rrezikshme. Shumë drama të tij ishin të pasura me simbolizëm dhe shërbenin si medium të filozofisë së tij. Më e njohura midis tyre “Pas dyerve të mbyllura” ose “S’ka dalje” (Huis-clos) e përmban fjalinë e njohur “Ferri, janë të tjerët” (L’enfer, c’est les autres).

Shënim: Beat Generation ose lëvizja Beat ishte një lëvizje sociale dhe letrare amerikane që filloi në vitet ’50 të shekullit XX në qarqet artistike të San Franciskos dhe në Greenwich Village në Nju-Jork. Termin Beat Generation e përdori për herë të parë prozatori  dhe poeti amerikan Xhek Keruak (Jack Cerouac, 1922-1969) rreth vitit 1948 për ta përshkruar rrethin e tij shoqëror. Fjala “beat” ka kuptimin “i lodhur” ose “i flakur, i margjinalizuar”.

*   *   *

Përpos ndikimit evident të romanit „Neveria“ (La Nausée), kontributi më i madh i Sartrit për letërsinë ka qenë trilogjia „Rrugët e lirisë“ (Les Chemins de la Liberté) ku tregohet se si Lufta II Botërore ka ndikuar në idetë e Sartrit. „Rrugët e lirisë“ i japin ekzistencializmit një qasje më pak teorike dhe më tepër praktike. Interesim më të madh ka zgjuar romani i parë i trilogjisë “Mosha e pjekurisë” (L’âge de raison, 1945).

Sartri pas letërsisë – Në vitin 1964 Sartri u tërhoq nga letërsia me veprën “Fjalët” (Les Mots, 1964) në të cilën në mënyrë spirituale dhe sarkastike (thumbuese) i përshkruan gjashtë vitet e para të jetës së vet. Është një autobiografi intelektuale. Libri është një kundërsulm ironik ndaj romancierit francez Marsel Prust (Marcel Proust, 1871-1922) i cili sillej në qarqet borgjeze, artistike dhe aristokratike mondane. Reputacioni i tij papritmas e nxori në plan të dytë romancierin, eseistin, dramaturgun dhe poetin francez Andre Zhid (André Gide, 1869-1951). Andre Zhidi, i cili në vitin 1947 mori çmimin “Nobel”, për brezin e Sartrit ishte model i letërsisë së angazhuar.

Sartri thotë se letërsia është zëvendësim borgjez i përkushtimit të njëmendët në jetë. Po atë vit, atij iu dha çmimi “Nobel”, por ai e refuzoi duke thënë se gjithmonë i kishte refuzuar dekoratat zyrtare dhe se kurrë s’kishte dashur t’u bashkohej institucioneve.                

Tani ishte i njohur në të katër anët, siç ishte i njohur ekzistencializmi në vitet e trazuara ’60. Megjithëkëtë, Sartri mbeti njeri i rëndomtë me pak pasuri, deri në fund të jetës aktivisht i përkushtuar ndaj idealeve të veta. Këtë e dëshmoi edhe në protestat studentore në Paris të mbajtura në maj të vitit 1968. Sorbona u mbyll. Protestat u përhapën edhe në universitet e tjera të metropoleve të kontinentit të vjetër. Pozita e rëndë e punëtorëve në Evropën e viteve ’60 t’i përkujtonte skenat e shekullit XIX të pasqyruara në veprat e realistëve anglezë – Uilliam Thekëri (William Makepeace Thackeray, 1811-1863) dhe Çarls Dikens (Charles Dickens, 1812-1870).

Policia franceze e arrestoi Sartrin për mosbindje civile. Ndërhyri presidenti i Francës, gjenerali Sharl dë Gol (Charles André Joseph Marie de Gaulle; 22 nëntor 1890 – 9 nëntor 1970). E amnistoi dhe tha: „Cili është ai shtet evropian që mund ta burgosë Volterin. Të lirohet menjëherë!“ Si pasojë e protestave studentore që e tronditën Francën dhe mbarë Evropën, qeveria franceze ra.

*   *   *

Në vitin 1975 e pyetën Sartrin: “Për çka do të dëshironit t’Ju kujtojnë brezat e ardhshëm?” Midis tjerash, ai tha: “Do të doja që brezat e sotëm dhe të ardhshëm të dinë mjedisin dhe rrethanat historike në të cilat kam shkruar dhe kam vepruar”.         

Ateizmi i Sartrit ishte bazë e ekzistencializmit të tij. Në mars të vitit 1980, një muaj para se të vdiste, Sartrin e intervistoi asistenti i tij, çifut nga Algjeri, Bernar-Anri Levi (Bernard-Henry Lévy, 1948- ). Sartri shfaqi interesim për judaizmin. Disa studiues këtë e interpretuan si  konvertim fetar të tij. Por atij i interesonte vetëm karakteri etik dhe metafizik i fesë hebraike. Sartri edhe më tej e mohonte idenë e ekzistimit të Zotit.

Çështjen e Krijuesit e preku edhe në intervistën që ia dha në vitin 1974 bashkudhëtares së vet, Simon dë Bovuarit.

*   *   *

Sartri për terrorizmin – Në Olimpiadën të mbajtur në Munih (Münich) të Gjermanisë në vitin 1972, organizata palestineze „Shtatori i Zi“ vrau 11 sportistë izraelitë. Për terrorizmin Sartri tha: „Terrorizmi është një armë e tmerrshme, por varfanjakët e shtypur armë tjetër s’kanë“. Gazetat franceze dhe një pjesë e opinionit publik, masakrën e Munihut e cilësuan si një skandal të patolerueshëm. Por për Sartrin, skandaloze ishin gjykimet dhe vlerësimet e tyre.

*   *   *

Në vitet ’70 vepronte në Gjermani organizata Fraksioni i Armatës së Kuqe (Red Army Faction), përkatësisht grupi „Bader-Majnohof“. Autoritet gjermane e cilësonin si grup terrorist. Udhëheqës të grupit ishin Andreas Bader dhe Ulrike Majnhof. Ishin arrestuar dhe e vuanin dënimin në burgun Stammheim të Shtutgartit dhe nëpër burgjet e tjera gjermane. Gjatë një greve kolektive urie, udhëheqësin e grupit, Andreas Baderin, e vizitoi në qeli Sartri. Të gjithë anëtarët e grupit ishin të arsimuar.

Shënim: Në grupin “Bader-Majnhof”, midis tjerëve bënin pjesë: Andreas Baader (1943 – burgu Stammheim, Shtutgart, 18 tetor 1977); Ulrike Marie Meinhof (1934 – burgu Stammheim, Shtutgart, 9 maj 1976); Jan-Carl Raspe (1944 – burgu Stammheim, Shtutgart, 18 tetot 1977); bija e një kapitalisti gjerman e cila luftonte kundër kapitalizmit, Gudrun Ensslin, 1940 – burgu Stammheim, Shtutgart, 18 tetot 1977); Holger Meins (1941-1974) etj.

Për të gjithë të lartpërmendurit që vdiqën në burg, autoritetet gjermane thanë se kishin bërë vetëvrasje.
Në vitet ’70 të shekullit XX, grupe të ngjashme ka pasur edhe në Itali, në Francë etj.

*   *   *

Për shkak të ritmit të papërballueshëm në punë, përdorte amfetaminë. Ishte duke shkruar veprën „Kritika“ (La Critique). Gjendja fizike e tij shkonte duke u përkeqësuar. E lodhi tej mase edhe projekti i fundit i jetës së tij, biografia analitike voluminoze e romancierit francez Gystav Floberit (Gustve Flaubert, 1821-1880) – „Idioti i familjes“ (L’idiot de la famille, 1971). Që të dyja veprat mbetën të papërfunduara.

Zhan-Pol Sartri vdiq në Paris më 15 prill 1980, në moshën 75-vjeçare nga edema pulmonare (ndezje e mushkërive). U varros në varrezat Montparnasse të Parisit. Në varrim morën pjesë mbi 25.000 vetë. Ka burime që thonë se kanë marrë pjesë 50.000 vetë. Organizuesit e varrimit e refuzuan ndihmën e policisë për të mbajtur rendin. Nekrologun mbi arkivolin e tij e lexoi Simon dë Bovuar. Ajo vajti në pavdekësi pas gjashtë vjetëve, më 1986. Që të dy janë varrosur në të njëjtin varr.

Veprat

Romanet dhe novelat: „Neveria“ (La Nausée, 1938); “Muri” (Le Mur, 1939); trilogjia  “Rrugët e lirisë” (Les Chemins de la liberté, 1945-1949); “Mosha e pjekurisë” (L’âge de raison, 1945; „Shtyrja“ (Le Sursis, 1947); “Shpirtrat e vrarë” (La Mort dans l’âme, 1949);  „Shansi i fundit“ (La Dernière chance), pjesa e katërt e ciklit e cila kurrë nuk u përfundua;

Autobiografia: “Fjalët” (Les Mots, 1964);

Dramat: “Mizat” (Les Mouches, 1943); “Pas dyerve të mbyllura” (Huis clos, 1944 ); “Të vdekurit e pavarrosur” (Morts sans sépulture, 1946); “Lavirja e denjë për respekt” (La putaine respectueuse, 1946); “Duar të ndyra” (Les Mains sales, 1951); “Djalli dhe Zoti i mirë” (Le Diable et le Bon Dieu, 1951); “Të burgosurit nga Altona“ (Les Séquestrés d’ Altona, 1959);

Veprat filozofike: “Imagjinata” (L’Imagination, 1936); “Qenia dhe asgjëja” (L’Être et le Néant, 1943); “Kritika e arsyes dialektike” (Critique de la raison dialectique, 1960);

Esetë dhe kritikat: Ekzistencializmi është humanizëm” (L’Existentialisme est un humanisme, 1946); “Situatat” I-X (Situations I-X, 1947-1974); “Ç’është letërsia?” (Qu’est-ce que la littérature?, 1947); “Bodleri” (Baudelaire, 1947);

“Shën Zhene, artist dhe martir” (Saint Genet, comédien et martyr, 1952); “Idioti i familjes” (L’idiot de la famille, 1971-1972).

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.