10.5 C
Tirana
E dielë, 15 Shkurt 2026
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)

Sheh Tahir Kanaqi personalitet i nderuar  nga Kraja e Shkodrës

Shkrime të ndryshme

admin
adminhttps://fjala.info
Publikuar nga: Arben Çokaj - Mësues Fizike & Informatike :: Gazetar & Analist i pavarur :: Shkrimtar :: Ueb- & Grafikdizajner

Përkujtim

(Me rastin e katërdhjetë vjetorit te vdekjes (1985-2025)

Në sajë të veprimtarisë së tyre personalitete të veçanta nderohen edhe pas vdekjës jo vetëm në vendin ku kanë jetuar e vepruar por edhe më gjerë, duke qenë model në kohën e tyre  dhe më pas. Në këtë kategori bën pjesë edhe sheh Tahir Kanaqi, nga Kraja e Shkodrës, i cili ka qenë  personalitet shumëplanësh si imam, sheh, edukator, intelektual e humanist duke  mbetur i pa përseritshëm deri në ditët tona

Nail Draga

Ndonëse  për nga përgatitja profesionale ishte teolog, ai ishte i përgatitur me njohuri shumëdimensionale dhe si i tillë dallohej nga kolegët e tij bashkëkohës. Ndërsa veprimtaria humaniste duke iu  ndihmuar personave të ndryshëm ka ndikuar në autoritetin  e tij, pothuaj në të gjitha viset shqiptare në Mal të Zi, dhe më gjerë. Ai me qendrimin e tij rrezatonte qetësi dhe mirësi si rrallë kush, andaj edhe sot kujtohet me admirim.

Në shërbim të fesë e kombit

Imam, sheh Tahir Kanaqi është personi tipik i binomit fe e atdhe, sepse ai ishte i devotshëm si besimtar por edhe kombëtar i përkushtuar që e ka dëshmuar me veprimtarinë e vet jetësore. Ka lindur në Ostros të Vogël në Krajën e Shkodrës në vitin 1907, e cila në atë kohë ishte në kuadër të Shqipërisë, përkatësisht të Perandorisë Osmane. Në vendlindje ka kryer mejtepin e më pas Medresën në Shkodër(1921-1927). Shkodra në këtë kohë si qendra jo vetëm kulturore në Veriun shqiptar ndikoi në formimin e personalitetit të Tahir Kanaqit.

Këtu në sajë të kontaktëve me personalitete të kohës dhe literaturës së përdorur, nuk ka qendruar statik, por në vendlindje ka sjellur edhe Abetaren, Algjebren e tekste të tjera shkollore. Ka filluar të punojë si imam në Arbnesh(1927-1929), por si  intelektual i dalluar dhe edukues i të rinjve, shtetit të atëhershëm jugosllav  i pengonte kjo veprimtari, andaj e ftuan të shkojë ushtarë. Por, ai refuzoi atë shërbim dhe  shkoi në Shqipëri(1930-1944) fillimisht në Shkodër  e më pas në Tiranë.

Në Shqipëri përveç se ka studiuar e punuar aty është bërë pjesëtar i tarikatit rufai. Gjatë qendrimit në Shqipëri, ka jetuar në Tiranë, Burrel, Peshkpoi, Voskopojë, Korçë, Durrës e së fundit përseri në Shkodër. Ai ka punuar si gardian burgu dhe së fundit në Shkodër(1940-1944) si nëpunës në prefekturën e Shkodrës. Në vitin 1944, kthehet në vendlindje në Krajë, duke iu përkushtuar profesionit të imamit në disa  fshatra në Krajë. Në sajë të qendrimit  dhe raportëve shoqërore atij i janë ofruar pozita të ndryshme udhëheqëse, por i ka refuzuar sepse ishte i vendosur ti shëbejë profesionit të tij e jo ideologjisë së pushtetit të kohës.

Në këtë aspekt duhet cekur se në tubimin popullor i cili është mbajtur në Ostros me 1 janar 1945, pranoi  detyrën e kryetarit të Këshillit Nacional Çlirimtar për Krajë, por duke kuptuar intrigat e pushtetit  dha dorëheqje nga ajo pozitë. Gjatë veprimtarisë së tij si imam është treguar besimtar i devotshëm dhe i guximshëm, duke sfiduar rrethanat e pushtetit të të kohës. Ai duke qenë i veçantë nga imamet e tjerë përcillej nga pushteti, madje edhe e kanë burgosur por ai ishte i vendosur në misionin e tij fetar.

Ishte anëtar i tarikatit Rufai, fillimisht ishte myhib, ndërsa në vitin 1975 u bë veqil-ushtrues i detyrës së shehut, ndërsa në vitin 1982, u bë sheh i këtij tarikati.

Ka vdekur me 15 dhjetor 1985, në vendlindje në Ostros.

I pasionuar pas librave

Në sajë të edukimit e  pasionit pas librave Tahir Kanaqi kishte një bibliotek të të pasur, duke qenë e veçantë për kohën në Krajë. Ai në bibliotekën e tij kishte libra, revista, gazeta, por edhe dorëshkrime të ndryshme si ditarë, letra, vendime, korrespondencë, pastaj fotografi të ndryshme etj., që tash janë pronë e trashëgimtarëve të familjes së tij. Ai librat nuk i kishte për vetën, por iu jepte në shërbim atyre qe kanë treguar interesim, që dëshmohet në sajë të ditarëve dhe shënimeve që janë të depozituara në bibliotekë.

Lexues i gazetës “Rilindja”

Në sajë të pasionit për informim Tahir Kanaqi, ishte ekzemplar i veçantë, sepse ai ishte lexues i rregullt i gazetës “Rilindja”, e cila i vinte rregullisht me postë, duke  qenë model për kohën kur ka jetuar e vepruar. Dhe jo vetëm këtë gazetë, por ka qenë i parapaguar edhe për gazetën “Flaka e Vëllazërimit” e cila dilte në Shkup. Ishin këto medie të shkruara të cilat kanë informuar opinionin e gjërë për rrethanat shoqërore e kulturore për hapësirën shqiptare.

Humanist i përkushtuar

Ata të cilët e kanë njohur e pasur kontakte me te kanë theksuar se Sheh Tahiri, ka kryer edhe punët e mjekut, sepse ka pasur njohuri nga mjekësia popullore, ndërsa  ne çantën e tij  ka pasur edhe  mjetët e ndihmës së parë (jod, alkool, tableta etj.) që i përdorur  për ata të cilët kanë pasur nevojë, në disa fshatra të Krajës.

Por, e veçanta e tij ka  qënë se ai i ka shëruar individët e ndryshëm pa përdorur mjete mjekësore. Kështu kur i ka ardhur ndonjë person për të kërkuar ndihmë, ai që në takimin  e parë „pacienitin“ e ka pyetur për emrin e tij dhe të nënës. Pasi ka shikuar në librat e tija, mënjëher i ka thënë se për çka ke ardhur te ai. Ai ka shëruar në mënyra te ndryshme si dhimjen e kokës, çrregullimet shpirtërore e ato nervore, magjinë, paralizën, ngrënien e gjarprit etj, të cilat me sukses i ka eliminuar.

Por, nëse i sëmuri „nuk ka qenë për te“,  e ka udhëzuar të shkojë në spital, duke dëshmuar e vlerësuar parimet mjekësore e humaniste e jo egoizmin personal. Për „shërbimet“ e tia asnjëher nuk ka kërkuar kompensim, sepse gjithmonë ka theksuar se ai është vetëm ndermjetës, ndërsa është në duar të Zotit fati i të sëmurit dhe shërimi i tij. Ai kishte aftësi të veçanta mistike e spirituale, që si rrallë kush e ka dëshmuar në praktikë.

Individët  të cilët kanë pasur nevojë i ka pranuar në çdo kohë, pa marrë parasysh së cilës fe, gjuhë  e komb  iu takojnë. Në lidhje me tolerancën fetare ka mbetur  emblematike thënia e tij se  “Fetë janë si lulet e një bahçeje”.

Sheh Tahir Kanaqi(1907-1985)

Nderohet me veprimtari kulturore

Në shenjë nderimi jetës dhe veprimtarisë së tij, me 13 korrik 2012, në Ulqin në organizim nga OJQ”Harmonia” dhe Qendra Kulturore e Uqinit, është mbajtur  veprimtaria  kulturore “Mbrëmja përkujtimore kushtuar jetës dhe veprës së Sheh Tahir Kanaqit”. Në këtë veprimtari e cila kishte karakter kulturor, fetar, shoqëror e kombëtar, me kumtesat e tyre kanë marrë pjesë studiues nga Mali i Zi, Shqipëria e Kosova, duke vlerësuar lartë veprimtarinë e Sheh Tahir Kanaqit.

Në kuadër të kësaj veprimtarie në Galerinë e artëve të Qendrës Kulturore-Ulqin, është hapur edhe ekspozita me fotografi, dorëshkrime e dokumente  që janë prezatuar për herë të parë për opinionin e gjerë. Ndërsa kurorëzimi i kësaj veprimtarie u realizu në vitin 2014, ku materialet e prezantuara janë botuar në monografinë “Jeta dhe veprimtaria e Sheh Tahir Kanaqit”, duke qenë botimi i vetëm i tillë në shqip në Mal të Zi.

Përfundim

Ndonëse kanë kaluar 40-vjet nga vdekja e tij, më veprimtarinë, qendrimin dhe autoritetin shoqëror si rrallë kush në kohën e tij ai përkujtohet me admirim nga të gjithë ata të cilët kanë pasur fat ta njohin dhe bashkëpunojnë me te, duke qenë të priviligjuar se kanë jetuar në kohën e tij.

Po e mbyllim këtë shkrim përkujtimor në 40-vjetorin e vdekjës  së Sheh Tahir Kanaqit me thënien e tij “Të duash kombin tënd do të thotë të duash vetvehten”  duke qënë testament  për të gjitha kohërat.

(Dhjetor  2025)

Më shumë shkrime

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Shkrimet e fundit