Fakte:
Në vend të një reagimi, një përgjigje e qartë!
Nga Safet SADIKU
Në debatin publik dhe media sociale shpesh ngrihen paralele mes Zvicrës, shtetit federal që ka arritur të ndërtojë një sistem politik mbi bazën e diversitetit gjuhësor e kulturor, dhe Kosovës, ku vazhdon të shtrohet pyetja se si duhet trajtuar pakica serbe. Krahasime të tilla, megjithëse tërheqin vëmendje, janë në thelb të pasakta dhe rrezikojnë të prodhojnë keqkuptime të rënda politike.
Të jam i qartë që në fillim, se nga konteksti historik dhe i sigurisë, Zvicra nuk ka kaluar nëpër një luftë të afërt etnike me fqinjët ku njëra palë ka kryer gjenocid mbi tjetrën. Ndërsa Kosova e ka përjetuar këtë realitet. Serbia, përmes ushtrisë e policisë së saj, ka kryer krime të rënda mbi shqiptarët e Kosovës në vitet 1998–1999. Lista Serbe sot është vazhdim i një politike që ende nuk distancohet nga e kaluara, duke mohuar gjenocidin.
Historia zvicerane vlen si shembull për menaxhimin e diversitetit të brendshëm, por nuk mund të merret si model i gatshëm për Kosovën (për shembullin e Listës Serbe). Krahasimi përmes mohimit të fakteve është shumë i gabuar sepse pakicat në Zvicër kontribuojnë dhe njohin shtetin, ndërsa Lista Serbe nuk e njeh shtetin e Kosovës dhe e bllokon atë! Në aspektin juridik ky është një skandal në vete, dhe nuk mund të krahasohet me asnjë shtet në BE apo jashtë saj si i Listës Serbe në Kosovë! Zvicra është produkt i konsensusit të brendshëm, ndërsa Lista Serbe është produkt i ndërhyrjes së jashtme nga Serbia.
Përfshirja në institucione në Kosovë është e mundshme, por vetëm nëse përfaqësuesit serbë e njohin realisht sovranitetin e Kosovës. Prandaj, mësimi më i mirëfilltë për Kosovën nuk është “përfshirja e Listës Serbe me çdo kusht”, por krijimi i një hapësire politike ku serbët e Kosovës që e njohin shtetin të kenë zë real. Përfshirja funksionon vetëm mbi bazën e respektimit të Republikës së Kosovës, jo mbi mohimin e saj. Me këtë rast dëshiroj t’i numroj edhe disa fakte:
Së pari, pakicat në Zvicër janë pjesë përbërëse e shtetit. Gjermanofonët, frankofonët, italofonët dhe romançët, ashtu si katolikët dhe protestantët, pavarësisht tensioneve historike, nuk e kanë vënë kurrë në dyshim ekzistencën e Zvicrës si shtet i përbashkët. Madje, pas çdo konflikti të brendshëm, qoftë pas Luftës së “Sonderbund-ut më 1847” apo pas ndarjes së kantonit të Jurës më 1979, zgjidhja ka ardhur jo duke mohuar shtetin, por duke e konsoliduar atë përmes kompromisit dhe rritjes së hapësirës për autonomi lokale. Në rastin e Kosovës, situata është diametralisht e kundërt.
Lista Serbe, si subjekt politik dominues në mesin e serbëve të Kosovës, nuk e njeh shtetin e Kosovës. Ajo merr orientime të drejtpërdrejta nga Beogradi dhe, në vend që të përfaqësojë interesat e komunitetit lokal brenda institucioneve, shpesh i përdor ato si instrument për bllokim. Deputetët e saj bojkotojnë Kuvendin dhe përfaqësuesit lokalë japin dorëheqje kolektive. Ndërsa retorika publike është e lidhur me narrativën se “Kosova është Serbi”. Kjo nuk është thjesht shprehje e një pakice që kërkon më shumë hapësirë politike, por është një projekt për të minuar sovranitetin e Kosovës nga brenda.
Së dyti, pakicat në Zvicër nuk janë të instrumentalizuara nga ndonjë fuqi shtetërore fqinje. Ato nuk funksionojnë si “kolonë e pestë” e një shteti tjetër. Përkundrazi, janë ndërtuar mbi bindjen se vetëm nëpërmjet konfederatës zvicerane sigurohet liria dhe zhvillimi i tyre. Në Kosovë, megjithatë, Lista Serbe është vazhdim i një projekti shtetëror serb që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe që kërkon ta ruajë ndikimin politik, ekonomik dhe kulturor në territoret ku jeton pakica serbe.
Së treti, përfshirja dhe integrimi politik funksionojnë vetëm kur ekziston një minimum besimi dhe njohjeje reciproke. Modeli zviceran nuk është i mundur pa konsensusin themelor mbi ekzistencën e shtetit. Nëse ky konsensus mungon, atëherë “përfshirja” nuk është më instrument stabilizues, por bëhet mjet për destabilizim. Pikërisht këtë e shohim sot në Kosovë, sepse Lista Serbe jo vetëm që nuk kontribuon për stabilitetin institucional, por shpesh shërben për të prodhuar krizë dhe për ta vënë në pikëpyetje autoritetin e Republikës së Kosovës.
Kështu qëllimet politike në Zvicër, edhe kur kantonet nfonjëherë kanë pasur konflikte (si Jura apo ndonjë tjetër), synimi ishte ruajtja e autonomisë brenda Zvicrës, jo bashkimi me një shtet tjetër që pretendonte tokat zvicerane. Në Kosovë, Lista Serbe nuk lufton për më shumë autonomi brenda Kosovës, por për ndarje territoriale dhe lidhje direkte me Serbinë. Ky është thelbi i projektit “Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe”, që një pjesë e elitës politike në Kosovë mjerisht nuk dëshiron ta pranon ose faktet i trajtojnë në forma të gabuara!…
Prandaj, mësimi për Kosovën nuk është “integrimi i Listës Serbe me çdo kusht”, siç sugjerojnë disa krahasime të thjeshtuara me Zvicrën. Stabiliteti i vërtetë është ky se integrimi është i mundshëm vetëm mbi bazën e njohjes së shtetit dhe pjesëmarrjes lojaliste në institucionet e tij. Aty ku mungon ky minimum, çdo “përfshirje” shndërrohet në pengesë, jo në zgjidhje. Përfundimisht Kosova ka nevojë për një politikë të re ndaj pakicës serbe, që të dallojë qartë mes qytetarëve serbë të Kosovës, të cilët kanë të drejtë të plotë për përfaqësim dhe integrim, dhe jo ende t’i shërbejnë instrumentit politik që mundëson funksionim për axhendat e Beogradit. Vetëm në këtë mënyrë mund të ndërtohet një shtet i qëndrueshëm e sovran, ku pakicat respektohen si pjesë e barabartë e shoqërisë, por jo si mjet për mohimin e vetë ekzistencës së tij.
Në këtë kontekst, është e gabuar edhe logjika politike që sulmet ndaj Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, (ose kujdo qoftë tjetër) të bëhen përmes Listës Serbe. Kushdo që mendon se dobësimi i qeverisë së Kosovës (ose pengesa e themelimit të saj në rastin aktual si tani) mund të arrihet duke i dhënë hapësirë politike një instrumenti të Beogradit, zgjedh rrugën më të gabuar dhe më të pasaktë. Një qasje e tillë nuk i shërben stabilitetit politik e shoqëror të shtetit të Kosovës, përkundrazi, vetëm sa i kontribuon agjendës së Serbisë për destabilizim dhe krijim të varësisë së brendshme të institucioneve të Kosovës.
Dhe pikërisht ky është edhe qëllimi i Beogradit që përmes Listës Serbe: ta mbajë Kosovën të brishtë dhe të varur, duke e penguar konsolidimin e saj si shtet sovran. Kosova ka nevojë për një politikë të qartë dhe konsekuente, që përfundimisht të dallojë mes qytetarëve serbë, të cilët janë pjesë e shoqërisë dhe duhet të gëzojnë të gjitha të drejtat, në njëren anë, dhe strukturave politike në anën tjetër që veprojnë si zgjatim i interesave të një shteti që vazhdon të mbetët vetëm agresor, që quhet Serbi!… Vetëm kështu mund të garantohet stabiliteti i brendshëm dhe funksionimi i drejtë i demokracisë në Kosovë…
“Përse krahasimi mes Zvicrës dhe Listës Serbe në Kosovë është i gabuar?”
Ama titull!!! Po qysh nuk është i gabuar?! Zvicra ka kuptim me u krahasue me Kosovën e jo me Lisëtn Serbe në Kosovë. Ky paska probleme themelore konceptuale lidhur me temën që paka marrë me e trajtue.