IDRIZ ZEQIRAJ
Tashmë, jemi në një fazë, kur ka ardhur koha e “vendimeve të dhimbshme”, siç thuhet e përsëritet në dhjetë-vjeçarin e fundit, kur bëhet fjalë për dialogimin Kosovë-Serbi. Realisht, ky është kurth e hile i disa shteteve të BE-së, në aleanca të hershme të Serbisë, që janë dëshmuar në kohë-zgjatje, të paktën, që nga vitet `70-a të shekullit 19-të e deri në ditët e sotme.
Pranimi, pothuajse, i njëanshëm nga Kurti, por jo edhe nga Vuçiqi, i plan-kornizës të hartuar nga BE-ja dhe të aprovuar edhe nga SHBA, e parathotë përsëritjen e takimeve tjera, pas këtij të 2 majit. Rezervohem për të përmendur – dështimin -, pasi angazhimi i ndërkombëtarëve dallon nga ai që kemi parë për një dakadë radhazi. Por, shqetësuese është se ndërmjetësuesit janë gadi për çfarëdo marrëveshje, vetëm të bëhet një hap para, sa për ta hequr nga agjenda e tyre aktuale konfliktin serbo-shqiptar.
Një zgjidhje gjysmake, gjithnjë në dëm të Kosovës, pritet të ndodhë, nëse Kosova do të “lëshojë pe”. Sepse ngutja për ta bërë Serbinë pjesë të Evropës, është skajmërisht urgjente, e parë nga gjeopolitika e sotme. Lëshimi i madh, madje fatal i BE-së dhe SHBA, ishte se u mjaftuan me përzënien meritore të soldateskës kriminale serbo-sllave nga Kosova, pas një masakre-plojë, kundër popullsisë të pambrojtur. Në vend që të vihen forcat ushtarake në kufirin ekzistues Kosovë-Serbi, ndërkombëtarët, të prirë nga francezët, sajuan një kufi të dytë, kufi ndarës të Kosovës në Lumin Ibër! Qëllimi ishte sa i poshtër, aq edhe kriminal, ndarja e veriut të Kosovës, në perspektivë shkëputjen dhe bashkëngjitjes Serbisë.
Dilema gjithë shqiptare: Asociacioni i komunave me shumicë serbe!
- a) Faji fillestar i Kosovës është pse u lejuan të katapultohen në poste drejtuese e vendimmarrëse njerëzit e shantazhuar me dosje faktike kriminale, edhe pse të tillët u identifikuan qysh përgjatë luftës! Është Bardhyl Mahmuti, i ngarkuar me politikën e jashtme të LPK-së, ai që denoncoi i pari agjentin e Shërbimit Sekret DGSE të Francës, Danjean Arnaud, dhëndër i Serbisë dhe lidhjen agjenturore të tij me Hashim Thaçin? Dhe, kjo lidhje daton qysh para luftës në Kosovë. Presidenti Rugova ishte në dijeni për këtë. Dhe, porositi “të mos lejohet ngritja e Hashimit në poste, është i dëmshëm për Kosovën!” Andaj, nuk e pranoi për kryeministër, madje as ministër, duke zvarritur për muaj të tërë krijimin e qeverisë.
Ky denoncim i kushtoi Bardhylit, i cili u detyrua të ndahet nga Hashimi, për të formuar një parti të dështuar. Ndërsa paraja e ndau Limaj nga Hashimi, sepse dhënia e makro-tenderave kushtonte 200 mijë dollarë, por Limaj i dekaronte vetëm 100 mijë!
- b) Faji i dytë është pse Kosova pranoi të dialogojë me Serbinë, për çështje politike, përfshi këtu edhe administrimin e brendshëm të Kosovës, siç është Asociacioni komunal? Dhe, këtë e bëri PAN-i, i prirë nga kreu i PDK-së, Hashim Thaçi, me aleatët e tij, të dalë nga LPK-ja enveriste-staliniste. Ekziston dyshimi i bazuar se disa nga krerët e LPK-së, ishin argatë të hershëm të Serbisë. Dhe, rekrutimi ka vazhduar, duke kulmuar në vitet `90-a e këtej, që reflektoi në marrëdhëniet konspirative me Serbinë, fshehurazi strukturave partiake e shtetërore.
Proklamimi përbetues i kryenegociatorës Edita Tahiri, se “ne po bëjmë vetëm bisedime për çështje teknike”, rezultoi mashtrues, i gënjeshtërt. Pse mbaheshin kaq sekret këto bisedime?! “Tymi do të dilte më vonë” dhe, pikërisht, me nënshkrimin e Asociacionit, thënë edhe në gjuhën e palës dialoguese -“Zajednicës”-, me kompetenca ekzekutive, në vitin 2013!
Hashim Thaçi ishte i shantazhuari i shummëfishtë. Mbi atë, me shokë, rëndon akuza tmerruese: Përdorimi i të gjithë katalogut të torturave fashiste e komuniste, kopjuar të gatshme nga filosllavi kriminel Enver Hoxha, me Politbyronë e tij servile, si: kidnapime, arrestime, burgosje, dajakosje, maltretime, stërmundime, madje deri në vrasje të kundërshtarëve politikë shqiptarë.
Dëshmi janë shtatoret, bustët, pllakat përkujtimore, varret numerike anekënd Kosovës, por edhe pa varre fare, ashtu siç bëri edhe monstrumi Hoxhë, me të paktën 6.000 intelektualë të ekzekutuar, me gjyqe e pa gjyqe fare, përgjatë sundimit kriminal afro gjysmë-shekullor. Qëllimi ishte i njëjtë: Marrja dhe mbajtja e pushtetit, dhunshëm e përgjakshëm, duke shkelur mbi kufoma shqiptarësh ushtarakë luftëbërës, intelektualë dhe atdhetarë të shquar.
Pas shumë travajash, rininë e bjerrur burgjeve politike, më në fund, prisja gëzimin e lirisë. Dhe, liria e dhuruar nga SHBA, me aleatët e saj, pas rënies në fushën e nderit të 800 dëshmorëve dhe tej 12 mijë viktimave civile të pafajshëm, disa këlyshër shqipfolës, në shërbim të shteteve armike të Kosovës, ia shtuan jetimët Kosovës, duke ua ngrirë buzëqeshjen e lirisë shqiptarëve të përbotshëm.
Doktrina juridike -Clausula “Rebus Sic Stantibus”,
mundëson shfuqizimin e marrëveshjeve ndërkombëtare
Skajshëm i shqetësuar se është nënshkruar dhe votuar, skllavërisht e idiotisht, në Parlamentin e Kosovës, një marrëveshje ndërkombëtare, për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, sepse “një njeriu iu nënshtruar një popull i tërë!” Prapa tij ishte një lukuni servilësh e puthadorësh bashkëmendimtarë, nga torishta e partisë-bandë PDK-së!
Duke hulumtuar për mundësinë e zhbërjes të asaj marrëveshje, hasa në një doktrinë të njohur ligjore ndërkombëtare të quajtur – Clausula “Rebus Sic Stantibus”, e cila mundëson shfuqizimin e një kontrate apo marrëveshje ndërkombëtare, kur rrethanat kanë ndryshuar skajshëm. Ndërkohë që dëmi është fatalisht bllokues për shtetin e Kosovës. Një rast i tillë ka ndodhur në mes Anglisë dhe Islandës dhe është zgjidhur me shfuqizimin e një marrëveshje të dëmshme.
Për prishjen e një kontrate apo marrëveshje, duhej argumentuar bindshëm, duke pasur parasysh rrethanat ekstreme, në të cilat është bërë marrëveshja. Shantazhimi i shumëfishtë i Hashim Thaçit, me dosjen e krimeve para, gjatë dhe pas luftës, në këmbim të lirisë personale, vendosi t`i bëjë lëshime fatale Serbisë. Edhe Isa Mustafa ishte rrast i shantazhuar nga SHIK-u. Prandaj llogaritet si kuadër i bindur i Hashimit.
Fondi shtetëror, i njohur si Fondi i 3 %-it, ka pasur një organizim të shkëlqyer zyrtar. Kontributet mujore e vjetore në Mërgatën shqiptare janë bërë përmes xhirollogarive bankare. Andaj, ish-ministri Isa Mustafa nuk akuzohet për hajni. Por, ka dhënë miliona marka komandantëve edhe në muajin prill e maj 1999, të cilat nuk janë shfrytëzuar fare për luftën. Dhe, ka fakte të mjaftueshme se janë blerë troje e toka, janë ngritur pallate e biznese, kryesisht, nga komandantët, janë paguar atentatorët, përkatësisht, ekzekutorët e kundërshtarëve politikë shqiptarë.
Përfaqësuesit qeveritarë e shtetërorë i vura në dijeni për mundësinë e rishikimit, deri në prishjen e marrëveshjes në fjalë. Ngritja e akuzës, qoftë edhe formale, ndaj nënshkruesëve të marrëveshjes fatale për Kosovën, do të ishte argument domëthënës. Por, deri më tani nuk është provuar një gjë e tillë.
Opozita destruktive palë me Serbinë dhe kriminelët!
Opozita, paradoksalisht, vazhdon destruktivitetin lidhur me krijimin e Asociacionit! Më të zëshmit janë:
- a) Ish-kuadrot e Gjykatës Kushtetuese, të prirë nga Ismet Kryeziu, me shokë, një enverist i rreshkur;
- b) Avokat Skënder Musa, kuadër aktiv i organizatës ilegale kriminale SHIK, i cili, pacipërisht dhe rrugaçërisht, sulmon familjet e viktimave, “për dëshmi të rreme” në Hagë, ndërkohë që ata vazhdojnë të jenë në zinë e përhershme dhe të përjetshme familjare, tani e tej dy dekadave;
- c) Disa nga krerët e PDK-së, mbrojtës të krimit dhe të kriminelëve;
- d) Disa ish-zyrtarë të lartë deshtakë të PDK-së, tani analistë me porosi, në T7, me Express-in e tyre, të cilët akuzojnë gazetën kombëtare “Bota Sot”, për përçarjen e shqiptarëve. E vërteta është se Vëllezërit Mazrekaj, ishin dhe mbetën denoncuesit e parë dhe më të zëshëm të krimit të organizuar vrastar dhe të korrupcionit, më saktë, të hajnisë zyrtare në Shqiptari.
Themi në Shqiptari, sepse pjesë e gazetës të “Bota Sot” ishin çifti Elida dhe Skënder Buçpapaj, përkatësisht, redaktore dhe keyeredaktor, Prof. Dr. Enver Byryçi, Prof. Dr. Eshref Ymeri, Ambasadori Abdi Baleta, me vajzën Linda, si dhe shumë bashkëpunëtorë të botës intelektuale dhe akademike gjithë-shqiptare.
Dhe, po të ishte lexuar, drejtë e vëmendshëm, denoncimi alarmues, i bërë nga gazeta kombëtare, nuk do të kishte ndodhur ploja e LPK-së: Vrasjet serike numerike politike të ushtarakëve të FARK-ut; kuadro e bashkëpunëtorë të LDK-së të Ibrahim Rugovës; reporterë-gazetarë të guximshëm të luftës; 300 ushtarët, pjesë të bandave ekzekutore; kuadro të hershëm të LPK-së, të cilët donin të luftonin pushtuesin dhe jo t`i vrisnin prapa shpine dhe në pusira, kundërshtarët politkë shqiptarë, për ta marrë pushtetin dhe për ta mbajtur, shunshëm e përgjakshëm, atë;
- e) Ish-ambasadorë të privilegjuar, shelegë të Hashimit dhe SHIK-ut të tij, si Kullashi, Bernard Nikaj, me shokë shumë;
- f) Gazetarë shërbëtorë të shefave partiakë, si Baton Haxhiu, Halil Matoshi, me shokë, të cilët në debatet e çdo mbremshme e përsërisin se “Zajednica” duhet krijuar e zbatuar;
- h) Ish-politikanë të shumë qeverive, si Isa Mustafa, Skënder Hyseni, me klanin e tyre, por që assesi nuk përfaqësojnë LDK-në e mirëfilltë, as dje në pozitë dhe as sot në opozitë.
Përndryshim nga ish-kolegët e Gjykatës Kushtetuese, të cilët jo vetëm që nuk merakosen për “Zajednicën”, por edhe agjitojnë për zbatimin e saj, profesor Mazllum Baraliu e trajton me kompetencë e profesionalizëm doktrinën juridike -Clausula “Rebus Sic Stantibus” dhe mundësinë e shfuqizimit të Marrëveshjes për Asociacionin. Mos vallë, kolegët e tij, dikur kuadro të Gjykatës Kushtetutës, nuk kanë dëgjuar për këtë doktrinë juridike, edhe pse janë bërë “yje” televizive në mediet e Kosovës dhe përtej?!
Megjithatë, pavarësisht anëshmërisë skandaloze të ndërmjetësuesëve të BE-së, miqtë tanë, SHBA, Anglia me ca të tjerë, për zgjidhjen e çështjes të Asociacionit, i referohen korrigjimeve të bëra nga Gjykata Kushtetuese të vitit 2015. Shpresojmë se kryeministri Kurti, me ekipin e tij, do të jenë në pajtueshmëri me vullnetin e popullit të Kosovës dhe të shqiptarëve në përgjithësi.
Një vërejtje domëthënëse që mund t`i bëhet kryeministrit Kurti: Kërkesa serbe për Asociacionin, nuk është e balancuar me çështjen e të pagjeturëve të të zhdukurëve me dhunë. Shqiptarët bashkëndjejnë dhimbjen e familjarëve, për njerëzit e tyre varr-bosh. Por, aktualisht, në vend të saj duhej të kushtëzohej njohja e Kosovës nga ana e Serbisë.
Reciprociteti për gjetjen e viktimave të zhdukura dhunshëm, do ta vejë në pozitë të vështirë palën kosovare. Sepse Serbia ka bërë zhdukjen zyrtare të viktimave shqiptare, andaj e ka të lehtë gjetjen e mbetjeve mortore. Ndërsa komandantët shqiptarë kanë vrarë dhe zhdukur cubërisht viktimat e tyre, kryesisht, civilë të pafajshëm. Kujtoni rastin e kuadrit të lartë të LDK-së, juristit të diplomuar, Shaban Manaj, i cili u ekzekutua dhe u dogj kufoma e tij!
Serbia bojkotuese e zgjedhjeve dhe shkelëse e marrëveshjeve
Thirrja e fuqishme, madje e përsëritur e Beogradit, për të bojkotuar zgjedhjet për pushtetin lokal, është shkelje e rëndë. Presidenti Vuçiq bëri dy shkelje, njëherësh, të marrëveshjes dialoguese:
- a) Pika 4 e plan-kornizës të BE-së, obligon palët të mos agjitojnë, përkatësisht, të mos pengojnë njëra tjetrën, në anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare dhe nisma të tjera ndërkombëtare. Ndërkohë, Serbia bëri thirrje publike e ngulmuese kundër aprovimit fillestar, për pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës!
- b) Me gjithë vullnetin e mirë të serbëve të Kosovës, për të garuar e votuar në 4 (katër) komunat në veriun e Kosovës, personalisht presidenti Vuçiq nuk u mjaftua vetëm me thirrjen për bojkotimin e zgjedhjeve, por edhe kërcënoi të gjithë ata që do ta sfidojnë atë, duke ushtruar të drejtën e ligjshme për të votuar!
PAN-istët ishin në unison me Serbinë, duke e quajtur të dështuar procesin zgjedhor të 23 prillit! Dhe, po të mos ndodhte pranimi entuziast i zgjedhjeve, nga zyrtarët e lartë amerikanë e britanikë, si dhe disa shtete të tjera, PAN-i do ta kalonte edhe vet Listën Serbe. Megjithatë, mbizotëroi opinionin i brendshëm dhe i jashtëm se prolongimi, zgjatja-pritëse e mëtejme, për t`i mbajtur zgjedhjet, do të ishte hendikep dhe nonsens i madh. Përligjia e dhunës të bandave serbe, kundër bashkëkombasëve të tyre serbë, në veriun e Kosovës, konsiderohej kriminale. Dhe, për këtë fajësohej qeveria e Kosovës, sepse serbët janë shtetas vendorë dhe Atdheu i tyre lindak e faktik është, pikërisht, Republika e Kosovës.
Ambasadori amerikan, Hovenier vuri pikën mbi “i” se në veriun e Kosovës serbët nuk po provokohen dhe as torturohen nga shqiptarët, siç mashtron Beogradi zyrtar. Por, bandat serbe atje po i kallin veturat; po dëmtojnë pronat; po i godasin serbët e pafajshëm në veriun e Kosovës, të cilët duan të jetojnë të lirë dhe në qetësi, sepse ata ndjehen shtetas dhe pranojnë shtetin e pavarur të Kosovës. Dhe, kjo po i pengon bandat serbe në veri!
Lista Serbe, si organizëm kriminal, duhet të disiplinohet. Serbët e Kosovës atdhe faktik kanë Kosovën dhe shteti i Kosovës ka për obligim moral e ligjor, t`i mbrojë ata nga bandat serbe në veriun e Kosovës. Opozitarët serbë e pranojnë dhe deklarojnë hapur se “me të sigurtë ndjehemi në Prishtinë, se sa në Beograd”. Dhe, kjo e vërtetë e hidhur, duhet t`i turpërojë parlamentin, presidentin, kryeministrën dhe pozitën serbe, e cila mbron krimin dhe kriminelët në veriun e Kosovës, duke e sakatuar, rrënuar dhe shuar opozitën, ngjajshëm me Putinin në Rusi dhe Edvin Rama në Shqipëri!
BE-ja, në vend të ndëshkimit, e përkëdhelë Serbinë agresore!
Për krimet e saj të tmerrshme, sidomos në Bosnje e Hercegovinë dhe Kosovë, Serbia do të duhej të ndëshkohej qysh në nismën e agresionit në vitet `90-a, kundër ish-vendeve, që dikur përbënin Federatën jugosllvave! Por, ajo kishte miq të fortë, si Rusinë, Francën, shtetet sllaviste e ortodokse. Gjithashtu, shumësinë e shteteve arabe dhe myslimane, andaj, jo vetëm që nuk u godit, përkundër, duke flirtëruar e mashtruar, kulloste dhe vazhdonë të kullotë në Lindje dhe Perëndim!
Kanë kaluar tej tri dekadave nga ndezja e luftës në Ballkan, që Evropa kishte krijuar paqen, pas luftës-plojë në vitet `40-a, të shekullit të kaluar. Megjithatë, rast unik që Serbia nuk ka kërkuar falje, për gjakderdhjen e shkaktuar popujve ballkanikë. Ajo nuk ka dhënë llogari as morale dhe as materiale, duke mos paguar reparacionet, dëmshpërblimet e luftës shkatërrimtare. Përkundrazi, vazhdonë të kërcënojë Kosovën, Bosnjen, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut, me synimin e krijimit të Serbisë së madhe.
Serbia shkeli faktueshëm Marrëveshjen e Ohrit, fillimisht, me deklaratat e përsëritura se “nuk do të zbatoj disa nga pikat e Marrëveshjes”, të parashikuara në plan-kornizën e hartuar nga BE-ja dhe të përsëritura edhe në Takimin e Ohrit.
Arroganca e presidentit Vuçiq dhe e qeverisë serbe, ka kaluar caqet e një shteti normal, në marrëdhëniet me fqinjët dhe ndërkombëtarët. Është koha e fundit që Serbisë agresore, t`i tregohet vendi. Nuk besoj të jetë aq e fortë, sa për ta sfiduar Perëndimin bashkëkohor. Thjesht, po shfrytëzon momentumin e rrethanave gjeopolitike. Sidoqoftë, BE-ja dhe SHBA, më në fund, duhet të vendosin çfarë të bëjnë me ministrat e Millosheviqit në Beograd?!