PENDA, FJALA DHE PUSHKA: Historia e djemve të pamposhtur të Llapit dhe Gallapit

0
Arif Ejupi

(Me rastin e 27-vjetorit të rënies së gazetarit dhe publicistit Afrim Maliqi)

Në fundin e viteve ’80 dhe në fillim të viteve ’90 të shekullit XX, në kohën kur represioni shtetëror serb u shndërrua në dhunë të organizuar kundër shqiptarëve të Kosovës, Llapit dhe Gallapit iu ngarkua një barrë e rëndë historike.

Në këtë periudhë, një grup veprimtarësh, intelektualësh dhe idealistësh të rinj u bënë bartës të rezistencës kulturore, morale dhe politike në këto treva.

Në këtë rreth veprimtarësh spikasin Afrim Maliqi dhe Agron Jaha si figura përfaqësuese të dy shtyllave themelore të qëndresës: mendimit kritik dhe organizimit rinor. Afrim Maliqi, përmes shkrimit publicistik dhe krijimtarisë letrare, artikulonte në mënyrë sistematike plagët kolektive të shqiptarëve.

Ndërsa, Agron Jaha, përmes ligjërimit pedagogjik dhe aktivitetit shoqëror, mobilizonte brezin e ri për një rezistencë afatgjatë dhe të ndërgjegjshme.

Afrimi, së bashku me Nexhmi Balën dhe Bajram Kadriun, ndërmori një veprimtari të pazakonshme në rrethana lufte: mbrojtjen e librave dhe materialeve bibliotekare nga djegia sistematike që po ushtrohej nga strukturat shtetërore serbe.

Ata gjurmuan në bibliotekat e Podujevës dhe fshatrave përreth për të shpëtuar mijëra ekzemplarë librash, duke ruajtur kështu themelet e memories kulturore shqiptare.

Në të njëjtën kohë, Maliqi përmes poetikës dhe publicistikës krijoi një kundër-narrativë historike ndaj diskursit zyrtar serb. Në shkrimet e tij, Një apel me LL të madhe, Mjegulla dhe zhurma, Masakra e Drenicës, Festa dhe lufta, Imanenca e pamjeve, Kohë e vigjilencës politike dhe dhjetëra artikuj të tjerë, marrin trajtë simbolesh të qëndrueshmërisë kombëtare dhe të kujtesës historike.


Veprimtaria e z. Maliqi kishte për qëllim jo vetëm dokumentimin, por edhe ruajtjen institucionale të ndërgjegjes historike, në rrethana kur identiteti shqiptar ishte objekt i shënjestrimit sistematik.

Ndërkaq, Agron Jaha ishte figurë kyçe në ndërgjegjësimin shoqëror dhe edukimin patriotik të rinisë llapjane. Si profesor i Biologjisë në QAMO “8 Nëntori” të Podujevës, ai shërbeu jo vetëm si mësimdhënës, por edhe si mentor shpirtëror dhe drejtues moral.

Në ligjërimet dhe aktivitetin e tij publik, ai kundërshtonte ndikimet kulturore degjeneruese dhe promovonte ruajtjen e identitetit kombëtar, veshjen tradicionale dhe trashëgiminë pellazgo–ilire.

Një nga parimet e tij më të cituara ishte: “Toka dhe bagëtia shiten vetëm për arsimimin e fëmijëve.”

Në të njëjtën frymë, ai kërkonte emancipimin e vajzës shqiptare përmes arsimit dhe dijes, duke refuzuar modelin e objektivizmit shoqëror të gruas dhe rolin margjinal të imponuar tradicionalisht.

Në fushën e dokumentimit historik, rol të veçantë pati Fadil Halimi, i cili u bë zëri i familjeve të viktimave të represionit serb.
Ai dokumentoi biografitë e të vrarëve në Armatën Jugosllave dhe krijoi kronikë të dhimbjes kolektive shqiptare në një kohë kur media zyrtare serbe e mohonte realitetin në mënyrë sistematike.

Halimi i palodhshëm në këtë rrugëtim të vështirë secilës humbje dhe dhembje i dha emër me shkrime të vazhdueshme në “Zëri i ditës” të editorëve Blerim Shala dhe Bardh Hamza.

Në krah të tij, Fadil Llugaliu vijonte punën arsimore dhe mbështeste rrjetin veprimtar të Llapit, pavarësisht kërcënimeve dhe presioneve.

Në aspektin kulturor, Agron Gërguri luajti rol të rëndësishëm në aktivizimin e të rinjve përmes artit dhe teatrit, duke krijuar hapësira alternative kulturore në kohë represioni.

Në këtë veprimtari u dallua edhe Nebih Bala, i njohur me energjinë e pashtershme dhe aftësinë organizative.

Në tetor të vitit 1994, Afrim Maliqi filloi punë si gazetar në gazetën Rilindja, përkatësisht në të përditshmen “Bujku” të Prishtinës, të shumtën e kohës ai punonte në kushte ekstreme, pa energji elektrike dhe nën presion policor. Veprimtaria e tij publicistike u shndërrua në një front informativ kundër propagandës zyrtare serbe.

Një kapitull i veçantë ishte krijimi dhe zgjerimi i Parlamentit Rinor të Kosovës, dega në Podujevë e drejtuar nga Agron Jaha, i cili u shtri pothuajse në çdo fshat të Llapit dhe Gallapit përmes protestave, peticioneve dhe aksioneve sensibilizuese të brendshme e ndërkombëtare.

Zona e Gallapit me iniciativën e z. Agron Jaha iu besua Zahir Pajazitit, i cili më pas u shndërrua në figurë kyçe të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës; ku struktura rinore shërbeu si bazë paraprake për rezistencën e armatosur.

Gjatë helmimit masiv të nxënësve në Podujevë (1990), Agron Jaha ishte ndër figurat e rralla që doli publikisht dhe akuzoi strukturat shtetërore serbe, duke denoncuar përfshirjen e njësive sekrete dhe tentativën për përhapjen e helmit edhe në Shtëpinë e Shëndetit në Podujevë.

Intervistë me Agron Jahën, realizuar më 25 mars 1990; burim audio-vizual i ruajtur në arkivën private të autorit; version i publikuar më vonë në YouTube.

Në këtë klimë terrori, një akt të jashtëzakonshëm human ndërmori Gani Jakup Babatinca, i cili çarmatosi policët serbë të veshur në rroba civile Dragan dhe Tihosllav Narangjiq, që synonin të hapnin zjarr mbi një turmë civile të pambrojtur; për këtë akt, u dënua me pesë vite burg.


Foto dokumentare e ekipit të Klubit Hendbollistik “Llapi” në Podujevë, realizuar në vitet ’80.
I rrethuar në foto (identifikuar nga autori): Gani Jakup Babatinca, lojtar i klubit dhe protagonist i aktit human gjatë helmimeve të vitit 1990 në Podujevë, kur çarmatosi pjesëtarë të policisë dhe shmangu një tragjedi civile. Burimi: Arkiva private e autorit.

Afrim Maliqi dhe Zahir Pajaziti, të lidhur me idealin e lirisë, ranë në fushëbetejë për Kosovën, për të mos vdekur kurrë. Agron Jaha, pas burgosjes dhe kërcënimeve, u detyrua të migronte në Gjermani, ku u bë zë i së vërtetës së Kosovës në qarqe ndërkombëtare.

Figura e këtyre djemve përfaqëson sintezën e tri elementeve themelore të rezistencës shqiptare: pendën, fjalën dhe pushkën. Kontributi i tyre mbetet testament historik dhe obligim moral për kujtesën kolektive.

ARIF EJUPI
Gjenevë, 2 dhjetor 2025

P.S. Çdo riprodhim, shpërndarje, publikim ose shfrytëzim i paautorizuar i këtij materiali, në çfarëdo forme apo mënyre, përbën shkelje të të drejtave të autorit dhe bie ndesh me dispozitat ligjore në fuqi. Shkelësit e këtyre të drejtave mund të përballen me masa ligjore përkatëse.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.