Xhelal Zejneli
Arsimi fillor, i mesëm, universitar dhe pasuniversitar duhet të depolitizohen dhe të jenë jashtë ndikimit të partive. Drejtorët e shkollave nuk duhet të emërohen nga partitë bolshevike apo staliniste të Ballkanit. Mësuesit, arsimtarët dhe profesorët nuk duhet të punësohen nëpërmjet partive jodemokratike, të pandërgjegjshme dhe joprofesionale.
Shkolla është institucion edukues, arsimor dhe human. Thelbi i arsimimit është edukimi, pajisja me dituri dhe manifestimi i qëndrimit të njerëzishëm ndaj tjetrit.
* * *
– Regjistrimi në gjimnaze të bëhet vetëm me provim pranues. Për të parandaluar keqpërdorimet, provimi pranues duhet të realizohet sipas parimeve dhe rregullave të maturës shtetërore;
– Të ndërpritet praktika e deritashme që arsimi i mesëm të kryhet edhe si “nxënës” i çrregullt;
– Të reduktohet numri i lëndëve mësimore në gjimnaze. Lëndët mësimore që janë në plan-programet e shkollave të tjera, të hiqen prej gjimnazeve. Mund të hiqen lëndët si: ekonomia, biznesi, menaxhmenti, fillet e së drejtës. Lëndët e sipërthëna ligjërohen në shkollën e mesme të ekonomisë;
– Lënda e Gjuhës shqipe dhe letërsisë duhet të ndahet në dy pjesë: Gjuha shqipe – veç dhe letërsi – veç. Kjo do të bënte të mundur shmangien e vështirësive me të cilat ballafaqohemi gjatë të shkruarit të shqipes. Gjuha shqipe duhet të mësohet prej klasës së parë të fillores deri në maturë, nga katër orë në javë. Po kështu edhe lënda e letërsisë do të duhej të mësohej që nga klasa e parë e fillores, deri në maturë, nga katër orë në javë. Lëndët e sipërthëna të ndara do të ligjëroheshin prej dy arsimtarëve apo prej dy profesorëve të veçantë;
– Duhet të mirëpritet vizita e kohëpaskohshme e pedagogut të shkollës nëpër klasa;
– Nuk duhet të pritet me ftohtësi vizita e inspektorit të arsimit në shkollë dhe pjesëmarrja e tij në orën mësimore;
– Mësuesi, arsimtari dhe profesori, para se të vijnë në shkollë, duhet të përgatiten për njësinë mësimore përkatëse. Pjesë e përgatitjes është edhe koncepti i njësisë mësimore i hartuar apo i përpiluar me shkrim, të cilin gjatë realizimit të orës, e mban mbi tavolinë;
– Mësuesi, arsimtari apo profesori i mirë, gjatë orës mësimore krijon atmosferë të relaksuar. Shkolla nuk është hapësirë zbavitjeje apo argëtimi, por s’është as institucion me disiplinë policore apo kazerme ushtarake;
– Mësuesi, arsimtari apo profesori çdo nxënësi i mundëson hapësirë që të vijë në shprehje dhe të shprehet. Është detyrë parësore e mësuesit, e arsimtarit apo e profesorit që ta njohë gjendjen ekonomike, sociale dhe familjare të nxënësit të vet. Ka nxënës me probleme ekonomike, me probleme shëndetësore, nxënës pa prindër, nxënës bonjakë, nxënës me prindër të shkurorëzuar, nxënës të familjeve pa të ardhura apo me të ardhura të vogla, të pamjaftueshme;
– Mësuesi, arsimtari apo profesori duhet t’i mundësojnë nxënësit që për një çështje të caktuar t’i shprehë mendimet dhe qëndrimet personale. Më së shumti vlerësohet dhe çmohet, jo nxënësi që e mëson njësinë mësimore prej librit, por ai i cili për atë njësi i paraqet mendimet dhe gjykimet e veta. Shkollimi duhet të ndihmojë edhe në formimin e personalitetit të nxënësit. Shkolla nuk është institucion për shpëlarjen e trurit të nxënësit. Shkolla nuk shërben për indoktrinimin e nxënësve me ideologji të caktuar, me racizëm, nazizëm, bolshevizëm, stalinizëm, ultranacionalizëm, ksenofobi, mizogami, me koncepte religjioze etj. shkolla nuk është vend i propagandës politike apo partiake;
– Notimi apo vlerësimi i lëndëve si: arti muzikor, arti figurativ dhe edukata fizike të bëhet jo në mënyrë numerike, por në mënyrë përshkruese. Për shembull: “tregon interesim të lartë”, “tregon interesim mesatar”, “tregon interesim të ulët”;
– Gjuha e huaj e dytë të jetë lëndë fakultative dhe pa nota;
– Notimi apo vlerësimi i njohurive të nxënësve të bëhet kryesisht me shkrim, nëpërmjet testeve të matjes së njohurive të nxënësve;
– Klasa apo paralelja duhet të ketë maksimum 24 nxënës;
– Klasa apo paralelja me më tepër se 24 nxënës apo me më pak se 24 nxënës, nuk është klasë;
– Të ndalohet në mënyrë të prerë bashkimi i dy klasave në rastet kur mungon ndonjë arsimtar apo ndonjë profesor. Më mirë është nxënësit të shkojnë në shtëpi sesa të bashkohen dy klasa;
– Ditët mësimore të humbura nuk duhet të kompensohen duke mbajtur mësim ditëve të shtuna. Kjo nuk prodhon kurrfarë efekti;
– Nxënësi që ka numër të palejuar të mungesave, duhet të përcillet në ndonjë shkollë tjetër të qytetit ose në ndonjë shkollë të qytetit tjetër më të afërt;
– Nxënësve të padisiplinuar sa më parë duhet t’u ndërrohen klasat. Nxënësit e padisiplinuar duhet të shpërndahen nëpër klasa të tjera;
– Nuk duhet të praktikohet organizimi i trajnimeve të mësuesve, të arsimtarëve apo të profesorëve të shkollave të mesme. Trajnimi i tyre vë në dyshim cilësinë dhe nivelin profesional të institucionit që ua ka lëshuar diplomat mësuesve, arsimtarëve dhe profesorëve. Ka raste kur niveli profesional i trajnuesit është nën nivelin profesional të profesorëve. Trajnimet e deritashme të mësuesve, të arsimtarëve apo të profesorëve deri tash nuk kanë dhënë kurrfarë rezultati;
– Për të parandaluar futjen në shkollë të armëve, të sendeve të mprehta dhe të lëndëve narkotike, herë-herë, te hyrja e shkollës, duhet të zbatohet kontrolli i nxënësve dhe i çantave të tyre. Kontrollin duhet ta zbatojnë organet kompetente të shteti;
– Veshja e nxënësve dhe pamja e tyre duhet të jenë në përputhje me kodin etik të ndjekësit të shkollimit. Po qe se është efektive, nxënësit mund të mbajnë edhe uniforma;
– Veshja dhe dukja e mësuesve, e arsimtarëve dhe e profesorëve apo e profesoreshave duhet të jetë në përputhje me kodin etik të punëtorëve të arsimit;
– Shkollat duhet të posedojnë biblioteka të pajisura me libra lëmenjsh të ndryshëm;
– Shkollat duhet të respektojnë rendin shkollor dhe disiplinën shkollore. Ora e fundit, përkatësisht ora e shtatë duhet të mbahet sikur të kishte qenë orë e parë;
– Shkolla e fortë i përgatit nxënësit për të marrë pjesë në gara në shkallë shteti apo edhe në ato ndërkombëtare;
– Shkollat duhet të kenë sallë fizkulture. Shkolla pa sallë edukate fizike, nuk është shkollë;
– Shkollat duhet të jenë të pajisura me kabinet biologjie dhe me kabinet fizike;
– Shkollat duhet të janë të pajisura laborator kimie;
– Shkollat duhet t’i kushtojnë rëndësi higjienës;
– Shkollat duhet të pajisen me pajisje dhe aparate bashkëkohore të realizimit të procesit mësimor;
– Shkollat duhet të kryejnë deratizimin (asgjësimin e minjve) dhe dezinsektimin (asgjësimin e insekteve) e hapësirave shkollore;
– Kohë pas kohe, mësuesve, arsimtarëve dhe profesorëve shkolla duhet t’u mundësojë vizitë në panairin e librit në Tiranë dhe në Zagreb;
– Nxënësit e dalluar, shkolla duhet t’i shpërblejë me udhëtim treditor në Tiranë apo në Zagreb;
– Shkollat duhet të kultivojnë frymën e shoqërimit nëpërmjet organizimit të manifestimeve sportive;
– Nuk është zgjidhje e drejtë që për shkak të ditarit elektronik, ditari klasik i klasës të nxirret nga përdorimi;
– Për të parandaluar kopjimin nga nxënësit, në ditën e mbajtjes së provimeve të maturës shtetërore, valët e internetit duhet të shkyçen nëpër shkolla. Këtë duhet ta zbatojnë orghanet kompetente të shtetit;
– Për t’u regjistruar në Fakultetin e Mjekësisë, nuk duhet të vlejë matura shtetërore. Regjistrimi në Fakultetin e Mjekësisë duhet të bëhet nëpërmjet provimit pranues nga lëndët, si: biologji dhe kimi;
– Në fakultetet që nxjerrin punëtorë arsimi – mësues, arsimtarë dhe profesorë, regjistrimi duhet të bëhet nëpërmjet provimit pranues. Në këto degë studimi duhet të regjistrohen vetëm nxënësit që kanë të kryer shkollë të mesme gjimnaz, me sukses shumë mirë apo shkëlqyeshëm.
– Rroga apo paga e mësuesit që i mëson nxënësit e klasave I – IV duhet të jetë mbi njëmijë euro. Mund të ndodhë që një ditë shkollat të mbeten pa mësues;
– Vitet e fundit, në fakultetet që kanë nxjerrë mësues apo arsimtarë janë regjistruar kryesisht nxënësit e shkollave të mesme që kanë kaluar me dysh apo me mirë. Nxënësit e dalluar shkojnë kryesisht në mjekësi ngase aty janë paratë. Për të pasur arsimim cilësor, në fakultetet që nxjerrin mësues, arsimtarë dhe profesorë shkollash të mesme duhet të regjistrohen vetëm nxënësit e gjimnazeve që kanë korrur sukses shumë mirë apo shkëlqyeshëm. Nxënësi i cili ka kryer me dysh apo me tresh një shkollë profesionale dhe i cili pas kësaj “e kryen” edhe fakultetin, kurrë nuk bëhet mësues, arsimtar apo profesor i mirë;
– Shteti me shpenzimet e veta, nxënësit shqiptarë të dalluar duhet t’i dërgojë për të studiuar në Universitetin e Zagrebit. Kjo duhet të zgjasë disa vjet. Me t’u kthyer që andej, këta intelektualë të shkolluar, të arsimuar dhe të pajisur e të mbathur me dituri dhe kulturë, do të viheshin në krye të arsimit shqiptar, por edhe të proceseve të tjera në shoqëri, proceseve politike, ekonomike, sociale dhe kulturore;
– Për fat të keq, universitetet tona nuk i zë as rangimi ndërkombëtar i universiteteve;
– Në testimin PISSA, Maqedonia e Veriut zë vendin e katërt në botë, nga fundi. Kosova zë vendin e tretë në botë, nga fundi. Testimi PISSA është matje ndërkombëtare e njohurive të nxënësve të moshës pesëmbëdhjetëvjeçare. Maten kryesisht njohuritë logjike të nxënësve që i kanë fituar në arsimin fillor;
– Shoqëria shqiptare nuk duhet të qëndrojë indiferente dhe indolente ndaj problemeve në arsim;
– Rroga e profesorit të matematikës, të fizikës, të kimisë dhe të informatikës nëpër shkolla të mesme duhet të jetë mbi njëmijë euro. Nëpër universitetet tona, në degën e fizikës regjistrohet një numër simbolik i nxënësve. Një ditë shkollat rrezikojnë të mbeten pa arsimtarë apo profesorë fizike.











