Ymer Raci
Kohërat dhe epokat ndërrojnë, ashtu siç është në ndërrim gjithçka në jetë, por përpjekjet e shoqërive të civilizuara bëhen për të mos i harruar asnjëherë ata që punuan ndershëm për vendin e vet, ata që punuan për ruajtjen dhe mbrojtjen e identitetit kombëtar, ata që nëpër kohë, lanë gjurmë për brezat e ardhshëm. Këto ditë vdiq veterani i arsimit, atdhetari e politikani Prenkë Gjetaj (1948-2024). Ishte ndër profesorët e parë të lëndës së historisë në Komunën e Klinës, në ato kohëra të rizgjimit nacional të shqiptarëve të ish-Jugosllavisë, ku Gjetaj, bashkë me shumë kolegë të tjerë kontribuoi në konsolidimin dhe rezistencën e arsimit shqip, pikërisht në ato kohë kur kombit tonë i nevojiteshin aq shumë njerëzit e arsimuar. I edukuar dhe i frymëzuar në frymën e Rilindjes Kombëtare, Prenkë Gjetaj do të shndërrohej në njërin prej pishtarëve të arsimit shqip në Komunën e Klinës që nga themelimi i Gjimnazit ”Luigj Gurakuqi” në Klinë.
Ishte dhe mbetet nder për mua e për shumë e shumë breza që përgjatë vitit shkollor 1972-1973 të isha nxënës i profesor Gjetajt. Me entuziazmin dhe punën e palodhshme të tij profesori Prenkë do të dallohet në edukimin e brezave, me shpjegimin e historisë së lavdishme të popullit tonë dhe me përpjekjet për liri e Pavarësi. Përveç kontributit pedagogjik e arsimor, profesori Prenkë u dallua edhe në rezistencën për mbrojtjen e Gjimnazit “Luigj Gurakuqi” dhe përgjithësisht të shkollës shqipe, në kohën kur arsimi shqiptar në Kosovë u sulmua nga shovinistët serbë, kur goditjet kryesore bëheshin mbi arsimin shqip.
Profesori Prenkë ka qenë frymëzim për edukim, atdhedashuri dhe respekt ndër njerëzor. Ne, ish-nxënësit e Tij do ta kujtojmë me respekt, duke kujtuar kontributin e një profesori iluminist, që nuk kurseu asgjë për edukimin dhe emancipimin e shumë brezave në komunën tonë. Në fillimvitet e nëntëdhjeta Prenkë Gjeta u angazhua në kohën e Pajtimit të Gjaqeve në Komunën e Klinës dhe më gjerë, ku dha një kontribut të madh, bashkë me shumë atdhetarë të tjerë klinasë.
Pas themelimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, më 23 dhjetor 1989, me kryetar Dr. Ibrahim Rugovën, edhe në Klinë, më 23 janar 1990 u themelua Dega e LDK-së në Klinë, ku profesori Prenkë ishte në Grupin Nismëtar, bashkë me Ismet Rracin, Hamit Krasniqin, Anton Kolajn dhe të tjerë. Me këta njerëz atdhetarë Dega e LDK-së në Klinë, në gjithë komunën, krijoi strukturat e saj, nëndegë e aktive dhe me përkrahjen gjithëpopullore organizoi jetën në të gjitha fushat, kundër okupimit klasik serb. Profesori Prenkë me shokët e tij ishte kudo, në shërbim të çështjes kombëtare. Kontributi i profesorit Prenkë ishte i gjithanshëm në kohën e mbijetesës së kombit tonë në rrethana të robërisë, sidomos në fushën e arsimit, financimit, shëndetësisë, politikës etj. Prenkë Gjetaj, me atë qetësinë e shqiptarit të edukuar nga kodet më të mira të mirësisë, trimërisë, bujarisë e njerëzillëkut, kurrë nuk u ligështue.
Prenkë Gjetaj kreu detyra me përgjegjësi për kohën që tashmë i mbetet historisë: anëtar i Kryesisë, nënkryetar dhe kryetar i Degës së LDK-së në Klinë, drejtor në Gjimnazin “Luigj Gurakuqi”. Si ish-nxënës i tij e më vonë si bashkëveprimtar, pata nderin të jem edhe bashkëpunëtor i Gjetajt në rrugëtimin e vështirë për Liri e Pavarësi që nga viti 1990 e deri pas çlirimit të Kosovës, ku Prenkë Gjetaj u bë edhe kryetar i Komunës së Klinës, në kohën kur unë isha vartës i tij në rolin e nënkryetarit të Komunës së Klinës.
Punën e fundit përgjatë karrierës së tij të gjatë Prenkë Gjetaj e kreu si Kryetar i Komisionit Qeveritar për të Pagjeturit. Prenkë Gjetaj ishte dhe mbeti një ndër të rrallët që aktivitetin e filloi nga një shtëpi në katund dhe në atë shtëpi të trashëguar vdiq. Prenkë Gjetaj nuk i mori asgjë djersës dhe mundit financiar të popullit të vet, ai u mjaftua me besimin e dhënë për të, me bindjen e pamohueshme se Prenkë Gjetaj ishte dhe mbeti një burrë i ndershëm, një veprimtar i pakursyer dhe një politikan që duhet të jetë shembull për brezat e tashëm dhe të ardhshëm.
Jam krenar që isha bashkëpunëtor i Tij. Lavdi Jetës dhe veprës së pavdekshme të Prenkë Gjetajt.
Prishtinë, 25.06.2024
Dërgoi për publikim, Ajete Zogaj, krijuese