GJURMË TË KAÇAKËVE KËRÇOVËS
NGA BAJRAM ÇELIKU – BALI
Selim Imbraim Braja, lindi në fshatin Kollarë të Kërçovës, në vitin 1807, në një familje të njohur e trime të quajtur ,,Braje”. Kjo familje është një familje e madhe, të cilën e hasim në fshatin Zajas dhe një pjesë tjetër e sajë e vendosur edhe në fshatin Kollarë. Fshat, i vendlindjes të kaçakut të njohur Selim Braja, për të cilin do të shkrujamë në këtë shkrim historik. Thuhet, se: familja “Braje”, është një familje e vjetër, e cila me pushkë në dorë, luftoi turkun për disa shekuj, e më vonë edhe pushtuesit serb e bullgarë, duke mbrojtur me dinjitet Trojet Etnike Shqiptare, sa herë që ishte nevoja. Trimëritë e këtyre burrave sypatrembur, që shkruan histori, u kënduan edhe nga rapsodë të ndryshëm, nëpër oda të burrave e konakë të dasmave. Një nga këto këngë është edhe kënga e Mefmet Begut (Brajës), ku tregohet për rezistencën e kësaj familje kundër pushtetit turk në kohën e Sulltan Azizit. Në vazhdim po prezentojmë tekstin e kësaj kënge:
KËNGA E MEFMET BEGUT (BRAJËS)
O, Mefmet Beg, o bre Mefmet Beg,
O, të kërkonte ty more, çajë dovlet,
O, të kërkonte ty more, çajë dovlet,
Ta ka çou, or një Xhelal Bege -o,
O Xhelal Begun -o, ta kanë çou,
O, Rumelinë -o, me ja tërmou,
O, Rumelinë -o, me ja tërmou,
O, Sulltan Azizit -o, me ja çou!
Sulltan Azizi, nji mret i rejë,
O, nuk zihet Meçja -o bre, me kobi…
O, nuk zihet Meçja -o bre, me kobi,
O, ja çindroni –o, ju bre Zajazli,
O, Selim Braja -o, i hollë e i gjatë,
O, ka përmrapa bre, një vilatë,
O, një vilatë -o, një Meçe tjetër,
O, se nuk zihet, ai Meçe Bege!
O, Mefmet Beg, o bre Mefmet Beg,
Të treja kullat bre, t’i kanë djeg,
O, thoshte Meçja bre, unë rrofsha vetë!
O, të treja kullat -o, do ti bojë opetë!
O, të treja kullat more, do ti bojmë vetë,
O, se nuk ka ç’na bon neve, more aj Baba Dovlet?…
Pra, si që kuptojmë nga vetë kënga popullore, familja e Braje, nuk i frigohej as Baba Dovletit të Stambollit, e jo të tjerëve. Njëri nga këto trima, rrëfente gjyshi im, ishte edhe Selim Braja, një burrë trim e trup hollë e shtatë lartë. Ky trim sypatrembur më rrëfente gjyshi, në vitin 1844, së bashku me shumë trima tjerë nga Zajasi, i bashkohet Emin Çelikut, apo Emin Xhambazit – Kërçovës, si që e njeh historia, në luftë kundër Reformave të Tanzimatit, të sjellura në kohën e Sulltan Mexhitit, një mjekërr zi, sipas së cilës shqiptarët ishin të detyruar, që të japin nga një, bir shtëpie në ushtrinë turke, në luftëra jashtë kufinjëve Etnik shqiptarë, të cilët kishin mbushur moshën 18 vjeçare.
Kundër kësajë Reforme rrëfente gjyshi u ngritën të gjithë shqiptarët kudo që jetonin ato. Edhe, shqiptarët e Kërçovës në krye me Emin Çelikun, apo Emin Xhambazin – Kërçovën si që e njeh historia dhe Selim Brajën, në shenjë revolte sulmuan Kazermën e Kërçovës e cila ishte në duar të ushtrisë turke, e për një kohë të shkurtër ajo ra në dorë të kryengritësve shqiptarë. Dy ushtarë turk lihen të lirë që të shkojnë te Pashai i Manastirit, e t’i rrëfejnë atij se Kazerma e Kërçovës ka ra në dorë të kryengritësve shqiptarë. Ky lajm i hidhur pasi i jepet pashait të Manastirit, e ai ia përcjellë Sulltan Mexhitit, ky i fundit urdhëron Hajredin Pashën, që me 5000, ushtarë të niset në drejtim të Kërçovës, e të vendosë rendin si më parë. Me të dëgjuar shqiptarët e Kërçovës, se: Hajredin Pasha është nisur drejtë Kërçovës, nën komandën e Emin Çelikut dhe Selim Brajës, me 500, trima i vënë pashës pusi në fshatin Sop, në jug-lindje të Kërçovës.
Ky fshat sot nuk egziston më, sepse në vitin 1913, u dogj e u masakrua nga bandat rrebele serbe, duke u rrafshua me tokën, e të rrallë mbetën ato që shpëtuan kokën, duke u vendosur në Staroec ose Kërçovë. Emin Çeliku dhe Selim Braja, rrëfente gjyshi, jo vetëm që kanë qenë trima, por kanë qenë edhe burra të mençur. Pas marrjes së Kazermës turke, armët dhe municionin nga kazerma i ç’vendosin në një vend tjetër me qëllim kur të kenë nevojë përsëri ta përdorin.
Në fshatin Sop, zhvillohet një luftë e rreptë, ku forcat shqiptare edhe pse në numër shumë më të vogël, përgjysmojnë ushtrinë e Hajredin Pashës, por trimave tanë u mbarojnë fishekët, dhe detyrohen që të tërhiqen nëpër male, e disa shkojnë në Kërçovë, që të furnizohen me fishekë. Gjatë tërheqjes disa nga trimat shqiptarë bijnë robër në dorë të turqëve. Pashai, duke menduar se i mundi shqiptarët, me robëritë e zënë niset në drejtim të Manastirit dhe ndalet për pushim në afërsi të Sopotnicës. Emin Çeliku dhe Selim Braja, pasi furnizohen me fishekë, i vihen pas Hajredin Pashës, dhe në Sopotnicë e sulmojnë me një sulm të furishëm, duke i shkaktuar pashës humbje të rëndë, e duke shpëtuar ushtarët shqiptarë të zënë robër, e duke u këthyer shëndoshë e mirë te familjet e tyre në Kërçovë.
Nuk kalon shumë kohë, po në pranverën e vitit 1844, Dervish Cara nga Tetova, i çon fjalë Emin Çelikut dhe Selim Brajës, që t’i bashkojnë forcat e të fillojnë me çlirimin e trojeve shqiptare nga thundrrat e pushtetit turk, duke filluar nga Shkupi, të cilin e çlirojnë pa patur problem, e për të vazhduar për Veles, Prilep, Manastir e vise tjera të banuara me shqiptarë. Forca të mëdha turke në krye me Hajredin Pashën dhe Mefmet Pashë Llatasin, një kroat i islamizuar, të paisur edhe me topa, nisen kundër forcave shqiptare, duke u vendosur njëra përballë tjetrës në Katllanovë dhe Grykën e Taorit, ku vepronte Emin Çeliku dhe Selim Braja.
Trimat e Kçrçovës si që shkruan edhe Aleksandar Matkoski gjatë tre netëve përderisa ishin vendosur në afërsi të fshatit Taor, pa zbardhur dita sulmonin rreptë shatorët e ushtarëve turq, duke u shkaktuar dame të konsiderueshme në njerëz, e duke u tërhequr përsëri në pozicionet e më parshme pa humbje. Por, ndërhyjnë edhe konzujtë e huaj për të ndaluar luftën, e krerët shqiptarë thirren në bisedime ku zihen në pabesi nga turqit të cilët i zënë robër Dervish Carën dhe Emin Çelikun. Dervish Carën pasi e zënë rob e dërgojnë në Stamboll në hapsëne ku edhe vdes, e Emin Çeliku pasi e rrethojnë turqit vendos që të mos dorzohet i gjallë, sepse e dinte se koka e tij ishte e kërkuar, që gjallë a vdekur t’i dorëzohej Sulltanit. Në një luftë jo të barabartë i rrethuar nga të katër anët trimi i Cërvicës, lufton si një dragua posi Skenderbeu, duke vrarë turqit për rreth tij. Krismat e pushkëve i ndëgjon Selim Braja me shokë dhe jep kushtrimin: ,,Me dorë burra – me dorë se na e vranë ,,Komandantin”! Dhe, me një sulm rrëfeje si të shqiponjës që mbron folenë, sulen mbi forcat turke duke ua shti frigën deri në koskë, e shpëtojnë komandantin e tyre, i cili gjatë asajë përleshje kishte marrë disa plagë, të cilat i shëroi më vonë në Kosovë, e duke vazhduar luftën deri në Cetinje të Malit të Zi.
Në vjeshtën e vitit 1844, Emin Çeliku (Emin Xhambazi), dhe Selim Braja duke u këthyer nga Cetinja dhe Kosova, ndihmojnë edhe Dibranët në luftë kundër Hajredin Pashës, duke i dhënë atij grushtin më të fortë, që nuk e kishte pritur kurrë Turqia nga shqiptarët e bashkuar. Më vonë trimat kërçovarë pasi vijnë në trojet e tyre shpërndahen në grupe, ku Emin Çeliku ndalet në ,,Malet e Dibrës”, posaqërisht në fshatin Rimnicë, të Rekës së epërme ku vepron së bashku me Kaçakun, Halil Kosumi, apo i njohur si Halil Reka.
Ndërsa, Selim Braja ndihmon Baftir Shitovën, duke varur në litarë Gjorgje Sugare Vojvodën te Shadërvani në Prilep, vojvodë i cili kishte kryer shumë terrorre mbi fshatrat e banuara me popullsi shqiptare, kinse janë turke. Erdhën edhe ditë të vështira për Selim Brajën, trimi i Kollarës mbushi mbi 100, vjet, ishte ky viti 1913, hyri Serbia, e vriste burra, gra, pleq e fëmijë. E, trimi nuk mundej më të marri malin, e të luftonte serbin. Dy djemtë e tij duke mos duruar flamurin serb në fshatin e afërm Milincë, kullës së vojvodës Gavre, i vënë zjarrin, e prej shtëpisë kishin nxjerrë dy nipërit e Gavres dhe bagëtinë. Kulla, u dogj me gjithë flamur. Djemtë e Selim Brajës marrin malin, e trimi sypatrembur Selim Braja mbetet në shtëpi me armët në dorë për Ditën e Nesërme.
Për të fshehur vjehrrin, nuset e kishin mbuluar me disa batanie te ,,Hamamxhiku” (banjo), vend ku bëhej banjë brenda shtëpisë, duke e pasë në dijeni se kasapi Gavre, do të vinte për t’u hakmarrë ndaj familjes Braje. Nuk shkon shumë kohë e Gavrja ia beh në shtëpinë e tyre, dhe pyet gratë se ku i keni burrat e shtëpisë? E, gratë i tregojnë, se ato: kanë marrë malet. Po, Xha Selimi, ku është ai? Po, edhe ai si duket ka marrë malin, i përgjigjen ato. Jo bërtet Gavrja, kjo është e pamundur ia këthen ai, është plak mbi 100, vjetë e nuk mundet më të ngjitet më maleve!
Papritur e duke mos duruar plaku mbi 100 vjeqarë, hudh bataniet nga trupi dhe si një dragua i bërtet Gavres: Ja, ku jamë, më vra se nuk të kamë frigë! Atëherë, Gavrja i befasuar nga ajo që pa me sytë e tij, i këthehet Selim Brajës, Unë nuk kam guximin me të vra ty, se: më thajnë duarët me gjithë krahë. Sepse, ti ke rritur dy djem azgana të cilët i vunë zjarrin shtëpisë sime, duke djegur edhe flamujtë e serbit, por më lanë gjallë dy nipërit e mijë, më lanë gjallë edhe bagëtinë që ndodhej në Ahër (burg të kafshëve). Jo, nuk mund të të bëj ty dëme, dhe e lëshon shtëpinë e Selim Brajës…
(E përcolli për publikim: Kalosh Ҫeliku, shkrimtar).