U mbajt akademi përkujtimore për atdhetarin Metush Krasniqi

1
Metush Krasniqi - akademi

Zymer Mehani

Sot, në Institutin Albanologjik të Prishtinës, duke filluar në orën 12:00 u mbajt akademi përkujtimore për veprimtarin e çështjes kombëtare dhe atdhetarin Metush Krasniqi. Kjo akademi u mbajt në patronatin e LKSH-së.

Në fjalën e hapjes poeti Zymer Mehani, ndër tjerash tha:

“Përshëndetje, pjesëmarrës të nderuar,
Mirë se keni ardhur në këtë tempull të dijes e të kulturës, për të marrë pjesë në akademinë përkujtimore, kushtuar veprimtarit të çështjes kombëtare, vizionarit demokrat dhe heroit të kombit, Metush Krasniqi!

Metush Krasniqi, është njëri nga heronjtë më të merituar të popullit tonë gjatë gjysmës së dytë të shek. XX, i cili tërë jetën e vet e vuri në shërbim të atdheut duke shkrirë të gjitha aftësitë e veta mendore e fizike, në përpjekje të Ribashkimit të Shqipërisë Etnike. Ai do të jetë gjithmonë shembull frymëzimi e unifikimi për të gjithë ata veprimtarë, politikanë, që i shërbyen çështjes së mirëfilltë kombëtare, gjegjësisht ribashkimit të Shqipërisë Etnike.

Baca Metush kishte një vizion prej një revolucionari të kalibrit të madh popullor, duke qenë një demokrat i mirëfilltë, me një shpirt tolerance e mirëkuptimi ndaj dallimeve ideopolitike. Ai i kishte të gjitha virtytet e larta të një njeriu e të një atdhetari: dashurinë familjare, respektin miqësor, besën, përzemërsinë, mirësinë, mirënjohjen, tolerancën dhe mbi të gjitha e kishte edhe karakterin vetëmohues të burrërisë dhe trimërisë shqiptare. Atdheu, për të ishte parësor.

Ai, me tërë qenien fizike e mendore, i përkiste Atdheut – Shqipërisë! Se, ishte vërtetë kështu dëshmojnë lidhjet e tij me këta veprimtarë: me Gjon Sereçin e me Mark Gashin, me Sejdi Kryeziun e me Qemajl Kallabën, me Adem Demaçin e me Mulla Ramë Govorin, me Rexhep Abdullahun, NDSH-ist të njohur, me Ali Boletinin e Hyrije Hanën, Sadik Tafarshikun, pastaj me Hasan Dërmakun, me Ismajl e Osman Dumoshin, Ahmet Haxhiun, Jusuf e Zeqir Gërvallën, Fehmi e Rexhep Elmazin, Hetem e Rafet Bajramin, Sabri e Selatin Novosellën, Hilmi Rakovicën, Shefqet Jasharin, Adil e Iljaz Pirevën, Afrim Loxhën, Ilmi Malokun, Rexhep Malën, Skënder e Isa Kastratin, Njazi Korçën, Kadri Zekën, Ethem e Fehmi Bajramin, Azem Beqirin, Sadri Fetiun, Isa Demajn, Zymer Nezirin, Sabit Ratkocerin, Hyda Dobrunën, Hazir Shalën e shumë të tjerë. Për këtë figurë emblematike të kombit tani para jush do të referojnë profesorët tanë eminentë”.

Pastaj fjala iu dha prof. dr. Sadri Rexhepit, i cili veç tjerash tha se gjithë shekulli XX për shqiptarët ishte i mbushur përplot me trazira politike e luftarake. Lufta e popullit shqiptar po bëhej si gjithmonë me shprehjen hamletiane “të jesh, o të mos jesh”! Në këtë luftë të gjatë e të përgjakshme për liri, shqiptarët asnjëherë nuk u ndanë në përpjekjet e tyre për çlirim kombëtar e pëfundimtar nga pushtuesit e huaj.

Kështu në vargun e përpjekjeve për çlirim kombëtar veç të tjerëve në Anamoravën heroike u dallua edhe Metush Krasniqi, i cili shquhej si njëri ndër figurat më emblematike heroike dhe kombëtare, jo vetëm në Anamoravën heroike, por edhe në mbarë Kosovën e Pasluftës së Dytë Botërore. Qysh kur ishte i ri në moshën e adoleshencës dallohej për traditat e tij familjare, sepse nga i ati dhe familja e tij kishte trashëguar kodin e mirësjelljes, të besës dhe deshirën e madhe për të luftuar kundër cilitdo pushtues drejt çlirimit përfundimtar të popullit shqiptar nga okupimi serbojugosllav.

Pastaj Prof. Rexhepi tha se Metush Krasniqi u lind në Dajkovc të Kamenicës në vitin 1928. Fillimi i Luftës së Dytë Botërore dhe pushtimi i Jugosllavisë borgjeze në prill të vitit 1941, Metushin e gjen në klasën e tretë të shkollës fillore.

Brezi kufitar i Anamoravës i njohur historikisht edhe si gjithë Anamorava, ka qenë vatër në të cilën nuk është shuar kurrë zjarri i atdhedashurisë. Anamorava me rrethinë në të gjitha periudhat historike ka dhënë njerëz të pushkës e të penës që punuan dhe luftuan për interesin kombëtar. I tillë ishte edhe atdhetari Metush Krasniqi. Anamorava për luftë më së miri identifikohet me figurën madhështore të Lëvizjes Kombëtare, me heroin e pamposhtur Idriz Seferin. Ndërkaq, Anamorava pas Luftës së Dytë Botërore identifikohet me shumë figura të rëndësishme historike kombëtare, në krye me Mulla Idriz Gjilanin, Ramiz e Raif Cërnicën, Metush Krasniqin, Sejdi Kryeziun dhe me trimat e tjerë të Anamoravës, duke përfshirë këtu edhe ata që në vitet ’50, në ish- Jugosllavi formuan NDSH-në (Lëvizjen Nacional -Demokratike Shqiptare) dhe Lëvizjen Revolucionare për bashkim të shqiptarëve.

Fjala e prof. Sadri Rexhepit u përcoll me duartrokitje nga të pranishmit.
Me evokim kujtimesh për veprimtarin Metush Krasniqi u paraqit ish- i burgosuri politik, z. Sabri Novosella, i cili theksoi se atdhetari Metush Krasniqi ishte faktor unifikues dhe kishte vizion prej demokrati për zhvillimet politike në Kosovë.

Me fjalë rasti u paraqitën edhe Akademik Hakif Bajrami dhe Prof. dr. Musa Limani. Akademik Bajrami tha se ishin katër shtylla të qëndresës kosovare: Adem Demaçi, Fazli Greiçevci, Shaban Shala dhe Metush Krasniqi. Kurse Prof. Limani evokoi kujtime nga koha pas burgimit të Metush Krasniqit, i cili menjëherë iu kishte përveshur studimeve. Pra ai ishte student i prof. dr. Musa Limanit.

Zonja Makbule Novosella-Krasniqi solli dromca kujtese me rastin e trajtimit mjekësor në klinikën e kardiologjisë të Metushit të frobitur nga dhuna policore. Ajo e përshkruajti trupin e të ndjerit të tërin të damkosur nga goditjet fizike të UDB-istëve. Me fjalë të tyre u paraqitën edhe ish-të burgosurit politikë Avdi Limani e Muharrem Musliu.

Mjaft emocionuese ishte fjala përshëndetëse e prof. Teuta Krasniqi, e bij e atdhetarit Metsh Krasniqi. Ajo rrëfeu se si u rritën vëllezërit dhe motrat e saj dhe si u shkolluan e u integruan në jetën normale.

1 KOMENT

  1. Kësaj përbërje atdhetarësh të dalluar i përket edhe Xheladin Rekaliu, i cili si 20 vjeçar u dergj në Burgun e Goli – Otokut, famëkeq.
    Xhela bashkëpunoi ngushtë me vëllezërit Osman dhe Ismail Dumoshi, si dhe me vëllezërit Selatin e Sabri Novosella.
    Ashtu edhe me kushërinjtë Adil e Ilaz Pireva. Me këtë të fundit ishte edhe kunat (baxhanak).

    Në lakim emrash duhet të jemi të kujdesshëm. Anashkalimi edhe i pa qëllimshëm, i lëndon familjarë edhe shokë të Xheladinit, sepse ai ishte forcë motorike e demonstratave të 68-ës. Këtë e vërteton edhe Aktgjykimi i tij.

    Xhela edhe pas lirimit nga burgu u izolua dhe u burgos disa herë. Ai ishte edhe në grupin e të izoluarëve më 1989, në Leskoc e Beograd.
    Xhela, Akademik Rexhep Ismaili, Kolë Berisha, Nazmi Peci – Boletini etj, përjetuan ferrin në këto burgje.

    Kur flitet për figurën e Atdhetarit, Metush Krasniqi, detyrim kanë ish – shokët e tij të gjallë të evokojnë kujtime, nga jeta dhe vepra e tij.

    Ne që qëndruam me kilometra larg grilave të burgjeve dhe nën hijen e blirit çfarëdo elozhesh që thurim janë të zbehta.
    Këtyre rreshtave po ua shtojmë edhe një të vërtetë tjetër, që me Metush Krasniqin bashkëpunoi pandërprerë edhe Ismail Ajeti – Bushi, i cili më 1945 dhe 1950, ka qenë i dënuar me vdekje nga sistemi Titisto-Rankoviçian. Prania e të birit Hasan Ajeti vetëm do ta madhëronte këtë soleminitet.

    Meqenëse, Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës, po mrizon punën e saj duhet ta bëjnë të tjerët.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.