FLETËZA NGA DITARI I PËRZHITUR (7)
Nga Sinan GASHI
Megjithë trysnitë e natyrave të ndryshme që përjetonte shkolla shqipe në Kosovë në ato kushte okupimi, ajo mbijetoi, falë përkushtimit të gjithë mekanizmit arsimor që punonte vetëm me direktivat e ligjeve dhe urdhëresave të Republikës së Kosovës, përkatësisht ministrisë së Arsimit.
Në këso rrethanash, duke qenë se vështirësohej siguria për udhëtime të nxënësve, e gjithsesi përditë e më tepër po varfërohej ekonomia familjare, u bënë kërkesa nga disa shkolla të mesme që të hapeshin paralelet e shkollës së mesme të mjekësisë në komuna, ngase ai tip shkolle ishte vetëm në qytete.
Me lejimin e MASHT-it, në vitin shkollor 1996/’97 u hapen tri paralele, me profilet teknik i përgjithshëm, akusheri dhe pediatri, në kuadër të Shkollës së mesme të mjekësisë “Dr. Ali Sokoli” në Prishtinë. U pranuan edhe gjenerata e parë edhe në Shkollën e mesme “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu” në Gllogovc. Mësimet e përgjithshme i mbanin mësimdhënësit e gjimnazit, ndërsa ato profesionale ishin nga shkolla “Dr. A. Sokoli”. Numri i nxënësve në këto tri paralele ishte 125, ndërsa që në këtë shkollë ishin edhe 1.148 nxënës të tjerë.
Një ndihmesë të madhe ka dhënë drejtoresha e mjekësisë së Prishtinës, znj. Ajshe Balaj, me të cilën konsultimet profesionale mbaheshin vazhdimisht me drejtorin e gjimnazit, Mr. Sinan Gashi. Për t’u dukur edhe më profesionalë, në bashkëpunim me degën e shoqatën bëmirëse “Nëna Tereze” në Gllogovc, përkatësisht me kryetarin e saj Xhemajl Bajrami, u siguruan gjithë nxënësve të mjekësisë uniformën e bardhë medicinave. Ato, kur dilnin grumbull nga shkolla ngjasonin me luledrenicaret e livadheve të vendit.
Edhe pse me probleme të natyrave të ndryshme, që i krijonte qëllimisht sistemi okupues, një vullnet dhe vetëdijesim i paparë u manifestua gjatë atyre viteve, duke mos pas asnjë mungesë në punë e personelit arsimor, ani pse nuk kishin shpesh as për të paguar biletat e udhëtimit. Përgjegjësia kombëtare dhe profesionale kishte depërtuar thellë në vetëdijen e tyre, duke e parë këtë mision edhe si një kundërvënie synimeve antishqiptare të Serbisë. Madje, kur lumi i nxënësve që niste nga shkolla e shkonte për në qytezë, i harbonte edhe më patrullat milicore, sa shpesh edhe reagonin brutalisht, duke i sharë, duke ua kontrolluar çantat, duke ua futur në gojë dëftesat që ishin me vulën dhe emërtimin Republika e Kosovës, e çka jo tjetër.
Tamam në kohën kur veç kishim nisur të mësoheshim me këtë regjim pune dhe kishim një përparësi me disa shkolla të tjera qytetëse, që punonin në shtëpi private, edhe neve na erdhi ultimatumi për ta liruar objektin shkollor.
Pas orës së dytë të mësimit, aty kah ora 10, një patrullë milicore na solli lajmin e keq, që menjëherë duhej ta lironim shkollën, ngase na mësonim ilegalisht, pa i respektuar plan-programet dhe ligjet arsimore të Serbisë. Në pushimin mes orësh thirra një mbledhke urgjente të trupës arsimore dhe i njoftova për gjendjen e krijuar. Kishte nja 2-3 veta që mendonin që mos të largohemi, por të rezistojmë së bashku me nxënës.
Duke e ditur se ata mbase në atë mënyrë kërkonin të shfrynin brutalisht ndaj kësaj rinie madhështore, propozova që secili mësimdhënës me paralelen e tij të shkojë deri në stacion të autobusëve dhe t’i përcjelli nxënësit me kujdes, ndërsa pastaj të kthehen në shkollë dhe aty ne të rezistojmë. Për çudi, vetëm ata dy-tre që kishin mendim të rezistencën, nuk u kthyen fare në shkollë.
Ndërkohë në marrëveshje më drejtorët e shkollave fillore të komunës, u dakorduam që të lejohet mësimi i disa paraleleve te ata. Hapim tashti disa minishkolla të mesme, në ato lokalitete ku nxënësit e kishin më afër, përkatësisht në Arllat, Komoran, Gllogovc, Dobroshevc, Tërstenik dhe Abri e Epërme. Hartuam edhe një orar tjetër, në mënyrë që mësimdhënësi në një punkt shkolle të shkonin vetëm një herë në javë, duke përdorë si ditarë pune fillimisht disa fletore formati A/4, që ishin shportitur me rubrika të ditarit të punës. Pas një viti pune, drejtoria kishte siguruar ditarë të vegjël, nga shtypshkronja “Dukagjini” e Pejës.
Pasi tashti ishim në terren dhe në shkollë ishin vetëm disa teknikë dhe roja i natës së shkollës, që vinte në mbrëmje, objekti ishte i zbrazët. Dyert e oborrit kisha urdhëruar që të mbyllnin me një dry të fortë.
Një mesdite, kishte ardhur një autoblindë e milicisë që kishte mësyrë objektin e shkollës, e që kishte alarmuar që të hapej dera. Ngase punëtorët nuk kishin respektuar sinjalin, ata kishin sulmuar me makinë dyert dhe i kishin shtrirë për tokë, duke hyrë deri te shkallët e shkollës. Ata fillimisht kishin grabitur gjithë kabinetin e mbrojtjes e sigurisë, një lëndë shkollore ku mësohej se si të përdorej bomba, si të bëhej gjuajtja me pushkë, përcjellë me mjete konkretizimi, si dhe shumë mësime teorike për luftën, armikun, terrorizmin e tjerë.
Aty ishte edhe një bibliotekë profesionale me enciklopedi për shpjegime të të gjitha mësimeve. Ata ia kishin konfiskuar pushkën, me leje zyrtare, rojtarit të shkollës, Demë Bucollit, ndërsa që vandalizmi dhe shovinizmi i tyre ishte manifestuar në mënyrën më primitive, duke i gjuajtur me plumb revoleje të gjitha fotografitë e rilindësve të varura në muret e foajeut. Habia më e madhe ishte se plumbat ua kishin dhënë ‘në gojë’, shenjat e të cilave qëndrojnë ende.
Ngase e mbante emrin e heroit kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, në ballinë të foajeut ishte vendosur një kopje busti i tij në gips, punuar nga skulptori gjenial Odhise Paskali, dhuruar nga gjimnazi i Durrësit, që mbante emrin e njëjtë, me të cilin shkollë në vitin 1972, gjatë një vizite, ishin vëllazëruar mes vete. Madje, për t’u dukur pamja më madhështor, e kishtem vendosur në një mbajtëse dërrasash në lartësi afro dy metra, e rrethuar me një mur prej tullash siporeks.
Figurativisht me bedena, ngjasonte ashtu si kështjella e Krujës. Në të dy krahët e ballinës kishte portretet e katër figurave kombëtare shqiptare: Abdyl Frashërit, Luigj Gurakuqit, Hasan Prishtinës dhe Fan S. Nolit. Në sfond, pas skulpturës, ishte pikturuar në formë basorelievi flamur kombëtar, me përmasa të mëdha.
Ajo pamje ishte frymëzim për ne dhe nxënësit e ndjenjave të ndezura për tokën e tyre.
Edhe kjo pamje impozante, që fringthi ngjallte shpresë, siguri e guxim, i egërsoi edhe më ata qoftëlargëtit, të cilët me një urrejtje patologjike e kishin dëmtuar gjer në themel “kalanë tonë” të improvizuar, pastaj po ashtu bustin madhështor të Skënderbeut e kishin bërë grima, shqiponjën e flamurit e kishin gërryer, duke e bërë atë të bardhë, mendja e tyre që t’i ngjasë asaj serbe dhe, ajo që dëshmonte një shqiptarofobi të paparë, në sfondin e flamurit kishin shkruar në gjuhën e tyre ‘Ova je Serbija’ (Kjo është Serbi), pastaj kishin ikur.
Njeriu shpesh kujton çuditshëm, a thua të gjitha brezat e tyre janë më ligësi njerëzore ky lloj kombi?!
Legjenda:
1. Dëmtimi i tërësishëm i bustit të Gjergj Kastriotit dhe dekorimit të tij
2. Gërvishtja e shqiponjës dykrenore