Shëtitje qytetit në shi

0
Fatmire Duraku

Fatmire Duraku

Shëtitje qytetit në shi

(Trioletë)

I
Peizazhi i qytetit pikturohet gri
Në sytë e fytyrat e njerëzve të mi
Hija e zbehtë e ëndrrës iku me shi
Peizazhi i qytetit pikturohet gri

Ikin dritat, ty të pushton stuhi
Retë mbulojnë qellin mbi çati
Peizazhi i qytetit pikturohet gri
Në sytë e fytyrat e njerëzve të mi

II
Lisat kanë mbetur veç me degë
Sheshi trazohet me gjethe në vetmi
Vjeshta tregon fytyrën por si shegë
Lisat kanë mbetur veç me degë

Çdo pikë e shiut zgjohet me legë
Të ikura vetëtimthi nga retë gri
Lisat kanë mbetur veç me degë
Sheshi trazohet me gjethe në vetmi

III
Unë e ndjek horizontin në largësi
Ti e ndjek zgjimin e vetëtimës në sy
Vjeshta është stina plotë gjallëri
Unë e ndjek horizontin në largësi

Retë e zgjuan qytetin me stuhi
Udhës së lagur ecim sërish ne të dy
Unë e ndjek horizontin në largësi
Ti e ndjek zgjimin e vetëtimës në sy

Shtegut të pyllit

(Trioletë)

I
Dea e unë ecim shtegut nëpër pyll
Çdo lëvizje ndalet te ritmi i vjetër
Flutura bie nën gjethe krahët mbyll
Dea e unë ecim shtegut nëpër pyll

E kërrusur shkeli dhiares nën yll
Kërmilli bart shtëpinë në anën tjetër
Dea e unë ecim shtegut nëpër pyll
Çdo lëvizje ndalet te ritmi i vjetër

II
Qukapiku i gjelbër thyen heshtjen
Troket tak-tak në trung të një lisi
Flutura nën gjethe përjeton mekjen
Qukapiku i gjelbër thyen heshtjen

Qielli blu zgjon mbi mua prekjen
E retë gri mbulojnë e bie hije tisi
Qukapiku i gjelbër thyen heshtjen
Troket tak-tak në trung të një lisi

III
Ja gjak rrjedh prej trungut të rrapit
Ecim e dëgjojmë vetën me kërshëri
Në mes të peizazhit dhe të hapit
Gjak rrjedhë prej trungut të rrapit

Është lehtë ta kuptoj ikjen e krapit
Në valët e ashpra vijës së lumit të ri
Ja gjak rrjedh prej trungut të rrapit
Ecim e dëgjojmë vetën me kërshëri

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.