Dje e mundëm një fushë mbushur me varre,
e mundëm një kohë të burgjeve
e pushkatimeve, e mundëm një vrasës të lirisë,
gjenocidin e mundëm,
një pushtues, që vrasjen e kishte mësim.
Nuk e mbaj më ngarkesën e shekujve
nuk mbajnë as ata të dhimbshëm të paktë,
pyes, pse vonon një forcë që i atdheut i prinë?
Ai, që popullit tonë i jep dritë dhe lavdi!…
Bashkohuni të dhimbshëm të paktë rreth flamurit!
Bashkohuni të dalë zot të Dheut të Atdheut!
Kosova dardane e do emrin e tokës së vet,
e do dhe motër Çamëria, motër Iliria,
Krahina e Mollës së Gjakut dhe Ulqini,
ah, fortesat mbi det, Shkupi, Tetova, Gostivari e
Kumanova, ah matanë ndanë lumit të përjetshëm dardan…
Nuk e mbaj më ngarkesën e shekujve
thotë ai që vdekjen për atdhe e do, kujtesën e lirinë të shkruar në liri e dua…
Kosovë dardane, protagoniste e fatit të Atdheut
gjithçka nis nga fjala dhe ngjizja e urtisë,
gjithçka nga mendimi nis, nga zemra dhe duart tua!
Dardanë, bëhuni grusht për të keqen,
e për armiqësinë.
Heshtja e harrimi i vendlindjes dhe
atdheut, ndaj Çamërisë, është krim, po, krim pa
doras e muranë, një vetëgroposje e qenies…
Çfardo të jetë udha turbullore e kombit
e do kapedanin e vetë që i prinë Atdheut!…
Djepi i shqiptarëve është shkretuar
nga Dhébraktisja e pafund e krahëve rinorë
nga shpërdorimi i lirisë dhe heshtja e durimi,
ky faj i pjesëmarrjes në Keqësi,
indin e shpresës këput,
Shqipëri, e atdhenjta tokë shqiptare
nuk të dua të heshtur dhe harrimtare
ngrite zërin për pjesët e pushtuara
se është zë për veten, për ne të gjithë,
se t´i e di si ngrihet dielli me duar!…
Atdhe Geci – poezi nga libri “Iliada shqiptare”